Rikthehet Fatos Nano, negociata me PS-në dhe partinë e Petro Koçit
Shkruar nga Altin Sinani
e martë , 12 maj 2009
Të gjitha lëvizjet e mundshme të ish-kryeministrit dhe kulisat
Fuoristrada “BMW”, me targën TR 3007 N, që ka më se javë që lëviz nëpër Tiranë, nuk tregon thjesht se Fatos Nano ka ardhur në kryeqytet për një pushim të shkurtër nga Vjena ku jeton prej muajsh. Ai prej ditësh ka nisur takimet me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Burime pranë ish-liderit socialist bëjnë të ditur se ai ka pasur një bashkëbisedim të gjatë me kryetarin e Partisë Socialiste të Vërtetë ’91, Petro Koçin. Ndërkohë që vetë Koçi i pyetur nga “Tirana Observer” e mohoi të ketë pasur një takim me ish-liderin socialist. Ndërkohë po të njëjtat burime pranë ish-kryeministrit bëjnë të ditur se Fatos Nano mund të bëjë një deklaratë për mediat më datë 14 maj.
Pra, një ditë pasi Edi Rama të dorëzojë në kryesinë e Partisë Socialiste emrat e 140 kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 qershorit. Por burime nga selia rozë bënë të ditur mbrëmë se Nano është takuar edhe me disa deputetë socialistë, jo vetëm për të analizuar situatën parazgjedhore, por për të mësuar nëse ai do të jetë në listën e deputetëve të PS-së. Po ashtu mësohet se Nanos ka mundësi t’i ofrohet një vend për kandidat për deputet në qarkun e Vlorës. Ndërkohë zërat pyetës në Partinë Socialiste janë shtuar dhe bashkë me to janë shtuar edhe kërshëritë se ç'do të bëjë Fatos Nano, nëse nuk do të jetë në listën për deputetë të Partisë Socialiste. Cila do jetë e ardhmja e tij politike? Do ta mbyllë kaq shpejt karrierën në politikë, pa mbushur ende 57 vjeç? Apo ëndrra e tij në sirtar ka qenë, është dhe do të mbetet Presidenca? Ky pyetësor është më se normal për këdo. Do krijojë lëvizje kundër Edi Ramës apo do bashkëpunojë me Petro Koçin dhe Ilir Metën, apo do të ndërmarrë një nismë tjetër, apo vetëm do të heshtë? Gazeta "Tirana Observer" boton sot pesë skenarët që mund të ndjekë lideri historik i Partisë Socialiste.
Variantet
Varianti i parë lidhet me faktin se ish-kryetari i PS-së mund të ketë emrin në listën prej 140 emrash për kandidatë për deputetë. Madje emri i tij mund të jetë në një qark të sigurt, në krye të listës dhe fitues pa ndonjë sforcim. Ky është edhe varianti më i mundur për t'u ndjekur nga vetë Rama. Por një tjetër variant më i vështirë është që ai të mos ketë emrin në listë. Edi Rama, duke ndjekur sloganin e tij të preferuar në emrin e "politikës së re", nuk mund ta fusë fare Nanon në listë dhe ky i fundit ndoshta s'do të reagojë fare, dhe do të vazhdojë jetën e tij normale jashtë politikës. Por një variant tjetër, ndonëse ka lidhje me variantin e mësipërm, është që Fatos Nano të mos ketë emrin në listë, por të ketë një reagim të ashpër ndaj kryetarit aktual, Edi Rama. Ky reagim i tij, duke parë që Nano ka ende një mbështetje të madhe në elektoratin rozë, mund të bëjë që nga Partia Socialiste të rrjedhin shumë vota. Varianti më i vështirë është ai që ka lidhje me një bashkëpunim të tij me LSI-në e Ilir Metës. Ndonëse gjasat janë shumë të pakta, nuk përjashtohet si mundësi, që ai të bashkëpunojë një ditë me njeriun për të cilin ka deklaruar se ka investuar për të. Por ama ka shumë mundësi që ai të bashkohet me PSV-në e Petro Koçit. Pasi në këtë parti veç Koçit janë edhe shumë bashkëpunëtorë të shumtë të Fatos Nanos dhe ky i fundit do ta kishte të gatshëm një vend në listën e kandidatëve për deputetë të PSV’91.
Ëndrra presidenciale
Tashmë të gjithë e dinë që ëndrra e Nanos është të ulet në zyrën e Pallatit të Brigadave. Në këtë këndvështrim, varianti më i parapëlqyer i Fatos Nanos është ai i një "pazari" politik për të cilin ai ëndërron një post. Bëhet fjalë për 2012-n kur bëhen zgjedhjet presidenciale. Dikush mund të thotë se deri atëherë ka kohë. Por ja që dy vjet ikën dhe tre vjet ikin po ashtu. Nano do jetë 60 vjeç, një moshë pjekurie për një president. Pikërisht për këtë post ai do të jepte e lëshonte shumë.
Variantet e rikthimit
1. Varianti i parë lidhet me faktin se ish-kryetari i PS-së mund të ketë emrin në listën prej 140 emrash për kandidatë për deputetë. Madje emri i tij mund të jetë në një qark të sigurt, në krye të listës dhe fitues pa ndonjë sforcim. Kjo mund të bëhet edhe për faktin se Edi Rama s'ka përse ta ketë ferrë nëpër këmbë paraardhësin e tij. Dhe kështu ai i mbyll gojën. Por moralisht, ai mund të thotë që një ish-kryetar dhe një figurë kaq e rëndësishme në PS nuk kishte si ta përjashtonte. Madje burime nga selia rozë bënë të ditur mbrëmë, se Nano është takuar edhe me disa deputetë socialistë, jo vetëm për të analizuar situatën parazgjedhore, por për të mësuar nëse ai do të jetë në listën e deputetëve të PS-së. Po ashtu mësohet se Nanos ka mundësi t’i ofrohet një vend për kandidat për deputet në qarkun e Vlorës.
2. Varianti më i vështirë është që ai të mos ketë emrin në listë. Zemërimi i kryetarit aktual, Edi Rama, mund të jetë i tillë ndaj tij që të mos ia vendosë emrin në listën e 140 kandidatëve. Kjo me arsyen se vetëm kështu e certifikon Fatos Nanon si të larguar nga politika. Madje brenda këtij varianti është që edhe Fatos Nano të mos reagojë fare. Të qëndrojë larg politikës, larg medias dhe të gëzojë jetën në vilën rezidenciale 20 minuta larg Vjenës në Austri.
3. Variant tjetër, por që ka lidhje me variantin e dytë, është që Fatos Nano të mos ketë emrin në listë, por të ketë një reagim të ashpër ndaj kryetarit aktual, Edi Rama. Reagimin ta bëjë vetë, pa asnjë mbështetje nga forcat të tjera politike dhe kjo të jetë në unison me idenë e tij se, "e lashë partinë të dytën dhe tani mund të dalë e katërta".
4. Varianti i katërt dhe më i mundshmi ka lidhje me një bashkëpunim të tij me PSV-në e Petro Koçit. Gjasat për këtë bashkëpunim janë të shumta. Ndërkohë nuk përjashtohet si mundësi që ai të bashkëpunojë një ditë me njeriun për të cilin ka deklaruar se ka investuar për të, pra me Ilir Metën. Kjo në fakt do ta rriste fuqinë e Nanos dhe në pamje të parë edhe të Metës. Por shumë njerëz i shikojnë më shumë të ndarë se të bashkuar ata të dy.
5. Varianti më i parapëlqyer i Fatos Nanos është ai i një "pazari" politik për të cilin ai ëndërron një post. Bëhet fjalë për 2012-n kur bëhen zgjedhjet presidenciale. Dikush mund të thotë se deri atëherë ka kohë. Por ja që dy vjet ikën dhe tre vjet ikin po ashtu. Nano do jetë 60 vjeç, një moshë pjekurie për një president. Pikërisht për këtë post ai do të jepte e lëshonte shumë. Kush ia afron këtë lloj "pazari", Nano është gati të futet në aksion. Ndoshta Edi Rama, por edhe LSI me Ilir Metën e dinë këtë mendje, prandaj i kanë bërë llogaritë edhe me këtë.
tirana observer
Krijoni Kontakt