
Postuar më parë nga
DYDRINAS
Zbulohet dokumenti sekret, Enver Hoxha shpalli “Hero i Kombit” dy gjeneralë të Titos
25/05/2009 - 07:32
AFRIM IMAJ
Yjet e para “Heroi i Kombit” për gjeneralët e Titos! Fill pas luftës Enver Hoxha dekoron emisarët e Beogradit. Madje me urdhrin më të lartë të kohës.Në një dokument të panjohur të vitit 1945 zbulohet lista me emrat e 22 ushtarakëve dhe politikanëve të lartë të Jugosllavisë të dekoruar nga lidershipi komunist i Tiranës. Vendimi i ideuar nga “Kryeministri dhe komandanti i Përgjithshëm gjeneral kolonel Enver Hoxha”, bën të ditur nderimet e larta për “personalitete të huaj dhe të vendeve aleate” në emër “të mirënjohjes së qeverisë dhe popullit shqiptar për kontributin në luftën antifashiste nacionalçlirimtare”. I shpallur me bujë dhe solemnitet në periudhën e dashurisë me Beogradin, akti i dekorimit, u harrua e burgos në kasafortat sekrete menjëherë pas divorcit me Titon. Madje, në vitin ‘49 dikush në kupolën e lartë u kujtua për ta shfuqizuar ligjërisht me vendim zyrtar. Po në ç’rrethana u dekoruan gjeneralët e Jugosllavisë, cili ishte kontributi real i tyre, kush e krijoi listën me emrat përkatës dhe pse u futën në të disa nga atdhetarët shqiptarë. Studiuesi Filip Rrumbullaku, ish-sekretari i përgjithshëm i Presidencës, autor i monografis për historikun e dekorimeve të shtetit shqiptar, argumenton për gazetën “Panorama” të vërtetat e këtij gjesti nënshtrimi dhe servilizmi, të cilin e ndoqi fati i një metamorfoze…
Zoti Filip! Kemi mësuar se jeni duke përfunduar një studim mbi historinë e dekorimeve në Shqipëri, që është i pari i këtij lloji. Gazeta ka zbuluar një dokument, sipas të cilit, në shkurt të vitit 1945 me dekret të veçantë janë dekoruar rreth 20 gjeneralë jugosllavë. Cila është e vërteta dhe në çfarë rrethanash Tirana u ka dhënë yjet e heroit të kombit zyrtarëve të Titos?
Së pari, më lejoni të bëj disa saktësime të vogla. Informacioni të cilit ju i referoheni, nuk ka të bëjë me një dekret, por me një vendim të kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili kishte atribute legjislative deri në krijimin e kuvendit pas zgjedhjeve të para në fund të dhjetorit 1945. Ky vendim nuk është marrë në shkurt, por në shtator të atij viti. Ai ka numrin 117, është i datës 5 shtator 1945 dhe është botuar në fletoren zyrtare me datë 20 shtator 1945.
Pra, bëhet fjalë për dekoratat pas çlirimit…
Kriteret dhe procedurat e reja për dekorimet janë ndër vendimet e para të organeve më të larta të shtetit shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore. Kuptohet që shteti i ri nuk mund të operonte me dekoratat e mëparshme, me urdhrat kalorësiakë të mbretërisë shqiptare. Në kushtet e reja diktohej institucionalizimi i dekoratave të reja, tashmë jo si urdhra kalorësiakë, por si urdhra merite. Sipas dokumenteve të kohës vendimet për dekoratat e reja janë marrë në muajin korrik të vitit 1945. Me anën e tyre u krijuan katër urdhra dhe një medalje: urdhri i Heroit Kombëtar, i Flamurit, i Yllit Partizan, i Trimërisë dhe medalja e Kujtimit. Dy prej këtyre urdhrave, i Yllit Partizan dhe i Skënderbeut ishin me tre klasë, kurse urdhri i Trimërisë shoqërohej edhe nga medalja me të njëjtin emër. Urdhrat dhe medaljet e tjera u krijuan më vonë.
Ju keni studiuar të gjithë dokumentacionin zyrtar të dekorimeve. A mund të na thoni kush ishin të dekoruarit e parë të shtetit komunist shqiptar?
Vendimi i parë i Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar është nënshkruar në gusht të vitit ‘45. Në të zyrtarizohet dekorimi i Kryeministrit dhe Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral, kolonel Enver Hoxhës me tre dekorata të larta: urdhrin “Ylli Partizan” i klasit të parë, Urdhri i Flamurit dhe Medalja e Kujtimit. Kjo e fundit ka qenë një medalje shumë e rëndësishme me anën e të cilës vërtetohet pjesëmarrja dhe kontributi në luftën Antifashiste NÇl. Në të njëjtin dokument janë dhe dy vendimet e tjera, që përmbajnë listën e dekorimit të rreth 200 personaliteteve të luftës me Urdhrin e Flamurit dhe Medaljen e Kujtimit…
A janë në këtë listë emrat e gjeneralëve të Titos?
Dokumenti të cilit i referoheni ju, ka të bëjë me një vendim tjetër, që mund quhet edhe vendimi i katërt në serinë e vendimeve për dekorime. Ai siç e sqarova më lart, i përket shtatorit të vitit 1945.
Pra ka pasur një vendim të veçantë për dekorimin e zyrtarëve jugosllavë…
Për hir të së vërtetës duhet thënë se në këtë vendim nuk përfshihet vetëm dekorimi i figurave të njohura jugosllave, por edhe i disa personaliteteve të tjera. Kjo duket nga motivacioni, sipas të cilit, kryesia e këshillit të përgjithshëm antifashist nacionalçlirimtar vendosi të dekorojë “shumë personalitete të huaja të vendeve aleate”, të cilat gjatë LANÇ-it të popullit tonë “kanë kontribuar dhe ndihmuar me të gjitha mjetet në luftën e popullit shqiptar - qoftë brenda në Shqipëri krah për krah me ushtrinë tonë, qoftë jashtë Shqipërisë - për të shfaqur mirënjohjen dhe për ta shpërblyer e nderuar veprimtarinë e tyre në dobi të atdheut e të popullit shqiptar”. Pra, në motivacionin e vendimit bëhet fjalë për dekorimin e “Shumë personaliteteve të huaja të vendeve aleate”, çka duket qartë edhe nga lista emërore ku bëjnë pjesë 55 persona. Analiza e kësaj liste emërore lejon mundësi për interpretim. Këtu ju kini të drejtë.
Sidoqoftë, “bashin” e vendit të kësaj liste e zënë emisarët e Beogradit…
Sikurse shihet nga lista dhe këtu e kam fjalën sidomos për ata që e njohin sadopak historinë e luftës dhe të marrëdhënieve të ngushta shqiptaro-jugosllave të asaj kohe, me anën e këtij vendimi është dekoruar thuajse e tërë udhëheqja jugosllave, ose, ajo pjesë e saj, e cila mbante lidhje të ngushta me udhëheqjen komuniste shqiptare. Eduard Kardel, Aleksandër Rankoviç, Milovan Gjilas, Vukmanoviç Tempo, pa folur për Miladin Popoviçin, Dushan Mugoshën, Velimir Stoiniçin, Njazi Dizdareviçin etj., bënin pjesë në rrethin më të ngushtë të udhëheqësit jugosllav Tito jo vetëm në vitet e Luftës së Dytë Botërore, por edhe për shumë vjet të tjera më pas. Në listën me 55 persona janë 22 emra të zyrtarëve jugosllavë, apo rreth 40 për qind e tërë të dekoruarve; 16 emra ose 30 për qind e listës u përkasin oficerëve të misioneve angleze dhe amerikane, fare pak janë rusë. Pra, nga mënyra e listimit dhe e vendit që zënë emrat në këtë listë mund të nxjerrim edhe përfundimin se deri në mesin e vitit 1945, vendi i parë aleat ishte Jugosllavia, pastaj vinin Anglia, SHBA e më pas Rusia. Por, është disi e pashpjegueshme, e papritur, dhe nuk mund të mos na bëjë përshtypje fakti që bashkë me personalitetet e huaja jugosllave, angleze, amerikane dhe ruse të renditen edhe 16 emra të personaliteteve kosovare të atyre viteve. Çuditërisht midis tyre ndodhet edhe emri i Bije Vokshit, e cila jetonte në mes të qytetit të Tiranës..
Të ndalojmë pak te ky moment: A mendoni se një fakt i tillë është shprehje e nënshtrimit politik, apo…
Shqyrtimi i këtij argumenti është shumë kompleks. Mendoj se ka nevojë të shihen dokumentet edhe më tej, duke filluar që nga ideja fillestare për këto dekorime, koha kur është bërë ky propozim nga Enver Hoxha, “rekomandimet” apo “sugjerimet” që mund të ketë pasur nga ambasadori “mik”, nga kush e si është hartuar motivacioni dhe lista e të dekoruarve, ç’dekoratë do t’i jepet njërit apo tjetrit, etj. Sepse nuk mund të mos pyesësh: përse janë dekoruar me urdhrin e Heroit Kombëtar dy gjeneralë jugosllavë? Kanë pasur kontribute apo dekoratat janë dhënë vetëm për hir të miqësisë midis dy vendeve? A duhet të kesh merita të veçanta në shërbim të popullit për të merituar këto dekorata apo ato mund të jepen edhe për të nderuar një mik? Mund të shtrohen edhe pyetje të tjera. Megjithatë, tani për tani një gjë mund të thuhet jo pa siguri: ne nuk tregohemi rigorozë në respektimin e procedurave, nxitohemi, e kam fjalën jo vetëm për atë kohë, por edhe sot dhe ky nxitim, ky mosrespektim procedurash, krijon hapësira për ndikime politike, klanore, qëndrime subjektive e interesa personale. Dhe, nëse kthehemi te vendimi dhe lista e mësipërme, mund të thuhet se vendosja në të njëjtën listë me personalitetet e huaja edhe e emrave të personaliteteve shqiptare nga Kosova është një absurditet i madh.
Meqë është rasti, a ka pasur absurditete të tilla në të kaluarën në dekorimet ndaj të huajve?
Ka ndodhur jo rrallë që dekoratat e akorduara figurave zyrtare për shkak të miqësisë politike mes dy vendeve të jenë hequr kur janë prishur këto marrëdhënie e kjo miqësi; por nuk ka ndodhur ndonjëherë anulimi i dekorimeve të personaliteteve intelektuale kur ato janë bërë për merita e vlera në fusha të caktuara. Përkundrazi, ka ndodhur që një personalitetet i shquar të kthejë dekoratën, që i është akorduar nga një kryetar shteti. Përmend këtu Edit Durhamin, e cila i ktheu dekoratën mbretit të Malit të Zi shumë shpejt pasi e kishte marrë atë, me arsyetimin se, “unë vetë isha habitur shpesh me ata persona që kishin pranuar dekorata nga Abdyl Hamiti dhe, tani që unë mësova se ai ishte më mizor se Sulltani turk, unë nuk mund të mbaja më medaljen e tij”.
Dhe, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, mund të thuhet se, ka pasur edhe absurditete nga më të ndryshmet. P.sh., në fund të vitit 1930, sikurse del nga libri “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”, është dekoruar një mashtrues i njohur ndërkombëtar me kombësi amerikane, njëfarë John Dekay, i cili hiqej si filantropist i madh. Ai mbërriti në Tiranë me një rekomandim të konsullit shqiptar Saraçi, i shoqëruar prej një sekretari privat dhe e paraqiti veten si një përfaqësues të një sindikate të fuqishme, që i kishte ngarkuar atij si mision të bisedonte me qeverinë shqiptare për marrjen e koncesioneve në fushën e ndërtimeve publike. Ai fitoi shumë shpejt simpatinë e shqiptarëve, duke i dhënë Kryqit të Kuq shqiptar një çek prej katër mijë sterlinash e duke deklaruar njëkohësisht se ishte i gatshëm t’i çlironte shqiptarët prej detyrimeve financiare ndaj Italisë.
Sipas studiuesit Bernd Fisher, me gjithë paralajmërimet e shumta të ministrit fuqiplotë amerikan në Tiranë, Dekay u hyri në zemër shqiptarëve, veçanërisht Mehdi Bej Frashërit, ministrit të Punëve Botërore, i cili ra krejtësisht nën magjepsjen e tij. Dekay u prit madje edhe nga mbreti Zog, i cili e dekoroi atë me Urdhrin e Skënderbeut. Pas disa ditësh qëndrimi në Tiranë, ai u nis për në Durrës, pasi kishte futur në xhep një marrëveshje për kryerjen e një liste të gjatë ndërtimesh publike në Shqipëri. Largimi i tij nga Shqipëria, pas një dehjeje të fortë gjatë një orgjie në një restorant të Durrësit, koincidoi me marrjen e informacionit prej qeverisë shqiptare se John Dekay ishte kokë e këmbë një mashtrues. Nëse heqim paralele mes këtij fakti të tetëdhjetë viteve më parë me kohën tonë, se si priten nga shteti shqiptar disa të huaj që medemek paraqiten se do të bëjnë investime të mëdha në Shqipëri dhe nuk bëjnë asgjë, atëherë mund të thuhet se “saga” John Dekay vazhdon. Por ka edhe absurde të tjera.
Meqë përmendët punimin që kini në dorë, edhe një pyetje: Kur kanë filluar dekorimet e para nga shteti shqiptar pas luftës?
Më sipër kemi përmendur dekretin e muajit shtator 1945 për dekorimin e disa zyrtarëve të lartë politikë e ushtarakë jugosllavë. Një vit më pas, maj e korrik 1946, me propozimin e kryetarit të qeverisë, d.m.th., të Enver Hoxhës, presidiumi i Kuvendit popullor nxjerr dy dekrete, me nr. 58 e 93. Me dekretin e parë dekorohen 10 ushtarakë jugosllavë me Urdhrin Ylli Partizan të klasit të parë, të dytë e të tretë; me dekretin tjetër të muajit korrik 1946, dekorohen rreth 60 funksionarë më të lartë ushtarakë e politikë jugosllavë me urdhrat e Lirisë, të Yllit Partizan, të Flamurit dhe të Trimërisë. Midis tyre janë mbi 12 gjeneralë si Svetkozar Vukmanoviç, Ivan Gosnjak, Vllado Rukovina, Danilo Lekiç, Hamoviç, Juriç, Rade Zhigiç, Mihal Kupreshan, Boshko Ligeguviç, Velko Kovaçeviç, Gjeorgjie Jovanoviç, Save Oroviç, Vuko Lepetiç, Koça Popoviç etj.
Gjeneralët e dekoruar me dekretin e vitit ‘46, janë dekoruar edhe me vendimin e Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të shtatorit ‘45. Cila është domethënia e një veprimi të tillë?
Është e vërtetë që një pjesë e madhe e gjeneralëve dhe udhëheqësve jugosllave, të cilët u dekoruan me dekretin e presidiumit të Kuvendit Popullor të korrikut ‘46, ishin dekoruar edhe në shtator 1945 me vendim të veçantë të kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Paradoksale, por gjithsesi vërtetë. Cila ishte domethënia e një marrëzie të tillë. Servilizmi politik dhe asgjë tjetër. Politika shqiptare e atyre momenteve nuk mund të shikonte përtej syzeve të Titos. Kjo deri sa të mbaronte periudha e mjaltit. Do të vinte më tej divorci dhe çdo gjë do të rrokullisej në kahun tjetër…
Si u operua me gjeneralët e dekoruar pas prishjes së marrëdhënieve me Titon dhe Jugosllavinë?
Në dokumentet e kohës dëshmohet se të gjitha dekoratat e përmendura në vendimin e mësipërm për zyrtarët dhe autoritetet jugosllave, janë hequr me një vendim tjetër të presidiumit të Kuvendit popullor në vitin 1949. Nga ky moment nuk bëhej më fjalë për Heronj të Kombit, por për tradhtarë e agjentë, për kriminelë dhe genocidistë etj. E njëjta histori ndodhi edhe aleatët sovjetikë e më vonë edhe me ata kinezë. Në një farë kuptimi linja e dekorimit zbulon fizionominë dhe fytyrën e shtetit…
Lista e dekorimeve
VENDIM
Nr. 117, datë 5-9-1945
Mbi dhënie dekoratash
DEKORATA PËR PERSONALITETE TË HUAJA
Në bazë të propozimit të kryetarit të Qeverisë Demokratike dhe komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Kombëtare.
Duke marrë parasysh se shumë personalitete të huaja të vendeve aleate, gjatë Luftës NÇl të popullit tonë kanë kontribuar dhe ndihmuar me të gjitha mjetet dhe për të shfaqur mirënjohjen e për ta shpërblyer e nderuar veprimtarinë e tyre në dobi të atdheut e të popullit shqiptar,
Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar
Vendosi:
Të dekorohen me dekoratat, personat që përmenden në listën që vijon:
1. Gjeneral Ivan Milutinoviç, me Urdhrin “Hero Kombëtar”
2. “Lolo Ribar, me Urdhrin “Hero Kombëtar”
3. “Ramiz Sadiku, me Urdhrin”Hero Kombëtar”
4. “Ivan Ribar, me Urdhrin e “Flamurit”
5. “Eduard Kardjel, me Urdhrin e “Flamurit”
6. Bllazho Jovanoviç, me Urdhrin e “Flamurit”
7. Radovan Zogoviç, me Urdhrin e “Flamurit”
8. Dëshmori Miladin Popoviç, me Urdhrin e “Flamurit” dhe “Medaljen e Kujtimit”
9. Dushan Mugosha, me Urdhrin e “Flamurit” dhe “Medaljen e Kujtimit”
10. Gjen. Lt. Arso Jovanoviç, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. I.
11. Aleksandër Rankoviç, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. I.
12. Milovan Gjilas, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. I
13.Gjen. Lt. Peko Dapçeviç, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. I
14. Brigadier E. F. Davies, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. I
15. “T. Churchill, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. I
16.Kolonel Velimir Stoiniç, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. I
17.Lt. Kolonel C. A. S. Palmer, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. I
18.Major Ivanov Konstantin, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. I
19.Kapiten Thomas Stefan, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. I
20. Gjen.maj. Svetkozar Vukmanoviç, urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II dhe Medaljen e “Kujtimit”
21.Gjen. Terziç Velimir, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II
22. Kolonel Vojo Todoroviç me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II, me urdhrin e “Trimërisë” dhe “Medaljen e Kujtimit”
23. Fadil Hoxha, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II, dhe Med. e “Kujtimit”
24. Kiler Peter, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II
25. Obrat Cicmil, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II
26. N/kol. Mijat Vuletiç, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II
27. Major Savo Stonoju, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II
28. “H. W. Tilman, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II
29. G. W. Seymour, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II,
30. “Ë. V. G. Smith, me urdhrin “Ylli Parti.”,kl. II
31. “J. K. H. Shaw, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II,
32. “M. J. Thornton, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II,
33. “V. Robinson, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II,
34. “E. Nordthrop, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II,
35. Kapiten J. M. Lyon, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II,
36. Toger Tjurin Vladimir, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II,
37. “John O’Keefe, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. II,
38. Major Tomishek Teodor, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. III,
39. “Viktor Kobol, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. III,
40. Kapiten Niazi Dizdareviç, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. III,
41. Toger Nick Cooky, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. III,
42. Kaporal George Routsis, me urdhrin “Ylli Partizan”, kl. III,
43. Kapiten G. S. Duffy, me urdhrin e “Trimërisë”.
44. Bije Vokshi, me urdhrin e “Trimërisë”
45. Hajdar Dusha, me urdhrin e “Trimërisë”
46. Emin Duraku, me urdhrin e “Trimërisë”
47. Xhevdet Doda, me urdhrin e “Trimërisë”
48. Vaso Strugari, me urdhrin e “Trimërisë”
49. Michel Popoviç, me urdhrin e “Trimërisë”
50. Xhafer Vokshi, me Medaljen e “Kujtimit”
51. Elhami Numani, me Medaljen e “Kujtimit”
52. Xhavid Numani, me Medaljen e “Kujtimit”
53. Safete Numani, me Medaljen e “Kujtimit”
54. Ymer Pula, me Medaljen e “Kujtimit”
55. Mehmet Hoxha, me Medaljen e “Kujtimit”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Për Kryesinë e Këshillit Antifashist N. Çl
SEKRETARI: KRYETARI:
Koço Tashko d.v. Dr. Omer Nishani d.v
Tiranë, më 5-9-1945.
panorama
Krijoni Kontakt