“Kufiri”, zbardhet nisja e negociatave me Greqinë
» Dërguar më: 12/11/2009 - 10:15
Tedi Blushi
Negociatat zyrtare me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar filluan 21 ditë pasi Kuvendi shqiptar shfuqizoi bazën ligjore që përcaktonte kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Në datën 20 mars 2008, ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bokojanis zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Në takimin me homologun e saj, Lulzim Basha një nga temat kryesore të bisedimeve ka qenë pikërisht marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar. Një fakt i tillë është konfirmuar nga të dy ministrat në konferencën e përbashkët për shtyp që zhvilluan në përfundim të këtij takimi. Në faqen zyrtare në internet të Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, deklaratat e Bashës dhe Bakojanis janë fshirë. Aty jepet vetëm njoftimi i thatë i takimit dypalësh dhe nuk shkruhet asnjë rresht për çështjen e kufirit detar. Ndërkohë, në faqen zyrtare në internet të Ministrisë së Punëve të Jashtme greke këto deklarata janë botuar të plota. Konkretisht, kreu i diplomacisë shqiptare lidhur me këtë çështje është shprehur se, “ne diskutuam për hapat që duhen hedhur lidhur me mbledhjen e komisioneve të të dyja vendeve për ndarjen e zonave përkatëse detare të shelfit kontinental dhe ramë dakord që këto komisione të mblidhen së shpejti”. Nga ana tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis shkoi më larg në deklaratën e saj duke specifikuar se, për fillimin e negociatave dypalëshe për përcaktimin e kufirit detar ishte rënë dakord të zhvilloheshin në muajin prill të po atij viti, pra 2008. “Sikundër u shpreh edhe ministri i Punëve të Jashtme, z.Basha ne ramë dakord që në muajin prill ekspertët e të dy vendeve të mblidhen për të diskutuar delimitimin e shelfit kontinental midis Greqisë dhe Shqipërisë”.
Etapat drejt negociatave
Në datën 24 janar 2008, legjislativi miratoi me 86 vota pro dhe asnjë kundër projektligjin e propozuar nga qeveria “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”. Në datën 11 shkurt 2008, Presidenti i Republikës, Bamir Topi e dekretoi ligjin, i cili u botua në Fletoren Zyrtare, dy ditë më vonë, respektivisht në datën 13 shkurt 2008. Për shkak se neni 54 i ligjit sanksiononte hyrjen në fuqi të tij 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ai mori formë ligjore në datën 29 shkurt 2008. Pra, 21 ditë pasi kishte hyrë në fuqi shfuqizimi i bazës ligjore që përcaktonte kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë, ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bokojanis zhvillon vizitën e saj zyrtare në Tiranë. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Bashën, krerët e diplomacisë së të dy vendeve pohuan publikisht fillimin e negociatave për përcaktimin e kufirit detar.
1 vit negociata
Enigma se kur filluan zyrtarisht negociatat shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar merr fund. Ato kanë filluar në muajin prill të vitit 2008 dhe kanë përfunduar në 26 prill të këtij viti, kur zyrtarisht Basha dhe Bakojanis nënshkruan zyrtarisht në Tiranë marrëveshjen dypalëshe “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
Deklaratat kontradiktore
Në harkun kohor të një jave, qeveria shqiptare ka dhënë tre versione të ndryshme lidhur me periudhën kur kanë filluar negociatat me Greqinë për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar mes dy shteteve. Në datën 16 tetor, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi gjatë një konference të improvizuar për shtyp se negociatat dypalëshe kishin filluar në vitin 2006. Në cilësinë e kryenegociatorit të palës shqiptare ai pretendoi se, “kërkesa e palës greke për t’u angazhuar në këtë ushtrim ka ardhur në vitin 2006, pas publikimit në një të përditshme shqiptare të një harte e cila tregonte se ku po eksplorohej me shpresën për të gjetur naftë në bregdetin shqiptar”. Sipas Hoxhës, “bisedimet mund të konsiderohen se janë zhvilluar në harkun kohor 2006*2009”. Gjashtë ditë pas kësaj deklarate, pra në datën 22 tetor, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta i ftuar në emisionin ‘Top Story’ të gazetarit Sokol Balla u shpreh se, ishte i painformuar për kohën e saktë të fillimit të këtyre negociatave. “Çështja e hapjes së këtij problemi ka ardhur natyrshëm. Nuk di të them me saktësi kohën kur kanë filluar negociatat, por di që ngacmimi kryesor ka qenë publikimi i një lajmi se kompania ‘Med Oil’, e licencuar nga qeveria shqiptare, do të bënte kërkime në det për burime nafte”, - u shpreh Meta. Por, një tjetër version dha dy ditë më parë ish-kreu i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha. I ftuar në emisionin ‘Kontrast’ të gazetarit, Pandi Gjata ai deklaroi se, “negociatat për marrëveshjen e përcaktimit të hapësirës detare mes dy shteteve tona kanë filluar në mars të vitit 2008 dhe janë mbyllur në prill të këtij viti, me siglimin e kësaj marrëveshjeje në Tiranë nga ministrat e Jashtëm të të dy vende, pra nga unë dhe homologia greke, Bakojanis”, - u shpreh ai.
gsh.
Krijoni Kontakt