• Silva Bino
Ai ishte më i rritur, por trupi i tij i vogël, i sëmurë e i paushqyer e bënte të dukej mjaft i vogël në tavolinën e ftohtë të morgut. Ai ishte aq i vogël sa nuk munden ta shohin atje tek plehrat ku gërmonte çdo ditë për të mbijetuar. Ai vocërrak kishte marrë në dorë fatet e veta, pasi shteti në të cilin ai jetonte e kishte harruar dhe nuk i bëhej vonë për të. Shteti në të cilin ai jetonte gëzonte hyrjen në NATO dhe shpenzonte para për banderola pa fund e për fotografi për të reklamuar ndryshimin. Ndryshimin dhe zhvillimin, por për kë? Ndryshimin hipokrit që nuk ka të bëjë me të dhe me mijëra të tjerë si ai që rrëmojnë çdo ditë plehrat, që lypin përpara portës time dhe suajës zonja kryetare e Parlamentit. Që zvarriten rrugëve të Tiranës, Durrësit, Shkodrës e anembanë Shqipërisë dhe kërkojnë lëmoshën përtej kufirit.
Shteti i sotëm më ngjan me shtetin e djeshëm, atëherë kur u nëpërkëmbën lutjet e një të afërmi tim 18-vjeçar që parashikonte se do të vdiste ndën vagonët për shkak të ashtuquajturës biografi të keqe. Ulëritëm me zë e ndën zë atëherë kur trupi i tij i copëtuar dhe rrobat që kullonin gjak erdhi në pragun e shtëpisë. Po sot që jetojmë në një shoqëri të lirë a ekziston me të vërtetë liria për të jetuar ashtu si duhet për të gjithë?
A mund të flini të qetë zotërinj pushtetarë e të flisni për arritje e suksese ndaj varfërisë, në një kohë kur mijëra fëmijë janë harruar e braktisur? A jeni në gjendje të gëzoni dhe përkëdhelni fëmijën tuaj, nipërit tuaj, kur aty fare pranë jush fëmijët lypin, shahen, pështyhen, dhunohen në shi dhe në vapë, ditën dhe natën, të zbathur dhe gjysmë të zhveshur. A keni parë në ndonjë vend të Europës ku duam të shkojmë fëmijë në vitin e parë të jetës gjysmë lakuriq të shtrirë në mes të rrugës, ku pranë tij kalojnë indiferentë qytetarë dhe punonjës të rendit?
Apo nuk i shihni zotërinj se makinat me xhama të zinj ju pengojnë nga peizazhe të tilla. Bëni ca hapa në këmbë dhe shikoni ku është shoqëria të cilën pretendoni se po e ndryshoni.
Shpesh kërkoni shifra, por ndoshta jemi vendi ku studimet për fëmijët janë më të arrira e më të famshme, të organizuara nga universitete e ekspertë të njohur në të gjithë botën. Kemi shifra e fakte pafund, kemi edhe strategji pa fund, kemi edhe shoqata pa fund, por askush nuk bëri asgjë për fëmijën e vogël imcak që rrëmonte plehrat e mbante frymën gjallë. Askush nuk ka patur ndërmend të bëjë asgjë për çdo fëmijë që rritet rrugëve të Shqipërisë. Ishte një aksident, më tha dikush. E në mos nuk do të ishte aksidenti, mund të mbytej vetvetiu ndonjë ditë mes malit të plehrave e askush nuk do ta merrte vesh. Do të mbetej një anonim mes shumë të tjerëve që braktisen e dhunohen, sëmuren dhe vdesin çdo ditë në qytetin ku jetojmë pa i marrë vesh askush. Ata janë anonimë, ata nuk mund të jenë pjesë e ndryshimit, pasi në këtë vend ku jetojnë ata nuk ekzistojnë. Për ta nuk mendohet e nuk veprohet. Por ata fëmijë me sy të ndritshëm që rruga i ka mësuar si të mbrohen janë atje çdo ditë. Ata nuk njohin gëzimin e vërtetë, nuk njohin lodra, dashuri e dhimbsuni. Ata janë të harruar, ata janë të braktisur, ku më e keqja është që kjo shihet natyrshëm, pasi ata nuk janë pjesë e zhvillimit. Ata nuk votojnë e ata nuk ju duhen. Ata janë më të dobëtit midis të dobtëve. Ata nuk kanë gojë të mbrohen e ata nuk kanë gojë të ankohen, por kanë vetëm sytë e tyre të shndritshëm të çapëlyer që luten.
Ndërhyni zotërinj, se Europa që na ka kaq pranë nuk mund të na pranojë e nuk duhet të na pranojë përsa kohë të kemi fëmijë që rriten e vdesin midis plehrave, që dhunohen e pështyhen në qendër të kryeqytetit pranë zyrave të qeverisë.
Pak kush e kujton konventën e të drejtave të fëmijëve. A e dini se kjo konventë shkelet për çdo fëmijë që është në rrugë?
A e dini se me këtë vdekje shteti shqiptar ka shkelur pikën 2 dhe 3 të nenit 3, pikën 2 të nenit 6 dhe nenin 23 të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve? Ka shkelur ato nene dhe ato pika të tyre për të cilat kemi marrë jo vetëm angazhim kombëtar, por edhe ndërkombëtar për t’i respektuar si elementë bazë të të drejtave të njeriut. E pa respektimin e të drejtave të fëmijëve për të jetuar, nuk ka respektim të të drejtave të njeriut.
Tregohuni më të vëmendshëm e më të përulur për të mirën e të gjithë fëmijëve. Ndalojeni me të vërtetë lypjen në rrugë dhe shfrytëzimin e fëmijëve për të lypur, krijoni kushte për ata që nuk kanë të ardhura të edukohen dhe jetojnë në mjedise që ju sigurojnë zhvillimin. Krijoni kushtet e kujdesit që fëmijët të mos lypin për të marrë barnat e tyre, por të rriten të shëndetshëm. Dënoni këdo që lëshon foshnjën në mes të rrugës. Mos lejoni që fëmijët të punojnë e të shfrytëzohen. Nuk janë shumë zotërinj dhe nuk kanë nevojë për më shumë para se sa shpenzimet tuaja për udhëtime dhe makina luksoze. Në secilin prej atyre fëmijëve gjendet një vlerë që nuk duhet humbur dhe gjendet një jetë që Perëndia ua ka dhënë për ta jetuar denjësisht.
Nëse nuk ndryshojmë fatin e fëmijëve, nuk kemi ndryshuar asgjë. Nëse nuk krijojmë fillim të barabartë për të gjithë fëmijët, nuk ka asnjë fillim të ri.
Krijoni Kontakt