Tumore dhe fruta-monstra në zonat ku varrosen plehrat
NGA LUCA MARCONI “CORRIERE DEL MEZZOGIORNO” | 12/01/2011
Kur lexon rreshtat e mëposhtëm, gjëja e parë që të vjen në mendje është: Kur ua kanë bërë këtë mynxyrë, tokës së tyre dhe njerëzve të tyre, thua vallë do të kenë mëshirë për ne shqiptarët?
Artikuj si ky më poshtë gjen me shumicë në median italiane. Artikulli i mëposhtëm është marrë nga "Corriere del Mezzogiorno" dhe flet për Terzignon në Vezuv të Napolit. Aty janë groposur prej vitesh mbetje "me të gjitha letrat në rregull".
Por ja që tashmë pemët bëjnë fruta të çuditshme dhe njerëzit po preken në masë nga tumoret. Analizat e plehrave që janë groposur tregojnë se nuk paskan qenë ashtu siç kanë thënë "letrat" dhe vulat e qeveritarëve.
Shkrimi flet për agrumet e zonës dhe "personazhi" kryesor është një limon. Këtë limon që mund ta shihni në foto, u lutemi kolegëve tanë gazetarë, t'ia dërgojnë në zyrë edhe kryeministrit tonë shakaxhi që po lufton dhëmbë për dhëmbë me "marksistë leninistët dhe anarkistët" që kërkojnë të ndalet një tragjedi e re, me të njëjtin autor.
Nëse ky mund të quhet limon...
Luca Marconi
Nga Corriere del Mezzogiorno
Agrumet e tmerrshme të Terzigno-s, në laborator. Alarmi i mjekëve onkologë: rastet e tumoreve, aq të shumta sa tashmë ka nevojë për një regjistër autonom. Denoncime masive në Prokurori.
VEZUV - NAPOLI - Pemët vezuviane në Terzigno po dhurojnë fruta me deformime kaq të mëdha sa, as Francis Bacon nuk do të mundej më mirë. Alkimin e një toke të mbushur me helme, të cilat po ndryshojnë rregullat e natyrës deri në "ridizajnimin" në volum dhe në formë të produkteve, të cilat rriten të prishura ose me forma dhe shije të panjohura.
"Nëse ky është një limon... - thotë Rosario Esposito, avokate e Komitetit Kundër Hedhjes së Mbetjeve në Terzigno, e cila ka publikuar në internet fotografinë e një limoni të këputur nga pema dy hapa larg shtëpisë së mamasë së saj. Limoni ngjason me një mollë të sëmurë me fruth ose me një dardhë të prekur nga virusi.
Është ky limon që duke e parë të bën të mendosh që thjesht nuk mund të rritet ashtu siç duhet, por me forma të çuditshme me një ekuilibër të tmerrshëm, si dhitë e Acerra-s të deformuara nga dioksina, si ata vietnamezët e vegjël të bombarduar me armë me përmbajtje dioksine 40 vjet më parë, të bën të mendosh për Çernobilin, pra për deformime të provokuara nga radioaktiviteti që vjen nga ajo që është groposur nëntokë si "mbetje e gjelbër".
Shkruan në blog, përfaqësuesi ligjor i komitetit të Terzigno-s, Esposito: "Duke parë abortin e agrumit, i cili nuk ka as formën dhe as aromën e limonit, të vjen spontanisht në mendje libri i Primo Levi-t. Është prova e padiskutueshme e natyrës që po rebelohet... Ajo nuk pranon kompromise, ajo nuk blihet as me vila dhe as me para... Ajo me shpirt po mundohet që t'i mbijetojë armikut të saj - Njeriut".
Një konferencë urgjente u organizua mbrëmë për këtë problem në sallën e Këshillit të Komunës së Vezuvit. Ndërkohë që Giuseppe Comella, shefi i Shërbimit Onkologjik në krye të Institutit Kombëtar të Tumoreve në Napoli, ka deklaruar se mjekët po monitorojnë në mënyrë të pavarur patologjitë.
Rezultati? Tumore në rritje të pacientëve, sidomos të atyre rezidentë në afërsi të vendit të hedhjes së mbetjeve. Comella premtoi se po mbledhin dhe po i sistemojnë të dhënat në një regjistër të vetëm. Avokatja Vittoria Operato, miraton: "Me të dhënat, - shpjegon avokatja, - është e mundur që të nxjerrim së paku sasinë dhe të kualifikojmë se çfarë po ndodh me njerëzit që bashkëjetojnë në një ambient të helmuar dhe të rrezikshëm për jetën"
Më në fund, qytetarët e zonës po mbledhin firma për një denoncim të madh kundër institucioneve qeveritare që kujdesen për mjedisin dhe shëndetin. Bashkëngjitur do jenë analizat nëntokësore të bëra në afërsi të Sarit, protokolluar tashmë që korrikun e shkuar. "Puset" e hedhjes së mbeturinave që groposen aty janë ndaluar me urdhër të sindikatës vetëm dhjetë ditë më parë.
Megjithëse me të "gjitha letrat në rregull", analizat tregojnë se aty ka përqendrime të jashtëzakonshme të metaleve të rënda si dioksina, PCB, kadmiumi, zinku.. Kampionët datojnë në periudhën shtator 2009 -maj 2010. Ngarkesat toksike të zbuluara në zonë janë disa.
Dje janë gjetur gazra helmues në grumbujt e trupave të frigoriferëve të thyer, e pak më tutje goma që "bashkëjetonin" në heshtje nën rrënjët e lajthive. Lajthitë janë specialitet i këtyre tokave. Një zonë e tërë për shkarkime dhe groposje abuzive të mbetjeve është gjetur në Borgo Mauro, 2 000 metra 2 hapësirë. U gërmua dhe doli ajo që pritej..
Mbetje toksike. Pronari, një burrë rreth 46-vjetëve, është denoncuar në gjykatë për "aktivitete të paautorizuara në administrimin e mbeturinave".
Po limoni i shkretë? Në këtë kohë është në tryezën e një biologu universitar, i cili do të përpiqet për të kuptuar se si dreqin është shndërruar në një përbindësh. Kërkoj falje.. Limoni është viktima. Përbindëshat janë njerëzit që na kanë katandisur kështu dhe ata që na qeverisin, që përballë parave dhe vilave, nuk duan më as të kuptojnë e as të shohin.
Krijoni Kontakt