PD-ja, në tre qarqe ka plotësuar kuotën e femrave, duke paraqitur më shumë kandidatë sesa ka mandate
Socialistët e kanë konsideruar këtë një hile të demokratëve dhe mosrespektim të 30 përqindëshit
Një gjë që nuk është e ndaluar, është e lejuar. Ky është postulati ligjor që ka përdorur Partia Demokratike për të plotësuar kërkesën ligjore që të ketë në listat e saj shumemërore 30 për qind përfaqësim nga secila gjini. Bëhet fjalë për shfrytëzimin e një vakuumi që ekziston në Kodin Zgjedhor, në nenin 67 të tij, ku përcaktohet numri minimal i kandidatëve që duhet të paraqesë një forcë politike në listat e saj për çdo qark, por jo ai maksimal, duke e lënë atë të hapur.
Duke iu referuar pikërisht kësaj hapësire, demokratët kanë luajtur me ligjin, duke arritur që të plotësojnë kriterin e barazisë gjinore, jo duke përfshirë gjithmonë kandidate femra në listat fiktive, por duke shtuar emra kandidatesh femra mbi numrin e mandateve që i është caktuar çdo qarku.
Debati
Debati i nisur që në ditën e parë të marrjes në shqyrtim të listave të kandidatëve, mes anëtarëve të KQZ-së, ka vijuar edhe gjatë mbledhjes së djeshme, e cila është zhvilluar me dy seanca. Përsëri shkak është bërë interpretimi i ndryshëm që anëtarët e KQZ-së i kanë bërë Kodit Zgjedhor dhe, më konkretisht, nenit 67 të tij, ku dhe përcaktohet verifikimi i dokumentacionit të çdo kandidati. Duke marrë shkas pikërisht nga përpjekja e PD-së për të korrigjuar mangësinë e përfaqësimit të grave, duke paraqitur më shumë kandidatë sesa numri i mandateve për të cilat do të garohet në një qark, përfaqësuesi socialist në KQZ, Genci Gjonçaj, ka kërkuar që një gjë e tillë të mos lejohet, pasi është e paligjshme dhe e pamoralshme.
"Kjo është shkelje e Kodit dhe e vullnetit të zgjedhësve, pasi shtohet në mënyrë artificiale numri për të futur femra dhe për të arritur kuotën 30 për qind, ndërkohë që situata në të vërtetë nuk ndryshon", - tha Gjonçaj. Ndërkohë, sipas nënkryetares së KQZ-së, Deshira Subashi, një lojë e tillë është e pandershme, pasi përdoret një vakuum ligjor për të plotësuar një kërkesë të Kodit. "Kjo që po bëni ju është një taktikë hileqare, megjithatë, unë nuk do ta quaja joligjore", - u shpreh Subashi.
Por, sipas kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, shfrytëzimi i një hapësire të tillë prej PD-së nuk përbën rastin e parë, pasi më parë KQZ-ja e kishte bërë atë një standard kur kishte miratuar listat e partisë së Ballit, e cila në Kukës kishte paraqitur 5 kandidatë nga 4 mandate që ka ky qark.
Ndryshimet
Pavarësisht kundërshtimet, KQZ-ja ka miratuar listat e PD-së, ku në total, tashmë nuk janë renditur 140 kandidatë, aq sa janë dhe mandatet në gjithë Shqipërinë, por 144 emra. Me përjashtim të Qarkut të Beratit, Vlorës dhe Gjirokastrës, ku kjo mangësi është rregulluar duke zhvendosur një kandidate femër, për të gjitha qarqet e tjera, Kukës, Lezhë dhe Elbasan, Partia Demokratike ka shtuar kandidatë të gjinisë femërore mbi numrin e mandateve që u është caktuar këtyre zonave.
Më konkretisht, në zonën zgjedhore të Qarkut të Kukësit, Partia Demokratike, pasi kishte depozituar së pari listën shumemërore me 4 kandidatë, ka paraqitur më pas një shkresë tjetër, me të cilën ka depozituar në KQZ një listë të dytë për këtë qark, por kësaj here me 5 kandidatë, duke shtuar një kandidate femër me emrin Myzelej Aliaj. Me këtë lëvizje taktike, PD-ja ka mundur që të plotësojë 30 për qindëshin e grave, por pa prekur tre kandidatët e parë që janë në atë që konsiderohet si lista fituese.
E njëjta taktikë është përdorur edhe për listën e Lezhës, ku demokratët pasi kishin depozituar fillimisht një listë me 7 kandidatë, më pas kanë paraqitur një shkresë tjetër, është paraqitur një listë të dytë, por kësaj here me 8 kandidatë, duke shtuar në vend të katërt Rajmond Hoxhën dhe duke zhvendosur kandidatët e tjerë.
Ndryshimet më të mëdha i ka pësuar Qarku i Elbasanit, ku janë vënë re dhe lëvizjet dhe shtimi më i madh i kandidatëve për deputetë të kësaj force. Pavarësisht se në këtë listë ishte i plotësuar 30 përqindëshi i grave, PD-ja ka bërë një sërë lëvizjes, ku, nga lista e parë që ka bërë publike vetë Kryeministri Sali Berisha, janë larguar Blerina Çopja dhe Valdete Kongoli dhe janë shtuar 4 kandidatë të tjerë, Agim Boja, Taulant Zeneli, Zheni Gjergji dhe Sokrat Berdufi.
Ndryshime ka pësuar edhe lista e Gjirokastrës, ku është larguar Pëllumb Peçani dhe në vend të tij është vendosur Shpresa Joanidhi. Lëvizje ka pësuar edhe lista Vlorës, pasi është larguar Bati Çuçuri dhe në vend të tij është vendosur kandidatja Agata Mishto, e cila gjithashtu ka ndërruar vendet me Elsa Gjinin.
PD-ja ka mundur të plotësojë listën e saj me kandidate femra edhe në Qarkun e Dibrës, ku ka larguar Idriz Xhomarën dhe ka vendosur Dhurata Çupin. Ndryshime emrash kanë pësuar edhe listat e Tiranës dhe të Durrësit.
Krijoni Kontakt