Close
Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 33
  1. #1
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216

    Dëshmi Të Kohës Për Organizatën Patriotike Lnçkvshj

    Flet Ramadan Pllana - veprimtar i radhëve të para të Lëvizjes ilegale kombëtare, që nga vitet 70’ta

    DËSHMI TË KOHËS PËR ORGANIZATËN PATRIOTIKE LNÇKVSHJ




    Veprimtari Ramadan Pllana


    I nderuar atdhetar, nuk jeni i panjohur për lexuesit dhe popullin shqiptar, duke u bazuar në veprimtarinë tuaj atdhetare, por, megjithatë, duam të dimë kush jeni, nga jeni, çfarë shkolle keni kryer, çfarë pune bëni tani dhe ku jetoni?
    Kam lindur në fshatin Shtruerë, ish-Shtitaricë, të Vushtrrisë më 1947. Kam të kryer fakultetin filozofik, dega e gjuhës dhe letërsisë frënge. Jetoj në Zvicër, nga tetori i vitit 1997, si emigrant politik. Punoj në një bibliotekë private, nga viti 2000.

    Jeta jote-luftë, në përpjekje ilegale, në burgje dhe në mërgim?

    - Po, si atdhedashës, unë kam përhapur ide për çlirim kombëtar qysh kur kam qenë i ri, por, gjatë shërbimit tim në ish-armatën jugosllave kam rënë në sy si agjitator dhe që ndikoja në ndjenjat atdhetare të të rinjve, gjatë viteve 1968-69, për çka dhe u kam rënë në sy organeve të sigurimit ushtarak, mu për këtë arsye më patën marrë në pyetje dhe më mbajtën një javë të izoluar në shkurt të vitit, 1969, për të më ngritur akuzë, për veprimtari armiqësore, sidomos për nxitje të urrejtjes nacionale e prishjes së "vëllazërim-bashkimit", në veçanti më akuzonin për propagandë me ide të Shqipërisë, sidomos pas demonstratave të studentëve të vitit 1968. Në mungesë të fakteve më liruan, por, m´i thanë këto fjalë :“mbaje mend, Pllana, Ti, kurrë nuk ke për të punuar në arsim dhe në administratë të shtetit tonë, je armik yni, sepse, të kemi futur në listën e zezë"!...

    - Unë, atëbotë, nuk e kisha besuar se do të më pengonte për punë ajo "listë e zezë", por, vërtetë më doli ashtu! -Më pranuan si nëpunës në ndërmarrjen komunale "Përparimi" të Vushtrrisë, në vigjilje të vjeshtës të vitit 1969; por, ç'ndodhi: kur shkova për t'ia filluar punës, pas tri ditësh, sipas vendimit, drejtori i ndërmarrjes, Z. SH, më tha se: “është anuluar pranimi yt, nga udhëheqësia komunale”! Herën e dytë, u pranova si edukator në shkollën speciale për të verbër në Mitrovicë, dhe, përsëri më përcolli i njëjti fat, me intervenimet e sigurimit të atëhershëm komunal u largova, pasiqë m' u kishte dhënë kontrata.

    Pastaj, u punësova në “Rilindje” si germëradhitës, aty, punova 6 - 7 muaj, por, shëndeti më pengonte që të mbetesha aty, dhe pas konsultimeve me mjekun e ndërmarrjes, këshillohesha që të punoja në punë administrative, larg nga plumbi, me të cilën gjë u pajtua edhe drejtori i përgjithshëm, Skënder Gjinoli, po se si ndodhi e u refuzova në mënyrë kategorike, për të kaluar në administratë. Po, drejtori më tha se, nuk mund të shpjegojë as vetë; se, si erdhi një urdhër nga lart, nuk më tregoni arsyen, ...prandaj, vendosa që të emigroj në perëndim, konkretisht, në Francë. Nga fundi i dhjetorit të vitit 1971, e deri në korrik 1976 , isha në Francë.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  2. #2
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Edukata dhe formimi i karakterit tënd në familje, në shkollë dhe në rrethin shoqëror?
    - Edukata dhe formimi im atdhetar, i ka bazat në gjirin familjar si dhe në shkollën popullore të quajtur, odë shqiptare. Të parët e mi ishin shpërngulur me dhunë nga Pllana e Toplicës më 1877, nga barbarët serbo-rusë. Një nga ata, Ali Pllana, xhaxhai i gjyshit tim, kishte rezistuar, bashkë me atdhetarë të tjerë, kundër pushtimit serb dhe ishte vra te Molla e Kuqe. Të parët tanë, një familje e madhe, të shtrënguar nga dhuna serbe, me teshë e kotesh, me bagëti e pasuri që kishin mundur ta bartnin, ishin detyruar t´i lënë vatrat e tyre; kishin pasur fatin që të strehoheshin te një familje shumë bujare në Akrashticë, te Isuf Shala. Aty, kishin qëndruar tri vjet me radhë, ku do të miqësohen e njihen edhe me shumë miq e të afërm të kësaj familje, si me familjen e Isa Buletinit, që ishin fis me Shaljanët e Akrashticës, me Behë Mihaliqin dhe me familje tjera që njiheshin për veprimtari patriotike. Pas tri vitesh, ata do të shpërngulen në Shtitaricë (sot, katundi, Shtruerë ku jetojmë edhe sot. Por, kujtimet që i kam marrë nga xhaxhai i babit tim edhe sot i ruaj të gjalla në kujtesë sepse, asokohe, i dëgjoja me vëmendje dhe i shkruaja në një fletore. Dhe, sa herë që më kanë kontrolluar organet e sigurimit jugosllav, m' i kanë marrë edhe këto shënime. Megjithatë, ato i kam rishkruar kur kam dalë nga burgjet serbo-sllave. Shaban Pllana, xhaxhai i babait tim, ka qenë ithtar dhe ushtar i Hasan Prishtinës. Ai, na tregonte se gjyshi im, Selman Pllana, bashkë me një vëlla të vetin, Hasanin, kishin luftuar, si me turq ashtu edhe me serbë, po në fillim të "çlirimit" të Kosovës nga Austro-Hungaria, më 1915-16 ata ishin shkruar, bashkë me shumë anasë vullnetarë (xhynili), në ushtrinë austriake dhe nuk ishin kthyer kurrë. Po, pastaj, në fjalimet e hapura që kishte mbajtur Hasan Prishtina në Vushtrri e në shumë qytete tjera në Kosovë e kishte stopuar këtë mobilizim... Dëshiroj, t´i shpalosi disa vargje të ëmbla që i ka pasur xhaxhai, edhe të tjerët, nga Hasan Prishtina:

    “Gjuhë e ëmbël, gjuhë kombëtare,
    je e ëmbël për shqiptarë”!


    Vlen të theksojë se Zejnullah Begu, kushëri i Hasan Prishtinës, që kishte çifligjet në Balinc (sot Balaj), ishte prijës i luftëtarëve të fshatrave të Vushtrrisë. Ai kishte lidhur edhe miqësi familjare me pllanajtë e Balincit. Më vonë, gjatë kohës së kaçakëve, në familjen tonë do të rrinë ilegalisht shumë luftëtarë të Azem Bejtës, Mehmet Konjuhit, Kadri Gërguri etj. Gërgurët, ishin dajallarë dhe bashkëluftëtarë të gjyshit tim, edhe nga Kadriu, gjithashtu, kam mbledhur shënime. Vlen të theksojë gjithashtu, se, edhe Smajl Gërguri nga Llukaci i Burimit ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Hasan Prishtinës. Edhe Ajet Gërguri, kryetari i NDSH-së, ka qenë i njohur në familjen tonë. Babai im e dinte mirë mënyrën e arrestimit të tij nga OZNA, te mehanët e Akrashticës, të cilët gjithashtu i kishim miq familje. Babai im, Islam Pllana, bashkë me shumë kushërinj e miq, ka qenë ushtar në Brigadat e Shaban Polluzhës.

    - Pastaj, fillet e edukatës arsimore kombëtare, i mora në shkollën fillore në Pantinë, pikërisht, nga pinjollët e Isuf Shalës nga Akrashtica, nga djemtë e patriotit të devotshëm, Hajrullah Shala, Ramadani, Sefedini dhe Aliu. Ramadan Shala, bashkë me Mustafë Venharin nga Vushtrria, ishin pishtarët e parë të atdhetarizmit dhe të arsimimit të mirëfilltë të anës sonë, madje edhe më gjerë, ishin ata, që do t´i lëshonin rrezet kombëtare në mendjet dhe zemrat e shumë shqiptarëve. Ndaj, edhe Adem Demaçi, simboli i Rezistencës sonë, e kishte njohur Ramadan Shalën në Beograd, ( ishin shokë studimesh), prandaj, kishte lidhjet dhe bashkëpunimin më të fortë në rezistencë anti-serbe, me këto dy personalitete. Kurse, në gjimnazin e Vushtrrisë, frymëzimin më të madh e mora, bashkë me shumë shokë, nga profesori i gjuhës shqipe Xhemajl Pllana, nga Kçiçi i Mitrovicës dhe nga profesori i frëngjishtes Mensur Raifi...
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  3. #3
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Kur e ke filluar aktivitetin politik?
    -Aktivitetin tim patriotik mund ta ndajë në dy periudha: në periudhën e parë, hyn veprimtaria ime spontane e viteve 1968 -1975 dhe në periudhën e dytë, hyn veprimtaria ime e organizuar, që fillon, nga viti 1975 e këndej.
    Periudha e parë: Në vitin 1968, isha ushtar në shërbim të Armatës famëkeqe jugosllave në Maribor. Padrejtësitë e mëdha që bëheshin atje mbi ne të rinjtë shqiptarë, më tronditën. Nuk hezitova fare dhe haptas kërkova nga eprorët që të trajtoheshim edhe ne, njësoj si të tjerët. Kjo, u bë shkak që ata, ia filluan t´ më përcjellin hap pas hapi. Atëbotë, pos padrejtësive të shumta që na bëheshin filluan edhe provokimet e hapura në baza kombëtare. Kështu, nga provokimet që rezultonin me rrahje frontale, shumë shqiptarë ndëshkoheshin me punë të detyruar e besa edhe me burgje. Unë, me dy shokë trima e atdhetarë të dëshmuar, Mehmet Shalën nga Poneshi i Gjilanit dhe me një tetovar me mbiemrin Xhemajli (i deformuar nga sllavo-maqedonasit me prapashtesën -ovski), formuam treshin veprues dhe si qëllim kryesor kishim: mbrojtjen e të drejtave tona të barabarta me nacionalitetet tjera.
    … Në saje të këmbëngulësisë sonë ramë në sy, për çka Sigurimi ushtarak më kërcënoi me burg në shkurt të vitit 1969 duke më mbajtur në hetuesi edhe një javë pas mbarimit të afatit ushtarak, sepse, ishim diktuar nga Sigurimi ushtarak, për çka më kishin kërcënuar me burg në shkurt të vitit 1969, duke më mbajtur një javë pas mbarimit të afatit ushtarak. Por, në mungesë të fakteve për çka më akuzonin, më liruan duke më shënuar në listën e zezë si armik i rrezikshëm i RSFJ-së. Nga viti 1972 deri më 1976, kam punuar në Francë. Atje, fillova të lexojë literaturë me të cilën furnizohesha nga miqtë e Shqipërisë, nga Ambasada shqiptare në Paris dhe, nga porositë që i dërgoja në libraritë dhe redaksitë e ndryshme të shtypit shqiptar në Tiranë. Të gjitha këto materiale, ua shpërndaja edhe bashkatdhetarëve që gjendeshin në qytetin Lille me rrethinë. Më 1974, fillova të dërgoja literaturë edhe ilegalisht, në Kosovë, nëpërmes shokëve që kisha. Mbaj mend, personi i parë, nëpërmes të cilit kam dërguar ilegalisht materiale të tilla, ka qenë, Hazir Krasniqi nga Gjurgjeviku i Klinës.
    Periudha e dytë
    Duke parë se ishin pjekur kushtet për një veprimtari të mirëfilltë të organizuar, më 10 qershor të vitit 1975, unë bashkë me vëllaun Xhemajlin dhe me tre kushërinj të mi, formuam celulën e parë patriotike, të cilën më vonë do ta quajmë Grupi revolucionar, "SHKËNDIJAT E KUQE". Grupi kishte rregulloren e vet, një lloj statuti, prej 8 pikash. Qëllim kryesor i Grupit ishte organizimi, zgjerimi dhe bashkimi i të gjitha forcave patriotike e përparimtare shqiptare nga Kosova dhe nga të gjitha viset shqiptare në Jugosllavi për përgatitje të shkëputjes nga Jugosllavia dhe bashkim me shtetin amë, Shqipërinë. Në organizatë mund të hynte çdo atdhetarë i dëshmuar që kishte mbushur mbi 18 vjet. Simpatizuesi apo kandidati, mund të bëhej anëtar i plotë nga 6 muaj deri në dy vjet, sipas besimit dhe aktivitetit që do të tregonte. Grupi, kishte literaturën e vet obligative: historia e popullit shqiptar, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Mbledhja e Bujanit, ilirët, librat historike të shkruara nga prof. Ali Hadri, Aleks Buda etj. Pastaj, "Hasan Prishtina..." dhe "Azem e Shotë Galica" të Ajet Haxhiut etj. Rilindasit, gjithashtu, ishin në listën e lekturës sonë. Grupi ynë, kishte një anëtarësi modeste dhe premtonte zgjerim të hovshëm. Me regjistrimin në Universitetin e Prishtinës, unë në Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe Letërsi Frënge, ndërsa, Xhemajli në Gjeografi, grupi "Shkëndijat e Kuqe" do të zgjerohej edhe me anëtarë tjerë si : me Demë Jasharin, nga Strovci i Vushtrrisë, me Abdullah Hoxhën, nga Plluzhina e Drenicës, me Emin e Besnik Krasniqin, nga Dajkovci i Dardanës etj. Kishim edhe shumë simpatizues nga të gjitha anët e trojeve shqiptare. Pothuajse, me nga një apo më shumë anëtarë kishim depërtuar edhe në shtatë fakultetet e Universitetit të Prishtinës. Nga ky entuziazëm dhe interesim që shihja te rinia studentore më erdhi ideja që të formonim një parti. Me këtë ide shkova në Francë dhe shkrova pamfletin me titull, "Përpara për formimin e Partisë së Punës së Kosovës" me pseudonimin, “Ilir Kosova”. Shokët francezë, më kishin ndihmuar që ta shtypja në 20 ekzemplarë dhe, poashtu, ata m' i kishin sjellë, ato, ilegalisht në Kosovë. Nëpërmjet Shefqet Jasharit, me të cilin kisha kontakt, pamfletin ua kisha dhënë për lexim edhe udhëheqjes së Organizatës "Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovë dhe e Viseve Shqiptare në Jugosllavi", që ishte në fillim të formimit. Plotësisht i bindur me konstatimin e Metush Krasniqit se; “neve na duhet një Lëvizje gjithëkombëtare, e jo parti”, pa u luhatë fare, hodha poshtë idenë e krijimit të partisë dhe broshurën e tërhoqa nga leximi dhe propagandimi i mëtejmë.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  4. #4
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    ”Shkrirja”, e grupit „Shkëndijat e Kuqe“, në organizatën patriotike, LNÇKVSHJ, si u zhvillua puna në organizatë?
    Siç e ceka më lartë, unë kisha kontakt me Shefqet Jasharin, i cili, nga gjysma e vitit 1977, më informoi se i kishin intensifikuar radhët e LNÇKVSH-së, që ishte vazhdimësi e LRBSH-së, të themeluar në vitet e gjashtëdhjeta nga Adem Demaçi me shokë, dhe, në bazë të vlerësimit të punës të grupit tonë, për të cilën ishin në dijeni, ata, ishin të pajtimit që të “shkriheshim”, në gjirin e Lëvizjes. Ne, si grup, në një konsultim formal, me gëzim të madh e pranuam këtë propozim, kështuqë, nga Nëntori i vitit 1977, ne, si grup u shkrimë në Lëvizje. Me këshillat dhe sugjerimet e Metush Krasniqit, kishim vendosur që anëtarët, vëllezërit apo djemtë e axhallarëve si dhe djemtë e familjeve të ngushta të mos i angazhojmë në udhëheqje, sepse, në rast të zbulimit nga UDB-eja, do të dëmtoheshim dhe ripërtërija, në rast arrestimi, do të bëhej me vështirësi. Kështu që, disa anëtarëve të afërm nga familjarët tanë, atyre, u thamë se grupi "Shkëndijat e Kuqe", pushon së funksionuari me kohë të pacaktuar. Kështu, me Demë Jasharin, kushëri i Shefqetit, Emin e Besnik Krasniqin, ( djalë i Metushit), do të kemi vetëm marrëdhënie shoqërore. Kurse, nga ana ime, vëllaun Xhemajlin e ruaja si anëtar të thjeshtë, kushëririn, Latif Pllanën, do ta angazhoja në udhëheqësi më të lartë, ndërsa, Samiun e angazhoja vetëm për bartjen e materialeve ilegale.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  5. #5
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Si u zhvillua puna më tutje, pas kësaj “shkrirjeje”?
    Po, nga Shefqet Jashari, si koordinator kryesor, shkëmbenim mendimet, udhëzimet dhe detyrat që na jepeshin nga « Komiteti Qendror » i Lëvizjes, konkretisht nga Metush Krasniqi e Sabri Novosella. Kështu, së pari ishim furnizuar me materialet me shkrim, që ata kishin në disponim. Ato, ishin: Paraprojekti i Statutit prej 15 pikash, Udhëzimi për konspiracion si dhe tekstin e Betimit. Në statut cekej shumë qartë se: qëllim kryesor i LNÇVSHJ-së, ishte çlirimi i të gjitha krahinave shqiptare të ndara e të robëruara nga Jugosllavia dhe bashkimi i tyre me shtetin amë, RPS të Shqipërisë. Format e veprimit ishin të ngjashme, me metodat e organizatave tjera ilegale, me formimin e tresheve në ilegalitetin më të thellë.. Ndërsa, për Komitetet, në fazën e formimit, parashihej që t’i kishim nga pesë anëtarë. Veprimtarinë e vazhdonim me një intensitet të paparë. Ne, ishim të bindur se, në krye të udhëheqësisë kishim simbolin e rezistencës, Adem Demaçin, sepse, vetë emri i tij ishte frymëzim për ne, ndonëse ky qëndronte në pranga në kazamatet serbo-sllave. Poashtu, ne kishim besim edhe në përvojën e ish të burgosurve për çështjen kombëtare; për liri e ribashkim kombëtar, sidomos në ata që kishin pasur rastin të vuanin burgun me bacin, Adem. Kështu, krahas ngritjes dhe aftësimit ideopolitik të anëtarëve me literaturë patriotike që i merrnim, në mënyrë ilegale, në Shqipëri dhe në shtetet perëndimore, kishim filluar t’i vëmë edhe hapat e parë praktikë. Tani, kishim filluar edhe të shkruanim pamflete e trakte kundër okupatorit shekullor serboçetnik, të cilat i shpërndanim në shkolla, në fabrika dhe nëpër institucionet kulturore dhe informative. Traktatet dhe pamfletet i shkruante Jusuf Gërvalla. Ato, i shumëzonim dhe i shpërndanim së bashku edhe me pamfletet e grupeve tjera, si të GMLK-së dhe të Grupit Revolucionar. Vlen t’i përmendim këtu, afishet që i bënin jehonë kujtimit të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, traktin kundër xhelatit Tito, me rastin e vizitës që i bënte Kosovës në tetorin e vitit 1979, dhe afishe të tjera, që i kishin shkruar Hidajet Hyseni, Kadri Osmani dhe Xhafer Shatri.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  6. #6
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Sa anëtarë kishte Komiteti Qendror dhe kush ishin në krye të tij ?
    Për hir të realitetit historik dhe sipas parimit të filozofisë latine, Verba volant scripta manent (Fjalët fluturojnë, shkrimet mbesin.), po e shpalos edhe unë të vërtetën duke u munduar që sa më shumë të jem objektiv, pa iu nënshtruar bindjeve a presioneve të kohës apo simpatisë për ndonjë parti, qoftë në Kosovë apo në Shqipëri. Po e shtoj, se: që nga mbarimi i luftës më 1999 e deri më sot nuk i përkas asnjë subjekti a partie, përveç Atdheut,- Nënës Shqipëri !

    ATDHEU MBI TË GJITHA ! Kjo ka qenë dhe mbetet ideja ime e përjetshme!
    Tani po flas për «Komitetin Qendror» të LNÇKVSHJ-së:
    - Në fillim, ne nuk dinim për atë Komitet asgjë, sepse, në organizatë ishim shumë konspirativë. Shefqet Jashari, një atdhetar i devotshëm që kishte vuajtur edhe Golgotën e Goli Otokut, ishte kordinatori kryesor në mes meje e Sabri Novosellës dhe, poashtu, në mes meje e Metush Krasniqit. Me Jusuf Gërvallën, Shefqeti nuk njihej. Sabriu, ishte koordinator në mes nesh, d.m,th. në mes meje e Shefqetit, me Jusufin. Për vijën Metush-Sabri- Jusuf, nuk kam ditur as atëherë dhe nuk di as sot.
    Në vitin 1978 në « Komitetin Qendror » pranohen edhe dy anëtarë, që kishin marrë besimin nga udhëheqësit e LNÇKVSHJ-së, dhe këta:
    1. “Sokoli”, alias, Jusf Gërvalla, në mesin tonë organizativ i njohur si Gazetari, i propozuar nga Sabri Novosella dhe
    2. “Qemajli”, alias, Ramadan Pllana, në mesin organizativ i njohur si Studenti i Frëngjishtes, i propozuar nga Shefqet Jashari.
    Më kujtohet mirë se, Gazetari ishte pranuar pak më herët se unë, sepse, Shefqeti më pat thënë, po atë vit, se e kemi pranuar Gazetarin në « Komitet » dhe ti je kandidat që së shpejti do të pranohesh. Në realitet, sipas kuptimit të normave organizative, ky «Komitet Qendror» do të mbetet fiktiv apo i imagjinuar, madje, i pasqaruar historikisht edhe deri më sot, sepse nuk do të mbajë asnjë mbledhje gjatë veprimtarisë së tij edhe pse premtohej se në një ditë më të favorshme do të realizohej një mbledhje e tillë, d.m.th. e « Komitetit Qendror ». Dhe, në bazë të veprimtarisë sime në LKÇKVSHJ, të lidhjeve të mia , të tërthorta apo të drejtpërdrejta, me këtë « Komitet Qendror », sipas të dhënave që ia jep Shefqet Jashari, revistës « Drita » të vitit 1997 , botuar në Suedi, pastaj pas bisedave, si private në Kosovë, si me telefonata me disa shokë të LËVIZJES sonë, me Sheremet Saraçin, Ismet Saraçin, Asllan Muharremin, Rexhep Ahmetin dhe Xhafer Durmishin, që të pestit të lidhur drejtpërsëdrejti me mua ose me Shefqet Jasharin apo Sabri Novosellën, kam arritur në përfundim se në këtë « Komitet Qendror » ishin :

    1. Metush Krasniqi,
    2. Sabri Novosella,
    3. Shefqet Jashari,
    4. Jusuf Gërvalla dhe
    5. Ramadan Pllana.


    Në intervistën e përmendur Shefqet Jashari, përveç tjerash, thotë :
    - “Ideja për themelimin e LKÇKVSHJ-së ka lindur në pranverën e vitit 1976, ndërkaq, pas disa takimesh me veprimtarë të shumtë në pushimet e verës (korrik-gusht) të atij viti, në shtëpinë e Sabri Novoselllës, është mbajtur Mbledhja për formimin e kësaj Organizate. Në këtë mbledhje ishin prezentë : Metush Krasniqi, Shefqet Jashari dhe Sabri Novosella. Aty, u raportua për formimin e disa celulave. Metushi, ka formuar 5 celula (prej tyre, një në Shkup), Sabriu, 3 celula dhe Shefqeti, 2 celula”. -Fakte të tjera nuk ka. Kurse, unë do të flas më vonë edhe për Komitetin e Rinisë së LKÇKVSHJ-së, si dhe për Komitetet Vendore, që i kam formuar unë, apo, grupet që do të zbulohen më vonë, nga Sigurimi shtetëror i atëhershëm jugosllav pas demonstratave të Pranverës së Madhe të vitit 1981, që u mbajtën në tërë Kosovën.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  7. #7
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Kur dhe si u njohe me Jusuf Gërvallën?
    Para se t’i përgjigjem pyetjes, dua t’i përkujtojë disa emra që rinia e atëhershme interesohej dhe mburrej po t’i njihte, qoftë ata drejtpërsëdrejti, ose qoftë ndonjë të afërt të tyre, e këta ishin: Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Ali Aliu- Kelmendi, Ahmet Haxhiu, Selman Berisha, Kadri Halimi, Hazir Shala, Zeçir Gërvalla, Ramadan Shala nga Peja, Azem Beqiri, Hyrie Hana, Kadri Kusari, Murteza Nura, Zenel Strovci, Haxhi Bajraktari, Shefki Muçaj, Sabri Novosella, Selatin Novosella, Osman Dumoshi, Skënder Kastrati, Isa Kastrati, Kadri Osmani, Mustafë Venhari, Ramadan Shala nga Vushtrria, Sejdi Kryeziu, Binak Ulaj, Xhafer Shatri, Isa Demaj, Meriman Braha, Zymer Neziri, Jusuf Gërvalla, Teki Dërvishi, Hyda Dobruna e shumë e shumë të tjerë. Shumë nga ne, këta persona i konsideronim si udhëheqës të Lëvizjes, qoftë të LRBSH-së, qoftë të vazhdimësisë së saj me emrin e ri LKÇKVSHJ-së. Në të vërtetë, ata, edhe ishin frymëzuesit tanë, pa marrë parasysh se ishte shkëputur pak nga zinxhiri apo bërthama e përbashkët, pas burgosjes së të madhit Adem Demaçi me shokë. Kishte nga anëtarët tanë që i njihnin ose kishin lidhje familjarë apo miqësore me ta, por nga konspiracioni ishim shtrënguar, se përveç bisedave private, të mos bisedojmë për organizimin e Lëvizjes me ish të burgosur politikë. Më vonë, qoftë në burgje apo në aktivitete apo në ndeja, do t’i njihnim gati të gjithë. Nga këta, ata që ishin me banim apo punonin në Prishtinë e rrethinë, si Jusuf Gërvalla, Ahmet Haxhiu, Zeçir Gërvalla, Metush Krasniqi, Sejdi Kryeziu, Hazir Shala, Isa Kastrati, Ali Aliu, Isa Demaj; shihej një ndikim i madh në rrethin studentor, prandaj, ata, edhe i konsideronim udhëheqës të Lëvizjes. Në këtë kuptim, kisha parandjenjën objektive, sa Gazetarin tonë, Jusuf Gërvallën, e konsideroja si bashkëpunëtorin më të ngritur në pikëpamje intelektuale e organizative të «Komitetit Qendror». Jusufin, pasiqë ishte personalitet i njohur publik, e njihja kaherë, po kurrë nuk kam pasur një bisedë a ballafaqim të drejtpërdrejtë me të. Edhe unë kisha miq në « Rilindja », sepse, kisha punuar në Germëradhitje më 1970, ku edhe kisha fituar një bursë për sektorin e Gazetarisë, kështuqë, edhe aty ishim kolegë. Si në « Rilindja », ashtu edhe në manifestime kulturore iu shmangsha takimit me të. Ai, mesiguri, nuk më ka njohur si figurë, por , jam i bindur si emër po, nëqoftëse i ka treguar Sabri Novosella. Pastaj, më vonë, gjatë manifestimeve kulturore që organizoheshin në Prishtinë, sidomos kur vinin artistë e profesorë nga Shqipëria, Jusufi do t’na jepte detyra që në mënyrë sa më masive nga rinia studentore të shikoheshin pjesë teatrale, filma, ekspozita, koncerte, etj. Më kujtohet shumë mirë; kur na kishte lajmëruar, gjithnjë në mënyrë të tërthortë, për hapjen e ekspozitës artistike, « Rilindja Kombëtare Shqiptare » në Prishtinë në vitin 1978. Dhe, neve që ishim në Lëvizje, na shtronte si detyrë të parë që ta bënim sa më masive këtë ngjarje artistike. Sa me entuziazëm e dëshirë të flaktë vinin rinia, por edhe pleq, gra e fëmijë, për t’i parë heronjtë e tyre në skulpturë, Vëllezërit Frashëri, Isa Boletinin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, etj. Sa emocione, ngazëllime e lot do shihnim në atë ekspozitë ! Shihnim nxënës, studentë, pleq, gra e fëmijë duke shikuar skulpturat e heronjve, sikur ata të ishin të gjallë ! Kishte shumë nga ata, që edhe qanin nga ngashërimi! Pastaj, përcillnim ligjëratat e profesorëve që vinin nga Shqipëria si p.sh.. Eqrem Çabejin, Dhimitër Shuteriqin, Alfred Uçin, Hekuran Marën, Shaban Demirajn etj. Kishim lidhje të ngushta edhe me artistin e regjisorin, Pirro Mani , i cili kishte qëndruar disa muaj për t’i ushtruar aktorët e Teatrit Krahinor të atëhershëm . Më kujtohet , në ca raste, kur kishte ngjarje kulturore, sidomos me ardhjen e artistëve nga Shqipëria, kur idolët tanë nga Tirana, rrethoheshin nga admiruesit e shumtë në Sallën para Teatrit, dhe Pirroja, kur nuk ishte i sigurtë si të gjendej me ata që nuk i njihte mirë, na e shtronte pyetjen : -A e jap Titon ky ?! Dhe në bazë të përgjegjës lëshohej ose rezervohej në biseda me ta. Përveç kësaj, e kishim obligim, sipas mundësive tona, që ta përcillnim programin në TVSH-së ose ta dëgjonim Radio-Kukësin. Këto, këshilla e sugjerime na vinin nga Jusuf Gërvalla. Jusuf Gërvalla, kishte pasur nderin që të njihej me Simbolin e Rezistencës tonë, bacë Adem Demaçin qysh në vitin 1974. Nga ai vit, Jusufi nuk e kishte ndërprerë aktivitetin e vet patriotik. Ai, do të përgatiste dhe do të shkruante trakte e pamflete kundër okupatorit, trakte për çlirim kombëtar, pamflete për lirimin e të burgosurve politikë etj, që do t’i shpërndante patrioti i paepur deri në vdekje, bacë, Ahmet Haxhiu. Nga ana tjetër ai shpërndante literaturë ilegale te shokët e besueshëm. Puna dhe ndikimi i tij linin gjurmë në çdo shtresë shoqërore gjatë atyre viteve. Gjithashtu, baca Ahmet, fotografonte ngjarjet në demonstratat e 1981 për t’i sjellë jashtë vendit, etj. Vlen të përmendet, pasiqë e përmenda bacën Ahmet, se ky do t’i mbetet besnik deri në vdekje amanetit të Jusufit, gjë që tregon edhe fakti se ia sjellë mitralozin nga Zvicra Komandantit legjendar, Adem Jasharit, që do t’i dorëzohet nga Azem Syla. Baca, do të takohet, bashkë me Xhavit Hazirin e Xhavit Halitin, më 1991, me Ramiz Alinë, kryetarin e Shqipërisë. Ndoshta, e zgjata pak, por desha të tregoj se me sa atdhetarë të përkushtuar ishte lidhur në aktivitetin për bashkim e çlirim kombëtar; patrioti, poeti dhe njëri ndër pishtarët e kulturës shqiptare në përgjithësi, Jusuf Gërvalla.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  8. #8
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    A u diktua ndonjë ndryshim a aktivitet në Lëvizjen tuaj me ardhjen e “Gazetarit”, në udhëheqësinë e këtij «Komiteti»?
    Po, me ardhjen e “Gazetarit” në krye të LKÇKVSH-së, në veprimtarinë tonë politike, shoqërore dhe artistike filloi të zhvillohej një shtrirje edhe më e gjerë dhe më e lartë, me cilësi më të mirë dhe me përmbajtje më të thellë, gjë që na e shtoi edhe besimin në forcat tona. Tani, letërsinë kombëtare dhe ideologjike të asaj kohe e kishim detyrë dhe obligim që ta lexonim, sepse na jepej nga një pishtar, tashmë i dëshmuar në të gjitha rrjedhat dhe ngjarjet e dekadës së viteve të ’70-ta, dhe në fillim të ngjarjeve historike të pranverës së vitit 1981… Kështu, p.sh. letërsia jonë e obligueshme ishte: “ Imperializmi dhe Revolucioni”, “Vetadministrimi jugosllav, teori dhe praktikë kapitaliste”, ”Titistët” etj, të Enver Hoxhës, pastaj, dokumente, si: “Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë”, “Kritika dhe autokritika, armë e fuqishme në duart tona”, “Mbi vetëvendosjen e popujve”, të Leninit, “Të mallkuarit e botës”, të Franc Fanonit etj. Pastaj, Jusufi u bë mbështetja më e fuqishme në punën time organizative, që kisha me rininë. Unë, do të shkruaja pamflete e punime tjera për rininë të cilat do t’i redaktonte, ai. Unë, e kisha marrë edhe detyrën për të formuar Komitetin e Rinisë, të cilin e formova më 1979. Me Jusuf Gërvallën, përparonte me vrull dhe zjarr revolucioni.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  9. #9
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Kur e formuat Komitetin e Rinisë dhe cilët ishin anëtarët e tij?
    Komitetin e Rinisë së LKÇKVSH-së, e formuam më 12 mars të vitit 1979, në Tauk Bahqe, me këta anëtarë:
    1. Ramadan Pllana, absolvent i Frëngjishtes, kryetar,
    2. Abdullah Hoxha, student në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare, nënkryetar,
    3. Kimete Krasniqi, studente në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, anëtare,
    4. Musa Neziri, student në Fakultetin Teknik (ishte djalë i motrës së Xhafer Shatrit), anëtar
    dhe 5. Latif Pllana, student në Fakultetin Juridik, anëtar.
    - Të gjithë këta kishin lidhje të ngushta me shumë studentë dhe shokë të tjerë dhe ishin të dëshmuar në aktivitetin e tyre, sidomos në propagandë dhe agjitacion në Universitetin e Prishtinës e gjetiu. Rrethi i tyre ishte i gjerë dhe përfshinte të gjitha trojet etnike. Kështu, Komiteti i Rinisë, filloi t´i formojë edhe degët e veta pranë Universitetit të Prishtinës. Anëtarët dhe simpatizantët tanë, të informuar në kanale konspirative, kur morën vesh se kishin Komitetin e tyre nuk mundnin ta përmbanin veten. Këndonin këngë patriotike në ndeja e manifestime, apo në dasma, që frymëzonin rininë me një entuziazëm të paparë. Më së shumti këndoheshin këto këngë: Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola, Ku i ka çadrat Mic Sokoli, Ismail Qemali, Zhujë Selmani, N´ministri të Londrës kush ka ardhë, Bajram Curr, o Bajram Curr, emri yt nuk harrohet kurrë, këngë, për Hasan Prishtinën, Ahmet Delinë, Avni Rrustemin, Azem Bejtën e Shotë Galicën etj. Pa pikë frike këndoheshin edhe këngët Enver Hoxha, heu tungjatjeta, Moj parti ta lumsha syrin, s'guxon kush me prek kufirin, Po pyet bota për Shqipërinë, sa të madhe e ka Ushtrinë, etj.
    - Nuk është rastësi që në ngjarjet historike, në demonstratat e 11 marsit 1981, që do ta vërshonin mbarë Kosovën, me këto këngë rinia shqiptare do t’ua shtinte frikën në palcë milicisë dhe armatës jugosllave, madje edhe duke ua pshurrë tanket. Mjafton ta përmendim Grupin e të rinjve në Besi, afër Prishtinës, që i çarmatosën dhe i detyruan gjeneralët e Armatës jugosllave t’i ngritnin duart lartë. Kam pasur nderin dhe kënaqësinë të rri me disa prej tyre, me Naim Statovcin, Nagip Bllacën dhe Qerim Arifin në burgun e Nishit. - Kjo, ishte Rinia Heroike e ditëve tona, nga e cila edhe do të lindin Feniksët e Lirisë në vitet e 90-ta, UÇK-ja, e lavdishme në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari dhe shokët e tij, Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun, Edmond Hoxhën, Mehë Ukën, e shumë e shumë të tjerë që historia jonë tashmë i njeh si heronj dhe dëshmorë të atdheut. Heronjtë e UÇK-së famëmadhe, do të bëhen shpirtëzimi dhe mishërimi i luftës sonë të shenjtë për çlirim, liri e bashkim kombëtar. Jusufi Gërvalla, do t’ua jepte kushtrimin në prag të ngjarjeve të vitit 1981, nëpërmjet, “Lajmëtarit të Lirisë”; ku do të shkruante: ”Po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe! (…)
    - Do e derdhim edhe pikën e fundit të gjakut tonë dhe do të ngadhënjejmë mbi armiqtë e mbi tradhtarët e çdo ngjyre.
    - Dita e lirisë po afrohet.
    - Po vjen dita që armiku e tradhtari të japin llogari për krimet e poshtërsitë e bëra mbi popullin tonë…
    - Vetëm të bashkuar e të vendosur, me besën e madhe shqiptare, do të arrijmë në fitoren tonë të sigurt”!…
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  10. #10
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Organizimi i mëtejshëm, si vazhdonte puna organizative dhe ku formuat Komitete të Vendit ose celula etj?
    -Si thashë më lartë, me ardhjen e “Gazetarit”, organizata jonë e vazhdonte veprimtarinë e vet me një intensitet dhe pjekuri të paparë në hapat tonë në luftë kundër pushtuesve e tradhtarëve të çdo ngjyre. Tani, neve Udhëheqësisë së LNÇKVSHJ-së, na u shtruan tri detyra madhore në këtë rrugë të shenjtë çlirimtare dhe për RIBASHKIM KOMBËTAR, e këto ishin :
    1. Lufta dhe demaskimi i vetëadministrimit jugosllav, me sloganin e tij «Vëllazërim-Bashkim» në të gjitha format e mundshme.
    2. Ngritja organizative në nivel kombëtar me formimin e celulave, komiteteve vendore, komiteteve punëtore dhe fshatare.
    3. Përgatitja e protestave dhe e demonstratave për kërkesat tona politike, ekonomike dhe shoqërore si hap të parë për një luftë nacional-çlirimtare të gjysmës së popullit tonë të robëruar tradhtisht dhe me dhunë nga regjimi Tito-Rankoviq, pas Luftës së Dytë Botërore.
    Një nga detyrat më thelbore që na shtrohej në rrafshin e parë ishte demaskimi i vetëadministimit jugosllav, dhe, për ta goditur sa më shumë këtë teori robëruese e mashtruese për popullin shqiptar filluam nga kreu i Lidhjes Komuniste Jugosllave, nga Tito, LK e Serbisë, LK e Maqedonisë ; poashtu, filluam ta godasim Lidhjen Komuniste të Kosovës, duke i demaskuar krerët e atëhershëm titistë, Fadil Hoxhën, Xhavit Nimanin, Xhevdet Hamzën, Ali Shukriun, Sinan Hasanin, Mahmut Bakallin, Azem Vllasin e shumë e shumë të tjerë, që ishin bërë shërbëtorë të zellshëm të pushtetit robërues serbo-jugosllav.
    Për t’i demaskuar sa më shumë këta tradhtarë i nënvizonim, përveç tradhtive historike, fjalët e tyre denoncuese e kërcënuese që ua bënë atdhetarëve më të devotshëm me në krye simbolin e rezistencë sonë, Adem Demaçin. Ja, se çka deklaronte Fadil Hoxha, në prag të gjykimit të bacës Adem me 18 atdhetarë të tjerë, që atëbotë, u dënuan me nga 4 deri në 15 vjet, nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës, më 7 shkurt 1976 :
    - “Sa pretendentë e të pafytyrë ! Hiç më pak se “mbrojtës të interesave të popullit shqiptar”, e këndej, as katundi, as lagja e vet nuk i njeh, -veç, për të keç e për hajni”! Ky, ishte Fadil Hoxha; udhëheqësi kryesor i klikës së atëhershme titiste në Kosovë. Kurse, bashkëvendësi e bashkëveprimtari i tij i zellshëm, në lidhje me këtë gjykim do të thoshte:: “Irredentizmi shqiptar…mbështillet në petkun dogmatiko-stalinist…Në këtë bazë, irredentistët shqiptarë do të paraqiten para gjyqeve dhe do të marrin dënime shembullore”!
    - Ky, ishte Mahmut Bakalli «i famshëm», si udhëheqës i LKJ-së, së Titos. Ndërsa, Azem Vllasi nuk do të pushonte kurrë, as pushon sot, me « zbulimet » e tij prej “vizionari” titist, duke na quajtur si “stalinistë e kundërrevolucionarë”, ky, ishte dhe ka mbetur deri sot, këlyshi kanakar, i Titos.

    Në këtë shërbim të « Vëllazërim-Bashkimit » jugosllav, nuk do të mbesnin mbrapa as shkrimtarë , poetë dhe njerëz tjerë të kulturës shqiptare në ish- RSFJ. Kështu, kryexhelatit Tito, do t’i thuren vepra, poezi dhe ese, nga penda shumë të njohura . Maksut Shehu, pas vdekjes së mësuesit të tij Tito, do ta shkruaj artikullin, “ Edhe pas Titos Tito” etj. Po në ato vite të ngritjes së vetëdijes kombëtare, kur ishin formuar me dhjetëra grupe patriotike nga nxënës, studentë dhe punëtorë në të gjitha trojet e robëruara, njëri nga titistët e kulturës shqiptare , Ibrahim Rugova, do të shkruante për xhelatin Tito :
    -“… Përveç kësaj, shkrimtarët tanë e përjetojnë fytyrën e Titos, sepse, në të që me kohë kanë gjetur me të vërtetë realizimin e vet nacional, social e intelektual…” etj, etj...
    Ndërsa, pishtari ynë, Jusuf Gërvalla; Titon, do ta quante, “Monark, armik i përbotshëm i popullit shqiptar”, -kurse titistët shqipfolës i quante, “viktima që glorifikonin xhelatin e tyre”.
    - Kështu, ishte realiteti kohor e hapësinorë i viteve në fjalë. Vizionari ynë i devotshëm “Gazetari”, poeti dhe këngëtari ynë, bashkë me shokët e vet, do ta vazhdonte, deri në vdekje, veprimtarinë duke demaskuar tradhtinë, që na u kishte bërë gjatë shekujve, si nga Kongresi i Berlinit më 1878, Konferenca e Londrës më 1913, tradhtinë ndaj Mbledhjes së Bujanit, mbajtur më 31 dhjetor 1943 e 1 e 2 janar 1944, Mbledhjen famëkeqe të Prizrenit më 1945, Shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi, mashtrimet pas Plenumit të Brioneve të vitit 1966 etj, duke ngritur vetëdijen e popullit për çlirim nga okupatorët sllavë të të gjitha kohërave e ngjyrave, çetnike e sllavo-komuniste. Ay, do të jetë frymëzuesi dhe flamurtari i të gjitha lëvizjeve çlirimtare, në ish-RSFJ. Ay, ishte vizionari e udhëheqësi ynë, shpirti dhe mishërimi i popullit shqiptar.
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. A keni degjuar ndonjehere per kete version te Antikrishtit?
    Nga Seminarist në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 93
    Postimi i Fundit: 03-07-2012, 12:05
  2. Jusuf e Bardhosh Gërvalla, dhe Kadri Zeka
    Nga erzeni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 87
    Postimi i Fundit: 29-01-2012, 23:37
  3. Kundra Ateizmit !
    Nga _Mersin_ në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 12-05-2011, 06:26
  4. Dy mënyra për ta njohur Krijuesin
    Nga abdurrahman_tir në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 27-01-2009, 09:31
  5. Dy mënyra për ta njohur Krijuesin
    Nga llokumi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 25-03-2006, 18:49

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •