Ndotet qëllimisht zona e bregdetit në plazhin e vjetër të Vlorës, prangosen tre persona. Pak ditë pas çeljes së sezonit turistik, bregdeti i Vlorës është ndotur nga nafta. Dje në mëngjes, në vendin e quajtur Kanali i Motorit, në zonën e Pyllit të Sodës, është hedhur në det një sasi e konsiderueshme nafte të papërpunuar. Sapo ka ndodhur ngjarja, shtresa e naftës ka dalë mbi sipërfaqen e ujit, duke alarmuar banorët e zonës përreth, të cilët sinjalizuan policinë.
Nga hetimet paraprake mësohet se ka qenë firma "Arkan Junior" ajo që hedhur naftën në det. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se firma e ka marrë mbetjen e naftës nga anija "Guildo" që transporton karburantin e papërpunuar nga Shqipëria për në Kanada dhe i ka shkarkuar në mënyrë të paligjshme në kanalin që lidh hidrovorin me detin, duke shkaktuar një dëm të madh mjedisor.
I njëjti burim bën të ditur se si pasojë e derdhjes në mënyrë të paligjshme të mbetjeve të naftës është ndotur deti, duke ndikuar në florën dhe faunën e tij. Mësohet se në ujërat e Adriatikut janë zbrazur rreth 60 tonë lëndë ndotëse, konkretisht tre autobote me naftë bruto, duke ndotur në një shkallë të lartë jo vetëm bregun e detit, por edhe thellësinë e tij.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se tre persona janë ndaluar si përgjegjës për derdhjen e naftës në plazhin e Pyllit të Sodës në Vlorë. Genis Mëhilli, administrator i firmës "Arkan Junior", si dhe shoferët Florian Çeçi dhe Mikel Gjini, pasi janë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Vlorës, janë vënë në pranga nën akuzën e ndotjes së ujërave në bashkëpunim.
Arrestimi i tyre është bërë pasi nga hetimet paraprake ka rezultuar se këta shtetas kanë derdhur në mënyrë të qëllimshme mbetjen e naftës, për të shkaktuar një dëm mjedisor. Mësohet se deri tani janë bllokuar katër autobote, të cilat kanë kryer derdhjen e hidrokarbureve (naftë e vaj) të anijes "Guildo" në plazhin e Pyllit të Sodës. Mbi tre shtetasit rëndon akuza e ndotjes së ujërave e kryer në bashkëpunim, vepër kjo e parashikuar nga nenet 203 e 25 të Kodit Penal.
Nga këqyrja e vendngjarjes rezultoi se mbetjet e naftës kanë krijuar një shtresë të konsiderueshme mbi ujë, që arriti një trashësi prej 4-5 centimetrash. Ndotja ndodhi fare pranë zonave të banuara, për më tepër në breg të detit nafta ka shkatërruar florën dhe faunën e kësaj zone.
Firma "Arkan Junior" deklaroi se në total ka pasur rreth 680 tonë mbetje për të zbrazur. Në këtë zonë është e ndaluar që të derdhen mbetje karburantesh, pasi zona përdoret për plazh. Grupi hetimor i ngritur posaçërisht për këtë rast, i cili kryesohet nga zëvendësprokurori i Rrethit Gjyqësor Vlorë, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të dëmit. Sipas burimeve konfidenciale brenda Policisë së Vlorës priten të tjera shoqërime dhe arrestime. Ndotja ka ndodhur shumë pranë portit të ri të petroliferës, që u përurua dje paradite. Shiritin e përurimit e ka prerë Kryeministri Berisha dhe presidenti i grupit PIR, Guido Ottolenghi.
Reagimi
Berisha: "Ndotja
është e qëllimshme"
Kryeministri Berisha, i cili ka qenë dje në Vlorë, reagoi menjëherë pas lajmit për ndotjen e detit në zonën e Plazhit të Vjetër. Ai e ka cilësuar si veprim të qëllimshëm dhe të stisur: "Ky është i njëjti veprim dhe stisje, që u bë me ‘vjedhjen‘ e orës së Presidentit Bush", u shpreh Kryeministri Berisha në takimi inaugurues të Petroliferës. Më tej, kreu i ekzekutivit e cilësoi si një veprim të stisur, që vlonjatët të mendojnë se Petrolifera po ndot detin në Vlorë. "Vlonjatët duhet të dinë se ky është impianti më modern në gjithë Mesdheun dhe me parametra bashkëkohore dhe tepër i sigurt. Përgjegjësit janë identifikuar dhe tashmë janë arrestuar", vijoi më tej Kryeministri.
Krijoni Kontakt