Close
Faqja 2 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 33
  1. #11
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    JUSUF GËRVALLA, PISHTARI I LIRISË DHE
    RIBASHKIMIT KOMBËTAR

    Si vazhduat në fushën organizative të mëtejshme?
    Po, po e përsëris se në intensifikimin e organizimit dhe angazhimit të anëtarëve e simpatizuesve apo kandidatëve të LNÇKVSHJ-së; ne, vepronim sipas sistemimit ilegal në treshe. Aty, ku formonim Komitetin e Vendit prej 5 anëtarëve , kandidatët apo simpatizuesit tanë i lidhnim me treshat e veta, kështu që, të gjithë anëtarët e Komitetit i kishin edhe treshat e veta. Neve, udhëheqësve të «Komitetit Qendror», na u kishin besuar përgjegjëgjistë, që të formonim, aty ku kishte mundësi, Komitete Vendore. Kështu , unë kisha formuar Komitetin Vendor të Lypjanit me Avdi Kelmendin si kryetar, ndërsa, kisha paraparë edhe formimin e Komitetit të Drenasit, me Bajram Gashin, në krye, Komitet të cilin ai do ta formojë pas burgosjes tonë. Poashtu, do të formohet edhe Komiteti Vendor i Deçanit, të cilin e kishte formuar Jusuf Gërvalla me Ismail Haradinajn, si kryetar. Komitete të tjera nuk do të formohen, sepse, Shefqet Jashari dhe unë, Ramadan Pllana si anëtarë të «Komitetit Qendror», do të arrestoheshim nga Sigurimi jugosllav, Jusuf Gërvalla e Sabri Novosella do të arratiseshin jashtë, kurse, Metush Krasniqit do t’i kufizoheshin mundësitë e veprimtarisë ilegale pas rënies sonë në burg në Nëntorin e vitit 1979. Mirëpo, kandidatët dhe simpatizantët tanë do të organizohen apo do të sistemohen, gati në të gjitha grupet tjera ilegale që vepronin apo formoheshin në prag të ngjarjeve historike të pranverës së vitit 1981. Më vonë, do t’i ceku të gjithë veprimtarët që ishin të lidhur me ne, në mënyra: të drejtpërsëdrejti ose tërthorazi para demonstratave të vitit në fjalë. Unë, dhe Shefqet Jashari, kishim më së shumti celula në anën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  2. #12
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Celulat kryesore në kuadër të LKÇKVSH-së, në Vushtrri:
    1. Celula e fshatrave Akrashticë, Mihaliç e themeluar nga Ferki Morina, student i Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, Xhemajl Pllana, student i Fakultetit të Shkencave- dega Gjeografisë, Asllan Muharremi, student i Fakultetit Ekonomik. Lagja e morinajve të Akrashticës, nga ishte Ferki Morina, gjithmonë ka qenë në zë për bujari, mikpritje dhe trimëri. Aty, në çdo kohë kishin gjetur mirëkuptim dhe strehim luftëtarët e njohur kundër regjimeve serbe. Me morinajtë kishte miqësi familjare, familja e Dan Derocit. Poashtu, çetat e Azem Bejtë Galicës, në këtë lagje e gjenin vendin, -pra, ishin më të sigurta për strehim dhe për përgatitje për aksione kundër policisë dhe ushtrisë serbe. Aty, gjetën strehim deri në kohën e arratisjes për në Shqipëri edhe Sherif Tërstena, Ajet Haxhiu, etj.
    - Në këtë rrjedhë, dhe celula jonë në këtë vend e gjeti folenë më të sigurt për veprim ilegal. Nuk është për t’u çuditur, prandaj, se morinët do të dëshmohen edhe gjatë luftës për çlirimin e Kosovës në Epokën e UÇK-së, gjatë viteve 1998-99. Ferki Morina, ishte marrë shumë herë në izolime, ishte maltretuar deri në rrezikim edhe të qenies së tij fizike. Herën e fundit, më 28 mars 1989, bashkë me Xhemajlin, Ferki Morina. ishte arrestuar nga pushteti serb, së bashku me mbi 200 intelektualë të tjerë, të cilët ishin izoluar në burgjet famëkëqija në Leskovc dhe në Zajeçar të Serbisë. Unë, do t’i shpëtoja atij izolimi, meqë u zgjova më herët dhe dola nga banesa ku ishim së bashku me Xhemën, Selveten dhe Drilonin e vogël, dhe, në momentin e rrethimit të banesës, bashkë me Hysen Dacin, një veteran i Lëvizjes sonë, ishim duke pirë kafen e mëngjesit në oborrin e shtëpisë së tij, në Veterrik të Prishtinës. Pastaj, do të dilja në ilegalitet në Marevc te Bislim Makolli, më vonë te Hashim Muzaqi në Bruznik dhe në fund do të shkoja në Slloveni ku do të qëndroja deri në dhjetor të atij viti, pasiqë, nuk u kishin ngritur aktakuzë të izoluarve të atij viti. Ferki Morina, gjatë aktivitetit të tij do të njihej dhe do të bashkëpunonte edhe me këta persona: Burim Zagragja, Fakulteti Ekonomik, Behxhet Ahmeti, Fakulteti Ekonomik, Zejnullah Halili Fakulteti Juridik, Skënder Salihu nga Druari, Sabit Kadriu nga Bruzniku, Shyqyri Imeri nga Dumnica e Ulët e Vushtrrisë, Rexhep Ahmeti nga Gurakuqi, ( ish’Kutllovci) i Shalës së Mitrovicës, Shyqyri Hyseni nga Smrekovnica, Avni Maxhuni nga Maxhunaj, Halim Kelmendi nga ish-Lipa, Kelmendi e Shalës, etj. Më vonë, për shkaqe shëndetësore, Ferki Morina, së bashku me Mirvete Morinën, shoqen e jetës dhe të idealit, do të detyrohet të mërgojë në Gjermani. Edhe për Ferkiun, deviza ATDHEU MBI TË GJITHA, ishte dhe do të mbetet e përjetshme.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  3. #13
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Asllan Muharremi dhe veprimtaria e tij :
    -Siç e ceka edhe më lartë, familja Muharremi nga Mihaliqi, është e njohur në popull si trashëgimtare e drejtpërdrejtë e patriotit të dëshmuar për liri kombëtare, Behë Mihaliqit. Behë Mihaliqi, ishte bashkëluftëtar i Isa Buletinit, tribun popullor, njëri nga udhëheqësit e kryengritësve kundër ushtrisë turke, në anën e Rrezës ish-Artakollit të Vushtrrisë, është dënuar me varje në trekëdësh në Prishtinë nga gjykata ushtarake turke në vitin 1910. Por, gjaku i Behës nuk do të shuhet kurrë, ndonëse meshkujt e kësaj familje ishin rritur jetima. Pinjollët e kësaj familje, Skënderi me shokë të ilegales, me vëllezërit Avniun e Muharremin dhe me babain e vet, Behën, do të jenë ndër të parët që do t’i rrokin armët kundër kriminelëve serbo-sllavë, nën drejtimin e UÇK-së me Komandantin Legjendar, Adem Jasharin në krye. Asllan Muharremi, ishte njëri ndër aktivistët më të përkushtuar të Lëvizjes sonë. Që në fillim të veprimtarisë atdhetare, ai, së bashku me Ferki Morinën, do të formojnë celulën e Lëvizjes mu në Fakultetin Ekonomik. Në Universitetin e Prishtinës, Asllani do të bashkëpunojë edhe me shokët : Nysret Pllana, Behxhet Ahmeti, Bedri Selmani, Fatmir Makolli, Burim Zagragja, Ymer Dragusha, Hilmi Gashi, Xhafer Durmishi, Abdurrahman Kelmendi, Bahtir Haradinaj, etj. Me veprimtarinë dhe autoritetin e tij, Asllani do të kontribuojë më së shumti në rritjen dhe në zgjerimin e anëtarësisë së Lëvizjes. Asllani, do të zhvillojë një aktivitet të frytshëm dhe të pandërprerë edhe me Rexhep Ahmetin, nga fshati, Gurakuq, (ish-Stranë), profesor, në gjimnazin e Mitrovicës. Pastaj, Rexhepi do të kontaktojë me Mehë Ukën, (dëshmor i kombit), Fadil Shytin, Gani Baliun, Azem Musliun, Bajram e Musli Kosumin, Raif Qelën e të tjerë. Rexhepi, vepronte si aktivist i paludhur edhe me Sabri Novosellën, emigrant në Turqi dhe me Xhafer Durmishin, në Zvicër. Asllan Muharremi, së bashku me Vehbi Mujën dhe Ahmet Muratin, do ta formojnë celulën në Drenas. Punë dhe kontribut i tyre ishte edhe formimi i celulës në Fakultetin Xehtaro-Metalurgjik, në Mitrovicë. Ata, me makinën e Gani Sylës, shkruanin dhe shumëzonin trakte dhe pamflete ilegale dhe do t’i shpërndanin në rrethin e Drenasit e të Vushtrrisë. Por, pasi që zbulohen, pas arrestimit të Vehbi Mujës, më 7 prill të vitit 1983, Asllani detyrohet të kalojë në ilegalitet, pastaj, për shkaqe shëndetësore, arratiset nga atdheu, dhe emigron në Suedi, ku, jeton edhe sot, bashkë me familjen.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  4. #14
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Xhemajl Pllana dhe veprimtaria e tij :
    - Pas arrestimit tim, Xhemajl Pllana, -vëllau im, aktivitetin ilegal do ta vazhdojë me një maturi dhe pjekuri shumë të madhe, ndonëse do të përcillet dhe do të ndiqet hap pas hapi nga spiunët e agjentët e sigurimit jugosllavë, të kryesuar nga agjenti federativ, Burhan Prishtina. Por, ai, thuaja të gjitha lëvizjet do t’i bëjë natën me Ferki Morinën dhe me Shaban Muharremin, i cili, me veprimtarinë e vet e zëvëndësonte Asllanin. Xhemail Pllanën, shpeshherë e morën në biseda “informative” dhe në izolime, por, ai, nga këto veprime të armikut, forcohej kalitej edhe më shumë. Pastaj, në burgje do të njihet edhe me patriotë të dëshmuar, siç ishin: Ali Aliu-Kelmendi, Hazir Shala, Enver Tali, Idriz Daka, Skënder e Asllan Kastrati, Meriman Braha, Xheladin Rekaliu, Skënder Berisha, Selatin e Bedri Novosella dhe shumë të tjerë. Po në burg, me Sami Dërrmakun do të merren vesh që t’i koordinojnë veprimet dhe aksionet e përbashkëta, me OMLK-në. Për këtë, pas daljes nga burgu, Samiu, do ta lidhë me Ramadan Dërmakun. Xhema, do të veprojë në bashkëpunim me organizata të tjera, me qëllim të bashkimit të të gjitha organizatave ilegale. Një zhgënjim dhe mosbesim do t’i lindë tek udhheqësia e Organizatave, -degët jashtë vendit, kur, Sabri Novosella e Xhafer Shatri, do t’ia kërkonin emrat e udhëheqësve në atdhe, veprim të cilin Xhema me shokë nuk e pranuan. Xhemajl Pllana, ishte një nga frymëzuesit dhe organizatorët e luftës së armatosur në rrethin e Vushtrisë e më larg, ai, qe ndër të parët që do ta kapë pushkën dhe do ta veshë uniformën e shenjtë të UÇK-së, heroike. Përgatitja dhe edukata e tij shumëvjeçare, do ta ndihmojnë që të përfitojë shumë shokë e miq në mbarë trojet shqiptare. Ishte, kryetari i parë i Kuvendit Komunal të Komunës së Vushtrrisë. Është, një ndër themeluesit e PDK-së në Kosovë.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  5. #15
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Celulat tjera të lidhura me Shefqet Jasharin dhe me mua:
    Po e ritheksoj se: Shefqet Jashari, ishte i lidhur drejtpërsëdrejti me Metush Krasniqin, të cilin e kishte edhe mik, me Sabri Novosellën, Avdyl Lahun, e të tjerë. Shefqeti, ishte njëri nga pjesëmarrësit dhe organizatorët e të rinjve në demonstratat e vitit 1968. Në rrethinën tonë, ai, kishte shumë autoritet te rinia dhe familjet patriotike. Kishte simpatizues në fshatrat e Rrezës (ish-Artakollit), buzë Qyqavicës, dhe, kishte shokë në tërë Kosovën. Për celulat e tij, nuk do të flas shumë. Por, meqë të dytë ishim banorë të një komune, na ndodhte që të njiheshin celulat tona gjatë aktivitetit ilegal. Shoku i tij, me të cilin do të themelojë disa celula ishte Sheremet Saraçi, nga Burimi. Ky, Sheremeti, do ta formonte celulën apo treshin me Ismet Saraqin, Mustafë Shytin dhe Xhafer Durmishin. Sheremeti, gjithashtu, do të ketë ndikim, me ndihmën e Sabriut, që të formojë celulën tjetër me Shefqet Dibranin, kryesues në Dumnicën e Krasniqes. Sheremeti dhe Shefqeti, do të kenë anëtarë të Lëvizjes edhe në Zhilivodë, Hade, Stanovc dhe fshatra tjera të Vushtrrisë dhe të Mitrovicës. Gati të gjitha celulat tona njiheshin në mes veti, por, për hir të konspiracionit, kur diktohej se ndonjëri ishte i organizuar, medoemos duhej të vepronin ndaras. Më vonë, pas burgosjes time dhe të Shefqetit, ata do t’i koordinojnë veprimet së bashku.

    Po e theksoj se, me Mustafë Shytin, (dëshmor i kombit), njihesha me të qysh në rininë e hershme, qysh kur ishim nxënës të shkollës fillore në Pantinë, ndërsa, Ismet Saraçi, ishte shok imi, qysh nga gjimnazi në Vushtrri, me të cilin kurrë nuk i kam shkëputur lidhjet. Sheremeti, Ismeti dhe Mustafa, ishin, ndër të parët që do t’i kapin armët, bashkë me djemtë dhe kushërinjt e vet, posa doli në skenë e famshmja UÇK, përkrah me bashkëfshatarët e tyre, si me hysenajtë, beqirajtë, gjakajtë, pllanajtë, shaqirajtë e Pantinës etj. do t’iu përballojnë me heroizëm të paparë hordhive serbo-çetnike në fshatrat e tyre deri në fishekët e fundit. Dhe, është për t´u theksuar fakti që: në ofensivat e vitit 1999, kriminelët e ushtrisë serbe, nuk kanë mundur ta pushtojnë (pra, ta marrin nën kontroll) këtë pjesë të Rrezës, ku luftonte me heroizëm, Zona Operiative e Shalës 142 (ZOSH 142).

    Ne, kishim edhe shumë anëtarë të shkapërderdhur në Vushtrri, Mitrovicë, Prishtinë, Kastriot, Drenicë e gjetiu për sistemimin e të cilëve na duhej një kohë e gjatë. Kishim Ilmi Muzaqin, një mik imi, që ishte i lidhur me Shefqet Dibranin, e të dytë njiheshin me Osman Dumoshin, me Selatin e Sabri Novosellën etj. Pastaj, Sabit Kadriun, më vonë shok e koleg imi, i cili do ta formonte një celulë me Skënder Salihun nga Druari. Rol të rëndësishëm nga Vushtrria, që do të kenë lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me ne për çështjen kombëtare do të kenë edhe këta persona : Ali Jonuzi, bashkëluftëtar i Adem Jasharit, Fadil Beqiri, Bedri Tahiri, Bahri Zhabari, Fehmi Dibrani, Bajram e Islam Mulaku, Gani Lahu, Bahtir Haradinaj, Enver Bunjaku, Sabit Tahiri, Avdurrahim Maxhuni, Enver Rama, Avdullah e Xhavit Zhegrova, Dinore Curri, Bali Dervishi, Jakup Shyti, Bislim Shaqiri, Fadil Mehana, Salih Salihu, Behxhet Krasniqi, Ajet Berisha e shumë të tjerë që nuk më kujtohen tani.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  6. #16
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Deri më tani i ke përmendur vetëm «Komitetin Qendror» dhe Komitetet vendore e celulat e tyre, po a nuk kishit ndonjë komitet Qarkor ?
    Pyetje shumë me vend. Në të vërtetë ne kemi biseduar edhe për formimin e Komiteteve Qarkore dhe kishim planifikuar që aty kah fundi i vitit 1979, kur kishim propozuar që ta mbanim një mbledhje të « Komitetit Qendror », të fillonim edhe në jetësimin e këtij plani. Jusufit iu kishte dhënë detyra që të formonte Komitetin Qarkor në Pejë, mua për formimin e Komitetit Qarkor të Mitrovicës, kurse, për të tjerat do t'i bisedonim në mbledhjen eventuale të "Komitetit Qendror". Kaq kam qenë i informuar nga Kryesia. Kurse, për komitetet tjera vendore a qarkore në formim nga "Komiteti", nuk kam qenë i informuar kurrë.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  7. #17
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Po cilat ishin Komitetet e vendit dhe Celulat tjera të Lëvizjes ?
    Meqenëse çdonjëri nga ne të « Komitetit Qendror » kishim simpatizues dhe celula në shumë qytete të Kosovës dhe në vende tjera shqiptare në mbarë hapësirat etnike, në ish-Jugosllavi, sipas natyrës së konspiracionit, celulat dhe simpatizantët së pari duhej të sistemoheshin në komitete vendore e më vonë edhe në ato qarkore. Siç e kam cekur edhe më lartë ne të « Komitetit Qendror », me marrëveshje, kishim kompetenca që të formonim komitete vendore në çdo mjedis ku na jepej mundësia. Në fillim, pra, ishin anëtarët që formonin celula e pastaj planifikohej për komitetet. Edhe pse në Vushtrri dhe Mitrovicë kishim disa celula dhe një numër të madh simpatizuesish ende nuk i kishim arritur t’i formojmë komitet vendore. Planifikonim që njëkohësisht, së bashku me bashkërenditjen e celulave, të formonim dy komitete vendore ( në Mitrovicë e Vushtrri), dhe pastaj të formonim Komitetin Qarkor të Mitrovicës. Këto ishin projektet sipas të cilave do të punonim më tutje në të gjitha qytetet dhe viset ku na krijoheshin mundësitë për veprimtarinë tonë.
    Ndryshuar për herë të fundit nga biligoa : 19-05-2009 më 20:51
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  8. #18
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Komiteti Vendor i Lypjanit:
    Komitetin e parë vendor e krijuam në Lypjan më 1979 bashkë me Avdi Kelmendin. Në komunën e Lypjanit kishim një numër të konsiderueshëm anëtarësh të Lëvizjes. Me Avdi Kelmendin, njihesha nga viti 1978, nëpërmjet shokut tim shumë të besueshëm, Ismet Beka nga Mazgiti i Kastriotit. Avdiu, ishte një veprimtar me përvojë, kishte shumë shokë në rrethin e vet, si në Lypjan, Ferizaj, e gjetiu. Avdiu, sipas udhëzimeve të mia, kishte formuar Komitetin me këta anëtarë: Qemail Aliun, Ismail Gashin, Beqir Lecajn dhe Banush Bytyqi. Ky Komitet, kishte celulat e veta në formë të treshes me këta veprimtarë : Agim Ademin, Ali Zejnullahun, Hilmi Mehmetin, Muhamet Ademin, Ekrem Llugiqin, Bajram Vishesellën, Idriz Kelmendin, etj.

    Dua të ceku se, Avdiu, njihej dhe kishte biseda për çështje organizative ilegale edhe me Sabri Novosellën, udhëheqësin e « Komitetit Qendror ». Por, për arsye konspirative, sipas vendimeve të lartpërmendura, Avdiu, kishte preferuar që të mbetet me mua në organizimin e mëtutjeshëm. Për hir të realitetit dua që t’ia përkujtoj, Sabri Novosellës, se: nuk është e vërtetë ajo, që ai e thotë, për bindjet dhe organizimin e Avdi Kelmendit, në librin “Avdi Kelmendi, jeta dhe veprimtaria atdhetare”, e përgatitur nga Zymer Neziri dhe Ismail Gashi. Aty, përveç tjerash, në faqen 231, Sabriu, pohon: “- …Avdi Kelmendi,… krijimin e Shqipërisë Etnike nuk e shihte dhe nuk e lidhte me ideologjinë që na vinte nga propaganda e PPSH-së, dhe vazhdon: - Organizata vepronte në sistemin e treshes. Me Avdiun nuk vepruam në atë mënyrë. Pra, nuk formuam celulë treshe, por vepronim së bashku, pa inkuadruar aktivistin e tretë”!!!. Pa pasur pretendime të polemizojë me Sabri Novosellën, në këtë rast atij ia shtroj vetëm një pyetje: -a thua, edhe Jusuf Gërvalla, nuk e paska parë krijimin e Shqipërisë Etnike me ideologjinë e PPSH-së, kur në ballinën e "Lajmëtarit të lirisë" e kishte vënë devizën kryesore " Me penë dhe pushkë për liri dhe bashkim me vendin amë, me Shqipërinë socialiste"...?! -Duke pasur synimin, për të dëftuar të vertëtën lidhur me ideologjinë gjatë veprimtarisë sonë në ato vite, Sabri Novosellës dua t’i përgjigjem me fjalët e Shefqet Jasharit-Strovcit: “Unë, si shumica e rinisë dhe e popullsisë së robëruar shqiptare, e kam dashur Enver Hoxhën dhe kam pasur simpati ndaj marksizëm-leninizmit të propaganduar prej tij, vetëm në bazë të ndjenjave të atdhedashurisë që kisha ndaj Shqipërisë”. ( Sh. J. - STROVCI “Pse jemi kështu siç jemi “?! faqe 283). Kurse, sa për ideologjinë dhe organizimin në formë te tresheve në Lypjan flasin vetë anëtarët e cituat e kësaj komune, prej të cilëve, unë po e citoj veprimtarin Muhamet Ademi, i cili në faqen, 84 të librit thotë: -“Vepronim sipas sistemit të treshes”.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  9. #19
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Komiteti Vendor në Deçan:
    Njëri nga grupet më të përgatitura të LNÇKVSHJ-së, që, dha një kontribut të rëndësishëm në ngritjen, përgatitjen dhe zhvillimin e veprimtarisë patriotike në Kosovë dhe më gjerë, deri te formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, ishte, Komiteti i Vendit, i themeluar në Deçan, apo, Komiteti i Deçanit, siç është bërë shprehi të quhet. Jashar Salihu, ishte kryetar i FONDIT “VENDLINDJA THËRRET”, i vetmi fond që e furnizoi me armë dhe me mjete të tjera UÇK-në. Ky grup atdhetarësh të devotshëm, kishin pasur fatin historik që të njiheshin dhe bashkëvepronin me ideologun dhe vizionarin tonë të pavdekshëm, me Jusuf Gërvallën. Ata, në bashkëpunim të pandërprerë me Jusufin, që, si i strehuar politik vepronte në Gjermani, kishin marrë udhëzime për formimin e komiteteve të tjera në Kosovë. Ata formuan dy komitete, atë të Deçanit dhe të Drenasit (ish-Gllogovcit), si dhe shumë celula të tjera në vende të të ndryshme të Kosovës dhe në vise tjera shqiptare. Komiteti i Deçanit, u formua në fillim të muajit korrik të vitit 1980 nga atdhetarët dhe veprimtarët e dalluar Ismail Haradinaj, Hasan Ukëhaxhaj, Jashar Salihu, Abdullah Hasanmetaj dhe Shkurte - Drita Kuçi. Ndër aktivistët më të dalluar të këtij Komiteti ishin edhe Nazmi Selmanaj, Xhavit Hoxha, vëlla i dëshmorit të kombit, Edmond Hoxha, Aliter Dervishaj, Din Ahmetaj, Muhamet Haklaj, Niman Mustafaj, etj. Komiteti i Deçanit kishte edhe shumë lidhje me anëtarë e simpatizues të Lëvizjes ne të gjitha trojet etnike shqiptare. Nga veprimtarët më të dalluar që sillnin materiale nga Shqipëria e nga Evropa Perëndimore ishin, Muharrem Dovolani, nga Dibra, Kastriot Haxhirexha, nga Dibra, Hysen Sela, nga Struga, Haxhi Berisha, nga Deçani, Remzi Ademaj, nga Prizreni, tani dëshmor i kombit, etj. Bashkëveprimtarë, me këtë Komitet kishin edhe Bislim Bajrami, Ismajl Smakiqi dhe Jakup Rexhepi, të cilët kishin formuar një celulë në Mitrovicë. Në pamundësi për t’i mbajtur në mend të tjerë u kërkoj falje atyre që nuk i kam cekur.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  10. #20
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Grupi i Pejës:
    Grupi i Pejës, është themeluar nga Jusuf Gërvalla, në vitin 1978. Udhëheqës i Grupit ishte, Hysen Gërvalla, vëlla i Jusufit. Me anëtarët e vet, Muhamur Blakaj, Malë Morina, Ahmet Haxhijaj, etj. Ky Grup, zhvillon një aktivitet të rëndësishëm. Ndër të tjera ky Grup, në rrethin e Pejës dhe të Istogut kishte shkruar parullën, « Nini rren, Ylli nuk rren !»
    Grupi intelektual i LNÇKVSHJ-së, - Rrethi i ngushtë i Jusuf Gërvallës;
    Ndër shokët, me të cilët kishte bashkëpunuar Jusuf Gërvalla, ishin edhe këta intelektualë : Kadri Rexha, Shaqir Shaqiri, Ragip Reçica, Muhamet Tërnava, Skënder Blakaj, Ekrem Kryeziu, Qerim Spahiu, etj.

    Grupi i Gjakovës:
    Grupi i Gjakovës, që ishte i lidhur me Komitetin e Deçanit, bëri një veprimtari të mirë në këtë qytet. Veprimtarët më të dalluar të këtij grupi ishin : Muhamet Rogova, Sokol Meta, Murteza Nura- Xaja, Hysen Kusari, etj.

    Komiteti Vendor i Drenasit:
    Në komunën e Skenderajt kishim një numër të konsiderueshëm anëtarësh dhe simpatizuesish me të cilët mendonim ta formojmë komitetin vendor. Përpjekjet e para për themelimin e Komitetit Vendor të Drenasit, në vitin 1979, i kam bërë unë, së bashku me Abdullah Hoxhën nga Plluzhina dhe me Halil Kuliqin nga Abrija. Mirëpo, finalizimit të kësaj pune nuk ia arritëm, sepse, në nëntor të atij viti shumica e anëtarëve të Lëvizjes u zbuluam dhe u arrestuam nga Sigurimi i atëhershëm jugosllav, shqipfolës. Prandaj, realizimin e formimit të Komitetit të Vendit në Drenas, me udhëzimet e Jusuf Gërvallës, në vitin 1980, do ta bëjnë Ismail Haradinaj, Alush Thaçi dhe Bajram Gashi.

    Komiteti Qendror i Rinisë së LNÇKVSHJ-së, dhe celulat e tij:
    Siç e kam shënuar më lart ky Komitet është themeluar më 12 mars të vitit 1979 me këtë Kryesi: Ramadan Pllana, Abdullah Hoxha, Kimete Krasniqi, Musa Neziri dhe Latif Pllana. Komiteti, kishte celulat e veta si dhe anëtarë e simpatizues, gati në të gjitha degët e Universitetit të Prishtinës.

    - Këto celula ishin:

    1. Celula e Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare me këta anëtarë :
    Abdullah Hoxha dhe Kimete Krasniqi, të cilët kishin shumë bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë, nga të gjitha trojet shqiptare, si: Fadil Shyti, Hidajete Osmani, (vajza e Kadri Osmanit), Ibrahim Kelmendi, Demë Jashari, Emin Krasniqi, Fuat Krasniqi, Nijazi Biçku, Nexhmedin Gërguri, Fadil Mehana, Sabri Haxhiu, (nipi i Ajet Haxhiut, nga Vaganica e Mirtrovicës), Hamdi Berisha, (dëshmor i kombit), Ymer Grainca, Sami Kikaj, Hetem Kosumi, e shumë të tjerë.

    2. Celula e Fakultetit Ekonomik, me këta anëtarë :
    Asllan Muharremi e Ferki Morina, me bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët : Behxhet Ahmeti, Nysret Pllana, Bedri Selmani, Fatmir Makolli, Ymer Dragusha, Hilmi Gashi, Burim Zagragja, Zejnullah Halili, Shyqyri Hyseni, Avni Maxhuni, Halim Kelmendi, Tevhid Azemi, Hilmi Shyti, Mirvete Haliti, e shumë të tjerë.

    3. Celula e Fakultetit Juridik, me me këta anëtarë:
    Latif Pllanën dhe Aziz Hysenin me pak simpatizues. Celula e Fakultetit Teknik, me Musa Nezirin, Muharrem Pllanën, Jakup Neziri dhe simpatizues të tjerë që nuk më kujtohen emrat e tyre. Celula e Fakultetit të shkencave, e cila ishte në fillim të formimit me Kimete Krasniqin dhe Kimete Dragidellën si përgjegjëse dhe kishte pak simpatizues.
    Celula e Fakultetit Xehtaro-Metarlugjik në Mitrovicë, me Vehbi Mujën e Ahmet Muratin. Edhe kjo celulë kishte pak simpatizues.

    Celulat në Mitrovicë:
    Në Mitrovicë kishim shumë anëtarë dhe simpatizues, por, unë po i përmendi vetëm celulat që ishin të lidhura me mua dhe me Komitetin e Deçanit.
    a. Kjo celulë, është formuar nga unë më 1979 me këta anëtarë : Fadil Shyti, Asllan Avdiu dhe Fevzi Beqiri. Kishte edhe disa simpatizues nga fshatrat Gurbardh (ish- Ashlan) dhe Pantinë nga Vushtrria. Kurse, Fadil Shyti e Asllan Muharremi bënin aktivitet edhe me Rexhep Ahmetin e ca të tjerë në qytet dhe në disa fshatra.
    b. Celula e lartpërmendur kishte lidhje me grupin e Deçanit dhe përbëhej nga këta anëtarë: Bislim Bajrami, Ismajl Smakiqi e Jakup Rexhepi, të cilët kishin formuar një celulë në Mitrovicë. Në Mitrovicë, në gjigantin industrial "Trepça", kemi pasur shumë anëtarë e simpatizues, por, nuk kishim mundur që t'i sistemonim nëpër celula apo në komitete vendore. Bënim plane për një organizim të mirëfilltë në këtë qytet industrial, por arrestimi ynë në nëntor të vitit 1979, nuk na e preu në gjysmë të rrugës edhe këtë synim.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

Faqja 2 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. A keni degjuar ndonjehere per kete version te Antikrishtit?
    Nga Seminarist në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 93
    Postimi i Fundit: 03-07-2012, 12:05
  2. Jusuf e Bardhosh Gërvalla, dhe Kadri Zeka
    Nga erzeni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 87
    Postimi i Fundit: 29-01-2012, 23:37
  3. Kundra Ateizmit !
    Nga _Mersin_ në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 12-05-2011, 06:26
  4. Dy mënyra për ta njohur Krijuesin
    Nga abdurrahman_tir në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 27-01-2009, 09:31
  5. Dy mënyra për ta njohur Krijuesin
    Nga llokumi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 25-03-2006, 18:49

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •