Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Konferenca e Paqes 1919, Kur Papa Benedikti XV mbrojti Korçën e Gjirokastrën nga grek

    Konferenca e Paqes 1919, Kur Papa Benedikti XV mbrojti Korçën e Gjirokastrën nga grekët


    » Dërguar më: 17/05/2009 - 15:32

    ÁT VITOR DEMAJ

    Po i paraqesim lexuesit një dokument historik që paraqet fakte që sot shumë pak dihen ose anashkalohen, rreth asaj se çfarë ndodhi në Konferencën e Parisit në vitit 1919 në lidhje me kufijtë e Shqipërisë. Kjo është një leter e Emzot Luigj Bumçit aso kohe ipeshkëv i Lezhës që ja dërgon redaksisë së revistës “Hylli i Dritës” në vitin 1934 për botim. Kjo letër hedh dritë mbi ndërhyrjen që bëri Papa Benedikti XV pranë ambasadorve të Anglisë e të Amerikës, duke i shpëtuar nga aneksimi që deshi t’u bëj Greqia dy krahinave shqiptare: Korçës dhe Gjirokastrës.
    Në konferencën e Parisit kishin shkuar shume delegacione shqiptare si përfaqësues të Shqipërisë. Këto delegacione nuk arritën të bashkohen për të pasur një delegacion të vetëm, pse ishin të gjithë të përçarë sepse i përkisnin rrymave të ndryshme politike që në atë kohë kishin dëshirë dhe ambicje të merrnin drejtimin e vendit. Atëherë u vendos që si përfaqësues i të gjithë shqiptarve të ishte Emzot. Luigj Bumçi me delegacionin e tij që përfshinte të gjithë shqiparët e të gjitha krahinave. Si sekretar u vendos Át Gjergj Fishta që me këtë rast pat pergatitë edhe fjalimin e famshëm “Të drejtat e Shqipnisë dhe kufijtë e saj”.
    Kjo dëshmi e Ipeshkvit Luigj Bumçit që u botua në të perkohshmen françeskane nuk u kundërshtua nga ata pjestar që kishin marrë pjesë në delegacionin për në Konferencën e Parisit, ku disa prej tyre ishin ende gjallë kur u bë publike kjo dëshmi historike. Kjo gjë e përforcon edhe më, dhe e verteton si një fakt historik të ndodhur ashtu siç na e difton Emz. Luigj Bumçi, protagonisti kryesor i atyre ngjarjeve jetike për vendin tonë.
    Sigurisht mund të themi se ndërhyrja e Benediktit XV për të mbrojtur Korçën dhe Gjirokastrën nga rreziku grek nuk u bë për arsye fetare, pse sikurse dihet këto dy krahina ishin me shumicë myslimane, por nga drejta natyrore që çdo kombë ka për kufijtë e vet.

    Selia e Shenjtë dhe “çeshtja shqiptare”

    Përpara se të kalojmë të ekspozimi i letrës – dokument, duam t’i hedhim një veshtrim sintetik historisë së Shqipërisë në marrëdhënie me Selinë e Shenjtë, ku vërejmë se kjo nuk është hera e parë e as e vetme që një Papë ndërhyn në mbrojtje të çeshtjes shqiptare. Kjo mbështjetje e Selisë së Shenjtë vinte edhe nga fakti se Shqipëria ishte një vend me fe katolike dhe që kishte pësuar një kalvar të dhimbëshem për këtë identitet, jo vetëm për këtë, por kjo ndihmesë morale, politike e kulurore donte të tregonte se çdo popull dhe kombë ka të drejtë të vetëqeveriset dhe të jetoj i lirë në trojet e veta, të këtë gjuhën, zakonet dhe historinë e tij.

    Papët në mbrotje të pamvarësisë territoriale

    Po lëmë jashtë vështrimit kohën e lavdishme të fatosit kombëtar Gjergj Kastriotit ku pati mbështjetjen e disa Papëve përkatësisht katër Papëve. Mbas pushtimit turk Shqipëria u fut në një labirint vuajtje, persekutimi fetar dhe mjerimi më shumë se sa popujt e tjerë të Ballkanit. Por as në këto kohë të zymta nuk u harrua nga Selia e Shenjtë, dhe gjatë kësaj periudhe ne konstatojmë se mbështjetja e Papëve nuk i mungoi dheut të arbënit, pra është e lidhur ngushtë me pavarësinë tonë kombëtare.
    Po e rreshtojmë këtu sa më shkurtë disa fakte konkrete në lidhje me këtë çeshtje.
    Papa Pio V në vitin 1571 mendon të emëroi një kardinal për Shqipërinë, dhe i jep si mbrojtës kardinalin Santoro që të merret me çeshtjen shqiptare. Pas këtij emërimi kemi emërimet e disa kardinalëve tjerë që të merren më problemin e Shqipërisë pra për lirimin e saj nga pushtuesi anadollak. Gregari XIII viti 1584 mendon për lirimin e Shqipërisë nga zgjedha azijatike, ndersa Papa Klementi VIII në vitin 1593 merr parasysh lutjen që i bëjnë krenët e Shqipërisë për liri dhe në vitin 1595 jep një shumë të hollash për realizimin e këtij qellimi. Po ashtu në vitin 1597 anijet e Papës me ato të Venedikut mundohet të lirojnë Vlorën nga kthetrat osmane. Ndërsa Papa Pali V në vitin 1603 ia rekomandon mbretit të Spanjës Filipit III çeshtjen e lirisë tonë si dhe i porositë dy të dërguar nga Shqipëria që kishin shkuar për këtë çeshtje. Urbani VIII në vitin 1624 grish Patriarkun e Ohrit që të bashkohet me të në luftë kundra Turkut. Gjithashtu në vitin 1684 Papa sëbashku me anijet e Venedikut mundohen me i ardhë në ndihmë Shqipërisë e lirojnë Prevezen. Papa me gjak shqiptar në vitin 1711 ndërmjetson pranë Republikës Veneciane për me i ardhë në ndihmë malsorve të Kelmendit që po luftojshin për liri. (Shih revisten Leka 1937, 457 – 460). Edhe mbas këtyre viteve deri në 1912 nëse konsultojmë analtet e Urdhërit Françeskan si dhe ato të Selisë së Shenjtë, kronikat e ndryshme, ditarët e disa misonarve, hasim në shumë raste të tjera ku Papët intersohen për çeshtjen shqiptare, për gjendjen e saj shoqërore, kulturore e territoriale.

    Ndihmesa e Papëve në përhapjen e kulturës shqiptare

    Në këtë paragraf të shkurtër duam të sjellim në kujtesën tonë ndihmesën e vyer që dha Selia e Shenjtë për perhapjen e Kolegjeve, shkollave shqipe si dhe botimin e librave po në këtë gjuhë përgjatë shekujve jashtë kufijve të tokës arbnore. Për punën e madhe që bënë kleriket e Kishës Katolike e në veçanti misonarët françeskan për perhapjen e kultures dhe të shkollave shqipe në Shqipëri gjatë pushtimit osman, meriton një studim të gjatë e një trajtim në vete. Një herë tjetër do të merremi me këtë.
    Në vitin 1577 kemi Kolegjën e ritit grek themeluar në Romë edhe për shqiptarët arbëreshë prej papës Gega XIII. Po në vitin 1584 – 85 ky Papë mendon edhe per një Seminar shqiptar në Bari e Leçe ku gjendeshin shumë shqiptar të shpërngulur nga dheu i tyre. Mbas kemi themelimin e Kolegjës Ilirike të Loretit, e rithemeluar nga Urbani VIII në vitin 1627 edhe për shqiptar. Po ashtu i njëjti Papë me datë 17 dhjetor të vitin 1631 me një breve të posaçme mkambi rishtas Kolegjën Baziliane në Romë. (Shih: Hylli Dritës, 1921, n. 4, fq. 163) po ashtu kemi edhe themelimin e Kolegjës Ilirike e Fermos nga Aleksandri VII në vitin 1631.
    Ndërsa në Himarë çilen dy shkolla njera nga Klementi IX 1670 e tjetra prej Klementit X. Papa Klementi XI me origjinë shqiptare jep një shumë të hollash për shqiptarët në Kolegjën e Propagandës. Në Romë në kuvendin Françeskan San Pietro in Montorio me 20 prill 1711 u vendos me urdhër të Papes Klementit XI të jepej si gjuhë mësimi edhe gjuha shqipe per misionarët qe do te vinin në Shqipëri. Si fryt i kësaj iniciative u shkrua Gramatika e parë shqip në vitin 1716 nga P. Françesko Maria Da Leçe. (Shih: Hylli i Dritës, vitit 1931, n. 4, fq. 217 – 218; Hylli i Dritës, 1933, n. 5-6, fq. 239). Në Palermo ku janë të vendosur shumë arbërsh u themelua Kolegja në vitin 1730. Kemi edhe Kolegjën e Ulanos të hapur në vitin 1732 prej Klementit XII, italo-shqiptar nga nëna. Në vitin 1740 Klementi XII duke çuar në vend dëshirën e Klementit XI themeloj kolegjën italo-shqiptare di San Adriano në S. Demetrio Corone. (Hylli i Dritës, 1921, n. 4, fq. 163). Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe Kolegjën e Grottaferratës në Romë, ku në bibliotekën e saj ruhen edhe dorëshkrime në gjuhën shqipe, etj.
    Jo vetëm në hapjen e shkollave, seminareve për shqiptarët, por Selia e Shenjtë dha një ndihmesë të çmuar edhe në botimin e librave shqip në atë kohë kur Shqipëria lëngonte e robëruar nën Turqi. Propaganda Fide (Propaganda e Fesë) e themeluar në Romë në vitin 1622 dha një ndihmesë të madhe dhe deçizive për botimin e librave në gjuhën shqipe, kjo ndihmesë vashdoi për gati pesë shekuj. Për botimin e librave në gjuhën shqipe mund të themi shkurtazi se kemi më shumë se 31 libra të botuar me anë të shtypshkronjës së Propagandës në Romë, duke filluar që nga viti 1618 me Budin, Mons. Fr. Bardhin, me Fra Françesko Maria Da Leçe, etj. Të gjithë këto libra kanë një rëndësi të madhe për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kombëtar të Arbnorve. (Shih revisten Leka 1937, 460 – 461).
    Në shikim të parë mund të duken shumë pak 31 libra të botuar në atë periudhë për kohën që jetojmë sot, por për atë kohë për çdo botim në gjuhën shqipe ose edhe nëse të gjenin libra në gjuhën shqipe rrezikoje jetën dhe përsekutime nga më të ndryshme.
    Kjo që thamë më lartë është thjeshtë një penelatë nga ajo që mund të shkruhet mbi ndihmesën dhe kontributin që Papët dhe Selia e Shenjtë i dhanë popullit shqiptar nëpër rrjedhat e historisë së tij.

    Nji fletë e ré në historín kombtare

    Ndolljen me tana rrethanat, si tregon shkresa, të cilen, fjalë për fjalë ktû po e botojm, patem rasë me ndie mâ se nji herë prej sa misvet të dergatës shqyptare në Paris. Kshtu flitte i ndyeri Luigj Gurakuqi, kshtu na e verteton Drejtori i jonë Á. Gjergj Fishta, at herë sekretár i Dergatës, e kshtu, pat mirsín, si mbas kerkesës s’onë, me na e vertetue edhe me shkrim i Përndritshmi Emz. Luigj Bumçi, at herë kryetár i dërgatës shqyptare në Konferencën e Parisit. Per randsí qi ká ky dokument në historín e ndertimit t’onë porsì shtet e per skjarim të sa paragjykimevet të tashme e t’ardhshme mbi kontributin e klerit katolik per çashtjen kombtare, teksualish i a njohtojm publikut shkresat e çmueshme qi kemi në dorë. Ky dokument ka randsí nji herë mâ të madhe, kurse Korçë e Gjinokaster nuk janë vise të banueme prej katolikve. Sh. R.

    Fort i Nderti Át
    Ma falni, Ju lutem, pse vonova me i pergjegjë letres s’Uej, me të cillen më lypshi si pat rrjedhë puna se pështoj Korça e Gjinokastra nga akordi Tittoni-Venizelos – akord i cilli ja lëshonte Greqís te dyja provinçet shqyptare të siperpermendme.
    Qe si ndolli puna:
    Qyshë në Qershuer të vjetës 1919 kjeçë zgiedhë Kryetár i Dergatës s’Onë në Paris.
    Me 9 Tetuer t’asajë vjete fletorja “il Giornale d’Italia” lajmon çiltas se “mas akordit Tittoni – Venizelos dy Provinçiet Shqyptare, Korça e Gjinokastra do t’i epen Greqís”. Dergata e jonë at herë me të shpejtë i paraqiti Konferencës së Pagjës nji protestë kundra ktí akordi.
    Me 9 Nanduer 1919 po ajo Gazetë boton prep ato fjalë, d.m.th. mas akordit Tittoni-Venizelos Korça e Gjinokastra do t’i dorxohen Greqís.
    At kohë Dergata e jonë më ngarkoj me u pa me Z. Tittoni-n qi ndollej në Paris mas hikjes së Z. Orlando-s e Sonnimo-s, qi ishte Kryetár i Dergatës italiane. Edhè une u takova me tê, por gjâ konkrete prej bisedimit nuk mujta me xjerrë.
    Në mbledhje qi Dergata mbajti n’e nesre, ja diftova gjith misvet bisedimin me Z. Tittoni-n.
    Prep me 9 Dhetuer 1919 fletorja “il Giornale d’Italia” e persritë po ato fjalë mbi Korçen e Gjinokastren. N’at kohë Z. Tittoni nuk gjindej në Parisë, e vendin e tí e kishte xânë Z. Scialoja.
    Shkova edhè te ky, por pa kurrfarë rezultati.
    Ishte, per sá mbajë mênd, 21-22 Dhetuer 1919 kurse në mbledhje qi patme, të gjith misat e Dergatës, e nder ta ma i nxeti e ma i pari, e ndieri Z. Myfid Libohova, m’u lutne t’a bâjshe nji sakrific per atdhen t’onë e t’u nisëshe për Rome, ku të bâjshe çë mos per me pase audjencë prej Shêjtnís së tij Papës Benedikt XV. Atí të Ja parashtrojshe gjendjen e rrezikshme të dy provinçeve t’ona, Atí t’i lypshe ndimë qi Shêjtnija e Tí t’i pështonte.
    Ju pergjegja shokve n’at mbledhje se lutja n’at punë nuk kishte vênd, se çashtja e Shqypënís ishte çashtja e të gjithve bashkë e e secillit nder né: prá kjè se Dergata e shef të nevojshme qi une si Kryetari i sajë t’a bâj udhtimin per Romë, ket udhtim e kam me detyrë. Kështu u vêndue qi unë bashkë me Z. Mehdi Frasherin t’u nisëshim per Romë.
    Me 26 të Dhetorit u nisme e me 28 mërrime në kryeqytetin e Italís.
    S’kaluen trí kater dit xora audjencën e u gjeta perpara Shêjtnís së Tij Papës Benedikti i XV.
    Bisedimi nuk kjè i gjatë, kjè i shkurtë mjeft, por edhè pse i shkurtë kje i mjeftueshem per qellimin t’onë.
    Si ja diftova pse kishe marrë udhtimin per Romë, e pse u gjindëshe perpara Shêjtnís së Tij, kuvêndin e mbylla me kto fjalë: “tesh pra, Shêjtní, të gjith misat e Dergatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica âsht mysliman, më kan çue ktu perpara Shêjtnís s’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqn t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndihmen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqyptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni-Venizelos”.
    Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e me tha: Po shka të bâj per Ju? Me Italí s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë marrëdhanjet janë këput – shka të bâj?
    Mora guxim e i pergjegja: A m’epni lejen me folë, Shêjtní? Fol, fol me tha, shka të kesh me thanë thueje. Un kishe me thanë, Shêjtní, se bota s’ká metë vetun në Italí e në Francë; - ká në botë edhe Anglí Shtete te Bashkueme t’Amerikës. Bani buzën në gaz, e me i’herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglís, masnesri me atê të Shteteve të Bashkueme; e po t’ap fjalen se me te dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet qi kenkan në rrezik e kam me bâ shka të mundem per me Ju ndihmue. Zoti ká m’e bâ mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e atý kû s’asht Zoti drejtsija s’mundet me kênë.
    Une at herë qi kishe bâ gati nji memorandum per me ja lânë, tuj e nxjerrë prei xhepit e tuj e mbajtë në dorë: Shêjtnija e Juej i thaçë, ká punët e botës marë, e prandej a kam lêjen me Ju lanë ket memorandum qi mos t’a harroni çashtjen t’onë? Po, po, lêne ktu pse nuk kam m’e harrue. U çova e i rashë ne të dy giûjt. Ju fala nderës sá mujta, e si mora bekimin, at herë dola krejt i kënaqun e shkova tuj mêndue me vedi: A thue po na shkon kot ky udhtim qi prej Paris-it bâme deri ktu? Gjith kjo shpresë qi fjalët e Shêjtnís së Tij më njallne në zemër, a mundet me më rrêjtë? Jo, jo s’mundet me kênë kurr. Sa dola prej Vatikanit u poqa me Z. Mehdi Frasherin të cillit ja diftova fjalët qi më tha Benedikti XV, edhè ky Zotní met faret i kënaqun tuj shpresue se me nderhymje të Papës Korça e Gjinokastra kishin pështue.
    Me gjith kto shpresa të mira në zemër, kthyeme në Paris ku me padurim po na pritëshin shokët.
    Kur u mblodhme ne zyren e Dergatës, i parashtrova shkurtazi nji ekspozé të misjonit t’onë në Romë, e kur në fund u diftova bisedimin e Shêjtnís së Tij, e si na dha fjalen se do t’u mundote per çashtjen t’onë, per të cillen kishte çfaqë qyshë në fillim nji interesim të madh, fjalët e mbrame të Shêjtit Át Papë i priten në kambë me brohorí të madhe e me duertrokitje britne të gjith nji zâni: Rroftë Papa! Korça e Gjirokastra kan pështue: e pështuene pernjimend.
    Kjo âsht rrjedhja e vertetë. Kjo âsht nji faqe e historís s’onë.
    Kallmet 30 Mars 1934

    † LUIGJ BUMÇI
    IPESHKVI I LEZHËS

    (Marrë nga revista françeskane: Hylli i Dritës, 1934 vj.X – Mâj - nr. 5, fq. 219-222).

    Milosao.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    Rrofte Papa, por po te mos kishte qene Amerika, jo Papa po dhe Jezusi te zbriste nga kryqi nuk do e kishte pyetur njeri ne konference. Italianet i kishin te qarta synimet territoriale, greket po ashtu, sllavet s'ngelen kurre pas...shqiptaret po si shqiptaret...Aty u bene pazare te pastra, pa pyetur per te drejten e vetvendosjes qe thote Papa. Shqiperine e ndihmoi rastesia, jo Papa

    Pazaret mes grekëve dhe italianëve kundër Shqipërisë në vitin 1920


    Grekët ngurrojnë të firmosin Marrëveshjen Turke, sepse ajo i kthen Italisë ishujt e Egjeut, bashkë me popullsinë e tyre greke, të cilat Italia i ka mbajtur deri në verën e vitit 1912. Një marrëveshje e bërë midis Greqisë dhe Italisë nxori në dritë të gjitha pikat e saj për çështjen që ishte shtruar vitin e kaluar, kur Nitti ishte kryeministër i Italisë dhe Tittoni ministër i Jashtëm. Një nga pikat e marrëveshjes ishte dhënia e ishujve Greqisë pas vendosjes së paqes. Grekët paguan për ato; ata e shlyen përmes një marrëveshjeje që i caktonte Italisë një pjesë të konsiderueshme të këndit jugperëndimor të Azisë së Vogël. Në atë territor ka shumë grekë të mirë dhe pothuajse asnjë italian. Kërkesa e Italisë ishte ekonomike; Interesi grek ishte thjesht etnik. Gjithashtu nuk ishte pa vlerë, por kjo mund të dukej se grekët ishin disi më mirë në kërkesën e tyre.
    Pazaret greko-italiane
    Tani zoti Giolliti refuzoi të heqë dorë nga Egjeu. Kushtet kishin ndryshuar qëkur ishte bërë marrëveshja; njëra prej pikave të mëparshme ishte që t’i jepeshin Greqisë rajonet e njohura për grekët, si Epiri i Veriut, zonë e cila pretendohej nga shqiptarët si pjesa jugore e vendit të tyre. Italia e mbajti protektoratin në pjesën e mbetur të Shqipërisë dhe interesat greke dhe italiane në atë vend ishin bërë burim trazirash për një kohë të gjatë, por që tani së fundi duket se janë paqtuar.
    Të dyja palët i llogaritën këto gjëra pa shqiptarët. Aty ishin shënuar dështime të trupave pushtuese italiane dhe fare rastësisht një gjë e tillë shmangu realizimin e plotë të planeve greke: Korça, thesari më i çmuar i të gjitha krahinave, u pretendua nga Greqia, por që sot ajo mbahet nga shqiptarët. Pa dyshim, Italia mund ta ripushtojë vendin, por me një kosto, e cila është shumë e rëndë për zotin Giolitti. Borxhet e rënda dhe shqetësimet sociale në vendin e tij duket se kanë ndikuar te ky udhëheqës për marrjen e një vendimi që ta lëshojë Shqipërinë në këtë kohë dhe të shpresojë te fati për të mbajtur nën kontroll Portin e Vlorës.
    Lulëzimi i Greqisë
    Ndonëse Italia, në këtë mënyrë, ishte duke humbur një pikë mbështetjeje në të cilën ajo ishte futur dhe në përmirësimin e së cilës ajo kishte harxhuar shumë, por ishte një pazar i mirë për të fituar, grekët ishin duke korrur sukses gjetkë. Ushtritë greke kanë pushtuar Jafar Tayar, duke hyrë në Adrianople dhe pothuajse konfiskuan të gjithë Thrakën. Forcat greke në Anatoli kanë pësuar dështime të rënda përballë Mustafa Qemalit, i cili zaptoi më shumë territore sesa Greqia, sipas Marrëveshjes së Konferencës së Paqes. Pakënaqësia rreth rritjes së një fqinji të padëshiruar mund të ndihmojë që të sqarojë ndryshimin e sferës italiane. Por këtu pakënaqësia është e pajustifikuar. Të nisesh qoftë edhe nga fakti se nuk ka siguri që grekët do t’i mbajnë këto zona shtesë të pushtuara. Ushtria greke bëri për Aleatët punën që nuk mundën ta bëjnë Anglia dhe Franca, kundër rezistencës së nacionalistëve turq. Trupat greke në Brusa dhe Alashehr ishin luftëtarë besnikë në të njëjtën fushatë kundër turqve, në të cilën Aleatët u ndodhën para armëpushimit kur ishte duke përfunduar puna që Allenby nisi në Megiddo.
    Ata ishin duke bërë një shërbim në të gjithë Europën, duke përçarë dhe infiltruar besimin e nacionalistëve turq, për të cilët Fuqitë e Mëdha ishin thuajse të frikësuar në pranimin e rezistencës së tyre në vlerën që ata shfaqen; ata rritën prestigjin europian në një masë tejet të konsiderueshme përmes fitoreve të tyre. Dhe ata akoma janë duke operuar si Agjentë të Këshillit Suprem, gjë që e kanë bërë pa qenë të sigurt se do të kenë dëmshpërblim territoresh, apo diçka tjetër.
    Skenarët e Italisë
    Ndërsa italianët e shohin me disfavor luftën për të cilën zoti Nitti u përpoq t’u kthejë mendjen Aleatëve në Sanremo. Ata mund t’i lejojnë turqit të bëjnë punën e tyre dhe i paralajmëruan miqtë e tij francezë dhe britanikë se Italia nuk do të kontribuojë as me një ushtar të vetëm në drejtim të vendosjes së kushteve ndaj Mustafa Qemalit. Grekët kanë pohuar se trupat ushtarake turke, të lodhura nga lufta, gjetën strehim në zonën e ndikimit italian dhe atje ata u mbrojtën nga ushtritë italiane. Gjithsesi, kjo mund të jetë e vërtetë, pasi nuk ka dyshim se italianët në Anatolia vunë bast për kalorësin e gabuar. Tani ata janë duke u përpjekur të shlyejnë gjynahet për zhgënjimin e tyre nga mbajtja e Egjeut.
    Megjithatë, ajo që nuk mund të mendohet është se ata nuk do të dorëzojnë Dymbëdhjetë Ishujt. Më 18 korrik sekretari i Giolittit dha një intervistë për korrespondentin e “The Chicago Tribune”, në të cilën ai riparashtroi pikëpamjet e shprehura nga kryeministri. Ky zotëri tha se zoti Nitti ishte përpjekur të mbajë çdo territor të përvetësuar, megjithëse një gjë e tillë mund të jetë e justifikuar ose jo; por zoti Giolitti ishte merakosur me rivendosjen e ekuilibrit ekonomik. Egjeu mund t’i kthehej Greqisë në shkëmbim të lëndëve të para, grurit, kredive dhe parave. Megjithëse i kishin blerë një herë e një kohë përmes formave të koncesioneve territoriale, grekët tani duhet t’i blejnë ishujt sërish. Greqia nuk mund të sigurojë grurë, lëndë të para, kredi dhe as shumë para. Franca, Anglia dhe Amerika duhet t’ia blejnë Italisë këto ishuj në të cilët 90 për qind e popullsisë janë grekë dhe asnjë italian, me përjashtim të ushtrisë dhe zyrtarëve administrativë. Nevoja e Italisë për grurë, lëndë të parë dhe kredi, në të vërtetë mund të jetë dëshpëruese nëse ata duhet të jenë të pajisur me mjete të përshtatshme, të tilla si këto. Italia ka nevojë për dhe duhet t’i ketë ato, por e ka të vështirë t’i marrë me mënyra të tilla. Një respektim disi më skrupuloz i angazhimeve të vjetra mund të nxisë besimin e Fuqive që i kanë këto mundësi më tepër sesa qëllimin që të rigjejnë terrenin e humbur, kur Italia i mori turqit kaq seriozisht.

    Shkrimi është botuar në “The New York Times” më 1 gusht 1920
    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Greqia dhe Italia”
    Përgatiti: Albert Gjoka
    16 Gusht 2008 -gazeta Albania

Tema të Ngjashme

  1. 1919 - Papa Benedikti XV mbrojti Korçën e Gjirokastrën nga grekët
    Nga DYDRINAS në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 28-05-2009, 14:09
  2. A duhet të dalë Shqipëria nga Konferenca Islamike?
    Nga Fenomeni në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 282
    Postimi i Fundit: 13-04-2009, 14:04
  3. 11 Korrik: Shen Benedikti Abat
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-07-2006, 18:49
  4. Te krishteret kurre nuk jane vetem (Benedikti XVI)
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 08-06-2006, 01:24
  5. Konferenca e Tiranës - 14-20 Prill 1956
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 10-07-2004, 02:32

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •