Vinçani: Marrëveshja me Greqinë shkel sovranitetin e Shqipërisë
» Dërguar më: 24/11/2009 - 13:15
Marrëveshja shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve shkel hapur sovranitetin kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Ky është konkluzioni që del nga një studim prej 42 faqesh i ish-zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare me gradën Gjeneral-Major, Armand Vinçani, aktualisht Senior Financial Analyst në Qendrën Mjekësore të NYU. “Gazeta Shqiptare” boton sot të plotë këtë ekspertizë, që në shumë pika përputhet me studimin e kolonelit në rezervë Myslim Pashaj.
DOKTRINA E SHTETIT GREK PËR DELIMITIMIN
Pas hyrjes në fuqi të UNCLOS dhe me humbjen e aftësisë vepruese në ujëra të hapura për shkak të marrëveshjeve të shumta, rrjedhojë e të cilave ishte edhe përcaktimi i Exclusive Economic Zone, shteti grek filloi të mendonte seriozisht për gjetjen e hapësirave ujore (sidomos kjo e rëndësishme për aktivitetin e peshkimit), rreth Dheut Kontinental të tyre. Greqia mbetet një mbështetëse e fortë emocionale e parimit të ekuidistancës (baraslargësisë), si metoda që duhet të aplikohet në delimitimin e shelfeve kontinentale. “Për sa i takon delimitimit me Shqipërinë, situata do të ndryshojë vetëm në pjesës veriore si dhe në disa zona të pjesës lindore të ishullit të Korfuzit. Për sa i përket pjesëve të tjera të bregut lindor të ishullit, vija e mesme është tashmë e aplikuar dhe zgjatimi eventual i ujërave territoriale të Greqisë nuk do të prekë situatën ekzistuese aty. Zgjerimi i ujërave territoriale të Greqisë do të zgjerojë në mënyrë të konsiderueshme zonën maritime nën kontrollin e saj, por nuk do të krijojë probleme me shtetet fqinje e konkretisht Italinë, Libinë dhe Egjiptin”.
OBJEKTIVAT E GREQISË PËR DELIMITIMIN ME SHQIPËRINË
“Bregdetet greko-shqiptare në krah të njëri-tjetrit janë përgjithësisht të rregullt, megjithëse ekzistojnë dhëmbëzime të vogla e të shkëmbyeshme me ngritje natyrore (p.sh, shkëmbinj të vegjël që dalin pak mbi sipërfaqen e ujit – shënimi im), të cilat mund të përdoren si ‘pika bazë’ për përcaktimin e drejtimit të përgjithshëm të bregdetit. Bregu lindor i ishullit të Korfuzit është i markuar nga një hark i madh që formon Gjiret e Ipsou dhe Krevatsoula. Përfshirja e këtij dhëmbëzimi. që mund të pajtohet me kërkesat e ligjit për mbylljen e gjireve juridike, n.q.s e përfshirë nga një vije prej 6.7 miljesh do të reduktonte distancën midis bregut shqiptar dhe vijës së mesme e matur nga kjo vijë përmbyllëse, jo më shumë se 1.6 milje. Megjithatë, nëse dy shtetet do të bihen dakord për një vijë të baraslarguar (ekuidistancë) nga vija më e cekët e brigjeve, ka shumë të ngjarë që dy nga ‘ishullecët’ më të mëdhenj grek, ai i Vidhos dhe Gouvinon, mund të përdoren si vija bazë për përcaktimin e vijës së kufirit”. Vështirësitë në arritjen e objektivave të mësipërm, shteti grek i shikonte para marrëveshjes në legjislativin shqiptar, që përcaktonte se deti territorial i ynë shtrihej prej bregut shqiptar dhe ishujve greke deri në mes të kanalit të Korfuzit. Për sa i përket detit territorial, pala greke konkludonte në atë kohe se kishte të njëjtat probleme si dhe me palën turke.
Për specialistët grekë nuk shihej e arsyeshme të vazhdohej me rregullin e vijës bazë (vija bazë është vija normale që fillon prej buzës/cekëtirës më të ulet të ujit). Aplikimi i sistemit të vijës së drejtë bazë, sidomos në gjiret e shumtë greke, do të demonstronte gatishmërinë e Greqisë për të aplikuar në favor të saj klauzolat e Konventës për Ligjin e Detit. Kërkesat për zbatimin e vijave të drejta dhe mbyllëse ekzistojnë për shumicën e bregdetit grek, që është tejet i dhëmbëzuar dhe në shumë vende i skajuar nga ishuj të shumtë. Përdorimi nga Greqia i këtyre specifikave të saj për të ndërtuar një sistem të vijave të drejta bazore, do të përfshijë sipërfaqe të gjera ujore.
KONKLUZION
Flota detare greke arrin të ruajë rolin historik të saj midis kombeve më të mëdha detare. Kërkon të adoptohet jo vetëm ndaj konkurrencës në transportin detar për edhe ndaj kushteve të reja në nivelin ndërkombëtar. Ndryshimet në lëvizjen tradicionale të anijeve që kufizohen gjithnjë e më tepër për shkak të kodeve të ndryshme në zhvillim, e konventave (përfshirë edhe LOS), kërkojnë ndërhyrjen e shtetit grek në industri si dhe masa më efikase ndaj ulsës së fleksibilitetit në operacione. Greqia është e lidhur me oqeanet dhe përdorimin e ujërave detare për qëllime politike, ekonomike, sociale dhe mbrojtje kombëtare strategjike. Referencat kryesore për sa më sipër janë “Greqia dhe Ligji i Detit”, Instituti i Egjeut i së Drejtës Detare dhe Ligjit Maritim, ISBN 90-411-0394-5; “Kufijtë Detare dhe Burimet Oqeanike”, botuar nga Gerald Blake, ISBN 0-389-20726-8; “Kundërshtesa Maritime në Egje dhe Ligji Ndërkombëtar”, Ycel Acer 2003, Library of Congress – Cataloging ISBN 0-7546-2273-8.
SHTETI SHQIPTAR NË TË NJËJTAT KONSIDERATA
1. Doktrinë për delimitimin – JO.
2. Analizë politikë, gjeo-strategjike dhe ekonomike që do të drejtonte veprimtarinë në delimitimin e kufirit detar – JO.
3. Ligj kombëtar – JO.
4. Objektiva - “AS FITORE, DHE AS HUMBJE”.
5. Analiza/qëndrime profesionale e reflektuar në literaturë - JO
6. Transparencë - JO (MUNGESË E HARTËS DHE MUNGESË E SISTEMIT ME KOORDINATA TË VIJAVE NORMALE DHE TË DREJTA BAZË).
ZBATIMI SHABLLON I PARIMIT TË BARASLARGËSISË KA SJELLË MOSBARAZI NË DELIMITIM
Përllogaritjet e hartografëve të pavarur tregojnë se Shqipëria ka humbur dukshëm sipërfaqe deti. Nëse lihen kufijtë e fiksuar në marrëveshjen, 1 km vijë bregore shqiptare përfiton 10.2 km2 ujëra detarë dhe shtratdet kontinental, ndërsa 1 km vijë bregore e Republikës së Greqisë përfiton 17.2 km2 ujëra detarë dhe shtratdet Kontinental. Arsyeja kryesore që sjell mosbarazinë duke zbatuar parimin e baraslargësisë, qëndron në kushtet ideale të Greqisë, që përkon me një numër relativisht të madh ishujsh, gjiresh, shkëmbinjsh dhe dhëmbëzime të tjera, analiza e të cilave nuk është bërë ose nuk është konsideruar nga pala jonë, por është pranuar rezultati i saj.
EVOLUIME DHE KONSIDERATA PLOTËSUESE PËR PARIMIN E BARASLARGËSISË
Në Konventën e Gjenevës (1958), parimi i baraslargësisë ishte i detyrueshëm të përdorej, me përjashtim kur bihej dakord midis palëve për një mënyrë tjetër apo kishte tituj historikë e rrethana të tjera. Roli i kësaj metode u zvogëlua ndjeshëm nga Gjykata Ndërkombëtare (ICJ) dhe Gjykatat e tjera të Arbitrazhit. Në shumicën e rasteve të gjykuara është deklaruar se parimi baraslargësisë nuk është detyrim ligjor, por thjesht një metodë midis të tjerave dhe asnjëherë nuk është konsideruar pjesë e praktikës së ligjit ndërkombëtar, që luan rolin më të madh në procesin e delimitimit. “Shkatërrimi” i Baraslargësisë shkoi aq tutje, sa ai u zhduk nga teksti i Artikullit 74 dhe 83 të Konventës së 1982 (LOS) dhe mbeti vetëm në Artikullin 15 (vetëm për detin shtetëror). Plotësim figurativ i konceptit të mësipërm nëpërmjet një shembulli që tregon më së miri pse baraslargësia shpesh çon edhe në pabarazi të tejskajshme nëse zbatohet verbërisht:
NËSE KONVENTA ZBATOHET SHABLLONISHT NË DETIN EGJE
Në 1936 Greqia shtriu ujërat territoriale deri në 6 nm. Kjo bëri të mundur që ujërat territoriale greke mbulojnë 43.5% të Detit Egje, ndërsa ato turke vetëm 7.5%. Nëse ujërat territoriale do të bihen në 12nm (sipas Konventës), atëherë 71.5% do të jetë në sovranitetin e Greqisë dhe 8.7% në atë të Turqisë. Në këtë rast, ujërat e hapura (high sea) do të reduktoheshin nga 49% në 19.7%. Nëse të dy vendet shkojnë më tej dhe vendosin Exclusive Economic Zone, hapësira e mbetur (19.7%) do të binte tërësisht në juridiksionin e Greqisë. Kjo është arsyeja pse shteti turk ka deklaruar që shtrirja e ujërave territoriale në 12 nm do të krijonte a casus belli. Natyrshëm lind një pyetje: Ç’do të ndodhte nëse një ekip negociatorësh për palën turke zbatonte në mënyrë shabllone parimet e Konventës dhe arrinte në një marrëveshje të tillë, që e delimitonte kufirin detar me rezultatin e përshkruar më sipër?
GJIRI I SARANDËS
Marrëveshja e konsideron Gjirin e Sarandës nga Kepi Denta tek Kepi Paladha, dhe kjo mbështetet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Konsiderata e mësipërme bën që testi për gji të mbyllur të dështojë (nuk plotëson kriterin e gjysmë-rrethit). Historikisht, Gjiri i Sarandës ka qenë vazhdimi prej Kepit të Qefalit deri tek Kepi i Stillos. Ajo çka marrëveshja përkufizon si Gji të Sarandës është vetëm rada e brendshme, duke lënë jashtë radën e jashtme të gjirit. Sipas marrëveshjes, edhe kriteri historik për këtë gji bie, sepse nuk plotësohen sa më poshtë:
- Shteti shqiptar duhet të ketë ushtruar sovranitetin mbi gjirin për shkak të domosdoshmërisë (një vend i vogël gjeografikisht edhe mund të mos e kishte domosdoshmëri???).
- Shteti shqiptar duhet të ketë ushtruar sovranitetin në shekuj (a nuk e kanë ushtruar paraardhësit tanë Ilirët apo Pellazgët???).
- Qëndrimi i shteteve të huaja ndaj një pretendimi (historik) duhet të gjejë përgjigje tolerante dhe të pëlqyeshme (kur s’jemi vetë të tillë si mund të presim të jenë të tjerët???).
- Gjiri duhet të deklarohet si i tillë nga akte ligjore e t’i bëhej e njohur opinionit të huaj (a duhej ta kish bërë shteti një gjë të tillë apo...???).
- Duhet të tregojmë se kemi interesa vitale në atë zonë (vallë nuk kemi???).
OTHONOI MË I “FORTË” SE DHERAT KONTINENTALË
Me një sipërfaqe prej afërsisht 10.8 km², ky ishull i jep pikës 150 status të njëjtë si dhe brigjet anësore (Itali & Shqipëri). Pika 150 “fiton” det territorial, zonë vazhdimi dhe arrin të futet në Exclusive Economic Zone, e cila i takon ekskluzivisht Italisë dhe Shqipërisë. Pika 150 është në kundërshtim edhe me vetë marrëveshjen midis Italisë dhe Greqisë, sepse është më në veri të pikës së parë të përcaktuar prej saj. Një ndarje e tillë është krejtësisht artificiale, sepse ajo injoron faktorët aq të rëndësishëm si relievin e detit me tendencat ulëse apo ngritëse, morfologjinë dhe pozicionin gjeografik. Për këdo është krejtësisht e qartë se Othoni është pjesë e ishujve Joniane dhe bashkësisë së Korfuzit.
PSE NDODHI KJO ME OTRANTON?
Për shkak të:
- Përzgjedhjes së parimit të baraslargësisë.
- Moskonsiderimit të kërkesës së UNCLOS se në përcaktimin e vijave bazë të veçanta mbi bazën e interesave ekonomike, mund të merret në konsideratë realiteti dhe rëndësia, të cilat janë të evidentuara qartë prej përdorimit të gjatë…
- Moskëmbëngulja në faktin e njohur (Neni 47.5) se, “sistemi i vijave të tilla bazore nuk do të aplikohen nga një shtet arkipelag në atë mënyrë që të presë vijimin ndaj deteve të lartë ose Exclusive Economic Zone dhe Detit Territorial të ndonjë shteti tjetër. Dhe. Othoni është pjesë e bashkësisë së ishujve të Korfuzit. Përfundimisht: ndërpritet Exclusive Economic Zone dhe shtrati kontinental i Shqipërisë - sovranitet i kufizuar.
SI ËSHTË TRAJTUAR BARKETA?
Sipas marrëveshjes, ky “ishullec” është marrë si pikë kufizuese anësore, e fundme, e vijës së drejtë bazë që bashkon shkëmbinjtë te arkipelagut Serpa – Barketa – Kepi i Kasiopisë. Duke bërë ndarjen prej këtij bashkimi, vija e mesme është spostuar më në lindje të aksit të Ngushticës Veriore të Korfuzit, duke zbatuar përsëri në mënyrë shabllone përfshirjen e ishujve me vija të drejta. Të gjitha hartat historike detare pasqyrojnë se në konfigurimin e kufirit është konsideruar vija e mesme, që kalon midis Tignoson dhe Barketa. Hartat e lundrimit dhe rekordet e regjistruara në navigimin e anijeve angleze që u përfshinë në incidentin e Korfuzit në vitin 1946 tregojnë vijën ndarëse të treguar më sipër.
PARIMET E APLIKUESHME NË DELIMITIMIN E SHELFIT KONTINENTAL
(PARIMI I BARAZISË)
- Koncepti legal i barazisë është një koncept që emetohet drejtpërsëdrejti nga ideja e së drejtës dhe është pjesë e ligjit ndërkombëtar (ICJ, precedenti i vendosur në rastin Tunisi-Libi, paragrafi 71).
- Është elementi i fundit në gjithë procesin e delimitimit.
- Qëndron në “zemrën” e delimitimit të shelfit kontinental.
(KONCEPTI I PROPORCIONALITETIT)
- Në delimitimin detar do të thotë që të merren në konsideratë raporti midis ujërave dhe zonës së shelfit kontinental dhënë çdo pale dhe gjatësia e bregdeteve të tyre, si dhe rrethanave të tjera që kanë ndikim.
- Koncepti i proporcionalitetit në delimitimet detare u formulua nga Gjermania (në fakt, RFGJ), në rastet e Detit të Veriut.
- Ky koncept është theksuar në shumë raste nga Gjykata Ndërkombëtare (ICJ)
(PROPORCIONALITETI – më shumë detaje).
- Mbyll procesin e delimitimit me qëllim testimin e rezultatit për të parë nëse ai është i barabartë për të dy palët.
- Është kriter i aplikueshëm si për shtetet që ndodhen përballë njëri-tjetrit, po ashtu edhe ngjitur.
- Nëse vija e delimitimit ka prodhuar një vijë kufitare/ndarëse, sipas së cilës shtetet e interesuara marrin zona të shelfit dhe detit pak a shumë në mënyrë proporcionale me gjatësinë e bregdeteve të tyre, vija e delimitimit konsiderohet e përshtatshme/pranueshme.
(FAKT)
Ky test nuk është kryer në përfundim të marrëveshjes në fjalë. Ekspertët e ndryshëm (jashtë grupit negociues), kanë argumentuar matematikisht se mosaplikimi i parimit të mësipërm ka çuar në favorizimin e palës greke dhe Shqipëria ka humbur hapësirat e saj ujore.
PËRFUNDIMET E TESTIT TË PROPORCIONALITETIT
Për zonën e Korfuzit:
* Raporti i brigjeve përkatëse (bregut tonë dhe bregut të Korfuzit e ishujve për rreth tij) është afërsisht i barabartë, 72:73 (km).
* Raporti i ujërave është afërsisht 1:1.25 (zona ujore për Shqipërinë është 650 km² dhe për Greqinë 830 km²).
Për zonën deri në brendësi të Otrantos (pikat 127:150):
* Me një vijë bregdetare afërsisht prej 116 km, Shqipëria merr rreth 1600 km² zonë ujore, ndërsa shteti fqinj me një gjatësi bregu prej afërsisht 73 km merr rreth 1500 km².
* Për 1 km vijë bregdeti, Shqipërisë i takon rreth 14 km² zonë ujore, ndërsa për të njëjtën gjatësi Greqisë i takon rreth 21 km².
TRANSPARENCA
Edhe pse u konfirmua se testi i proporcionalitetit nuk u bë në përfundimin e marrëveshjes për të parë nëse delimitimi kishte arritur në një rezultat pak a shumë të barabartë për të dy palët, përse nuk bëhet (pas marrëveshjes) për t’i treguar opinionit me fakte se sa të barabartë kemi qenë? Në të gjitha kushtet që përmendëm përgjatë këtij prezantimi që treguan disavantazhet për Shqipërinë në përdorimin e parimit të baraslargësisë, a mendon përsëri ekipi i marrëveshjes se ai parim në kushte të pabarabarta prodhoi rezultat të barabartë?
REKOMANDIME
- BARASLARGËSIA STRIKTE - të aplikohej në hapësirat ku bregdetet e Greqisë dhe Shqipërisë janë përballë dhe nuk ka karakteristika specifike që kërkojnë axhustimin (korrigjimin) e vijës së mesme. E tillë mund të konsiderohet zona në zgjatimin Ksamil - Porto-Palermo.
- BARASLARGËSIA E THJESHTËZUAR - duke neglizhuar disa nga pikat bazë në brigjet e të dy vendeve në mënyrë që të gjenerohet një vijë e baraslarguar me pak komplekse, ose duke neglizhuar disa pika në vijimësi aty ku vija e bregut paraqitet më e butë dhe pa dhëmbëzime. Në këtë mënyrë, vija e baraslarguar e projektuar do të ofrojë një zgjidhje më të barabartë për të dy palët. Kanali i Korfuzit (relativisht i rregullt në konfiguracion) mund të jetë një hapësirë e përshtatshme për këtë metodë, për shkak të ishujve dhe shkëmbinjve të pranishëm.
- BARASLARGËSIA E MODIFIKUAR – edhe kjo bazohet në parimin e baraslargësisë, por përbëhet nga segmente që lidhin pika, pozicioni i të cilave nuk është i baraslarguar në mënyrë strikte nga vijat e bazës të detit territorial për shkak të disa veçorive të tilla specifike si ishuj, shkëmbinj, objekteve të ndryshme të ngritura e të dukshme në kohën e zbaticës, dhe që nuk ju janë dhënë efekt ose ju është dhënë efekt i reduktuar.
gsh.
Krijoni Kontakt