Close
Faqja 30 prej 41 FillimFillim ... 20282930313240 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 291 deri 300 prej 410
  1. #291
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    Plagët e zeza të Jugut
    Nga Ardian Klosi | 02/07/2010 | Shekulli
    Pas pesë vjetësh kthehesha në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës ku dikur kishim xhiruar për filmin dokumentar "Gji i kaltër, gji i zi" pamje nga ndotja e tokës dhe e ujërave prej derdhjeve shumëvjeçare të naftës. Këtë herë më interesonin veçanërisht fëmijët që jetojnë në këtë zonë dhe sa i ndiejnë ata efektet e ndotjes, që me sa dinim nuk dukej të qe pakësuar nga projekte a aksione të veçanta në vitet e fundit.

    Vajtja në vend ishte e domosdoshme edhe pse nuk kishte asnjë mundësi të mësoje gjë nga institucione qendrore, nga mjekë të specializuar në Tirana e në Fier për gjendjen konkrete si te të rriturit ashtu edhe te fëmijët. Në gjithë këto vite të tranzicionit askush në vend nuk ka ndërmarrë ndonjë studim për pasojat e ndotjes masive të tokës dhe ujërave nga nafta, të përbërësve të gazit natyror mbi shëndetin e njeriut. Alma e Dashamir Banaj, mjekë në Fier, tregojnë se kanë marrë pjesë para afër 2 vjetësh në një projekt holandez që interesohej pikërisht për këtë gjë në zonën e Patos-Marinzës. Grupi i tyre kishte punuar për afër 3 muaj në disa fshatra, ku u mblodhën kampionë të ushqimeve të ndryshme dhe të ujit, u vlerësuan statistika nga një numër të sëmurësh që shfaqnin drejtpërdrejt ose tërthorazi shenja helmimi ose ndërlikime sëmundjesh. Projekti ishte financuar nga BE për t'iu paraqitur Ministrisë shqiptare të Mjedisit. Vetë mjekët pjesëmarrës nuk kishin asnjë dijeni për përfundimet e tij.

    Në përgjithësi, sikurse shpjegon dr. Skënder Skënderaj në Tiranë, njëri nga specialistët më të njohur për sëmundjet profesionale, në vendin tonë nuk bëhen studime për lidhjen e ndotjes në mjedis me shëndetin e njerëzve. Tre studimet e fundit, për zonat e Porto Romanos, të Elbasanit (ndotja e Metalurgjikut) dhe për ndotjen nga trafiku i Tiranës janë botuar në vitin 2005, si libra për përdorim të brendshëm nga ministria e Mjedisit. "Janë studime tepër të shtrenjta, kërkojnë aparatura të veçanta, investim të madh në kohë dhe në njerëz", thotë dr. Skënderaj. Takimi me mjekë të tjerë të Fier nuk të çon asnjë hap më tej, sepse sado që kanë vazhdimisht në praktikën e përditshme pacientë me fenolë në gjak, me astma ose bronkite kronike, me tumore më të shpeshta në këto anë, askush nuk të thotë asgjë të saktë. Natyrisht, në radhë të parë, pse asnjë institucion në qendër ose në rreth nuk është i interesuar për të mbledhur statistika dhe për t'i vlerësuar ato. Por, edhe pse janë të frikësuar, në gjithë këta vite janë bërë mosbesues dhe s'kanë dëshirë të japin ndonjë të dhënë. - "Pyet tek Avaro-shpëtimi, më thotë njëri prej tyre, ata janë sektori i Albpetrolit që duhet të shmangin rreziqet nga ndotja". Mezi e ngulita këtë emër: Avaro-shpëtimi. Zyrat i kishin në hyrje të qytetit të Patosit. Mesazhi që shpërndanin drejtori dhe mjeku i këtij sektori, pjesë e Albpetrolit, ishte optimist. Prej kohësh, rastet e helmimit kishin ardhur në zbritje, vitin e fundit nuk kishin pasur thuajse fare. Statistika dhe vlerësime sëmundjesh nuk dispononin. Ekipi i tyre për ruajtjen dhe pastrimin e mjedisit përbëhej nga 100 vetë. Kohët e fundit ishte pastruar një pjesë e mirë e territorit dhe naftë nuk derdhej më në lumenj e kanale. Këtë verë plazhi i Semanit është i pastër, më tha mjeku i Avaros. Në përmirësimin e gjendjes kishte ndikuar marrja e shumicës së puseve në zonën e Patos-Marinzës nga firma kanadeze Bankers që nuk e derdhte më naftën në mjedis. - Sa punonjës ka sot Albpetroli, pyeta. - Rreth 4000 vetë. - E sa ka pasur më parë? - Ehu, dikur ishin mbi 20.000 vetë... Epo natyrisht që do pakësohen rastet e helmimit, veç pak ditë më pare kisha dëgjuar edhe për dhjetëra punonjës të tjerë të kësaj firme shtetërore të nxjerrë në asistencë në Kuçovë. - Sa kohë keni që jeni krijuar si qendër shpëtimi? - 3 muaj...

    U largova me pyetjen ngulmuese në kokë që si kishte mundësi të kishte ndodhur pastrim i përgjithshëm territori, pastrim lumenjsh dhe plazhi në një kohë kaq të shkurtër. Nafta është shumë e vështirë për t'u larguar nga toka, pa folur për ujërat nëntokësore, sidomos në një zonë ku është derdhur prej dhjetëvjeçarësh. Sapo kalon fshatin Zharrëz dhe i drejtohesh Marinzës dhe Belinës bindesh për të kundërtën: nuk pashë ndryshim nga 5 vjet më parë. Bari ka këtu një ngjyrë midis së gjelbrës dhe të zezës, në një rreze 8-10 metra larg puseve të naftës, të ngecura ose në gjendje pune, ai është më shumë i zi. Ndryshimi i vetëm është që puset skeletore të Albpetrolit janë zëvendësuar shumëkund nga puset e pastra cilindrike të kompanisë kanadeze. Rreth këtyre derdhje nafte nuk shikon. Por pellgjet që nganjëherë kanë pamjen e liqeneve të vogla me naftë, janë aty ku i kishim lënë. Me sa kuptohet, firma Bankers interesohet vetëm për territorin e ngushtë rreth një pusi por jo për atë që ndodh me zonën në përgjithësi. Nëpër këtë zonë kalon kanali i Ngjalës i cili e shkarkon ujët e vet drejt e në Adriatik pak më poshtë derdhjes së Semanit. Uji i tij ishte si gjithmonë i ngopur me pllangat e naftës të cilat nën rrezet e diellit marrin ngjyrat e ylberit. Nga 100 mjedisorët e Avaros asnjë gjurmë. Kuptova që ata të dy kishin luajtur teatër. Midis fshatrave Marinëz e Belinë po asfaltohet rruga lidhëse, sikurse është lidhur nga ana tjetër Belina me rrugën kryesore Fier-Roskovec.

    I vetmi përmirësim në pamjen e përgjithshme të zonës. Vërejmë që aty ku hapen katrorët për shtrimin e rrugës dheu është i zi në ngjyrë hiri, shenjë që nëntoka këtu, bashkë me ujërat që rrjedhin nëpër të është e ngopur me naftë për shekujt që do vijnë. Jo 100 po as 100.000 nga Avaro-shpëtimi nuk e heqin dot.
    Sa hyjmë në fshatin Belinë na del përpara një karrocë me tre fëmijë sipër, ai më i madhi, si nja dymbëdhjetë vjeç mban fort frerët e kalit të bardhë me pikla të zeza. Fëmijët këtu janë të bukur dhe të shikojnë drejt e në sy, kanë një lëkurë të bardhë të dëlirë, flokët shpesh të verdhë në gështenjë të çelët, fytyrën me quka. Po t'i harrosh derdhjet e naftës për një çast, të mbyllësh edhe hundët nga era e rëndë e squfurit dhe benzenit, janë fshatra të bukura, me shumë të mbjella, pemë, gjelbërim.

    Aty pas fshatit kalon lumi Seman, për bostanet thonë se janë më të mëdhenjtë e më të ëmblit në gjithë Myzeqenë. Djali tërheq edhe një herë frerët e kalit, i bezdisur nga fotografimi, karroca futet në oborrin e prindërve. Në kopshtet e një numri shtëpish sheh puse të braktisura nafte. Pak më tutje në drejtim të zonës së shfrytëzimit kullotin lopë mu aty ku bari është i zi, në një kanal ku rrjedh më shumë naftë sesa ujë, llokoçiten rosa. Askush nuk e di përmbajtjen e squfurit ose të karboneve në qumështin e lopëve ose vezët e rosave, ndoshta vetëm holandezët e parvjetshëm. Për fat të mirë, mjekët e kësaj zone duken njerëz të përkushtuar, ata i njohin me emër thuajse gjithë banorët dhe problemet e tyre shëndetësore. Mësojmë se sëmundjet kryesore që lidhen me ndotjen e ambientit janë fenolët (karboni) në gjak, astma dhe bronkitet kronike, hepatitet; një lidhje më të tërthortë duket se kanë rastet e shpeshta të kancereve të gjirit te gratë, skizofrenitë dhe depresionet, vetëm nga këta 11 raste në dy fshatra. Në Belinë dhe Sheqishtë njëri mjek ka regjistruar nga viti 2002 deri më sot 84 raste të karbonit në gjak, me denduri më të madhe në vitet 2006- 2009.

    Fenolët në gjak shkaktojnë sëmundje të mushkërive, të mëlçisë, por edhe të sistemit kardiovaskular dhe atij nervor. Nga shifrat kuptojmë se efektet e ndotjes nuk vijnë thjesht pse nafta rri e shpërhapur mbi tokë, por përmes gazrave që inhalohen rregullisht ose ushqimeve - uji vjen me ujësjellës nga vend tjetër. Puset moderne kanadeze që përmendëm janë vërtet të pastër në pikëpamje të kullimeve të naftës, por ato kanë nga një tub të shkurtër 2metërsh që e nxjerr të papenguar gazin natyror në ambient. Dikur në kohët e socializmit (të vjetrit këndej, doktorë e inxhinierë nafte, punëtorë e fshatarë e kujtojnë me nostalgji) në Patos-Marinëz gazi natyror mblidhej në tubacione dhe shërbente ndër të tjera për ngrohje e gatim në familje. Tepricat i nxirrnin dhe i digjini majë disa oxhakë të lartë "që e bënin qiellin netëve flakë". Kurse sot në shumë ditë e net të vitit nuk hap dot dritaret nga era e rëndë e gazit. Jo pa vështirësi mundëm të gjejmë pas disa udhëtimeve në zonat e prekura edhe studimin me titull "Plan i integruar veprimi mjedisor dhe shëndetësor për zonën naftëmbajtëse Patos-Marinëz" që studioja holandeze "Royal Haskoning" i ka paraqitur Ministrisë sonë të Mjedisit më 23 maj 2008. Aty një numër shifrash dhe vlerësimesh konfirmojnë ato që mundëm të vërenim me sy të lirë dhe të mësonim nga bisedat me njerëzit.

    Gjendja e tokës dhe ujërave në zonat e shfrytëzimit të naftës cilësohet si katastrofike. Janë mbi 150 pellgje mbitokësore me naftë të hedhur, me një trashësi 0,5-1 m. Nafta e derdhur gjithsej llogaritet të jetë 518.000 m3 në një sipërfaqe prej 950.000 m2. Lumi i Semanit është i ndotur në një gjatësi prej 45 km, Gjanica në 12 km, Kanali i Ngjalës në 27 km. Shqetësimi më i madh është cilësia e ajrit. Vetëm pak matje kishin mjaftuar për të nxjerrë koncentrime të mëdha të benzolit dhe sulfurit të hidrogjenit në ajër; të dyja këto substanca njihen si shkaktarë të sëmundjeve në lëkurë, mushkëri, tumoreve, sëmundjeve të gjakut. Benzeni shkakton veç këtyre, sipas një studimi të fundit të profesorëve amerikanë K. Burns dhe M. R. Harbut (http://www.atsdr.cdc.gov/csem/benzen...c_effects.html), edhe depresione të sistemit nervor qendror. Në studimin holandez për zonën e Patos-Marinzës nuk jepen shifra konkrete, por konstatohet pas një krahasimi mes banorëve të një fshati në këtë zonë dhe të një fshati tjetër pak më larg, por jo në zonë shfrytëzimi të naftës, se të tria këto grupe sëmundjesh: astmat dhe bronkitet kronike, tumoret dhe sëmundjet e gjakut janë më të shpeshta në fshatin e zonës së shfrytëzimit sesa në tjetrin jashtë kësaj zone.

    Pasi jep fare pak shifra konkrete studimi vijon me rekomandime për Ministrinë e Mjedisit dhe aktorë të tjerë të veprimit ekonomik-mjedisor për një plan pastrimi të zonës. E gjitha i ngjan një utopie të hedhur në fraza të rregullta, asaj që gjermanët e quajnë muzikë e së ardhmes. Autorët i japin më njërën anë firmës së huaj merita që ajo s'i ka, kur pohojnë se "punon brenda standardeve ndërkombëtare" (është pikërisht Bankers ajo që prej 6 vjetësh e ndot ajrin me gaz natyror të pafiltruar), nga ana tjetër nuk shohin se situata është e ngecur keq. Për derdhjet e naftës në vite nga ndërmarrjet shtetërore, përgjegjës është vetëm shteti shqiptar dhe nuk mund të presim që një firmë e huaj që ka ardhur këtu për të nxjerrë fitimin e vet të pastër të luajë rolin e bamirësit dhe të pastrojë hauret e tjetrit. Kalimi i puseve të Albpetrolit te Bankersi nënkupton vetëm ndryshim të shfrytëzuesit dhe një shfrytëzim më të mire në të ardhmen, por jo ndonjë aksion pastrimi për atë që është kontaminuar ndërkaq.

    Ai s'mund të jetë edhe kalim përgjegjësie për një ndotje që është shtrirë si një plagë e zezë nga kodrat e Mallakastrës-Roskovecit-Beratit nëpër fushat e Kuçovës dhe Patos-Marinzës, luginën e Gjanicës deri në detin Adriatik. Për shëndetin e njerëzve dhe mjedisit në këtë zonë përgjigjet drejtpërdrejt vetëm shteti shqiptar me ministritë dhe institucionet e tjera të tij në qendër dhe në bazë. Privatizimet në sektorin e naftës po e tregojnë qartë se s'përbëjnë asnjë zgjidhje për plagën e hapur prej kohësh, përkundrazi ato ngjajnë si një alibi e shtetit. Kombinati i përpunimit të thellë të naftës në Ballsh (rafineria) ka dy vjet që është privatizuar te firma "Taçi". Ai punon me të njëjtat impiante ndotëse të amortizuara si dhe më parë. Mësojmë këtu se mbeturinat vazhdojnë të derdhen të pafiltruara në Gjanicë. Qytetarët e Ballshit kanë të vetmin lehtësim që ky kombinat punon vetëm pak muaj në vit, pasi në ditët kur punon, era e rëndë që përhap mbi qytet është e padurueshme. Edhe te punëtorët e mbetur këtu regjistrohen të njëjtat sëmundje kronike si në zonën e Patos-Marinzës. Nuk ka pak kohë që me dhjetëra banorë të Ballshit u helmuan, siç thanë, nga uji i pijshëm. Sado që ky ujë vjen prej rezervuarit të Poçemit, nëpër linjën e ngritur për rafinerinë, lind pyetja: pse pikërisht në Ballsh?

    Mos vallë njerëzit këtu janë më të prekshëm, më pak imunë ndaj sëmundjeve? Fëmijëve që rriten në këto anë nuk u intereson aspak nëse përgjegjësia është e shtetit tonë ose e firmave private, të huaja ose shqiptare që përfitojnë nga privatizimet. Madje, atyre ndoshta nuk u bën ndonjë përshtypje që rriten në zone të ndotur. Duken të lumtur, luajnë si gjithë fëmijët e tjerë, janë edhe të veshur pastër, vajzat me fustane të bardha dhe flokët e krehur bukur, djemtë të shpejtë dhe energjikë në lëvizje, në këmbë, me biçikleta, mbi karrocat e tyre. Edhe mjeku i familjes nuk ka shumë raste me sëmundje kronike: 4 astmatikë në dy fshatra, një numër anemish (të fituara), tri raste epilepsie, ekzema të lëkurës e të syve etj. Megjithëse edhe këto janë shumë, çështja kryesore është: çfarë do të ndodhë më pas me fëmijët e këtushëm? Sëmundjet e shkaktuara nga një mjedis i tillë i ndotur nuk janë të tilla që shfaqen aty për aty, hiq fenolët në gjak ose acarimet e lëkurës; po ç'vlerë ka një fëmijëri pa sëmundje, kur në moshat 30 e 40-vjeçare fillojnë e shfaqen sëmundjet kronike të mushkërive, tumoret e gjirit ose të kockës, depresionet dhe skizofrenitë që janë në këtë zonë më të shpeshta se gjetiu? Informacioni fatal merret ndoshta edhe me qumështin që pihet ose me vezët që hahen në mëngjes, ai akumulohet sa herë që thith ajrin e rënduar me benzol, sidomos në ditët e nxehta të verës dhe ato pa erë të dimrit dhe rri në pritë si mallkim për tërë jetën.

    Por, çështja është edhe më e thellë, ajo është sa fiziologjike aq dhe psikologjike. Drejtuesi i UNICEF-it për Shqipërinë, z. Detlef Palm, thotë se "fëmijët kanë gjithmonë disa përjetime kyçe, të cilat bëhen më pas vendimtare për jetën. Nëse fëmija rritet në një ambient të ndotur, nëse në familjen e tij nëna ose babai do të goditen nga sëmundje të rënda sikurse janë tumoret, kjo do të jetë me efekt të thellë në psikologjinë e tij. Kur dëgjon të flitet këtu për ndotje të ambientit, atëherë kjo bëhet gjithmonë në lidhje me ndotjen e plazheve, me dëmin ekonomik që shkakton mosardhja e turistëve. Shumë pak përmendet vetë dëmi ekologjik, dëmet shëndetësore dhe psikologjike te vetë banorët... E dimë se efektet e ndotjes së mjedisit shfaqen nganjëherë te njeriu pas disa dekadash. Por kjo nuk mund ta shmangë detyrimin për të bërë matje që tani, sepse ka tregues të qartë, substance toksike që shprehen në shifra; e dimë që p.sh., të rriturit plumbin e absorbojnë më lehtë se fëmija që ka në moshën e rritjes një metabolizëm tjetër dhe mund ta thithë e depozitojë atë në sasi më të mëdha".

    Ndotja e shkaktuar nga shfrytëzimi barbar i naftës mbi një territor kaq të shtrirë në jug të Myzeqesë dhe në rrjedhat ujore që kalojnë nëpër të për t'u derdhur në Adriatik përbën një plagë të përmasave kombëtare. Ajo mund të mposhtet vetëm me një strategji kombëtare. Mënyra si kanë vepruar deri tani me të qeveritë shqiptare është pikërisht e kundërta: mungesa e një strategjie. Ajo është e ngjashme me veprimin ose mosveprimin në plagë të tjera që i kanë hapur veprimtaritë industriale vendit: në ish-fabrikën e PVC në Vlorë shllami i ngopur me zhivë nuk u hoq, por territori iu dha firmës italiane Petrolifera që veç sa e shtyu atë në det ose i hodhi përsipër beton për të ngritur portin e saj të naftës; në Porto Romano nuk hiqen kimikatet që vazhdojnë të dëmtojnë shëndetin e fëmijëve dhe të të rriturve me linden e krom, por jepet territori që Eneli të ngrejë megatecet e tij. Në Patos-Marinëz, Kuçovë, Mallakastër lejohet degradimi i Albpetrolit me ndotje të mëtejshme të mjedisit për të bërë një privatizim sa më të lirë dhe të dyshimtë, ku kostoja mjedisore për privatin është zero.


    Por e përsërisim se heqja nga pronësia në këto raste nuk mund të jetë heqje e përgjegjësisë. Banorët e këtyre zonave, sidomos fëmijët, kanë të drejtën sa të natyrshme aq dhe të shenjtë që të jetojnë në një mjedis të shëndetshëm. Vetëm autoritetet qendrore, bashkiake, komunale mund ta mbikëqyrin atë. Kur nuk e bëjnë, nuk mund të quhen më mbrojtës të mjedisit dhe shëndetit, por rrezik për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve, nuk janë më përfaqësues të interesave të tyre por kundërshtarë të këtyre interesave dhe përfitues për interes të vet.
    Vetëm këtu, te përmbysja e këtij raporti, mund të fillonte ndryshimi i madh, që sot duket krejt utopik. Por, pavarësisht nga kjo, mund të merren masa emergjente: të ndalohen urgjentisht emetimet e gazit natyror në ajër, t'u vihen kompanive shfrytëzuese kushte të rënda. Duhen mënjanuar sa më parë qindrat e pellgjeve të naftës mbi terren dhe derdhjet në kanale e lumenj.

    Kjo mund të fillonte pa u ngatërruar në studime dhe analiza të vështira që do të konfirmonin vetëm atë që shihet me sy dhe ndihet me hundë. Njëherë për njëherë fjalën e kanë vetëm mjekët që mundohen të kurojnë pasojat, duke shtuar dozat e medikamenteve për astmatikë, kancerozë, epileptikë e skizofrenë nga zonat naftëmbajtëse të Shqipërisë, që bredhin nga spitali në spital vetëm ose me një fëmijë në krah.

  2. #292
    i/e regjistruar Maska e fabioanna
    Anëtarësuar
    19-06-2009
    Postime
    64
    Citim Postuar më parë nga Edvin83 Lexo Postimin
    JA dhe nje foto qe bera dje per te ilustruar shkallen e ndotjes se liqenit. NE sfond shihen qarte uji i ndotur...
    me fal per shprejen por jan kafsh,,kto mrekulli duhet me mbrojt jo me i shkaterru,,
    JETA MIZUROET NGA VEPRAT,DHE JO NGA DITET.

  3. #293
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    Degradimi i qeverisjes dhe pushtetarët e llogjeve
    22/07/2010
    Mentor Kikia

    Në zhargonin popullor, kur duam të tregojmë një njeri që nuk bën asnjë punë, por vetëm flet dhe llomotit tërë kohën, themi se ai merret me llogje. Një njeri që merret me llogje, në fund të fundit nuk është se i bën ndonjë dëm të madh shoqërisë, por problemi është shumë i madh dhe i rëndë kur kemi një qeverisje në të gjitha nivelet, një shtet dhe një lukuni të tërë zyrtarësh, të mëdhenj e të vegjël, që merren me llogje. Të mos na duket aspak e tepërt kjo, madje është më e pakta që mund të thuash përballë asaj që na ofron realiteti i vendit ku na duhet të jetojmë. Do të rendisim më poshtë vetëm disa shembuj, për të treguar se deri në ç’pikë ka degraduar qeverisja në këtë vend.
    Të martën, një djalë humbi jetën në spitalin e Durrësit, pasi u godit nga një motor uji, kur ai ishte duke u larë në plazhin e mbipopulluar të këtij qyteti. Për t’i ndaluar këto mjete vrastare, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, organizoi një mbledhje dy javë më parë, ku kishte ftuar prefektë e drejtues policie. Mediat ishin të gjitha atje dhe dhanë lajmin e madh, se më në fund pushuesit shpëtuan nga maskarenjtë e detit. Prefektët - tha Basha - do të përcaktojnë një vijë, të cilën motorët nuk do të guxojnë ta kalojnë më dhe derisa ajo vijë të përcaktohet, motorët nuk do të dalin në ujë.

    Pas ministrit dolën para kamerave edhe prefektët dhe drejtorët e policisë. “Nuk do të lejohen më – thanë edhe ata – dhe pushuesit do të jenë të qetë”. Por të gjitha këto ishin vetëm llogje, pasi motorët fluturuan sërish m’u pranë bregut, m’u mes njerëzve dhe një djalë të ri e çanë më dysh me helika. Prefekti i Durrësit doli sërish para kamerave dhe sërish tha se motorët do të ndalohen. Por ne e dimë se ai tha sërish llogje dhe ne sërish do të shkruajmë, kur të çahet koka e pushuesit të radhës. Disa muaj më parë, në Zvicër, një qen kafshoi një fëmijë dhe brenda javës u miratua një ligj që ndalonte pronarët të dilnin me qentë e tyre pa gojëzën prej gome. Dhe brenda javës asnjë qen nuk doli në rrugë pa këtë maskë sigurie.

    Drejtuesit e agjencive rajonale të mjedisit dhe zyrtarët e bashkive në zonat turistike, në çdo sezon vere dalin para kamerave dhe japin lajmin e shumëpritur. Këtë verë nuk do të lejohen lokale, që me muzikën e tyre terrorizojnë pushuesit dhe banorët e zonës. Po sërish lokalet vazhdojnë në të tyren dhe askush nuk ua fik butonin, në asnjë orë të natës. Po kështu ndodh edhe në Tiranë e qytete të tjera. Zyrtarët dalin para kamerave, japin paralajmërime e shpallin vendime dhe asgjë nuk ndodh. Jeta vazhdon në ritmin e saj, ku të fortët dhe të pasurit na sundojnë e dhunojnë në mënyrë barbare si në ajër, në tokë dhe në det.

    Dy muaj më parë, vetë Kryeministri i vendit lëshoi një lajm të madh nga zyra e tij. Këtë verë do të pastrohet i tërë bregdeti i Shqipërisë, në mënyrë që turizmit t’i jepet një hov i ri. Me vendim qeverie, Kryeministri Sali Berisha krijoi një strukturë Task Forcë, në përbërje të së cilës ishte e para Ministria e Turizmit, Ministria e Mjedisit, ajo e Arsimit, e Mbrojtjes dhe e Brendshme. Televizionet dhanë lajmin e madh se qeveria më në fund e mori seriozisht punën e plehrave që kanë pushtuar bregdetin nga Velipoja deri në Orikum. Taks Forca u mblodh edhe nja dy herë pas krijimit dhe… asgjë. As edhe një kanoçe nuk u hoq nga bregdeti dhe as një pëllëmbë vend nuk u pastrua nga kjo Task Forcë. Nga llogjet e ministrave dhe drejtorëve para kamerave, u kalua te llogjet me VKM.
    Në pikun e verës, në shumë shtëpi të Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit, uji shkon me orar, apo nuk shkon fare. Por, përbri rrugëve dhe përmes lagjeve, lavazhet e makinave që përdorin ujin e pijshëm vazhdojnë të bëjnë biznes. Ata nuk kanë leje, nuk paguajnë taksa, fitojnë para dhe shpenzojnë ujin tonë që e paguajmë. Zyrtarët e bashkisë dalin para kamerave dhe deklarojnë se asnjë lavazh që përdor ujin e pijshëm nuk do të lejohet. Por asnjë nuk bllokohet dhe përçudnimi i njerëzve të thjeshtë vazhdon.

    Mund të vazhdojmë të rendisim pafund shembuj që tregojnë degradimin e institucioneve qeveritare e shtetërore, nga zyra e Kryeministrit, deri tek e kryetarit më batakçi të komunës. Të drejtosh sot qeverinë, bashkinë, komunën, policinë, prefekturën e gjithçka tjetër, do të thotë se duhet të dalësh në televizor e në gazetë, duhet të flasësh pafund, të thuash se kjo apo ajo gjë duhet bërë, kur ai që duhet ta bëjë këtë është pikërisht ai vetë. Pushtetarë të të gjitha niveleve, të të gjitha sojeve politike, përgjegjës këmbë e kokë për padrejtësitë që u bëhen njerëzve, për matrapazllëqet që bëhen me pronën dhe pasurinë publike, krekosen para kamerave e bërtasin për zbatimin e ligjit, kur janë ata përgjegjësit për zbatimin e tij.

    Ky model ordiner qeverisjeje ka bërë që besimi i shoqërisë te politikanët të shënojë pikën më kritike, qëkurse edhe në këtë vend politika u bë profesion. Botës së zhvilluar, ata që vetëm flasin, që vetëm kujtojnë atë që duhet bërë e vetë nuk bëjnë asgjë, quhen demagogë dhe demagogjia është një art më vete për ta bërë popullin të të dëgjojë, e madje të të besojë. Por demagogjia e politikanëve dhe zyrtarëve tanë është kaq e shëmtuar, sa s’meriton veçse fjalën shqipe, llogje.

  4. #294
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    Një vend mbytet në plehra
    ARDIAN KLOSI | 04/09/2010

    Shekulli

    Ky ishte titulli i referatit të motrës Maria-Kristina Färber në kongresin "Me përgjegjësinë për Krijimin. Sfida ekologjike në Europën Qendrore dhe Lindore" që po zhvillohet këto ditë në Freising të Gjermanisë.

    Ai organizohet nga Renovabis, qendra e ndihmës dhe bashkëpunimit të kishës katolike gjermane për Europën Qendrore dhe Lindore. Vendi që po mbytet në plehra është Shqipëria, referati në fjalë është i pari në sallën e madhe të kongresit, pasi janë dëgjuar fjalët përshëndetëse të organizatorëve, kryetarit të bashkisë së Freisingut, arqipeshkvit Schick.

    Ka ikur koha kur na digjnin veshët tek dëgjonim vlerësime të tilla për atdheun në forume të rëndësishme ndërkombëtare. Nuk ndihemi më përgjegjës për këtë vend dhe e dimë që nuk mund të ndryshojmë gjë, as dhe në mendjen e të pranishmëve, sidomos kur ato që dëgjon janë të vërteta.

    Heqja e përgjegjësisë (virtuale) nga vetja ka ardhur paralelisht me heqjen e shpresës për të dhënë ndonjë kontribut individual kundër së keqes, ajo nuk përbën ndonjë lehtësim, është thjesht dorëzim i armëve dhe mbyllje e njeriut edhe më shumë në guaskën e tij.

    Sidoqoftë, pak u gëlltita kur motra Maria-Kristina e çeli bisedën e saj me pohimin që, sikurse e dinë të pranishmit "Shqipëria është rreth 100 vjet prapa pjesës tjetër të Europës".

    Në qoftë se ti nga njëra anë s'e ndjen më veten përgjegjës për gjendjen e vendit tënd, nga ana tjetër je përsëri pjesëtar i tij dhe, kushedi, në mendjen e kolegëve ose interlokutorëve në forume të tilla automatikisht edhe përfaqësuesit nga ky vend duhet të jenë në mënyrë proporcionale 100, 50, 30 vjet prapa tyre.

    Është ndoshta mendim absurd, por i vërtetë, si pasojë automatike e identifikimit tënd me kombin.
    Duke harruar proceset psikologjike (virtuale) që t'i vë në lëvizje një kongres i tillë, ndoqa me shumë vëmendje ato që po tregonte murgesha.

    Ajo punon në Shkodër për urdhrin "Udhërrëfyes shpirtërorë" me organizimin e ndihmës për të varfrit, fëmijët, të sëmurët prej vitit 1991. Është bërë shumë e njohur këtu "Varka e Noes", një qendër edukimi e arsimimi për fëmijë.

    Tregimi filloi me përshkrimin e plazhit të Velipojës në qershor të vitit 2010, ku kishin shkuar së bashku me motra të tjera për t'u larë. Ishte e pamundur të gjeje një vend të pastër. Kudo mbeturina, qese dhe shishe plastike, vaj makinash, pampers të përdorur etj.

    Pranë derdhjes së Bunës plehrat shumoheshin edhe për shkak të prurjeve të mëdha të lumit në ato ditë. Në një kanal aty pranë, lopë që ushqeheshin me plehra, qen të ngordhur të mbytur me sa dukej nga qese, një erë e padurueshme kërme kudo rrotull. Njerëzit hedhin në plazh gjithçka, copa xhami, mbeturina plastike etj. Të ikim që këtej një orë e më parë.

    Velipoja, thotë motra, edhe para 10 vjetësh ka qenë një nga plazhet më të pastra e më natyrore të Shqipërisë. E pakuptueshme ajo që ndodhi në një kohë të shkurtër. E pakuptueshme ajo që ndodh me plehrat në Shkodër e rrethina.

    Aty ku banojmë shpesh nuk e mbajmë dot dritaren hapur prej tymit të plehrave që digjen nën qiell të hapur. Varrezat myslimane janë kthyer në një vendgrumbullim plehrash, po kështu varrezat e dëshmorëve. (Kjo është edhe politike, mendova me vete, si i djathtë që është qyteti).

    E pabesueshme është gjendja edhe në spitalin e qytetit, ku infermieret hedhin pa asnjë vështirësi nga dritarja age e shiringa të përdorura, fasha e lloj-lloj mbeturinash të tjera spitalore. Oborri i pasmë i spitalit është kthyer në një depozitë plehrash.
    Tabloja vjen e plotësohet me detaje të tjera.

    Një shoqe e saj murgeshë shpëtoi për fije të perit nga një aksident automobilistik kur iu përplas pas xhamit të parmë të makinës një kuti e shqyer kartoni që bridhte mbi asfalt. Kurse ajo vetë kishte gjetur një ditë në një supermarket të Shkodrës një kavanoz me reçel kajsie gjerman.

    Tepër e gëzuar për këtë mall nga shtëpia që i mungonte prej kaq kohësh, e kishte hapur dhe kishte lyer bukën me të - për të kafshuar një gjësend me shije të tmerrshme. Kishte parë pastaj mbi kavanoz datën e skadimit të mallit, 9 vjet më parë.

    Po përse njerëzit e lënë veten të mbyten në plehra? Edhe njeriu që po mbytet bërtet për ndihmë, vëren Marie-Kristina.

    Ata nuk i njohin mirë pasojat e të jetuarit me plehrat, ata nuk e dinë ç'do të thotë të thithësh përditë dioksinën që vjen nga djegia e tyre, ata nuk e dinë më se si është e bukura, një peizazh ose një qytet pa plehra, ata janë të mësuar me të keqen. Ose e kuptojnë dhe janë depresivë, letargjikë.

    Një djalë 25-vjeçar më thotë: kot mundohesh. Ne nuk do të ndryshojmë asnjëherë, ne nuk kemi kulturë. Ose marrin një qëndrim fatalist: dikur do të ndryshojë, d.m.th., e nënkuptuar dikush do vijë dhe do ta ndryshojë, por jo ne.

    Ndërsa dëgjon problemet ekologjike që kanë vende të tjera të Lindjes: Hungaria, Rumania, Ukraina, Bjellorusia, vëren se një pjesë janë të ngjashme me ato që ka Shqipëria.

    Pas një shfrytëzimi optimist dhe të paskrupullt të rezervave natyrore në frymën e ideologjisë komuniste që thotë se njeriu është zot i natyrës, ka zbritur një kapitalizëm liberal po aq optimist për përfituesit, me moton e rritjes ekonomike dhe GDP-së, por me pasoja tepër të rrezikshme për mjedisin dhe ruajtjen e bazave të jetës. E veçanta e Shqipërisë nuk është thjesht që vendi po mbytet në plehra, jo, kjo është tek e fundit një pasojë e jashtme e një qëndrimi të brendshëm.

    Plehrat një ditë do të zhduken dhe nga rrugët, brigjet, plazhet rreth Shkodrës, sikurse po zhduken nga rrugët e Tiranës. E veçanta e Shqipërisë, ajo më e rënda mendoj, është mungesa e mendimit dhe veprimit në bashkësi te shqiptarët. Në rrethinat e Tiranës, ku banoj, plehrat ka disa kohë që po hiqen.

    Por, ndërkaq, me shpejtësi të frikshme grabitja e peizazhit, që dikur përbënte kurorën e gjelbër të Tiranës. Janë shtuar vara-vingot e kamionëve të rëndë që bartin dhe hedhin ku të mundin dheun e gërmuar të kodrave, në radhë të parë rreth e përqark liqenit Artificial.

    Ekskavatorët po u ngjiten ullishtave të fundit te zona e njohur si e lapidarit dhe po i shkulin rrënjët shekullore nganjëherë me dhjetëra në ditë. Përmes rrugës kryesore të Saukut vrapon një përrua me ujëra të zeza, prej muajsh, banorët anash mesa duket janë të mësuar me të. Kohët e fundit ka ardhur këtu një grup punëtorësh të ujësjellësit të Tiranës, sepse disa banorë kishin hapur tubacionin kryesor dhe duke e këputur për veten e tyre kishin lënë gjysmën e fshatit pa ujë.

    Nga këto pak të dhëna kupton se banorët tanë janë të pambrojtur jo vetëm nga pushteti qendror, që nuk është në gjendje të zbatojë asnjë nga masterplanet e tij apo vendimet e KRTSH (për mbrojtjen e kurorës së gjelbër ka vendime të qarta), por as nga vetja. Banorë të pambrojtur nga vetja do të thotë banorë që nuk jetojnë në bashkësi.

    Shqiptarët kanë një kundërshtim gati natyror ndaj bashkësisë. Ata përgjithësisht duan familjen, farefisin, por jo fqinjin. Këtu sundon mosbesimi, dyshimi se fqinji po ia hedh dhe po përfiton në kurriz të tij, çka edhe ndodh shpesh, me sa duket ngaqë pritet medoemos.

    Te ne banorët vërtet kanë zgjedhur një kryetar dhe një kryesi komune, kryetari, urbanisti, kryeplaku dhe të tjerët e kuptojnë veten veç si shushunja që pinë gjakun e komunës, si shitblerës lejesh ndërtimi, me një fjalë ingranazhe të atij sistemi që po na merr frymën dhe që ka të vetmin parim: tokës mund t'i marrësh gjithçka dhe nuk duhet t'i kthesh asgjë, përveç jashtëqitjeve.

    Mungesa e mendimit bashkësinor dhe komunal bashkë me veprimin në bazë të tij, është sot e keqja më e madhe e Shqipërisë. Ne tregojmë nga politikanët si e keqja jonë më e madhe, por këtë e bëjmë vetëm për të qetësuar ndërgjegjen e keqe që nuk bëjmë asgjë me njëri-tjetrin, nuk mbrojmë dot as rrugën ose hyrjen ku banojmë.

    Shembulli më i parë dhe klasik janë ata që bërtasin më fort, analistët tanë bie fjala, sepse dhe ata janë krejt të paaftë të krijojnë me njëri-tjetrin ndonjë shoqëri civile. Kjo, natyrisht, u krijon kushte qeveritarëve dhe gjithë njerëzve të tjerë me pushtet të bëjnë qejf me pasuritë e Shqipërisë, t'i tregtojnë e koncesionojnë ato si t'u dojë e bardha zemër.

    Ja këto mendime më ngjalli referati i motrës Marie-Kristina për vendin që po mbytet në plehra, në vazhdim të përshkrimit që i bëri ajo letargjisë dhe fatalizmit të banorëve. Në mbyllje, murgesha zvicerane tregoi se si e kishte arritur një organizimin e vogël të heqjes së plehrave nga shkolla Varka e Noes që drejton.

    Më së pari i ka bërë të vetëdijshëm fëmijët për domosdoshmërinë e ruajtjes së mjedisit. Ata jo vetëm te kjo shkollë po as në vende të tjera nuk munden më të hedhin plehra në rrugë.

    Më tej ka organizuar heqjen e plehrave me një karrocë dhe një kalë, pas një fondi që i erdhi nga Gjermani për këtë punë. Karrocierin e parë e pushuan nga puna se gjetën që i zbrazte plehrat në breg të Liqenit të Shkodrës, por tjetri qëlloi punëtor i ndershëm dhe kështu të paktën ai mjedis i vogël në mes të qytetit sot është i pastër.

    Por, pyetja mbetet, nëse duhet ta importojmë edhe mendimin dhe nëse ka rrugë të tjera për të ndrequr sadopak kokat në bashkësitë e vogla dhe të mëdha ku jetojmë.
    Freising, shtator 201

  5. #295
    i/e regjistruar Maska e Ver
    Anëtarësuar
    23-07-2008
    Postime
    117
    Citim Postuar më parë nga shoku_tanku Lexo Postimin
    Ne kete vend po ndertohen vetem qendra biznesi dhe fabrika cimentoje...sa i ngjashem me Gomorren e Savianos ky realitet!
    Sidomos keto qendrat tregtare ta heqin trunin. Sikur nuk ka boll dyqane qendra, duhet me be edhe ca neper fusha e lendina. Ngelen njerzit duke i shit mallra njeri tjetrit, askush nuk prodhon gje.

  6. #296
    i/e regjistruar Maska e Ver
    Anëtarësuar
    23-07-2008
    Postime
    117

    Jam patriot por...

    Shume interesat ky postimi tek Aktualitete shoqerore dhe po e sjell dhe ketu sepse ka lidhje disi edhe me temen e mjedisit.

    Më pak patriotë

    NGA: ALBA MALLTEZI

    Më pak patriotë Më pak patriotë

    Jam patriot, por e pështyj këtë tokë.
    Jam patriot, por hedh plehrat ku më do qejfi.
    Jam patriot, por jam bërë i pasur duke trafikuar vajza shqiptare.
    Jam patriot, por kam vënë lekë duke bërë tendera të pandershëm.
    Jam patriot, por bëj pazare me ilaçet e spitaleve.
    Jam patriot, por blej një kostum sa rroga e 4 muajve e një mësuese filloreje.
    Jam patriot, por nuk paguaj taksa.
    Jam patriot, por mbështeta kryeministrin në fushatë dhe ai më bën favore.
    Jam patriot, po vjedh punën e tjetrit.
    Jam patriot, por punët për ristrukturimin e shkollës i bëra me materiale skarco.
    Jam patriot, por u bëra i pasur duke fryrë kostot e ndërtimit të rrugëve shqiptare.
    Jam patriot, por trafikoj çdo gjë.
    Jam patriot, por materialet e fabrikës time i hedh te lumi i Ishmit.
    Jam patriot, por nuk e kam problem t’u jap çfarë të kërkojnë grekërit.
    Jam patriot, por nuk më intereson se çfarë ndodh jashtë shtëpisë time.

    Shqipëria është apartamenti im 200 metra katrorë në këtë shumëkatëshin në qendër të Tiranës.
    Patriotë të çuditshëm ne shqiptarët, të edukuar me një shije të mbrapshtë e një admirim të çka na dëmton. Shumë punë i kemi bërë keq të gjithë e pa na u dridhur syri të parët ngrihemi e flasim për patriotizëm, ne, vendi me natyrë kaq të bukur në Evropë, e kaq i keqtrajtuar. Do të jemi vërtetë patriotë kur të mos kemi nevojë ta themi, por ta tregojmë me punën tonë.
    http://bw.balkanweb.com/periferi/269...ote-12438.html

  7. #297
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    Rritet arra nën fik?
    MIMOZA BOÇARI | 11/09/2010
    Shekulli
    Në pushimet e verës këtë vit mu desh të bëja kurën e rigonit. Kura e çajit të rigonit bëhet kur të zë diarreja. Në verën e këtij viti, diarrenë e kam peshqesh nga plazhi i Golemit. Më kishte marr malli ta shihja. Në rini kam kaluar shpesh pushimet atje dhe kisha mbi 20 vjet pa e parë. Bregu i gjatë midis pishave dhe detit nuk ekzistonte më.

    Kur bënim plazh në rininë tonë shtriheshim mbi rërë direkt dhe e vetmja papastërti ishin bishtat e cigareve. Kur kishim etje luanim këmbët dhe blinim një aranxhatë tek klubet, nën plepa hanim bukën me djathë e domate, që e mbështillnim me gazetë dhe e futnim në një çantë, që e çonim prapë në shtëpi.

    Kishim varfëri, por kulturë dhe pastërti. Pushuesit e sotëm shtrihen mbi shezlongë që janë rreshtuar si bateritë e pulave që bëjnë vezë.

    Disa hotele, përdorin dyshekë sfungjeri që mbledhin bakteret e trupave për t'i dhuruar më tutje. Këta lloj pushuesish konsumojnë gjithë ditën ushqimet që marrin me vete, plus çka blejnë nga shitjet ambulante, - dhe kur largohen nga bateritë e shezlongëve mbetet një mal me mbeturina konsumi që mbyste çdo pamje tjetër të plazhit.

    Deti ishte thuajse bosh. Ata pak që laheshin në breg duhet të ishin të llojit të supernjeriut që nuk sëmureshin dhe nuk ndjenin erën e kanaleve të ujërave të zeza që derdheshin në det. Atje ku isha unë, derdheshin ujërat e biznesit të deputetit socialist, Sadri Abazi. Të shtatë pallatet e tij të ndërtuara tek "XIXA" nuk kishin gropa septike. Kudo ndjehej parfumi i fekaleve.

    Në banja dielli të dukej vetja si në mes të pazarit. Tregtarë endacakë në piskun e vapës shesin fara, qepë, groshë, fruta, deri tek çarçafët dhe fustanet. Mesatarisht, dëgjoje 40 oferta brenda orës. Një nga shitësit ambulantë këndon: "Shqipëria po ndryshon, as po vdes as po shpëton."
    Në buzë të detit patrullon Policia Kufitare me një "fuoristradë".

    Pyetjes sime se ç'kërkonin në bregdet (aty ku njerëzit bëjnë plazh nuk ka pse kalon makina) polici (makina në atë kohë kish ndaluar para anijes së mbytur, skeleti i ndryshkur i së cilës ka vite që prehet 5 m larg bregut), më tha se policia kufitare patrullon në rërën e plazhit dhe ruan se mos niset ndonjë motobarkë në drejtim të Italisë dhe në këto raste ai merr në telefonon kufirin nga makina patrullë në rërën e plazhit.

    Disa minuta më pas, si për dreq, pranë nesh kaloi një barkë me motor. Pashë nga polici, por nuk pashë telefon gjëkundi. Më tha se "deri këtu tek vapori i takonte Durrësit, varka ishte tek zona Kavajës, që nuk i takonte atij...". Dhe nuk mori në telefon.

    Kjo jetë plazhi shoqërohej nga muzika që nuk njeh orar. Ajo vinte prej karrocave të shitësve endacakë, lokalet dhe altoparlantët në çatitë e hoteleve. Shumica, muzikë popullore e veriut dhe këngë kosovare. Edhe netët e bukura me hënë, kur deti përkëdhelte bregun shoqëroheshin nga sonata me çifteli dhe simfonitë popullore.

    "Or shoq' t'u knoqte shpërti..." Enveri u mundua shumë të kultivonte muzikën popullore, i preu të gjitha burimet e dëgjimit të muzikës evropiane, amerikane, na futi edhe në burgje, por nuk pati kaq sukses, sepse ne majë antenave ngelëm... Saliu, o zonja e zotërinj i la të gjitha të lira dhe ja rezultati: atë që mbolli Enveri e korri Saliu.

    Shko në këto plazhet si i mësipërmi sot dhe dëgjon vetëm muzikë popullore, nga çiftelia e Malësisë e deri tek... çiftelia e Malësisë. Kjo po, që është strategji... As dialekt vendas nuk më kapi veshi gjëkundi në Gjirin e Durrësit, me përjashtim të shitësve endacakë që u janë bashkuar tani armatës së shitësve romë...

    E jo vetëm aty... Kur kërkoja një adresë për të pushuar në Borsh, në çdo dy vendas, një fliste më dialekt "malokçe", - siç thuhet rëndom. Bisedova me një prej tyre, dhe e pyeta, a i printe klima këtu në bregdet, më tha se s'ndjehej mirë, sepse nuk rritet arra nën fik. - I thashë se kish të drejtë se arra e ka vendin në mal, në det o duhet të pjellë fiq ose të thahet. - Jo mor shoq, ma ktheu, kena me ba na, fikun me pjell arra...

    Po mirë, do thotë ndokush, ç'të keqe ka sikur edhe e gjithë Shqipëria të flasë në këtë dialekt? Unë personalisht nuk e gjykoj njeriun as nga ngjyra, as nga prejardhja. Problemi im është "mentaliteti i malokut'', ose thënë ndryshe, ai mentalitet që i jep mundësi injorantit të luajë me ligjet. Ligji i pabazuar ose do të bjerë ose do të vendoset me dhunë.

    Unë kam zgjedhur demokracinë si sistem qeverisje dhe jo dhunën, prandaj jam kundra këtij regresi që sjell injoranca. Jam e interesuar që injoranca të shkollohet me mund dhe sakrifica dhe të mësojë të bëhet qytetare, sipas ligjeve të qytetarisë që janë zhvilluar gjatë eksperiencës shoqërore. Nuk jam kundra lëvizjes së lirë të popullsisë, por kjo lëvizje duhet të jetë e kontrolluar dhe e bazuar në nevojat e shoqërisë.

    Shoqëria kapitaliste që po ndërtohet prej 20 vjetësh në Shqipëri nuk ka baza ligjore kapitaliste, por ato të anarkisë dhe dhunës. Shoqëria kapitaliste ndërtohet në bazë të konkurrencës së lirë të bazuar në aftësitë individuale.

    Aftësitë individuale zhvillohen në bazë të shkollimit. Shkollimi fillon në klasën e parë dhe 8 klasat e para janë determinante. Ky "maloku'', që jo për fajin e tij, mori një shkollim të dobët nuk është si njeri më i keq se qytetari i shkolluar, ndoshta mund të jetë më i mirë, por i mungon arsimi dhe kultura.

    Ky nuk është problem, ndoshta, kur secili mban vendin që i takon, por ky mentalitet merr në duar shtetin, vendimmarrjen, etj., ndodh ajo që ka ndodhur me Shqipërinë. Sepse, ky mentalitet nuk drejton, por sundon. Sundimi është dhunë, dhe si pasojë nuk mund të ndërtohet më një sistem demokratik, përkundrazi, është pikërisht demokracia që dhunohet.

    Pushtimi i tokave të tjetrit në Shqipëri, në përgjithësi ka ndodhur nga mbartës të këtij mentaliteti. Madje, në Ksamil p.sh., zaptuesit prenë edhe të gjitha agrumet, baza e të ardhurave materiale dhe ushqim i popullit. Bregun e bukur të Ksamilit e pushtoi betoni. Të jenë këto janë "iniciativa popullore"?

    Unë nuk e besoj! Madje, aludoj që këto i kanë shërbyer konkurrencës së shteteve fqinje për turizmin. Qeveritë shqiptare nuk i shohin këto fenomene? Do të mendojë ndonjë lexues: "e kapi me qeverinë kjo tani, po gjërat e mira nuk i sheh kjo?" Po, i shoh. Ndryshimi është rrënjësor.

    Natyra e virgjër e Gjirit të Durrësit brenda 10 vjetësh është kthyer në një qytet turistik pa infrastrukturë. Themelet e këtij qyteti janë të futura nëpër gropa septike, ku dekompozohen fekalet.

    Me përgjysmimin e brezit të rërës ato do të filtrohen më shpejt në drejtim të detit. Në vitet që vijnë dhe këto 10 m breg që kanë ngelur do t'i hajë deti dhe qyteti i ri i plazhit do të kthehet një ditë në qytet lundrues. Pamja më befasuese është

    një pallat 20-katësh, i cili, në qoftë se do t'i rezistojë batimit, do të shërbejë si far i këtij qyteti. Të mos harrojmë ndërtimet e tjera pa distanca midis tyre, jashtë çdo standardi të ligjeve të urbanistikës. Gjiri i Durrësit tashmë u betonua.

    Pak më lart, në bregdetin verior u ngrit industria e çimentos. Thonë që rrugët po ndërtohen për zhvillimin e turizmit drejt Jugut. A, vërtet?? Edhe atje gjërat janë gati. Sipas planeve, në Vlorë do të bëhet porti më i madh i Adriatikut, TEC-i, do të ndërtohen mullinjtë me erë etj.

    Bregdeti i Vlorës, s'ka më vend ku të bëhet plazh, buza e detit është bllokuar me hotele e restorante parcela, parcela. Pastaj nga Dhërmiu e tutje janë tokat e blera nga greku dhe plani i Bankës Botërore që drejton dhëndri i Berishës dhe me kaq u mbyll kapitulli i ndërtimit të turizmit në Shqipëri.

    Po pra, i shoh ndryshimet... Madje, nuk kam ku ta filloj e ku ta mbaroj përshkrimin e ndryshimeve që kam parë.

    Jam e sigurt që kur pas 100 vjetësh të na fusin në Evropë, ajo do na shpallë shtet-muze të abuzimit, ose të krimit njerëzor me natyrën.
    Kjo erdhi për shkak të krimit me pronën. Këto 20 vite nuk mjaftuan për t'u kthyer pronat pronarëve autoktonë.
    Ata bien era qytetërim dhe po ta marrin pronën e tyre në dorë mund të bëjnë diçka për së mbari. Por, deri me sot iu dha mundësia hajdutit ta vjedhë, ta copëtojë, e ta shkatërrojë... Fuqinë e ka marrë elementi më negativ i shoqërisë.

    Mendon njeri se unë i shkruaj të gjitha këto për të sharë qeverinë? Kurrë! Qeveritarëve të Shqipërisë u them bravo, se gjetet shesh dhe bëtë përshesh. Më kujtohet gjithmonë fjala e Bismarkut gjerman që thotë, çdo popull ka qeverinë që meriton. E pra, unë nuk shaj qeveri, se e di që pyll pa derra nuk ka. Por, unë pyes nuk ka të tjerë ky pyll që Shqipëria zgjedh gjithmonë derrat për ta drejtuar?

    P.S. Kanë nisur të thonë se derri është kafshë inteligjente, madje aktorë të Hollivudit i mbajnë si kafshë shtëpiake... Po ne i zgjodhëm vetë derrat apo na i futën "aktorët" e mëdhenj botërorë?

  8. #298
    i/e regjistruar Maska e Ver
    Anëtarësuar
    23-07-2008
    Postime
    117
    Citim Postuar më parë nga Edvin83 Lexo Postimin
    Rritet arra nën fik?
    MIMOZA BOÇARI | 11/09/2010
    Shekulli
    Kur bënim plazh në rininë tonë shtriheshim mbi rërë direkt dhe e vetmja papastërti ishin bishtat e cigareve. Kur kishim etje luanim këmbët dhe blinim një aranxhatë tek klubet, nën plepa hanim bukën me djathë e domate, që e mbështillnim me gazetë dhe e futnim në një çantë, që e çonim prapë në shtëpi.
    Kishim varfëri, por kulturë dhe pastërti.
    Aman se me iken truri kur flitet per kulturen e madhe ne kohen e enverit. Ku ishte kjo kulture atehere, te aksionet vullnetare me detyrim? Se nuk kishte kulture atehere, prandaj nuk ka as tani!!

  9. #299
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    Citim Postuar më parë nga Ver Lexo Postimin
    Aman se me iken truri kur flitet per kulturen e madhe ne kohen e enverit. Ku ishte kjo kulture atehere, te aksionet vullnetare me detyrim? Se nuk kishte kulture atehere, prandaj nuk ka as tani!!
    Dhe tjetra eshte se atehere edhe mbeturinat ishin te pakta...

  10. #300
    i/e regjistruar Maska e Ver
    Anëtarësuar
    23-07-2008
    Postime
    117
    Citim Postuar më parë nga Edvin83 Lexo Postimin
    Dhe tjetra eshte se atehere edhe mbeturinat ishin te pakta...
    Mbeturinat ishin te pakta dhe vlonte dhe druni shpines po te beje numra ne prone publike. Jo se po i buronte shqiptareve nga zemra e nga veshet e nga b... kultura. Kulture prej frikes nuk eshte kulture. Dhe ja duken rezultatet tashti. Bejne mileti si te leshuar nga zinxhiri. Nuk ka burre nene ti reformoje. U cane sa televizori sa gazetat sa interneti sa shoqatat duke vene ne dukje elemente negative te sjelljes ne publik dhe njerzve nga nje vesh i hyn nga tjetri i del. Ka ca popuj qe vetem diktatura i sjell ne vete o vlla.

Faqja 30 prej 41 FillimFillim ... 20282930313240 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Esse dhe artikuj të muslimanëve
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 09-12-2010, 09:31
  2. "Dr. dituria"
    Nga Sabriu në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 18-12-2008, 06:32
  3. Guerilasit e LANC
    Nga Tannhauser në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 21-04-2007, 14:12
  4. Miti i 'tolerances fetare' në Shqipëri
    Nga Qafir Arnaut në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 33
    Postimi i Fundit: 05-08-2006, 05:26
  5. Debat mes anti liberalëve dhe liberalëve
    Nga liridashes në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 22-03-2005, 19:26

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •