Historia më se 160-vjeçare e barbarizmave
sllave ndaj shqiptarëve
DOSJA 58 - PËRMASAT E BARBARISË
SERBE MBI SHQIPTARËT
Shkruan: Veli Haklaj
Dëshmi tronditëse të barbarizmave
çnjerëzore
Shpallja e pavarësisë së Kosovës është sot kryefjala e të gjitha kancelarive kryesore diplomatike dhe qendrave vendimmarrëse në botë. Në këto ditë të ardhshme, pritet të marrë zgjidhje raporti dramatiko-tragjik mes serbëve dhe shqiptarëve. Ky raport u ndërtua përmes një ballafaqimi shekullor të dy strategjive të kundërta: të asaj serbomadhe në agresivitet e shfarosje të shqiptarëve dhe të asaj shqiptare në vetëmbrojtje e vetëqenie.
Genocidi serbomadh mori formë të organizuar shtetërore, më 1844, me programin “Naçertanija“ të Ilia Garashaninit, ish-ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë, për të vazhduar me programin e kolonizimit të shqiptarëve, prezantuar në formë memorandumi Parlamentit në Beograd, më 7 mars 1937 nga akademiku Vaso Çubrilloviç. Këto platforma ideologjike dhe të tjera që dolën në vitet ‘80 dhe ’90 të shekullit të kaluar kishin si objektiv shfarosjen e shqiptarëve dhe kolonizimin e plotë të Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare nën Jugosllavi.
Në luftën serbo-turke, 1876-1878, agresionet e forcave të organizuara serbe sollën pasoja shfarosëse për shqiptarët në viset e Moravës jugore, perëndimore dhe lindore. Në kujtesën e bashkëkohësve të atyre viteve llogariteshin 35 000 viktima shqiptarë të çdo moshe e seksi. Ishte fakt se fshatra, qytete e krahina të tëra zbrazeshin nga këto tmerre. Konsulli i Perandorisë Osmane në Nish njoftonte se nga një lagje thjeshtë shqiptare e Nishit, prej 300 shtëpish shqiptare, vetëm 20 shpëtuan. Të tjerat u rrafshuan me tokë. Në kazanë e Leskovcit u shkatërruan 1228 shtëpi me 88 fshatra e u shpërngulën rreth 20 667 banorë; në rrethin e Përkupës, në 73 fshatra me 1771 shtëpi, shumica u dogj ose u shkatërruan; nga 67 fshatra me 1 531 shtëpi shqiptare u shpërngulën rreth 12 480 banorë. (Gjurmime albanologjike, seria e shkencave historike IX-1979, Prishtinë, 1980, fq. 142).
Në vitet 1912-1913 dhe në vijim politikat shfarosëse ndaj shqiptarëve marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha. Më 12 nëntor të 1912-ës shkruhej se në afërsi të Shkupit, 2000 dhe jo larg Prizrenit 5000 shqiptarë myslimanë u masakruan. Shumë fshatra u dogjën dhe popullsia e tyre u masakrua. Në rrethin e Prishtinës vetëm gjatë periudhës 18 tetor-12 nëntor 1912 u zhdukën nga terrorizmi masiv serb 5 000 shqiptarë. (Leo Freundlich, Albanienes Golgotha, Wien, 1913, f. 8-9)
Në krahinën e Lumës u shkatërruan 27 fshatra dhe u vra popullata deri tek fëmijët. Këtu u kryen mizoritë më të tmerrshme që njeh lufta shfarosëse kundra shqiptarëve. Këtu ndodhi që gratë dhe fëmijët, të mbështjellë me kashtë, u dogjën të lidhur përpara syve të burrave dhe baballarëve të tyre të lidhur. Grave shtatzëna u nxirreshin në mënyrë të tmerrshme fëmija nga barku dhe kalohej në bajonetë. Edhe të dorëzuarit vriteshin si në “kasaphanë”. (Leo Freundlich, Albanienes Golgotha, Wien, 1913, f. 15-16).
Ngjarje të tilla tronditëse kemi në vijimësi deri në Luftën e Dytë Botërore, ku pardoksalisht, nën pushtimin e të huajve fashisto-nazistë, shqiptarët në Kosovë fillojnë të ndihen më mirë dhe të shijojnë ëndrrën e bashkimit me trungun amë. Kapitullimi i Jugosllavisë, prill 1941, krijoi një gjendje të re në Ballkan. Ky shtet u copëzua nën ndikimin Italo-Gjerman. Mbretëria shqiptare përfitoi një pjesë të trojeve të Kosovës, çka solli një gjendje të re për hapësirën shqiptare, duke rritur shkëmbime në të gjitha fushat, të cilat ishin ndërprerë që nga vitit 1912. Me Dekret Mëkambësor nr. 333, datë 3 dhjetor 1941, në Qeverinë e Tiranës u krijua Ministria e Tokave të Liruara, e cila ekzistoi deri në shkurt 1943. Në Qeverinë e Ekrem Libohovës (18 janar-11 shkurt 1943) emërohet ministër sekretar shteti për Tokat e Liruara Ismet Kryeziu. (Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912-1905, Tiranë 2006, fq. 470)
Emërimi i Ismet Kryeziut në këtë post ministror nuk ishte rastësor. Në biografitë e ministrave të rinj të kabinetit Libohova, gazeta “Tomori” jep këto të dhëna për Ismet Kryeziun: Lindi në Gjakovë, në vitin 1889, bir i një prej familjeve më të njohura të asaj krahine. Mbasi ndoqi studimet fillore dhe të mesme në qytetin e lindjes e plotësoj përgatitjen e vet në Stamboll. Kur u kthye në atdhe (Kosovën nën Serbi), zgjidhet deputet, por në Shkupcinë të Beogradit, qeveritarët serbë i përgatisin atentate prej të cilave shpëtoi mrekullisht. Më 1926 kaloj kufirin dhe u emërua prefekt në Berat dhe pastaj me radhë në Vlorë, Durrës e Korçë. Më 1936 u zgjodh deputet i Kosovës në Parlamentin shqiptar. Më vonë u emërua anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit dhe tani së fundi zëvendësprefekt në Durrës. (Gazeta “Tomori”, 20 janar 1943)
Më datë 17 shkurt 1943, pasdreke zhvillohet mbledhja e përgjithshme e parakohshme e Këshillit të Epërm Fashist Koorporativ, ku Kryeministri i sapoemëruar, Maliq Bushati paraqiti programin. Ai, ndër të tjera, theksoi: “…Me qëllim që të mblidhen tok të gjithë qytetarët e ndershëm dhe besnikë të Atdheut edhe të ngrehur kështu ma të fortën mbrojë në mbrojtje të independencës e të integritetit etnik të kombit tonë, është vendosur të themelohet “Rojën e Shqipërisë së Madhe”, që do të jetë organizata totalitare e shtetit shqiptar…Prandaj është detyrë e të gjithë nacionalistëve shqiptarë ta ndihmojnë Qeverinë në ndëshkimin e pamëshirshëm të atyre q veprojnë në dëm të Shqipërisë së Madhe…Është detyrë e nacionalistëve të ndihmojnë me mish e me shpirt veprimet e ushtrisë kur ajo të thërrasë për të mbrojtur brenda Atdheut ose në kufijtë e Atdheut, Shtetin Shqiptar…
Një ndër pikat e programit të Qeverisë Bushati ishte:- Ta vinim Shqipërinë e Madhe në kondita për t‘u mbrojtur nga çdo rrezik i brendshëm e i jashtëm që mund t’i kërcënohet.
I pari që mori fjalën mbas Kryeministrit ishte këshilltari epror z. Ibrahim Fehmiu, përfaqësues i Kosovës, duke thënë: Populli kosovar, në lidhje të pazbërthyeshme me krejt popullin shqiptar, një mendjeje dhe një shpirti me të, përshëndet deklaratat programatike të Qeverisë Bushati zotimin e bujshëm të kryerit të aspiratave të shenjta të të gjithë kombit shqiptar…Ne kërkojmë në emër të popullit që përfaqësojmë, prej Qeverisë sonë një gjë të vetme: Që ajo t’i përvishet me gjithë fuqi punës së zbatimit të rrufeshëm të të gjitha pikave të programit të saj. Këtë kërkim e bëjmë të gjithë njëzëri në një çast historik si ky i tashmi, bash pse mbas masakrave të tmerrshme që pësoj një krahinë shumë e gjerë e tepër fisnike e Shqipërisë, ku u kositën si bari mijëra e mijëra fëmijë, gra e burra, pleq e plaka nga furia e egërsisë së mbrapshtë sllave, nga çetnikët serbo-malazezë. Në këtë çast lajme të hidhëta, shumë të hidhëta, po arrijnë nga kufijtë tonë. Prapë po përgatiten sulme të mëdha kundër krahinave të veriut, d.m.th. Prishtinës, Pejës, Plavës, Gucisë dhe Shkodrës. Koha nuk pret. Çdo minutë e që vjen, mund të jetë e kobshme për të ardhmen tonë të përgjithshme dhe për popullin kosovar të kërcënuara drejt për drejt veçanërisht…” (Gazeta “Tomori”, 18 fruer 1943)
Ndërkohë që me dekret të Kryetarit të Këshillit të Ministrave krijohet një komision nën kryesin e shkëlqesës Iljaz Agushi dhe me anëtarë shkëlqesat Mustafa Merlika-Kruja e Dhimitër Berati, si dhe z. Hasan Dosti, Patër Anton Arapi, Hamdi Kazazi e Thoma Luarasi me qëllim që të mbledhë të gjitha dokumentet e shtypura në çdo gjuhë që të ndodhen e gjithçka mund të shërbejë për të vërtetuar shqiptarizmin e Kosovës. (Gazeta “Tomori”, 5 maj 1943)
Paralel me veprimet e mësipërme, nga ana e prefektëve në Tokat e Liruara, me porosi të pushtetit qendror, ju kërkua kryetarëve te komunave në Kosovë që të dokumentonin barbarizmat sllave të bamë ndër shqiptarë nga viti 1912 e në vazhdim. Përgjigjet e ardhura shpalosin një pjesë të tragjedisë së popullit kosovar nën sundimin serb.
Krijoni Kontakt