Ja zonat e helmuara ku jetohet
Y. Lezo | 05/05/2010 | Shoqeri |
PNUD publikon studimin "Identifikimi dhe Prioritizimi i Pikave të Nxehta Mjedisore në Shqipëri"
Zonat e helmuara po kthehen në hapësira banimi
Dy prej zonave më problematike janë në kryeqytet, Ndërmarrja "Dajti" dhe "Ish-Kinostudio"
"Në Shqipëri ekzistojnë të paktën nëntë pika mjedisore të nxehta", ky është përfundimi i një studimi të kryer nga UNDP. Studimi "Identifikimi dhe Prioritizimi i Pikave të Nxehta Mjedisore në Shqipëri", i cili u prezantua dje ka identifikuar si zona problematike jo vetëm ish-ndërmarrjet, të cilat kanë dalë jashtë funksionimit, por edhe zona të banuara apo edhe turistike.
Gjeografia e këtyre zona shtrihet në pothuajse të gjithë Shqipërinë dhe sipas përfaqësuesve të PNUD shumë shpejt do të nisë një plan rehabilitues, në mënyrë që ndikimi i tyre në mjedis të jetë sa më i vogël. Kjo për shkak se një pjesë e mirë e këtyre zonave janë të banuara. Një nga arsyet që përfaqësuesit e PNUD theksojnë për krijimin e këtyre vatrave, është edhe mungesa e një legjislacioni specifik për sa i përket zonave të nxehta mjedisore.
Kështu gjatë prezantimit të studimit, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Gulden Turkoz-Cosslett, e ngriti këtë shqetësim duke argumentuar se tashmë është aprovuar legjislacioni që ka të bëjë më Vlerësimin e Impaktit të Mjedisit, po akoma mbeten shumë boshllëqe për sa i përket mbrojtjes së tokës, ndotjes industriale dhe pronësisë së zonave të ndotura. "Kjo e fundit mbetet një problem domethënës, sepse mbetet pa përgjigje pyetja "Kush e ka në pronësi ndotjen?".
Ne tani përballemi me situata, në të cilat zonat historikisht të ndotura po kthehen në zona komerciale ose rezidenciale shpesh pa dijeninë e vendasve mbi situatën mjedisore atje", u shpreh ajo. Cila janë zonat më të nxehta?
Zona e Ish-Kinostudios, Tiranë
Në këtë pjesë të Tiranës, e cila aktualisht është nën administrimin e "Alba Film" është vënë re prania e një pluhuri të bardhë më përbërje merkuri që, sipas specialistëve, ka pasur një funksion të caktuar gjatë procesit të krijimit të filmave. Veç kësaj në godinat e rrënuara e gjysmë të rrënuara të Ish-Kinostudios janë gjetur edhe mbeturina të tjera, të cilat nuk klasifikohet aq të rrezikshme sa prania e merkurit, por që gjithsesi ndikojnë në cilësinë e mjedisit. Sipërfaqja që zë "Alba Film" është rreth 2 mijë metra katror.
Ndërmarrja "Dajti" në Tiranë
Në pjesën e pasmë të kësaj ndërmarrje është identifikuar një magazinë e kyçur, në të cilën janë depozituar rreth 750kg cianure. Kjo magazinë më një sipërfaqe prej 10 m2 prej shumë vitesh ka shërbyer si magazinë për substancat, të cilat ruhen në disa depozita metalike. Për shkak se cianuret kanë qëndruar për një kohë të gjatë pa lëvizur, gjendja e tyre fizike është e ngurtë, në formën e kristaleve të cianurit.
Shkrirësi i Ferrokromit në Elbasan
Problemet e identifikuara në këtë zonë kanë të bëjnë me mbeturinat e akumuluara gjatë një gjysmë shekulli punë të kësaj ndërmarrjeje. Në raport thuhet se mbeturinat e procesit të prodhimit gjatë viteve janë shpërndarë në zonën përreth metalurgjikut.
Analizat kimike në ujë kanë përcaktuar se uji është i ndotur. Për këtë arsye, specialistët kërkojnë që ky ujë, edhe pas procesit të rehabilitimit të mos përdoret si ujë i pijshëm apo për përdorime të tjera.
Dampa e Minierës së Gurit të Kuq, Liqeni i Ohrit
Në këtë zonë është gjetur një sasi e madhe hekur nikeli (Fe-Ni). Gjithashtu, në sipërfaqen e ujit të liqenit, si dhe në ekosistemin përreth janë gjetur substanca të dëmshme. Analizat e kryera tregojnë për një prani të madhe të hekurit. Liqeni i Ohrit është cilësuar nga UNESCO si pasuri ndërkombëtare, ndërsa hapësira e ndotur është rreth 3 mijë m2.
Fabrika e Baterive në Berat
Në këtë pjesë është evidentuar prania e baterive të shkrira dhe e produkteve të tjera që përdoren në ndërtim. Edhe në këtë zonë analizat sugjerojnë që uji është i ndotur dhe nuk duhet përdorur për tu pirë.
Fabrika e Tekstileve në Berat
Pas mbylljes së fabrikës në këtë zonë janë gjetur sasi të papërcaktuara amoniaku, si dhe substanca të tjera kimike të ruajtura në enë, të cilat janë prej një materiali të panjohur. Depozitat e helmeve janë të vulosura dhe nuk janë hapur asnjëherë që nga koha kur fabrika ndërpreu aktivitetin e saj.
Gjithashtu, në këtë zonë janë gjetur edhe fibra të asbestit. Prezenca e kësaj substance në këtë zonë është e dyshimtë për studiuesit, të cilët edhe pas analizave të kryera nuk kanë mundur të gjejnë arsyen e vendndodhjes së asbesit në këtë zonë.
Zona e Minierës së Përrenjasit
Në këtë zonë ndodhen rrënojat e ish-fabrikës, magazinat, vendet e mbledhjes se mineraleve si dhe boshte minash. Një nga shqetësimet që ngre raporti është fakti se pranë kësaj zone janë ndërtuar shtëpi. Analizat e kryera tregojnë për praninë e substancës së asbestit.
Ndërtesat e Minierës së Bitinckës, Korçë
Në zonën e ish-minierës janë gjetur sasi të mëdha mbeturina mineralesh, të cilat janë cilësuar si një burim potencial ndotjeje. Këto mbeturina, të cilat janë në formën e pluhurit kanë prekur ujin.
Dampa e Pesticideve në Rrëshen
Në këtë zonë është groposur një sasi e madhe pesticidesh, mes të cilave studimet nënvijëzojnë praninë e permanganatit të kaliumit. Edhe në këtë zonë analizat rekomandojnë mospërdorimin e ujit për shkak të ndotjes.
Krijoni Kontakt