Kiço Blushi
Tani që u shpallën listat e kandidatëve për deputetë u bë më se e qartë se po të jesh partiak, madje dava më mirë po të jesh një dokudo partiak i flaktë, e pse jo, edhe ca trushkulur, aq më të lehtë e më të sigurt e ke të bëhesh ose të mbetesh deputet. Kodi i ri Zgjedhor nuk lë hapësirë apo mundësi për deputetë të pavarur. Ndaj, kush nuk hyn në listën e partive është i destinuar të mbetet jashtë derës, pavarësisht nga personaliteti, kontributet, meritat dhe aftësitë. Çelësat e derës së deputetllëkut i kanë në duar kryetarët e partive. Zgjedhësi ka në duar votën, e cila do të përfundojë në drejtim të paditur, më saktë, aty ku do ta ketë paracaktuar “zarin” kryepartiaku!
Ashtu si dje, edhe sot asnjë ikurak e asnjë përjashtiak partie nuk ka bërë prokopi, nuk ka mundur të mbetet në politikë, nuk ka bërë hajër, edhe sikur të ketë provuar me sjelljen, me jetën dhe me veprimtarinë e vet integritet, pavarësi dhe ndershmëri në publik. Përkundrazi, sot vetëm po të jesh partiak ke imunitet dhe karrierë të sigurt, je i mbrojtur, dinjitar, shqytar, kordhëtar, pasunar edhe po të vjedhësh, edhe po të shpifësh e të nxish përditë faqen duke mbrojtur edhe ato që nuk i beson as vetë. Madje-madje, këto cilësi: ndershmëria dhe profesionalizmi, meritat dhe dinjiteti rëndom kthehen më shumë në pengesë se në avantazh; ato transformohen më shumë në mallkim e ndëshkim të pamerituar se sa në një vlerësim të merituar. Edhe fjala “qëndresëtar” tani nuk ka më kuptim: ajo vlen vetëm po të kesh provuar nëse je besnik ndaj kryetarit të partisë, sidomos në ditë të vështira për të (kujto p.sh Bashën, Bumçin, apo Sefgjinin, i cili sa herë dënohet nga gjykata, do të emërohet në poste të larta!). E pra, po të jesh i sulmuar egër nga kundërshtarët, atëherë dava më mirë: kjo është provë se ti je “me ne”! Nuk është tërësisht e vërtetë se u hoqën “Mbështetësit e Topit”, u hoqën nga lista jo dhe aq se ishin të Topit; porse ata asnjëherë nuk dolën të mbrojnë aferat e kryeministrit dhe të familjes së tij.
***
Edhe po të jesh rishtar e riosh, i dalë nga ajo që quhet shoqëri civile, duhet të kesh pas dhënë prova besnikërie ndaj kryetarit që të hysh në listë. Pra, kush nuk ka dalë nëpër media të lançojë “sukseset” e qeverisë dhe pas kësaj të mbrojë me fanatizëm dhe yrysh prej jeniçeri kryeministrin dhe familjen e tij të akuzuar për korrupsion, nuk mund të jetë në listën e deputetëve të ardhshëm të PD-së. Edhe dalja e zonjës Topalli në një ballafaqim televiziv me dy gazetarë para ca ditësh ishte ilustrimi më se i qartë që vlen për të kuptuar se si, edhe numri dy i partisë në pushtet mund të jetë aq i depersonalizuar sa flet e flet si një shirit magnetofoni që ka veç një hall: si e si ta pëlqejë kryetari kur shan pa ndalim e pa kursim rivalin e tij, Ramën, pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, madje pa e çarë kokën edhe për gjykimin e publikut! Të vjen krupë e të vjen marre kur sheh e dëgjon se sa të paturpshëm janë politikanët tanë dhe sa për budallenj na marrin ne që rrimë e i mbajmë vesh para ekraneve, madje edhe i votojmë, si të ishim ushtarë prej plumbi!
***
Preç Zogaj, pasi u ndje i përjashtuar nga lista e sigurt e PD-së për Lezhën, u detyrua të hyjë i pari në një tjetër parti, te lista e Ngjelës. Dhe, me këtë rast u kujtua të thotë se në politikën shqiptare nuk paskësh një “instrument” që do të mund të matë vlerën e njëmendtë dhe meritat e politikanëve të sotëm. Kjo është e vërtetë, po këtë ai na e tha pasi e pësoi vetë për të disatën herë. A nuk e kishte pas ditur Preçi këtë të vërtetë më parë, kur u largua “me shqelma” nga PD-ja, kur u bë ministër i PS-së, këshilltar i Meidanit apo kur e pësoi Ngjela, më pas Biberaj dhe miku i tij, Mustafaj, pak kohë para tij? Mos ka pasur në ato kohëra “instrumente” matës të vlerave dhe tani nuk paska?!
***
Është shumë vonë për këtë konstatim nga një njeri që ka gati 20 vjet që, si thotë vetë, ka krijuar tashmë “asetin” e vet politik. Kur hesht, se shpreson se ty nuk do të të vijë radha, është mëkat, për të mos thënë edhe faj. Një “instrument” që mat vlerat në të vërtetë ekziston në çdo sistem demokratik: ky është votuesi, janë zgjedhjet, është opinioni publik. Por, tek ne “listat” e ditëve të fundit provuan se nuk është votuesi ai që do të zgjedhë, po kryetari i partisë, edhe sikur zgjedhjet të bëhen vërtet të lira e të ndershme. “Nuk ndihem i vlerësuar”, - tha me pikëllim edhe ish-deputeti Gjergji. Këtë “proces” vlerësimi (mosvlerësimi) e kanë lejuar të jetë i tillë për gati 20 vjet deputetët dhe personalitetet me influencë si Zogaj, Ceka, Meksi, Mustafaj, Ngjela, etj, të cilët e kanë provuar edhe në kurrizin e tyre përjashtimin jo për mungesë të vlerave, po ndoshta edhe për shkak të vlerave të asokohshme. Njëri pas tjetrit ranë, si gurë dominoje, duke heshtur…Tashmë opinioni publik nuk ndikon dot, nuk mund të ndikojë madje as me votë, sepse opinioni publik është i amortizuar, i imunizuar, i përjashtuar prej zhvlerësimit të vazhdueshëm të figurave të ndritura të kombit. Opinioni ynë publik është i paralizuar, sepse është i detyruar të ushqehet (sipas traditës) me gënjeshtra dhe me premtime të cilat na serviren si suksese të padiskutueshme… Mjafton të dëgjosh zonjën J, Berishën, për të kuptuar se sa sinqerisht besojnë ata që qytetarët shqiptarë vazhdojnë të hanë me qejf “barin e Enverit” kur u serviret në grazhdin e TëVëve nga “udhëheqësit tanë historikë e të pagabueshëm”…Ata janë të bindur se shumica e shqiptarëve lumturohen sa herë e hanë sapunin për djathë!
***
Andaj, partitë vazhdojnë me ngulm t’i ushqejnë zgjedhësit prej vitesh me këtë lloj “ bari “ narkotik…Vetëm në Arnautistan prijësit denbababaden kanë besuar e besojnë se vetëm ata nuk mund të jenë ikurakë, as përjashtiakë! Për ta nuk ka dorëheqje. Edhe kur thonë se do të dorëhiqen, nuk thonë të vërtetën. Pa ta nuk ka politikë, nuk ka të ardhme, nuk ka parti, nuk ka as Shqipëri! Pikërisht prej kësaj bindjeje të patundshme ata kanë deklaruar më se një herë se atyre u vete pas historia, gjë që do të thotë se ata do të ngulmojnë të mbeten në politikë “sa t’u japë ymër i plotfuqishmi”! Kjo mbrapshti tipike arnaute mund të realizohet kur shoqërisë i mungojnë deputetët dhe intelektualët me integritet dhe dinjitet, kur edhe ata janë të emëruar, kur nuk ka institucione të pavarura dhe kur Drejtësia bëhet një vegël qorre në duart e tyre! A nuk është ngjizur demokracia jonë e brishtë me këtë brumë? Ja pra, përse pluralizmi në shoqërinë shqiptare nuk ka mundur të ngrejë një hierarki të qëndrueshme vlerash, po antivlerash! Për këtë kemi faj edhe ne si shoqëri, që vazhdojmë të ushqehemi me këtë lloj “bari” enverist, po më shumë kanë faj ata politikanë, apo opinionistë që pranojnë të futen nëpër lista duke dhënë si paradhënie dinjitetin dhe emrin e tyre në këmbim të favoreve të çastit. Janë këta që pranojnë të eliminojnë institucionet e pavarura, pa e ditur se këtë haraç do ta paguajnë shtrenjtë edhe vetë një ditë. Ky është çmimi që kanë paguar dhe do të paguajnë sot ata që duan të bëjnë karrierë partiake nëpër institucione dhe administratë publike nëpërmjet “listave”, dhe jo garës e konkurrencës. Nuk ka shembull më të goditur dhe më ilustrativ, se kandidimi i kryetares së KKRT-së si kandidate për PD-në, kur presupozohet se ajo ishte zgjedhur në atë post për të qenë e pavarur. Edhe në KQZ anëtarët janë partiakë. Edhe në INSTAT, edhe në kudo…Po edhe në gjykata shumica nuk kanë frikë nga ligjet, nga Drejtësia, po nga kryetarët e partive. Cili prokuror i përgjithshëm ka mbetur pa u shkarkuar dhe cilin kryetar të Gjykatës së Lartë nuk e kanë emëruar (gjoja zgjedhur) kryetarët e partive?! E si mund të kërkohen pas kësaj, “instrumente vlerësues” kur peshoren e kombit e të çdo institucioni e kanë privatizuar me vakt e me kohë kryetarët e partive?
***
Krerëve tanë nuk u leverdis të ketë institucione të pavarura, pushtete të pavarura, politikanë dhe gazetarë me dinjitet dhe integritet, instrumente që do të peshojnë vlerat e kombit, pasi kryetarët e tipit Berisha kërkojnë t’i kenë edhe deputetët, edhe grupet parlamentare si vegla që komandohen lehtë prej tyre. Për këtë arsye, edhe brenda partisë Berisha nuk ka lejuar kurrë të bëhen zgjedhje të lira e të ndershme; edhe statutin, edhe rregullat e partisë ai i ka letra pa vlerë; e megjithatë del e thotë se në Shqipëri do të realizojë - për herë të parë! - zgjedhje të lira e të ndershme! As edhe një zë nuk pipëtin kur Berisha manipulon, kur gënjen, kur mashtron dhe vjedh votat brenda partisë, e aq më keq jashtë partisë. Askush nuk e beson, madje ndjekësit e tij shpresojnë se edhe në këto zgjedhje ai do të ketë planifikuar “diçka” që do të “na garantojë fitoren” e 28 qershorit!
***
Duke mbjellë idenë e plotfuqishmërisë, ai ka krijuar përshtypjen se është jo vetëm i papërballueshëm, po edhe i pakonkurrueshëm. Këtë e ka provuar me ikjen e “karrigethyerve”, e “tradhtarëve” të fillimviteve ‘90-të; këtë së fundi e provoi edhe Ngjela, por prova më e fundit ishte zgjedhja “spektakolare” e Bumçit në krye të PD-së së Tiranës dhe përjashtimi fyes i Mustafajit, këtij njeriu që ka qenë themelues i PD-së, ministër i Jashtëm, njëri nga diplomatët e pakët që nuk u arratis pas ‘97-ës, po u kthye si një “mik i PD-së” dhe i Doktorit…! A ka njeri që mund të besojë se Bumçi u zgjodh kryetar i Tiranës me vota “të lira dhe demokratike” për merita, madje, për merita të veçanta (a nuk u shkarkua para një viti ai si ministër Drejtësie nga Berisha?), e jo vetëm kaq, po të nesërmen u vu edhe i dyti në listën e deputetëve të Tiranës, fill pas Berishës? Përse? Kush ka dy pare mend e kupton se Bumçi nuk do të ngjitej kaq lart e kaq shpejt në karrierë nëse nuk do të kishte dalë nëpër ekrane të recitonte zëplotë tekstet e Doktorit e nuk do të kishte vënë edhe kokën në rrezik para Drejtësisë dhe opinionit publik duke deklaruar se shkrimi i tij (ai që i drejtohej djalit të Berishës), nuk ishte i tij?.. Kështu pra, Bumçi e ka më se të sigurt që do të jetë deputet në Tiranë, ashtu si Mustafaj e ka të sigurt që nuk do të jetë më deputet. As Biberaj, as ata deputetë që tashmë u bënë ikurakë me stilolapsin e Doktorit....Populli pra, do të votojë, po se kush do të bëhet nesër deputet, këtë e di dhe e vendos kryetari! Për shkak të një fuqie të tillë absolute të gjithë heshtin kur Doktori masakron publikisht bashkëpunëtorët ose kundërshtarët, kur përdhos opozitën, kur manipulon rezultatet, kur shan nga nëna e nga motra cilindo që i del përpara, pa menduar se nesër mund ta pësojnë edhe vetë. Frika ruan vreshtin, ashtu si paniku siguron unitetin partiak. Por, në politikë nuk ndodh si në tregti: një ushqim i prishur helmon vetëm atë që e ha, atë që e konsumon, kurse në politikë dhe prej politikës mund të helmohet e gjithë shoqëria! Në Gjirokastër u shemb një pallat ngaqë ndërtuesit nuk respektuan standardet e ndërtimit, kurse një qeveri e papërgjegjshme të hedh në erë, si në Gërdec, prish standardet e zgjedhjeve dhe të vlerësimit dhe të lë të fundit në radhën e vendeve që aplikojnë për në BE. Por, ama për këtë nuk kanë faj vetëm Berishët, por edhe ata që u thonë lepepeqe sa janë në pushtet e që hapin gojën vetëm kur dëbohen prej tyre për t’u bërë ikurakë, kurrkushë, askushë. Vetëm kur përjashtohen, pra vetëm kur rrezikohen të bëhen ikurakë e përjashtiakë mund të dalin e të thonë nëpër dhëmbë ndonjë fjalë pakënaqësie, po ama pa e atakuar kryetarin, pasi e dinë që hija e tij mund të t’i ndjekë pas, bashkë me sojesorrollopin, deri në vdekje. Por, është vonë, tepër vonë! Kësisoj,e keqja, pra mungesa e “instrumenteve” që do të garantojnë vlerat shoqërore dhe demokratike bëhet “grip i derrit”, një sëmundje gati-gati e pashërueshme. Ndaj, bjerret e rrënohet përditë e më shumë besimi tek të zgjedhurit, te institucionet, te partitë, te udhëheqësit, te mediat, po edhe te vota, si brenda, edhe jashtë partisë…Sepse, afërmendsh, nuk mund të ketë demokraci normale në një shoqëri ku brenda partive që na qeverisin ka demokraci anormale dhe aspak funksionale. Tani mund të thuhet se ne kemi kaluar nga partitokracia e pastër në kryetarokraci të kulluar. Pikërisht kjo aksiomë mban në politikë shumë kryetarë partish pa anëtarë; kjo e detyroi edhe Ngjelën të formojë shpejt e shpejt një parti të vetën; kjo e bëri edhe Gaqo Apostolin të formojë edhe ai një kioskë-parti të vetën…Sepse, partia dhe sidomos posti i kryetarit është më shumë se një biznes, e vetmja strehë ku mund të ndjehesh “i vlerësuar”!
***
Por kush i zgjedh në të vërtetë deputetët, përfaqësuesit e popullit? Kjo është çështja! Një fqinji im, në zgjedhjet e para demokratike, më pat thënë me sinqeritet: “edhe sikur një qen të verë partia ime për deputet, unë votën do t’ia jap qenit!” Ndaj në Shqipëri,edhe sikur të kesh pas qenë president republike, kryetar partie, ministër apo edhe kryeministër, pra nëse ke dalë nga muret e partisë, me apo pa dashje, e ke të pamundur të hysh sërish në fushën e politikës kur nuk je në struktura partiake. Një njeri pa emër, një anonim, një kurrkush i kallur në parti orët e fundit është ku e ku më i fuqishëm dhe më i sigurt “për fitore” se sa një ikurak apo një përjashtiak partiak. Deri sa edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk e ka një instrument të tillë që peshon vlerat e kombit, deri sa edhe aty u emëruan akademikët nga partia në pushtet, atëherë si mund të kërkohet të ketë edhe në jetën shoqërore “instrumente” normale për të zgjedhurit dhe të shquarit tanë?!
(s.g/GSH/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt