Kalon e redaktuar
Rezoluta ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OIC’it që në sesionin e radhës të Ministrave të Jashtëm të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë. Ministri i jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, pret një valë të madhe njohjesh të reja nga vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike.
Nga Bekim Greiçevci më 26.05.2009 në ora 8:02
Megjithë kundërshtimin e Serbisë dhe aleatëve të saj, Organizata e Konferencës Islamike (OIC) ka aprovuar të hënën një rezolutë për Kosovën me të cilën nuk bëhet thirrje për njohje të pavarësisë, por kërkohet nga Sekretari i Përgjithshëm Ekmeleddin Ihsanoglu që t’i mbajë të informuara vendet anëtare për situatën në Kosovë.
Teksti i rezolutës, i propozuar nga Republika e Shqipërisë, është mbështetur nga të gjitha vendet anëtare të organizatës islamike.
Ndonëse nuk ka pasur konsensus që të ftohen shtetet anëtare të OIC’it për njohje të shtetit të ri siç ishte menduar teksti fillimisht, rezoluta i referohet edhe deklaratës së pavarësisë, por kjo nuk është gjë e re. Organizata e Konferencës Islamike e ka përmendur deklaratën e pavarësisë së Kosovës edhe gjatë vitit të kaluar, në takimet ministrore në Kampala dhe në New York.
Në rezolutën për Kosovën, OIC ripërsërit se ka interes të fuqishëm lidhur me myslimanët në Ballkan si dhe për rëndësinë stabilitetit në këtë rajon.
Në këtë dokument përmendet progresi i arritur drejt forcimit të demokracisë në Kosovë, rikonfigurimi i UNMIK’ut, vendosja e EULEX’it në përputhje me udhëzimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së dhe kornizën e tanishme ligjore dhe institucionale të Kosovës.
Organizata islamike ka përshëndetur bashkëpunimin e Kosovës me institucionet ekonomike dhe financiare të OIC’it, dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë të kontribuojë për forcimin e ekonomisë së Kosovës.
Rezoluta ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OIC’it që në sesionin e radhës të Ministrave të Jashtëm të Organizatës të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu Kosovën në agjendën e përhershme të Organizatës së Konferencës Islamike.
Për aprovimin e kësaj rezolute, Ministria e Jashtme e Shqipërisë, ka lobuar qe te tre muaj.
Diplomacia shqiptare është mbështetur nga Arabia Saudite, Turqia dhe vende tjera islamike që tashmë kanë njohur Kosovën.
Në një fjalim në Samitin e OIC’it në Damask, të hënën, Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha u ka bërë thirrje publike shteteve islamike që të njohin
Republikën e Kosovës. “Njohja e pavarësisë së Kosovës, përveç se një akt solidariteti me popullin e saj, do të jetë edhe një ndihmesë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, çka do t’u ofrojë të gjithë vendeve të Ballkanit perspektiva të vërteta për zhvillimin dhe begatinë e tyre të mëtejshme”, ka thënë Basha.
Diplomati shqiptar e ka cilësuar si sukses të jashtëzakonshëm miratimin e rezolutës për Kosovën. “Pasi që për herë të parë, në mënyrë të tërthortë, por të qartë, dhe me unanimitet të plotë, Organizata e Konferencës Islamike mbështet Republikën e Kosovës, shtetin e pavarur të Kosovës, institucionet dhe
Kushtetutën e saj”, ka thënë Basha, në një intervistë për Radio Kosovën.
Bazuar në takimet që ka pasur në Damask me mbi 25 homologë të tij, Ministri Basha ka paralajmëruar se një valë të madhe njohjesh nga shtetet myslimane.
“Për herët të parë që nga pavarësia e Kosovës kalojmë këtë rezolutë unë mendoj se do të kemi të bëjmë së shpejti me një bum njohjesh të reja vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike”, ka thënë ai.
Aprovimi i rezolutës është përshëndetur edhe nga liderë të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës.
Kryeministri Sali Berisha ka shprehur të përzemërt për qeveritë e vendeve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike dhe drejtuesit e saj për votimin e rezolutës, “si një akt miqësor ndaj një populli mik, ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kombit shqiptar në tërësi”.
Në një kumtesë për media, presidenti Fatmir Sejdiu ka deklaruar se “miratimi i Rezolutës për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Organizata e Konferencës Islamike është një akt shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë dhe të gjithë rajonit”, tha Presidenti Sejdiu.
Votimin e kësaj rezolute ai e vlerëson si mbështetje për lirinë, demokracinë dhe të ardhmes më të ndritur për popullin e Kosovës dhe popujt e të gjithë rajonit.
“Republika e Kosovës angazhohet për marrëdhënie të mira në mes vendeve të pavarura e sovrane të të gjithë botës, ndërsa marrëdhëniet e mira me vendet e Organizatës së Konferencës Islamike i konsideron të rëndësisë së veçantë”, ka thënë presidenti Sejdiu.
Krijoni Kontakt