nga Jim Jarmusch
Rregulli #1: Nuk ka rregulla. Ka aq shumë mënyra për të realizuar një film aq sa ka regjizorë të mundshëm. Është një formë e hapur. Sidoqoftë, unë personalisht nuk do t’i lejoja kurrë vetes që t’i tregoja dikujt se çfarë të bëjë apo në ç’mënyrë. Për mua është njëlloj sikur t’i thuash se ç’besim fetar duhet të ketë. **** that. Kjo është kundër filozofisë time personale – më tepër një kod se sa një grup “rregullash”. Prandaj, shpërfillini këto “rregulla” që jeni duke lexuar tani, dhe më mirë merrini thjesht si shënime për veten time. Secili duhet të bëjë “shënimet” e tij sepse nuk ka vetëm një mënyrë për të bërë diçka. Nëse dikush ju thotë se ka vetëm një mënyrë, mënyra e tyre, largohuni prej tyre sa më larg që të jetë e mundur, si fizikisht ashtu dhe nga pikëpamja filozofike.
Rregulli #2: Don’t let the fuckers get ya. Ata mund t’ju ndihmojnë ose jo, por ata s’mund t’ju ndalojnë. Njerëzit që financojnë, shpërndajnë, promovojnë dhe ekspozojnë filmat nuk janë ‘filmbërës’. Atyre nuk i intereson t’i lejojnë filmbërësit që të përcaktojnë dhe diktojnë mënyrën se si bëjnë punën e tyre, ndaj filmbërësit nuk duhet t’i lejojnë ata që të diktojnë mënyrën si bëhet filmi. Mbani me vete një armë nëse e shihni të nevojshme.
Gjithashtu shmangni servilët me çdo kusht. Ka gjithnjë njerëz rrotull që duan të hyjnë në kinematografi për t’u bërë të pasur, të famshëm, apo për të bërë seks. Zakonisht, ata dinë për kinematografinë po aq sa George W. Bush di për luftimin trup me trup.
Rregulli #3: Produksioni ekziston për t’i shërbyer filmit. Filmi nuk ekziston për t’i shërbyer produksionit. Fatkeqësisht, në botën e kinematografisë gjërat shkojnë mbrapsht. Filmi nuk realizohet në shërbim të buxhetit, programit apo përfundimeve të atyre që janë të përfshirë. Regjizorët që nuk e kuptojnë këtë duhet të varen me kokë poshtë dhe të pyeten përse qielli duket i përmbysur.
Rregulli #4: Realizimi i filmit është një proçes bashkëpunimi. Keni fatin të punoni me njerëz të tjerë, idetë dhe mendjet e të cilëve mund të jenë më të mira se të tuat. Sigurohuni që të mbeten të përqëndruar në punën e tyre dhe jo në atë të dikujt tjetër, ndryshe do të bëhet një lëmsh i madh. Por trajtojini bashkëpunëtorët si të barabartë dhe respektojini. Një asistent produksioni që po mban trafikun të bllokuar në mënyrë që ekipi të xhirojë nuk është më pak i rëndësishëm se aktorët në skenë, drejtori i fotografisë, dizajneri apo regjizori. Hierarkia është për ata njerëz me ego të fryra apo jashtë kontrollit, ose për njerëzit e ushtrisë. Ata që zgjedh për të bashkëpunuar, nëse bën zgjedhje të mira, mund të rritin cilësinë dhe përmbajtjen e filmit në një nivel shumë më të lartë se ç’mund të arrijë mendja e një personi të vetëm. Nëse nuk dëshironi të punoni me njerëz të tjerë, shkoni të pikturoni ose të shkruani një libër. (Dhe nëse dëshironi të jeni një diktator i ndyrë, mendoj se në ditët tona mjafton vetëm t’i hyni politikës…)
Rregulli #5: Origjinaliteti nuk ekziston. Vidhni nga kudo që ju ngjall frymëzim apo ushqen imagjinatën tuaj. Përlani filmat e vjetër, filmat e rinj, muzikën, librat, pikturat, fotografitë, poezitë, ëndrrat, bisedat rastësore, arkitekturën, urat, tabelat rrugore, pemët, retë, masat e ujit, dritën dhe hijet. Zgjidhni për të vjedhur vetëm gjëra që ju prekin drejtpërdrejt në shpirtin tuaj. Nëse e bëni këtë, puna juaj (dhe vjedhja) do të jetë autentike. Autenticiteti është i paçmueshëm; origjinaliteti nuk ekziston. Dhe mos u përpiqni të fshihni vjedhjen tuaj – thurini lavde nëse ju pëlqen. Në çdo rast, gjithmonë mbani mend çfarë ka thënë Jean-Luc Godard: “S’ka rëndësi nga i merr gjërat - rëndësi ka ku i çon ato.”
- -
Marrë nga revista MovieMaker #53 – 22 Janar 2004
Krijoni Kontakt