
Postuar më parë nga
Edvin83
Kushtetuesja rrëzon paktin e ujrave me Greqinë
TIRANE- Gjykata Kushtetuese rrëzon marrëveshjen e ujrave detare me Greqinë. Vendimi është marrë mbrëmjen e sotme rreth orës 20:30, ndërsa detajet mbeten ende mister. Gjykata Kushtetuese e përbërë nga 9 anëtarë ka pranuar kërkesën që Partia Socialiste depozitoi rreth 3 muaj më parë për të pezulluar marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe shtetit fqinj.
Lajmi është bërë i ditur nga burime të sigurta të NEWS24, ndërsa pritet që vendimi të publikohet zyrtarisht gjatë ditës së nesërme.
Skandali i faljes së ujrave të Jonit, u zbulua nga televizioni News24 dhe Gazeta Shqiptare. Pas investigimeve të njëpasnjëshme, u vërtetua me fakte se marrëveshja e firmosur gjatë vizitës së kryeministrit grek Karamanlis në Shqipëri, shkel sovranitetin kombëtar duke i dhuruar hapësira detare vendit fqinj.
Në studimin e publikuar të Kolonelit Myslym Pashaj sqarohet se si marrëveshja ndërpret në mënyrë tërësore, të drejtën e Shqipërisë për një pjesë sovrane në ngushtesën e Otrantos, cënimin e detit shtetëror dhe hapësirës së afërt vijimore, si dhe hapësirës së veçantë ekonomike.
Pas këtyre publikimeve shpërthyen reagimet e menjëhershme të shqiptarëve nga e gjithë bota, përmes organizimit të peticioneve online kundër ratifikimit të marrëveshjes në Parlament.
Pakti u miratua nga komisioni parlamentar i ligjeve me 25 shtator, ndërsa cështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese pas ankimimit të bërë nga opozita shqiptare. (e.n/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt