Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1

    Aktualitet "shekullor" ose sa kemi ndryshuar për një shekull?

    Shkak i hapjes së kësaj teme u bë leximi i rastësishëm i ”Klubit të Selanikut ” të Çajupit dhe thashë me vete: ”Pse mor nëse lexon për një ngjarje qoftë të para 100 a 200 vitesh prapë janë aktuale dhe të duket se je duke lexuar diçka që sot ka ndodhur. Pse vallë vendnumërojmë?!”.

    Pa lexojeni edhe ju dhe jepni ndonjë përgjigje.
    Ndryshuar për herë të fundit nga projekti21_dk : 15-09-2010 më 19:32
    "Projekti 21" nuk i bën reklamë vetes, afirmon të tjerët!

  2. #2

    Klub' i Selanikut

    Që kur thanë se prunë konstituçi (si ta themi shqip këtë fjalë?), shqiptarët po ngrenë klub ndë çdo anë, ndë çdo qytet, ndë çdo katund, brenda ndë Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë. Mbase shumë shqiptarë nukë dinë se ç'domethënë kjo fjalë klub (Club). Meqënëqë dhe unë jam nga këta shqipëtarë të paditur, mora një ditë një fjalor dhe pashë se kjo fjalë qënka përdorur ndë ballë fare nga englezët dhe rrëfeka një mbledhje miqsh për të ngrën' e për të pirë, duke paguar gjithkush pes' e nga pesë.

    Klub qënka pra një gosti, një drek' a një darkë me refene. Një doktor Johnson paska thënë se një klub është një shumicë burrash që mirren vesh dhe paguajnë që të kënaqen duke ngrën' e duke pirë bashkë. Prandaj nd'Anglëterë paska patur një klub me emër «Klub i kokës demit» dhe, që t'u qëndrontej e lirë, e bënin refene. Njëqint vjet më parë, paska qenë edhe një klub i quajtur "Klub i të liqve". Që të bënëshej anëtar, duhej të jeshe fort i shëmtuar, me fytyrë të ndyrë, i çalë, i verbër, dorac, i belbër, memec, kurrisdalë, veshgjatë etj, Një mbret, Karlua II paska qenë kryetar i këtij klubi.

    Më vonë u vendosnë klube dhe për punë të pulitikës, domethënë njerëz që kanë një palë mend a një qëllim të bashkët, mblidhen e mirren vesh, paguajnë nga pes' e nga pesë, punojnë dhe lakmojnë për këtë e për atë qëllim për të cilin bahkohen bënen shokë.

    Ahere pra, pse t'i thomi këtij bashkimi klub dhe jo shoqëri, q'është fjalë shqip?

    Kur kupëtova mirë se ç'na tregon fjala klub, desha të kupëtoj dhe qëllimin e klubeve që vendosnin sot shqipëtarët. Ky qëllim është i bashkët a i veçantë? I atdhetartë, i vlertë, a i dëmçim? Punë fort e rëndë dhe, duke ndenjur këtu ndë Misir, ndë mes t'arapëve e t'arapkave, ndë pikë të vapës, kupëtova që s'i apij dot funt kurrë. Vërtet keshe kënduar te fleta «Liria» se Klub' i Selanikut mpron të drejtat e kombit shqipëtar. Vërtet keshe msuar se Klub' i Manastirit paskej bërë një Kongres (ç'domethënë prapë kjo fjalë?) për punë të abetit - alfabetit) dhe paskej gjetur për mbarë të përdoren dy soje shkronja për gjuhën tonë.

    Po këto lajme s'ishnë mjaft për të gjetur mirë qëllimin e klubeve. Për këtë shkak, u menduaç të bëj një udhëtim, që të shoh me syt' e mi dhe të ndëgjoj me vesht' e mi ç'punë bëjnë dhe ç'dobi kanë për atdhenë.

    U ngresh, pra, dhe ika nga Misiri dhe vajta ndreq ndë Selanik, ku me vrap kërkova dhe gjeta vendin tek gjendet Klub' i Shqipëtarëvet. Ndë të dukur, klubi dukej mos më keq o zot,... po do të ketë ndofta anëtarë me kokë të fortë! Gjeta brenda gjer 40 vetë, të tërë myslimanë, asnjë të krishterë! Asnjë, s'ma vari torbën, se mjerisht nukë dije turçe dhe këndonin gazeta ndë këtë gjuhë. Shtiva sytë më të katër anët e klubit mos shohë nonjë librë a nonjë gazetë shqip.

    Asnjë për zonë!

    Desha t'ikij, se pandeva se u gabova e hyra në nje Klub turqsh. Atë çast arriti kryetar i Klubit, Midat
    beu, me një bej tjetër. Guxova e thashë:

    - Zoti bej, jam aksekush, u falem me nder, turçen, besa, nuk e di!...
    - Prit, pakëzë, më thotë, se kam një çi-çi-çikë punë me bejnë.
    Prita. Atje ku presë, pashë një djalosh të veshur alldupçe.
    - Jam shqipëtar, thashë. Turçen s'e di. Të lutem tregomë Klubin e Shqipëtarëve, se një hamall më gënjeu e më solli këtu.
    - Këtu, më thotë, është klubi tonë. Nga të kemi?
    - Nga lumi që të më marrë...
    - Sonte kemi mbledhje, se kushëriri i presidentit, që vete mutesarif në Seres . Do të flasë për Shqipërinë gjer' e gjatë, se është njeri fort i ditur. Vallahi, të rrish ta ndëgjosh.

    Ndënja ndë një bri, me zemër të gëzuar, se do të ndëgjojë dhe unë një bej shqipëtar, nga der' e Frashërit, të na flasë shqip për më-më-më-dhenë. Pas pak erdhi beu: duart e anëtarëve u përpoqnë me një të madhe trokëllimë...

    Beu qënkej i thatë, i verdhë, me një fytyrë fort të shëmtuar e të dobët, ndofta nga dituria e madhe. M'erth ndë mënt Klub' i të Liqve në Londrë, që kish për kryetar Karlon II. Beu tundi kratë, u koll pakëzë, fshiu buzët, hapi gojën dhe tha... Mos pritni t'u them se ç'tha. Për zonë s'kupëtova dot mirë, se fjalët rrokulliseshin si dhëntë njëra pas tjetërs, ca të bardha, ca të zeza, ca syska, ca bejka, ca ruda, ca kaleshe, ca shyta, ca me brirë, po të të gjitha plaka të shkuara e të vjetëra.

    Ne foli për Shqipërinë! Jo, besa! Foli vetëm për Turqine.
    ”- Alldupi ka qenë kështu, ka qenë ashtu, ka bere ketë, atë,.,. .sa dhe sot gjëndet një xhami ndë Vjenë! Ç'është Evropa përpara Turqisë?... Ata që lëvdojnë të krishtërimnë, janë te marë! Besa jonë është e vërtetë. Turqia duhet të rrojë, që të lulëzojë faq' e dheut! Që të rrojë Turqia ndë mes t'Evropës, duhet të mbanë vetë fuqinë ndë duar të tyre, domethënë ata vetëm të jenë ministorë, valinj, komandanë, ushtarë e gjykatës!... Të krishterët duhet të punojnë, se janë lindur vetëm për punë, për mjeshtëri e për bujqësi... Dhe kështu, me këtë mënyrë, turqit (thotë) mundin të mbanë fuqinë, të kenë ndë dorë guvernën... dhe kështu do të rrojë me jetë”!

    Këto qenë fjalët e fundit të beut ***-e-sari.f të Seresit! Duartë u përpoqnë fort, anëtarët u lëshuanë të ngjatjetojnë bejnë...

    Zëmëra më qante dhe thashë me vehten time:
    - T'u thaftë goja, more beu ynë! Të plastë koka more beu ynë! Të paskan lënë mëntë, more beu ynë! Qënke veshgjatë, more beu ynë! Qënke turk, more beu ynë! Qënke xhonturk, more beu ynë! Ndë Klub të Shqiptarëvet na the si duhet të sillet Turqia që të shpëtojë nga rreziku i sotmë dhe të rrojë përjetë. Pse s'fole një fjalë dhe për Shqipërinë? Pse? Apo s'keshe se ç'të thoshe? Apo t'erth frikë nga xhonturqit, që të dërguan ***-e-sarif ndë Seres, që të shaç kaurët? Pse s'tu tha gjuha ndë gojë?...

    - Mos na thuani tjetër herë se ini shqipëtarë, mos na çani kryet me gënjeshtra, se u kemi kupëtuar se ç'ini ndë zemër tuaj! Ju punoni për Turqinë e jo për Shqipërinë. Fanatizma u ka verbuar. Duani t'u mbesojmë për shqipëtarë? Dilni nga buk' e turkut, hani bukën me djersë si neve e jo duke rrjepur, duke vjedhur. Hiqni dorë nga fanatizma e turqëve, mirrni qytetërimin t'Evropit, që ndriçon botën, zbukuron mendjen, zbut zakonet.

    Nukë them ndëroni besën jo! Po të ndërroni mendjen, të mejtoni dhe të silli si perndimasit (evropasit) në dojni të rroni ndë mes të Evropësë.

    Besa jo, shqipëtarët myslimanë, s'janë të tërë si ky faqezi i çmendur, që lëpin, me far' e me fis, çanakët e xhonturqëvet dhe për këtë shkak i falet zotit të rrojë Turqia përjetë ndë Shqipëri. Zoti mos ndëgjoftë të tillë njerz të poshtër e këpucëgrisur!

    Rroftë Shqipëria e lirë!
    U shoftë Klub' i Selanikut se qënka i xhonturqëve e, jo i shqipëtarëve!
    U shofshin të tërë klubet e Shqipërisë, në punojnë për xhonturqit dhe në kanë për qëllim çarje dhe armiqësi ndë mes të shqiptarëve myslimanë e të krishterë!
    Rroftë dashuria!
    Rroftë bashkimi!
    Ndryshuar për herë të fundit nga projekti21_dk : 15-09-2010 më 19:37
    "Projekti 21" nuk i bën reklamë vetes, afirmon të tjerët!

  3. #3
    Mirëmëngjesi.
    Ju dëshiroj një ditë të mbarë e plot fat.
    Kam edhe nje dy tre artikuj si ky, të cilët do t'i sjell së shpejti.
    E mira e së mirës do të ishte që edhe ju të sillni dicka kështu që të lëvizim pak nga vendnumërimi!
    "Projekti 21" nuk i bën reklamë vetes, afirmon të tjerët!

  4. #4

    Ja edhe një.... / para 103 vitesh/

    Fe ç’është, komb ç’është


    Qe një koh' e vjetërë, kur shqipëtarët besonin e u faleshin yjevet, djellit, hënës, druvet, shkëmbinjvet, që ahere shqipëtarët quheshin Shqipëtarë.

    Pastaj, zunë e besonin që çdo gjë në jetë ka një perëndi, përmbi të cilat Hyji (Jupiteri) mbretëronte. Këta njerëz prapë quheshin: Shqipëtarë.

    Shqipëtarët ishin të tërë të krishterë gjersa erdhi turku; pas kësaj, disa prej atyre u bënë muhamedanë dhe ca mbretën si ishin.
    0 Shqipëtarë, të krishterë a muhamedanë! Hapni sytë: jeni vëllezër!

    Kini qënë gjithënjë shqipëtarë dhe vetëm feja ju është ndërruar, po jeni një gjak, një familje. Pse rrini të ndarë? Sa turp i math!

    Me të ngjyer një mollë, gjysmën me një ngjyrë e gjysmën me një tjatër, a munt të themi që janë dy copa?

    Feja është ndërruar, po kurdoherë kemi qenë Shqipëtarë dhe ashtu duhet të jemi.

    Skëndo Frashëri

    1. Nxjerrë nga gazeta "Albania" e Faik Konicës, viti I, Bruksel 1897.
    Ndryshuar për herë të fundit nga projekti21_dk : 16-09-2010 më 04:02
    "Projekti 21" nuk i bën reklamë vetes, afirmon të tjerët!

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •