Skandal me listat e zgjedhësve në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Nga kërkimi ynë në internet rezultojnë rreth 29 qytetarë shqiptarë, banorë të qarkut Kukës që ditën e zgjedhjeve kanë të drejtën e dyfishtë të votës. Një tjetër problem i vërejtur në këto lista janë edhe gabimet ortografike, në shkrimin e emrave të zgjedhësve.
TIRANE- Skandal me listat e zgjedhësve në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Vetëm pak ditë pas hedhjes online të listës së plotë të shtetasve shqiptarë që më 28 qershor do ti drejtohen kutive të votimit, zbulohen dublimet e para.
Bëhet fjalë për shkelje skandaloze në bashkinë Kukës dhe Krumë. Nga kërkimi ynë në internet rezultojnë rreth 29 qytetarë shqiptarë, banorë të qarkut Kukës që ditën e zgjedhjeve kanë të drejtën e dyfishtë të votës.
Disa nga këta shtetas kanë emër, atësi, mbiemër e datëlindje të njëjtë. I vetmi dallim është qendra ku ata do të shprehin vullnetin e tyre më 28 qershor.
Duke shkëputur nga lista emrin e Seladin Ahmet Bytyci, rezulton se ky shtetas është regjistruar si zgjedhës në bashkinë Krumë dhe Kukës, ku ftohet për të hedhur votën në dy qendra votimi. Përkatësisht ky shtetas më 28 qershor ka të drejtë të votojë, në shkollën Myc Has të Krumës dhe në cerdhen nr. 3 të lagjes 5 të bashkisë Kukës.
Duke iu referuar listave të bëra publike nga Ministria e Brendshme në faqen zyrtare të këtij institucioni, një tjetër problem i vërejtur në këto lista janë edhe gabimet ortografike, në shkrimin e emrave të zgjedhësve.
Nëse shkëputim nga lista e zgjedhësve emrin e Ardjan Gjeladin Jeminaj, i cili është i regjistruar në bashkinë e Krumës, me qendër votimi shkollën Gjinaj, rezulton se i njëjti person me emër të njëjtë, mbiemër e datëlindje të njëjtë, por me gërmën e parë të emrit të babait të ndryshëm, Xheladin dhe jo Gjeladin, ky shtetas ka të drejtën e votës në bashkinë e Kukësit, pra në një tjetër qendër votimi. (e.n/News24/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt