Do presim 311 ha pyll, të ndërtojmë fabrikë çimentoje
| 24/06/2010 | Komente | Shekulli
Qeveria miratoi shpyllëzimin me qëllim ndërtimin e një fabrike çimentoje dhe tullash në Krastë të Krujës të 311.2 hektarëve tokë. E gjithë sipërfaqja do të hiqet nga Fondi Pyjor Kombëtar.
Në fakt, vendimi i marrë dje ka të bëjë me propozimin e disa ndryshimeve në marrëveshjen e lidhur midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë që do të ndërtojë fabrikën. Bëhet fjalë për rritjen e sipërfaqes pyjore që i vihet në dispozicion investitorit për ndërtimin e fabrikës dhe sigurimin e lëndës së parë.
Në marrëveshjen e miratuar në dhjetor të vitit 2007, kompanisë i ishte ofruar një sipërfaqe prej 194.87 hektarësh tokë, ndërkohë që me vendimin e djeshëm kemi një rritje të saj me plot 166 hektarë të cilat do të hiqen nga fondi pyjor i kësaj zone.
Nga e gjithë sipërfaqja, 11.85 hektarë do të përdoren për ndërtimin e fabrikës së çimentos dhe tullave të lehtësuara, 251 hektarë do të shfrytëzohen për nxjerrjen e gurit gëlqeror për lëndë të parë, rreth 30 hektarë janë parashikuar të përdoren për nxjerrjen e argjilës, ndërsa 18.4 hektarë do të jetë sipërfaqja në të cilën kompania do ta përdorë për sigurimin e rërës.
Sipas hartave që ofrohen në tabelat përkatëse, e gjithë sipërfaqja që parashikohet të shpyllëzohet është e veshur me shkurre dhe drurë të ulët, ndërkohë në ligj ekziston edhe një klauzolë e cila përcakton se brenda një afati pesëvjeçar kompania duhet të mbjellë me pemë një sipërfaqe të barabartë me atë që është shpyllëzuar.
Gjatë viteve të fundit, qeveria ka dhënë një serë lejesh për ndërtimin e fabrikave të çimentos dhe tullave, të vendosura kryesisht në pjesën veri-perëndimore të vendit. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Rregullimit të Territorit, e cila daton fiks një vit më parë, u miratua ndërtimi edhe i katër fabrikave të tjera të çimentos. Projektet e miratuara një vit më parë nga KRTRSH-ja parashikojnë ndërtimin e fabrikave të çimentos në Balldren dhe Droje të Lezhës, Bushat të Shkodrës dhe Nikël të Krujës.
Momentalisht çimento prodhohet në Elbasan dhe Fushë-Kruje. Por, po në njëjtën zonë Fushë-Krujë-Lezhë, janë duke u ndërtuar edhe katër fabrika të tjera për prodhimin e çimentos. Në total, përfshirë edhe ato që tashmë kanë filluar nga prodhimi, numri total i projekteve të miratuara dhe fabrikave të çimentos në vend arrin në dhjetë të tilla. Por, miratimi i një numri të madh projektesh për ndërtimin e fabrikave të çimentos ka shkaktuar indinjatën dhe reagimin e grupeve ambientaliste të cilët kanë dhënë alarmin për ndotjen e madhe që këto vepra do t'i shkaktojnë ambientit.
Zona mbi Fushë-Krujën është një ndër më problematiket për sa i përket dëmtimit të mjedisit për shkak se kodrat përdoren për nxjerrjen e lëndës së parë. Krahas kësaj, furrat e gëlqeres që prej vitesh ushtrojnë aktivitet në zonë kanë zhveshur një pjesë të konsiderueshme të kodrës.
Krijoni Kontakt