“Kokën në Stamboll, trupin në Janinë”

TEKI DERVISHI



Nga Teki Dervishi



Historia rrëfen se ia prenë kokën Pashait të Tepelenës dhe, me kamare prej akulli, ia ekspozuan në Ibret Tepsi shesheve të Stambollit. Po bëhen 600 vjet që Fuqitë e Mëdha në relacionet e tyre të dekonvertuara politike, i përjashtojnë shqiptarët e pafuqishëm (ose i përvetësojnë si jeniçerë) varësisht se në cilat dimensione gjeografike avancojnë pushtimet e "aleancave" të mëdha, që do të thotë "përkatësimi" shqiptar u është nënshtruar interesave hegjemoniste.

Për dallim prej kombeve të tjera të Ballkanit, që ishin sllave ose ortodokse (Greqia), shqiptarët nuk kanë pasur fuqi të refuzojnë "përkatësime të emëruara" nëpër konferenca dhe kongrese të "aleancave të mëdha", për arsye se shqiptarëve u ka munguar me shekuj aleanca e fuqishme.

Një çështje e "përkatësimit" të kombit, pikërisht në këtë linjë të kontinuitetit historik ndodhi edhe këtyre dhjetë vjetëve të menaxhmentit politik me Kosovën nga ana e forumit më të fuqishëm botëror që quhet Këshilli i Sigurimit, dhe që, si gjatë historisë që na ka etiketuar me absurde të "përkatësimeve" herë në krah të njërës fuqi, herë në krah të tjetrës civilizantë, kësaj here na zbuluan si "komb multietnik". Vija që e ndan etninë prej kombit është shumë e trashë, nuk është e hollë.

Po aq u bën atyre dhe kurrë nuk kanë këqyrë "për pak", nuk janë koritur kurrë me ne! Pikërisht ato shtete të Fuqive të Mëdha, të cilat - herë për të na akuzuar para se të bëjnë gjenocid dhe shpërngulje milionëshe, herë për të na mbrojtur nga gjenocidi - na kanë hedhur në taborë "përkatësimesh", asnjëherë pa e pyetur vullnetin tonë, që do të thotë asnjëherë duke mos e respektuar realitetin historik (biografinë) e trashëgimisë shqiptare, gjithnjë duke u thirrur në "variantin e ri" të saj, sipas modaliteteve që i ka imponuar politika e okupatorëve.

Pastaj ndodh që UNESKO (OKB) të marrë përsipër mbrojtjen e trashëgimive të huaja në gjeografinë shqiptare ose ta mbrojë trashëgiminë tonë multietnike dhe multifetare.

Të gjithë të tjerët këtu kanë objekte sakrale ortodokse dhe të gjithë të tjerët kanë objekte islamike, përveç nesh. Por, ne jemi ortodoksë, kur u konvenon ta lexojnë historinë, dhe jemi muhamedanë, kur u konvenon ta konstruktojnë historinë.

Ne jemi "diçka" brenda trashëgimive të huaja në vendin tonë autokton.

Nëse kushtetuta e një shteti është përkatësimi politik i emrit të shtetit (kombit), atëherë Kushtetuta e Kosovës përcakton laicitetin e kombit multietnik, do të thotë Kosova nuk është shtet sekular.

Nuk është as Shqipëria. Dhe kështu qëndron puna për shkak të llojit konsumor të kulturës shqiptare, që as në kodet e Lekë Dukagjinit nuk i sanksionoi rregullimet shoqërore të ngjashme me "sheriatin" ose "inkuizicionin" latin.

Pra, për interesa të Fuqive të Mëdha, ato vetë japin deklarata për përkatësitë tona, së pari duke mos i pranuar asnjëherë si trashëgimi shqiptare.

Ato deklarata që u dhanë këtyre ditëve për përkatësinë fetare të popullit laik multietnik sipas Kushtetutës, mund të kenë qëllime të mira thjesht politike, sikur ishin qëllimkëqija kur të njëjtat i shpallte Milutinoviçi në Parlamentin Evropian, duke e mbrojtur "ndërgjegjen e krishterë" nga arnautët e Ballkanit. Por nga i nxirrnin shifrat precize, që thonë 95%, kur në Kosovë Këshilli i Sigurimit pengon regjistrimin e popullsisë.

Regjistrimi i përkatësisë fetare nuk është bërë asnjëherë as në Shqipëri. Shqipëria 50 vjet ishte shtet ateist.

Sa për qind është trashëguar kultura fetare atje, a është bërë statistikë, që të dihet pak më shumë për robotin teknik që quhet 95%? Mbrojtja e lirive fetare është vlerë më e madhe e shoqërive demokratike.

A shkelen të drejtat përcaktuese të atyre që avullohen brenda 95-përqindëshit, kështu duke ua shkelur një të drejtë "përkatësimi" legjitim? A thua kush e ka penguar Shqipërinë që edhe si kuislinge lojale ndaj Evropës dhe Azisë, megjithatë është shtet i pavarur, që nënkupton se mund të bëjë regjistrime pa e pyetur vullnetin e monitorëve voluntarë politikë që kujdestarojnë me "katër sy" hapur? Pra, mungojnë statistikat dhe ato konstruktohen aktualisht me të njëjtën metodë që përpiloi po këso konstruktimesh 600-vjetëshi i kaluar.

Megjithatë, proceset po ecin mbarë në kulturën shqiptare dhe ato nuk mund t'i spekulojë grafika historike e mecenatit politik, sepse i fakton realisht kostumografia, muzika, skenografia, gjuha dhe të gjitha këto komponohen shumë bukur me modelin e civilizimit të avancuar aktual, që e kishte djepin në autoktoninë ballanike të kulturës shqiptare.

Shqiptarët, ngadalë, por me siguri, po kthehen në identitetin e tyre trashëgimor, duke mos mundur t'i mbajnë në kurriz një mori identitetesh kontraverse kulturore që ua ngarkoi historia me dhunën dhe përdhunimin e vandalëve dhe barbarëve.

Që të ekzistojnë në rrethana armëpushimi shekullor, shqiptarët mësuan të adaptoheshin politikisht, por kurrë jo esencialisht.

Adaptohemi që të mbijetojmë para armëve të atyre që me shekuj kanë dashur të na zhdukin nga faqja e dheut dhe kjo arrihet vetëm duke e zhdukur trashëgiminë kulturore, duke ushtruar gjenocid akulturimi! Por sot është rendi i ri botëror, në të cilin shqiptarët kanë vend të rëndësishëm, pikërisht pse janë aleatë të sinqertë, që do të thotë aleatë shpirtërorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës