
Postuar më parë nga
BESIIM
BOTA SOT
Presidenti u pa burrështetas i Kosovës
Sa herë që akëcili nga liderët e Kosovës merr një vendim të qëlluar në mbrojtjen e dinjitetit shtetëror, na kujtohet Rugova Historik.
Ai ka ditur të thotë “jo” kategorike, duke filluar nga Cimermani (që e “këshilloi” të dilte në “zgjedhjet” e okupatorëve), që dinte të refuzonte kategorikisht takimet e imponuara nga ndërkombëtarët me disa liderë të Shqipërisë, duke mos hyrë në “biseda” kuluaresh “politike” me individë që i janë imponuar si faktorë që mund t’i “ndihmonin” Kosovës në “marrëdhënie me Serbinë”, etj.
Me një fjalë, Presidenti Historik e ka mbrojtur dinjitetin shtetëror të Kosovës.
Ai thoshte: “Kosova de fakto është shtet, de jure do të bëhet”.
Deri te de jure si sot, Rugova e ruante dhe e respektonte protokollin shtetëror të Kosovës, ashtu si i ka hije shtetit të vërtetë, për të cilin është derdhur aq shumë gjak dhe djersë.
Derisa të tjerët bënin “allishverishe” me serbët duke shpresuar në “demokratizimin e Serbisë” si “shanse për Kosovën”, presidenti Rugova i injoronte dhe i përbuzte në çdo ofertë duke refuzuar kategorikisht “jo”! Pse i thamë këto fjalë më lart, nëse do të thoni: “Po këto i dimë të gjithë”! I përsërisim këto duke dashur të shëmbëllejmë fakte për të treguar se Kosova kur të çlirohet nga “këshilltarët” ndërkombëtarë do të dijë të respektojë protokolle shtetërore, meqë kemi ditur ta formojmë shtetin, të tillë çfarë e kemi, do të dimë edhe ta mbrojmë, edhe ta mbajmë dhe të mos lejojmë të na gjunjëzojnë ata që historikisht kanë qenë armiq të shqiptarëve, ndaj edhe kundërshtarë të shtetit të Kosovës.
Edhe sot janë kundërshtarë, por plotësojnë detyrimet duke u përpjekur të hyjnë në NATO, presidenti Sejdiu, me anulimin e vizitës në Maqedoni, dëshmoi se Kosova ka burrështetas.
Nga Maqedonia (që ende nuk i ka zgjidhur problemet me shtetformuesit e saj, me shqiptarët atje) nuk ka çfarë çështjeje të zgjidhë plus me shqiptarët e Kosovës duke bashkëpunuar me Serbinë aktuale, pacifiste terroriste.
Do të dëshmohet së shpejti, Maqedonia varet prej Kosovës, e jo Kosova prej Maqedonisë.
Presidenti Sejdiu u tregua burrështetas që nuk lejon kush ta poshtërojë Kosovën, e lere të na poshtëronte një shtet i cili duhet t’i plotësojë kushtet elementare ligjore që të bëhet shtet.
Kjo është hera e dytë e një qëndrimi të presidentit Sejdiu prej burrështetasi (që ka bashkëvepruar politikisht me presidentin Rugova, i cili bënte “refuzime estetike” kundër të gjithë atyre që kanë dashur ta shohin Kosovën të prirë nga një klasë inferiore politike), është hera dytë kur bashkë me kryeministrin Thaçi e mbrojtën faktoritetin e sovranitetit të Kosovës duke refuzuar kategorish “jo” për 6 pikat e Ban Ki Munit, përkatësisht Këshillit të Sigurimit.
Kosova nuk do të mund ta mbrojë sovranitetin e saj të fituar pas kaq shumë përpjekjesh njëshekullore, nëse vazhdon që të jetë e dëgjueshme ndaj të huajave që vënë kritere për marrëdhëniet bilaterale të Kosovës me cilado shtete qofshin ato.
Një mijë herë kemi përsëritur: Kosova i ka plotësuar standardet e Shtajnerit, do të thotë i ka plotësuar të gjitha kërkesat e mundshme dhe të pamundshme të ndërkombëtarëve, tashmë do të vazhdojmë t’i plotësojmë edhe më, por jo edhe ato që përpiqen ta relativizojnë, ta poshtërojnë, ta mohojnë ose ta shkelin sovranitetin e Kosovës.
Pas dhjetë vjet “po” për çdo gjë, duhet të fillojmë të themi “jo”, kur na thonë se është interes politik i Kosovës marrëdhënia e mirë politike me Maqedoninë, duhet thënë “jo”, sepse Maqedonia ende sot e gjithë ditën i mban të diskriminuar 30% të popullsisë së saj që quhen shqiptarë.
“Jo” se Maqedonia ka leverdi ekonomike që dhjetë vjet prej Kosovës, kurse Kosova destimulon prodhimtarinë e saj duke blerë bërllokun e Maqedonisë.
“Jo” sepse Kosova ka plotësuar të gjitha standardet që ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare prej saj, kurse Maqedonia nuk e ka plotësuar asnjë standard të bashkësisë ndërkombëtare “kinse” “aleate” të saj, derisa Maqedonia plotëson të gjitha standardet dhe kriteret e Serbisë terroriste.
Duhet të dëshmojmë me fakte: Maqedonia ka interes për Kosovën, Kosova nuk ka interes prej Maqedonisë, mësa prej Serbisë.
Marrëdhëniet që na i imponon “bashkësia” ndërkombëtare me Serbinë dhe Maqedoninë, janë interes “i ndërkombëtarëve” e jo interes i Kosovës. Jo – dje, dhe jo - sot, jo - kurrë! Uji fle, kurse armiku jo!
Krijoni Kontakt