"Investova 18 mijë euro për centralin me erë"
» Dërguar më: 18/05/2009 - 13:49
Fatmir Popja
ELBASAN -Energjia e prodhuar nga era, një nga teknologjitë me rritje më të shpejtë në botë, është kthyer në një burim alternativ për një familje në Shqipërinë e Mesme. Mehdi Kumria, banor i fshatit Floq në rrethin e Elbasanit, i kthyer pranë familjes së tij pas një emigrimi 4-vjeçar në Greqi, e ka realizuar këtë projekt përmes kërkimeve të shumta në internet. Ai ka investuar një shumë prej 18 mijë eurosh (gjithë kursimet që kishte mbledhur në vendin fqinj). Fshati Floq, me rreth 500 banorë, ndodhet buzë lumit Devoll, rreth 35 kilometra larg qytetit të Elbasanit.
Ky fshat shtrihet në një pllajë mbi të cilin lartohen vargje malesh dhe që rrihet në çdo periudhë të vitit nga erëra të fuqishme. "Fshati ynë nuk ka burime ujore, ndërsa çmimi i naftës gjithnjë ka qenë i papërballueshëm për ne. Kështu që më duhej të kërkoja alternativa të tjera për prodhimin e energjisë elektrike, së paku për lagjen ose edhe shtëpinë time", - tregon Kumria. Ai u kthye nga Greqia në vendlindje në vitin 2004 dhe nisi kërkimet në internet për realizimin e projektit të tij. Mehdi Kumria ka kontaktuar me një firmë spanjolle, nisur nga fakti se ky shtet njihet si një ndër vendet e para për centralet me erë. "Firma spanjolle iu përgjigj kërkesës sime për të dërguar pajisje për ndërtimin e një centrali që do të punonte me forcën e erës", - thotë ai, ndërsa shton se pajisjet i porositi përmes internetit, kurse pagesën e shleu me anë të bankës. Mësohet se pajisjet për centralin e erës u dërguan pjesë-pjesë në Greqi dhe vetëm pas 6 muajsh, ato mbërritën në fshatin Floq të Elbasanit. Tërë kompleksi përbën një minicentral elektrik, me një fuqi prej 5 kilovoltësh. Kur fuqia e erës është më e madhe se kapaciteti mbajtës i pajisjeve, atëherë bëhet automatikisht bllokimi i helikës dhe furnizimi pa ndërprerje nga bateria ose rrjeti elektrik. Me aparaturën e koordinimit, Mehdi Kumria ka lidhur 20 bateri në seri, të cilat, nëse nuk do të ketë erë, sigurojnë energji 220 volt përgjatë një jave. Firma spanjolle nuk dërgoi specialistë për montimin e tyre, kështu që banorit të Shqipërisë së Mesme iu desh vetë që t'i vihet përsëri studimit nëpërmjet internetit, të materialeve udhëzuese. Më së fundi ia doli ta ngrejë korpusin kryesor brenda oborrit të shtëpisë së tij, në krye të të cilit montoi helikën, duke shfrytëzuar edhe një pjesë të bodrumit për të vendosur aparatin e koordinimit si dhe bateritë. Vështirësitë teknike e penguan që montimi i helikës të bëhej në lartësinë e caktuar nga prodhuesit. Kështu që Kumria u mjaftua me ngritjen e helikës në lartësinë 10 metra. "Prodhimi në këtë lartësi nuk është maksimal, por e rëndësishme është se unë hodha hapin e parë për të prodhuar energji elektrike për nevojat e familjes sime", - pohon Mehdi Kumria.
gazeta shqiptare
Krijoni Kontakt