Porti i Vlorës, më i madhi në Ballkan
Qeveria shqiptare hapi dje ofertat e para konkurruese për dhënien me konçesion të Portit të Kontenierëve në Pyllin e Sodës, Vlorë. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit duke iu përgjigjur interesit të medias, u shprehën se firma "ZUMAX AG", ishte kompania e vetme që paraqiti ofertën gjatë kësaj procedure. Sipas tyre, kompania "ZUMAX AG" është kompania që ka iniciuar procesin, duke paraqitur propozimin e pakërkuar për këtë konçesion. Në bazë të VKM nr.99, datë 27.01.2009, " Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me konçesion të Portit të Kontenierëve në Pyllin e Sodës, Vlorë dhe Miratimin e Bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet si propozim i pakërkuar shoqërisë", kjo kompani do të përfitojë dhe nga bonusi prej 8% të pikëve. Në këtë drejtim, oferta e dorëzuar do të vlerësohet bazuar në kriteret e përzgjedhura të përcaktuara në dokumentacionet standarde të kësaj procedure, të njohur nga subjekti konkurrues. "Njoftojmë se, në përputhje me Ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006, 'Për konçesionet', të ndryshuar dhe VKM nr. 27, datë 19.1.2007, 'Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së konçesioneve', kreun IX pika 2, shkronja 'c'. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të përfundojë vlerësimin e ofertës së paraqitur brenda afateve dhe autoriteti do të ndjekë procedurat e parashikuara konform ligjit në fuqi", thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj ministrie. Deklarata citon gjithashtu se konçesioni do të jepet për një afat kohor 35-vjeçar. Ofertuesi sipas ofertës së paraqitur, ka depozituar 2% të vlerës së ofertës sipas ligjit në varësi. Vlera e investimit për fazën e parë është parashikuar 92 miliard lekë dhe i gjithë projekti kap vlerën 182 miliard lekë. Porti i Vlorës do të kthehet në një nga rrugët ujore më të rëndësishme të rajonit. Aktualisht, në Portin e Vlorës, sipas statistikave të Drejtorisë Portuale, kalojnë 239 mijë tonë në vit. Ndërsa pas investimit, është parashikuar të kalojnë rreth 3 milion kontenierë.
Porti i Vlorës, më i madhi në Ballkan
Terminali i Portit të Vlorës është parashikuar të jetë më i madhi në Ballkan dhe në vendet e Evropës Lindore. Projekti i Portit të Vlorës është realizuar nga një konsorcium anglo-zviceran, i cili është divizioni i kompanisë "Zumax AG". Terminali i kontenierëve, sipas projektit, është parashikuar të ketë një kapacitet prej më shumë se 3 milion kontenierësh në vit. Për realizimin e këtij projekti do të investohen 1.2 miliard euro. Sipas përfaqësuesve të kompanisë "Zumax Ag", porti do të shërbejë si një port transit dhe import-eksport për rajonin, duke ofruar hyrje efikase në det për vendet e Ballkanit. Ndërsa parku industrial, zonë e lirë, do të ketë mundësi të ofrojë tokë, lehtësira dhe shërbime për të mbështetur zhvillimin e industrisë së lehtë në Vlorë. Përfaqësues të "Zumax AG" në të ardhmen parashikojnë ngritjen e shkollave profesionale në Vlorë, për të kualifikuar të rinjtë, në mënyrë që këta të kenë mundësinë të punojnë në kompanitë e huaja, të cilat do të operojnë në Zonën e Lirë Ekonomike, që është pjesë e këtij projekti. Në aspektin social do të ketë të punësuar 2000 punëtorë të kualifikuar dhe stafi menaxhues i portit do të ketë një personel prej 780 persona të specializuar. Sipas specialistëve, ndërtimi i këtij porti do ta shndërrojë Vlorën në një port të madh për Ballkanin dhe rajonin e Evropës Lindore.
Portet në Ballkan
Aktualisht, porti më i madh në Ballkan është Porti i Pireut. Në vitin 2007, përpunoi 26.8 milion tonë mall. Ndërkohë, porti i Triestës, i cili ndodhet në Itali, përpunon në vit 52 milion tonë mall, nga të cilat 42 milion transportohen drejt Austrisë e Gjermanisë. Në Slloveni, Porti i Koperit përpunon në vit 15 milion tonë mall. Ndërsa 1300 portet të mëdha dhe të vogla që ndodhen në bregdetin e Kroacisë dhe Malit të Zi përpunojnë mbi 40 milion tonë mall në vit. Sipas specialistëve, Mali i Zi me 100 kilometra bregdet, nga të cilat vetëm 15 përqind është fushor, përpunon aq mallra sa Shqipëria.
Vlora, qendra e transferimit të kontenierëve
Nëpërmjet ndërtimit të këtij porti, Vlora ka mundësi të bëhet një portë e madhe për Ballkanin dhe rajonin e Europës Lindore, gjithashtu edhe një qendër transferimi e kontenierëve për të gjithë zonën. Porti ka mbrojtje të mirë natyrore nga Lindja dhe Jugu, ndërsa në Perëndim ka ishullin e Sazanit, rreth 4.5 milje detare larg vendit ku propozohet ndërtimi i terminalit të ri. Konfigurimi i kontureve nënujore afër portit ofron gjithashtu avantazhe të dobishme. Në të ndodhen hapësira me ujëra të thella pa pengesa fizike për lundrimin nga Adriatiku për në breg e anasjelltas. Duke njohur rëndësinë thelbësore të transportit për arritjen e një zhvillimi ekonomik dhe forcimin e stabilitetit të Bashkimit Evropian, ekspertët e kësaj kompanie kanë theksuar se, SHBA dhe palët e tjera të interesuar janë duke promovuar konceptin e vendosjes së një numri të madh korridoresh të transportit, që lidhin qendrat kyçe midis Adriatikut dhe Detit të Zi. Sipas tyre, një nga këto, Korridori i Tetë, do të lidhë Shqipërinë dhe në veçanti Portet e Durrësit dhe të Vlorës me portet e Detit të Zi, Burgas dhe Varnas. Ata vlerësuan se në propozimin për ndërtimin e Korridorit të Tetë, rrugët dhe lidhjet hukurudhore do të ripërtërihen dhe përmirësohen, përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, ndërsa është planifikuar gjithashtu një tubacion nafte nga Deti i Zi për në Adriatik, duke përfunduar në Vlorë.
Projekti, ndërtimi i terminalit
Projekti parashikon ndërtimin e një terminali me kapacitet prej më shumë se 3 milion kontenierë në vit. Ai do të shërbejë si një port tranzit dhe import-eksport për rajonin, duke ofruar gjithashtu hyrje efikase për në det për komunitetin lokal. Zona e lirë do të ofrojë lehtësira dhe shërbime për të mbështetur zhvillimin e industrisë së lehtë në Vlorë. Ndërkohë, pas miratimit paraprak pritet të fillojë faza tjetër për kryerjen e një studimi të plotë fizibiliteti.
Punimet për ndërtimin e portit
Vlora së shpejti do të nisë punimet për njërin prej porteve më të mëdha të Mesdheut, port i cili punëson jo më pak se 50 mijë qytetarë të Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë. Në këto vite janë firmosur me dhjetëra kontrata, të cilat punësojnë dhjetëra e mijëra punëtorë, specialistë, ekspertë. Ndërkohë, projekti për ndërtimin e një terminali kontenieresh me kapacitet prej më shumë se 3 milion TEU në vit, si dhe Parkut Industrial zonë e lirë do të shndërrojnë Vlorën në një nga qendrat më të fuqishme të Mesdheut. Projekti me vlerë 1 miliard e 200 milion euro është realizuar nga një konsorcium anglo-zvicerian, i cili është divizioni i kompanisë 'Zumax AG', me bazë në Zvicër.
Portet kryesore në rajon
SHTETI PORTI SASIA E MALLRAVE NE VIT
Itali Porti i Triestes 52 milion tonë
Greqi Porti i Pireut 26.8 milion tonë
Greqi Porti i Selanikut 1.4 milion kontenierë
Slloveni Porti i Koperit 15 milion tonë
Mali i Zi Të gjitha portet 25 milion tonë
Kroacia Të gjitha portet 30 milion tonë
Shqipëria Porti i Durrësit 6,5 milion tonë
Shqipëria Porti i Vlorës 239 000 tonë
1,2 miliard euro për ndërtimin e portit
Ky terminal është parashikuar që të ndërtohet në qytetin bregdetar të Vlorës. Së bashku me portin është parashikuar që të zhvillohet edhe një park industrial. Me realizimin e këtij projekti synohet që nëpërmjet këtij porti, Vlora të shndërrohet në pikën më të rëndësishme tranzit për import-eksportin e mallrave me vendet e rajonit.
rd
Krijoni Kontakt