Berisha: Shqipëria Evropiane, pa varfëri dhe pa mjerim, përparësia ime absolute për katër vitet e ardhshme......
“Jam këtu për tu zotuar se Shqipëria e vuajtjes dhe e dhimbjes, është Shqipëria e përkushtimit tim më të madh për t’i lehtësuar ato, sepse unë Sali Berisha do të bëj çdo përpjekje, derisa dhe qytetari i fundit i këtij vendi të zerë vendin e punës. Lufta e pamëshirë kundër varfërisë dhe mjerimit është përparësia ime absolute”.
Kryeministri Sali Berisha hapi dje zyrtarisht fushatën elektorale në qytetin e Fierit, gjatë një mitingu madhështor në qendër të qytetit. Berisha deklaroi para qytetarëve se qeveria realizoi premtimet e saj, në vetëm katë vite qeverisje. “Katër vite më parë ne ju kemi premtuar qytetarëve të Fierit se mësuesit e shkollave të fëmijëve të tyre, infermierët e spitaleve dhe të qendrave shëndetësore do të kenë dyfishim të pagave. Sot jemi në këtë shesh me premtimin tonë të mbajtur. Katër vite më parë ne ju premtuam ju të dashur qytetarë investime të mëdha për rrugët, ujësjellësat kanalizimet, shkollat, qendrat tuaja shëndetësore. Sot jemi para jush ndërkohë që kemi investuar 16 miliardë lekë në qarkun tuaj, kundrejt vetëm 1,7 miliard lekë të investuara në 4 vitet para këtyre viteve.
Kemi ndërtuar dhe rindërtuar rrugë të mëdha kombëtare, rrugë të tjera , por sot jam këtu për tu dhënë ju fjalën se në katër vitet e që vijnë çdo rrugë, çdo rrugicë e këtij qyteti e këtij qarku do të jetë asfalt dhe vetëm asfalt”, tha kryeministri.
Berisha garantoi nga Fieri se brenda vitit të parë të mandatit të dytë, qytetarët do të lëvizni të lirë, në mbarë Evropën, pa viza, si qytetarë të saj.
Vendet e reja të punës, sipas kryeministrit, do të jenë prioritet kryesor mandatin e ardhshëm. Sipas kreut të qeverisë, “Fieri evropian dhe Shqipëria evropiane kërkon para së gjithash dhe mbi të gjitha që ju te keni punë, që qytetarët e Fierit dhe të mbarë Shqipërisë të kenë punë”. “Zotohem se Shqipëria sociale, Shqipëria e vuajtjes dhe e dhimbjes është Shqipëria e përkushtimit tim më të madh për t’i lehtësuar ato, sepse unë Sali Berisha do të bëj çdo përpjekje, derisa dhe qytetari i fundit i këtij vendi të zerë vendin e punës. Lufta e pamëshirë kundër varfërisë dhe mjerimit është përparësia ime absolute. Ne që nxorën në katër vite mbi 400 mijë shqiptarë nga varfëria, ne që në katër vite punësuam jo më pak se 80 mijë vetë, jemi të vendosur se në katër vitet që vijnë në këtë tokë, në këtë vend, do të punësohen, së paku 160 mijë vetë. Shqipëria do të ketë përqindjen e papunësisë, më të ulët, se së paku 6 vende anëtare të BE-së”, garantoi kryeministri.
Shefi i ekzekutivit, deklaroi se një tjetër pikë e rëndësishme e mandatit të ri qeverisës është edhe rritja e pagave dhe pensioneve, për të cilat kryeministri tha se Shqipëria do të parakalojë edhe 6 vende anëtare të BE-së. “Ne nuk mund të jemi qytetarë evropianë, duke qëndruar pas, por kam besim të madh se turravrapi ynë nuk do të ndalet më se katër vitet që vijnë në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë, ju do të gëzoni të gjitha të drejtat, të gjitha favoret që gëzojnë së paku 6 vendet anëtare të BE-së. Ne kemi lënë pas dy vende në paga dhe pensione dhe do të leme pas edhe 4 vende në turravrapin tonë. Ne kemi një nga vendet më të pasur a që mund të jetë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri premtoi se katër vitet që vijnë Fieri do të shndërrohet në një nga epiqendrat më të rëndësishme industriale të Shqipërisë, me universitetin e tij, me tregjet e mëdha, me zonat reja turistike, me parqet e mëdha energjetike, për të vazhduar rrugën e integrimit, rrugën e begatisë dhe rrugën e dinjitetit.
Krijoni Kontakt