Close
Faqja 31 prej 93 FillimFillim ... 2129303132334181 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 301 deri 310 prej 921
  1. #301
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Urdhri i Berishës për kufijtë detarë

    Urdhri i Berishës për kufijtë detarë

    » Dërguar më: 19/11/2009 - 12:32

    Tedi Blushi

    Ngritja e grupit negociator për përcaktimin e kufirit detar me vendet fqinje është bërë me urdhër direkt të kryeministrit Sali Berisha. “Gazeta Shqiptare” ka siguruar ekskluzivisht kopjen e këtij urdhri të lëshuar në datën 23 gusht 2007, dhe që për dy vjet me radhë është mbajtur sekret nga qeveria. Direktiva e Berishës që i hapi rrugën fillimit të negociatave me palën greke për përcaktimin e kufirit ujor në detin Jon, është bërë së fundmi publike nga Ministria e Punëve të Jashtme. Referuar këtij dokumenti, kryeministri Berisha urdhëron konkretisht “ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës, për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje. Grupi i punës ka për detyrë të përgatisë marrëveshjet për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje. Ai kryesohet nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në përbërje të ketë përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, Drejtësisë, e Brendshme, e Transportit, e Ekonomisë, e Mjedisit, e Punëve të Jashtme, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Instituti i Gjeografisë Ushtarake”. Mandej, kryeministri Berisha ka përcaktuar që në mbledhjet që do të zhvillohen me ekspertët e vendeve fqinje që kanë dalje në det, respektivisht Greqinë dhe Malin e Zi, të marrin pjesë edhe përfaqësues të Akademisë së Shkencave në përputhje me problematikën. “Titullarët e ministrive dhe të institucioneve të përcaktuara të paraqesin te kryetari i grupit të punës, brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi të këtij urdhri, emrat e përfaqësuesve të tyre”, - shprehet Berisha në fund të direktivës së tij. Të gjitha ministritë e ngarkuara për zbatimin e këtij urdhri brenda afatit pesëditor kanë përcaktuar përfaqësuesit e tyre në grupin ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental. Ekspertët e ngarkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë qenë Sekretari i Përgjithshëm, Ferit Hoxha, Ledia Hysi, Drejtore e Çështjeve Juridike dhe të Drejtës Ndërkombëtare, si edhe dy specialiste në çështjet juridike dhe rajonale, Suela Ibrahimi dhe Enkeleda Mërkuri. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes vendosi të përfaqësohej nga Komandanti i Flotës Detare, Kristaq Gërveni; nënkomandanti i Flotës, Bektash Petoshati si edhe nga oficeri i shtabit për doktrinën, Agim Lleshi. Instituti i Gjeografisë Ushtarake vendosi të përfaqësohej me drejtoreshën, Miranda Zeka. Kurse Ministria e Drejtësisë, me specialisten e Drejtorisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Ana Shkëmbi. Ministria e Brendshme, me Drejtorin e Shërbimeve Operacionale në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, kryekomisarin Krenar Muço, ndërsa Ministria e Transportit, me shefin e sektorit në Drejtorinë e Politikave të Transportit Detar, Shkëlqim Xhaxhiu. Ministria e Ekonomisë përfaqësohej nga përgjegjësi i sektorit të Politikave Primare, Stavri Dhima. Ndërkohë Ministria e Mjedisit, me dy përgjegjësit e sektorit të ujërave, Skënder Hasa dhe Nihat Dragoti. Sa i përket Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, përfaqësuesit e zgjedhur prej saj ishin vetë drejtori Milo Kuneshka si edhe Drejtori i Departamentit të Hidrokarbureve, Fatbardh Ademi. Së fundmi Akademia e Shkencave përfaqësohej me tre ekspertë, Mitat Sanxhaku, Miriam Bogdani dhe Emirjeta Adhami.

    Negociatat me palën greke


    Marrëveshja e përcaktimit të kufirit detar me palën greke është negociuar nga 11 zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Por, pjesë e këtij grupi kanë qenë ekspertë të cilët nuk ishin ngarkuar më parë nga ministritë përkatëse. Konkretisht nga Ministria e Jashtme kanë marrë pjesë Gazmend Turdiu, Drejtor i Çështjeve Juridike Ndërkombëtare dhe Konsullore, si edhe Ilir Tepelena, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale. Gjithashtu nga Ministria e Mbrojtjes kanë marrë pjesë përgjegjësi i sektorit të hartave dixhitale, Anduel Cauli dhe ai i sektorit të fotogrametrisë, Ferdinand Berberi. Ndërkohë në grupin që negocioi me palën greke për ndarjen e kufirit ujor, rezulton se nuk u ftuan përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave si dhe Agjencisë së Burimeve Natyrore, Ministrisë së Ekonomisë, Mjedisit dhe të Transporteve.

    gsh.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #302
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Ujërat, synimet dhe përgjigjja që u duhet dhënë amerikanëve


    Ujërat territoriale, pse t'i ulim në 12 milje


    Shekulli | 18/11/2009 | Dossier |

    Relacioni i shtatorit 1989, i përgatitur nga katër specialistë shqiptarë pas notës së SHBA-ve


    Në pjesën e parë të këtij materiali, për qëndrimin e Shqipërisë ndaj presioneve të huaja për zvogëlimin e gjerësisë së detit territorial, zbuluam një dokument të 20 viteve më parë, që tregonte, se Shqipëria kishte vendosur kufijtë e saj detarë në ujërat territoriale, duke i çuar ato edhe 15 milje detare.


    Në qershor 1989, ambasada e SHBA-ve në Paris, me ndërmjetësinë e ambasadës Franceze, i çoi një notë qeverisë shqiptare, kundër kufirit 15 milje detare të ujërave territoriale, ku tregohet se Uashingtoni ishte i shqetësuar për kufirin e ujërave territoriale të Shqipërisë, të vënë në mënyrë të njëanshme nga qeveria komuniste që në vitet '70, duke kërkuar uljen e tyre në 12 milje detare, sa ç'e parashikonte Konventa e Detit e vitit 1982.


    Ministri i jashtëm i asaj kohe, Reis Malile, informon qeverinë për notën e dorëzuar nga qeveria e SHBA-ve, duke zbardhur edhe tekstin e plotë të notës amerikane.


    Në vijim është relacioni i përgatitur në shtator 1989 nga disa specialistë shqiptarë, ku i sugjerohen disa hapa shtetit të drejtuar nga Ramiz Alia, duke propozuar edhe rrugët se si ky ndryshim, të mos duket si tërheqje përballë SHBA-ve, por si njohje jozyrtare të konventës së detit dhe duke logjikuar se ulja e gjerësisë nga 15 në 12 milje nuk do ta cenonte sigurinë dhe ekonominë e vendit.


    Relacion


    Për disa probleme të ngritura nga qeveria e SHBA lidhur me gjerësinë dhe rregjimin e ujërave tona territoriale

    Qeveria e SHBA, me anën e një note dorëzuar kohët e fundit nëpërmjet Ambasadës franceze, ka shprehur rezervat e veta për gjerësinë dhe regjimin e ujërave territoriale. Ajo konteston, si të pambështetura në të drejtën ndërkombëtare, çështjet e mëposhtme:
    a. Gjerësinë e ujërave tona territoriale përtej kufirit të 12 miljeve.
    b. Disa nga segmentet përbërëse të vijës bazë të bregdetit tonë (vijës ku fillon matja e gjerësisë së ujërave territoriale).
    c. Ndalimin e kalimit paqësor të anijeve të huaja ushtarake në ujërat tona territoriale.


    Shënojmë se, nuk është e para herë që një shtet i huaj shtron ndaj nesh probleme të tilla. Në vitin 1976, kur me dekretin nr.5384, datë 23.2.1976, Presidiumi i Kuvendit Popullor, e rriti gjerësinë e ujërave tona territoriale nga 12 në 15 milje detare, disa shtete shprehën rezervat e tyre.


    Por, kësaj here SHBA shtrojnë edhe dy çështje të tjera, atë të bazueshmërisë së vijës bazë, në përputhje me kërkesat e konventës për të drejtën detare dhe të kalimit paqësor të anijeve të huaja luftarake në ujërat territoriale.


    Është fakt, se SHBA nuk duan të njohin si ujëra territoriale, rripin tonë ujor prej 3 miljesh përtej kufirit të 12 miljeve (deri në 15 milje). Megjithëse nuk rezulton që këtë ta kenë shprehur në ndonjë dokument, por e kanë treguar me veprime konkrete, duke futur në këtë zonë disa raste anijet e tyre luftarake.


    Gjithashtu, kanë lënë të kuptohet, se dhe në të ardhmen, anije të tilla mund të lundrojnë në kufirin e 12 miljeve ose të hyjnë edhe në brendësi të zonës së 12 miljeve, duke krijuar kështu situate të ndërlikuara për interesat e mbrojtjes së vendit tonë.


    Edhe pretendimi tjetër, për korrigjimin e vijës bazë të drejtë, do të ishte me pasoja. Një gjë e tillë, do të çonte në zvogëlimin e sipërfaqes së ujërave të brendshme, të ujërave territoriale dhe do të ndikonte edhe në ndarjen e shelfit kontinental me fqinjët tanë.


    Prandaj, duke pasur parasysh, karakterin e veçantë e tepër delikat të këtyre çështjeve, një grup i përbashkët pune me specialistë nga MMP, MPB dhe MPJ e shqyrtoi edhe një herë problemin e ujërave territoriale, duke pasur parasysh normat ndërkombëtare e sidomos Konventën për të Drejtën e Detit të vitit 1982 dhe aktet kryesore të legjislacionit tonë.

    Vendi ynë, nuk është palë në Konventën për Të Drejtën e Detit të vitit 1982, të cilës i referohet posaçërisht nota e Qeverisë Amerikane. Kështu që, nga pikëpamja formale-juridike, ai nuk është i detyruar që të zbatojë dispozitat e saj, sepse në bazë të së drejtës së traktateve (konventave të Vjenës të viteve 1969 dhe 1986), traktatet ndërkombëtare nuk mund t'u vënë detyrime shteteve që nuk janë palë në to. Aq më tepër, që konventa e vitit 1982 ende nuk ka hyrë në fuqi.


    Megjithatë, theksojmë se konventa për të drejtën e Detit e vitit 1982 është disi e veçantë, pasi një varg dispozitash të saj, kanë marrë prej kohësh vlerën e normave zakonore dhe kanë gjetur zbatim të përgjithshëm.


    Duke pasur parasysh këtë fakt, problemet e ngritura nga nota amerikane, nuk mund të shihen të shkëputura nga përcaktimet që janë bërë në konventën e lartpërmendur dhe nga qëndrimet që janë adoptuar nga shumica dërrmuese e shteteve të botës. Në këtë vështrim, çështjet paraqiten si vijon:


    1. Mbi gjerësinë e ujërave territoriale të RPSSH:


    Akti i parë, për caktimin e gjerësisë së ujërave territoriale të vendit tonë pas çlirimit, ishte vendimi i këshillit të Ministrave, nr.168, datë 9.12.1946, i cili e fiksoi atë në 6 milje detare (11 km e 112 m).


    Më vonë, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSSH, me dekretet nr.1535, datë 4.9.1952, nr.3325, datë 9.3.1961, nr.4650, datë 9.3.1970 dhe nr.5384, datë 23.2.1976 e rriti atë përkatësisht në 10 milje (18 km e 520 m), 12 milje (22km e 224 m), dhe në 15 milje (27 km e 780 m).


    Siç shihet, vendi ynë, ndryshimin e fundit mbi gjerësinë e ujërave territoriale duke i rritur ato nga 12 milje në 15 milje detare, e ka bërë me dekret të veçantë, i cili në mars të vitit 1976, ju bë i ditur vendeve të ndryshme të botës duke u shpërndarë si dokument i OKB-së.


    Argumentet që u përdorën në atë kohë, për të mbështetur ndërmarrjen e këtij vendimi, ishin kryesisht për arsye ekonomike dhe ushtarake, të cilat konsistonin siç thuhej në relacionin e atëhershëm "Në krijimin e disa kushteve të favorshme, në radhë të parë nga pikëpamja ushtarake dhe se kufiri prej 15 miljesh detare siguron të gjitha kuadratet ku peshkojnë anijet tona, shton pjellshmërinë e peshkut dhe lejon kontrollin nga bregu të anijeve të peshkimit".


    Ky vendim për rritjen e gjerësisë së ujërave territoriale, nga një numër shtetesh si p.sh: RFGJ, Britania e Madhe, Austria, Danimarka, Norvegjia, Italia, Jugosllavia, Greqia etj u konsiderua i papranueshëm dhe u cilësua si veprim që binte në kundërshtim me frymën dhe parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.


    Konventa për të drejtën e detit e vitit 1982, e fiksoi në 12 milje detare gjerësinë maksimale të ujërave territoriale. Pas kësaj, edhe shumë shtete, që në atë kohë e kishin gjerësinë e ujërave territoriale të tyre më shumë se 12 milje, e zvogëluan atë në kufirin e vendosur nga Konventa. Aktualisht vetëm 4 shtete, duke përfshirë edhe vendin tonë (Ekuadori, Guinea, Peruja, Shqipëria) nuk e kanë bërë akoma këtë gjë.


    Duke parë rezultatet e vërtetuara në praktikë, gjatë periudhës nga viti 1976 e deri tani, tendencën e përgjithshme të zhvillimit të së drejtës së detit, si dhe duke i rishqyrtuar edhe një herë argumentet që u përdorën në vitin 1976, për rritjen e gjerësisë së ujërave territoriale, mendojmë se duhet riparë edhe një herë kjo çështje, duke e zvogëluar atë nga 15 milje në 12 milje detare.


    Rënia në kufirin e 12 miljeve detare, të pranuar nga pothuajse të gjithë shtetet e botës, nuk e cenon në mënyrë të ndjeshme çështjen e sigurimit të shtetit dhe veprimtarinë luftarake të flotës luftarako-detare, pasi sistemi i zjarrit i artilerisë sonë bregdetare mbulon përgjithësisht kufirin e 12 miljeve dhe është i efektshëm për këtë distancë.


    Diferenca prej 3 miljeve (nga 15 në 12 milje), është një distancë relativisht e vogël, që nuk ndikon në zbulimin larg të luftanijeve të huaja dhe në kohën e afrimit të tyre, pasi ajo kalohet për 10-15 minuta. Gjithashtu, aktivitetin e tyre të zbulimit, luftanijet e huaja mund ta realizojnë në distanca më të mëdha se 12 e 15 milje nga bregu ynë.


    Një gjë e tillë, nuk do të ulë veprimtaritë ekonomike të anijeve tona të peshkimit, pasi nuk ka asnjë pengesë juridike që anijet tona të peshkojnë jashtë ujërave territoriale, Gjithashtu, kuadratet e gjuetisë së peshkut, si nga kufiri i 12 miljeve ashtu edhe nga ai i 15 miljeve, nuk mbulohen, pasi 50 për qind e tyre është jashtë këtyre distancave në det të hapur.


    Ndërsa kontrolli i anijeve të peshkimit, nga bregu, me mjetet radioteknike, kryhet në distanca më të mëdha se 15 milje, deri në 21-25 milje. Veç kësaj, ndarja në të ardhmen e shelfit kontinental, në marrëveshje me shtetet fqinje, që siç dihet, ka filluar me Italinë që në vitin 1985, do të siguronte avantazhe, jo vetëm në drejtim të peshkimit, por edhe të kërkimit e shfrytëzimit të pasurive natyrore të kësaj zone.


    Me qëllim, që ky veprim, të mos interpretohet si një farë tërheqje nga ana jonë, ose si ndryshim nga qëndrimet e deritanishme, mendojmë që ai të bëhet në kuadrin e ndonjë rregullimi në legjislacionin tonë për këto çështje.


    Kështu, mund të saktësohej dispozita për shelfin kontinental duke e zgjeruar dhe plotësuar atë edhe me përcaktimin konkret të të drejtave që ushtron vendi ynë në të. Mund të krijohet zona e puqur, zonë kjo që shtrihet përtej ujërave territoriale në një gjerësi prej jo më shumë se 24 milje detare, duke filluar nga vija bazë prej nga matet gjerësia e ujërave territoriale.


    Në këtë zonë, shteti ushtron kontrollin e nevojshëm për parandalimin e shkeljes së legjislacionit të tij, në fushën doganore, fiskale, shëndetësore ose të emigrimit. Mund të saktësohet dispozita përkatëse për kalimin paqësor të anijeve, duke e specifikuar në mënyrë të hollësishme se në cilat raste kalimi është paqësor.

    Mund të vihen kufizime për kalimin në këto ujëra të anijeve të huaja që bartin lëndë bërthamore, të anijeve që transportojnë substanca radioaktive ose substanca të tjera me përmbajtje të rrezikshme etj.
    (Vijon)


    Ujërat, synimet dhe përgjigjja që u duhet dhënë amerikanëve

    Shekulli | 19/11/2009 | Dossier |

    Relacioni i përgatitur nga katër ekspertët shqiptarë në shtator 1989, pas notës së qeverisë amerikane

    Në pjesën e fundit të relacionit të përgatitur nga grupi i punës së ekspertëve shqiptarë në shtator 1989, tre muaj pas notës së ambasadës së SHBA-së për të ulur gjerësinë e ujërave territoriale shqiptare nga 15 në 12 milje detare, jepen argumentet pse nuk duhet marrë një vendim i shpejtë dhe pse një përgjigje negative do ta linte të zbuluar Shqipërinë komuniste para ligjeve ndërkombëtare për të drejtën e detit.


    Ekspertët shqiptarë i sugjerojnë shtetit komunist se përveç justifikimeve të tjera për të rrëzuar pretendimet amerikane, argumente mund të gjenden edhe në praktikën e shteteve të tjerë, si Italisë apo Jugosllavisë, të cilat i kishin përcaktuar vijat bazë të bregdetit të tyre, duke mos i marrë parasysh rigorozisht kërkesat e Konventës së Detit të vitit 1982.


    Duke e lidhur kërkesën amerikane me dëshirën e hershme për të kaluar me luftanije në ujërat territoriale të Shqipërisë, megjithatë ekspertët i sugjerojnë krerëve të shtetit që të mos nguten për të dhënë një përgjigje negative, duke pasur parasysh qëndrimin pro shqiptarëve të Kosovës, që kishin nisur rebelimin ndaj represionit të shtuar nga regjimi i Millosheviçit, dhe duke sugjeruar që përgjigjja të shtyhej edhe disa muaj.


    (Vijon nga numri i kaluar)

    Vija bazë e drejtë e bregdetit tonë


    Në bazë të përcaktimeve të së drejtës ndërkombëtare, vija bazë quhet vija imagjinare që kalon në pika të caktuara të bregdetit të një vendi dhe që shërben për të përcaktuar kufirin e brendshëm të ujërave territoriale.


    Në varësi të konfiguracionit të bregdetit, ajo mund të jetë vijë bazë normale, që shkon sipas vijës së "hapësirës së lënë nga zbatica gjatë bregut, ashtu siç shënohet në hartat detare me shkallë të madhe të pranuara zyrtarisht nga shteti bregdetar" (neni 5 i Konventës për të drejtën e detit e vitit 1982), ose vijë bazë e drejtë që bashkon kepet në të dalë gjatë bregdetit (neni 7 i konventës së lartpërmendur). Bregdeti ynë është relativisht i përthyer, me gjire e kepe, ku dhe fenomeni i baticë-zbaticës nuk është i ndjeshëm.


    Pra, ai ka një konfiguracion të tillë që lejon përdorimin e vijës bazë të drejtë, e cila në vendin tonë për herë të parë është zbatuar me dekretin e vitit 1970. Kjo vijë bazë e drejtë është në interes të vendit tonë, por nuk i ka të gjithë segmentet përbërës të saj plotësisht në përshtatje me kriteret e përcaktuara nga Konventa e detit e vitit 1982, e cila në nenin 7 të saj, përcakton se vija bazë e drejtë hiqet "atje ku bregdeti është shumë i futur përbrenda në formë gjysmëhëne dhe i prerë, ose në qoftë se ekziston një varg ishujsh gjatë bregdetit shumë afër tij".


    Në disa pjesë të bregdetit tonë, siç janë ato nga Kepi i Pallës deri te kepi i Durrësit, nga Kepi i Lagjit deri te derdhja e Shkumbinit dhe nga Kepi i Gjuzës deri te Kepi i Himarës, vija bazë e drejtë nuk përputhet plotësisht me këto kërkesa.
    Megjithatë, mendojmë se në Konventën e lartpërmendur mund të gjenden disa argumente për të mbështetur qëndrimin tonë.


    Kështu, duke iu referuar neneve 7 (pika 1, 3 dhe 5) dhe 10 (pikat 2 dhe 4) mund të thuhet se bregdeti ynë ka një konfiguracion të përthyer, me gjire në formën e gjysmës së hënës dhe me gjerësi hyrjeje më të vogël se 24 milje detare.


    Vija bazë përgjatë bregdetit tonë ndjek drejtimin e përgjithshëm të tij dhe mban parasysh disa interesa ekonomike të shtetit tonë në këtë zonë, siç janë ruajtja e pasurive biologjike të ujërave të brendshme, sigurimin e trafikut të transportit të brendshëm detar, i cili përballon një masë të konsiderueshme të krejt transportit të vendit etj.


    Shteti ynë, gjithashtu, në përcaktimin e vijave bazë dhe të zonave ujore të ndaluara për lundrim për anijet e huaja tregtare ka pasur parasysh edhe evitimin e mundësisë për përplasje të këtyre anijeve me anijet e trafikut të transportit të brendshëm detar shqiptar, si dhe të mundësisë për rënien e tyre në cekinë e shkëmbinj të nënujshëm në rajone të tillë, veçanërisht, siç janë nga derdhja e Vjosës e deri në Kepin e Rodonit, ku nuk lejohet lundrimi më afër se 3 milje nga bregu.


    Argumente mund të gjenden edhe në praktikën e shteteve të tjerë. Ka jo pak shtete të cilët kanë përcaktuar vijat bazë të bregdetit të tyre, duke mos i marrë parasysh rigorozisht kërkesat e Konventës.


    Të tillë janë edhe fqinjët tanë, si Italia dhe Jugosllavia.
    Mbi kalimin paqësor të anijeve të huaja luftarake në ujërat tona territoriale
    Kalimi paqësor i anijeve të huaja në ujërat territoriale është një institut i hershëm i së drejtës së detit.


    Ai përbën në vetvete një cenim të sovranitetit kombëtar të shtetit bregdetar mbi ujërat e veta territoriale, por një cenim të tillë që tolerohet në interes të favorizimit të lundrimit ndërkombëtar. Këtë institut që e njohin të gjithë shtetet bregdetare, shtetet imperialiste e kanë shtrirë edhe për anijet luftarake, duke kërkuar që edhe ato të gëzojnë të drejtën e kalimit paqësor nëpër ujërat territoriale të shteteve të tjerë.


    Edhe konventat për të drejtën e detit, si ajo e Gjenevës e vitit 1958, ashtu si edhe ajo e Xhamajkës e vitit 1982, e kanë pranuar atë për të gjitha llojet e anijeve. Vendi ynë me dekretin e Kuvendit Popullor nr. 4650, datë 9.3.1970 "Mbi kufirin e RPSSH", nuk ua njeh këtë të drejtë anijeve të huaja të luftës.


    Ato mund të hyjnë në ujërat tona territoriale vetëm me leje të Këshillit të Ministrave ose në rastet e forcës madhore, por gjithnjë në përputhje me kushtetutën dhe rregullat tona në fuqi.


    Ky qëndrim i parë në kontekstin e frymës së përgjithshme të konventës për të drejtën e detit, është në pajtim me të, sepse ajo, në një varg dispozitash, thekson domosdoshmërinë e përdorimit paqësor të të gjitha pjesëve të hapësirave detare e oqeanike.


    Ndalimi i kalimit të anijeve të luftës në ujërat territoriale në zona të tilla si Adriatiku dhe deti Jon, ku ka korridore detare të mjaftueshëm e të përshtatshëm për lundrim përtej tyre, si dhe për vetë konfiguracionin e drejtimin e shtrirjes së bregdetit tonë, nuk pengon lundrimin ndërkombëtar dhe interesat e shteteve të tjera. Kjo është një masë e ligjshme në kuadrin e shumë masave të tjera që shteti ynë ka marrë dhe merr për sigurimin dhe mbrojtjen e vendit të tij.


    Përveç kësaj, ka edhe shtete të tjerë që nuk e pranojnë të drejtën e kalimit paqësor në ujërat e tyre territoriale për anijet luftarake. Ka bile edhe shtete që e kanë nënshkruar Konventën për të drejtën e detit të vitit 1982 (e cila nuk pranon bërjen e rezervave për dispozitat e saj), apo kanë aderuar në të, të cilët me anë deklaratash zyrtare të bëra në kohën e nënshkrimit apo aderimit, kanë njoftuar se nuk e pranojnë kalimin e anijeve të huaja luftarake në ujërat e tyre territoriale pa njoftim apo dhe pa leje paraprake.


    Kështu që vendi ynë, i cili nuk është palë në konventën përkatëse të Gjenevës së vitit 1958, as në Konventën e Detit të vitit 1982, nuk është i vetmi që nuk e njeh kalimin paqësor të anijeve të huaja luftarake në ujërat e veta territoriale.


    Qëndrimi i tij nuk përbën, pra, të vetmin përjashtim nga rregulli. Prandaj, duke u nisur edhe nga fakti që kalimi i anijeve luftarake nëpër ujërat tona territoriale do të përbënte një rrezik për interesat e mbrojtjes së vendit tonë, si dhe nga praktika e shteteve të tjera që mbajnë të njëjtin qëndrim, mendojmë që të mos hiqet dorë nga qëndrimi ynë i deritanishëm.


    Nota amerikane e paraqitur nëpërmjet ambasadës franceze nuk ka karakter ultimativ. Ne mendojmë se kërkesat dhe rezervat e Qeverisë Amerikane për çështjet që trajtuam më lart, lidhur me ujërat tona territoriale dhe regjimin e lundrimit në to, kanë karakter politik. Ajo e ndërmerr këtë veprim në një kohë kur në botë flitet shumë për ulje tensioni e zbutje konfliktesh, e bile bëhen përpjekje, e ka edhe ndonjë rezultat.


    Pikërisht në këtë kohë, ajo me sa duket, do të tërheqë vëmendjen e qeverisë sonë për intrasigjencën dhe këmbënguljen e saj për të mos hequr dorë nga parimet dhe qëndrimet e saj të vendosura.


    Ka të ngjarë, gjithashtu, që kjo notë të jetë edhe një lajmërim ose sinjalizim paraprak për ndonjë veprim provokues ose incident që amerikanët mund të organizojnë e kryejnë me anije luftarake, duke i kaluar ato brenda ujërave tona territoriale në kufirin 12 milje.


    Një situatë e tillë do të përbënte një moment mjaft delikat, pasi nga pikëpamja juridike e të drejtës ndërkombëtare për detin territorial nuk do të kishim asnjë mbrojtje. Prandaj jemi të mendimit që asaj duhet t'i jepet përgjigje duke justifikuar në mënyrë shumë të përmbledhur pozitat tona për çështjet që parashtrohen nga amerikanët. Përgjigjja për këto çështje të bëhet përsëri nëpërmjet ambasadës franceze.


    Meqenëse këto kohë, organizma shtetërorë amerikanë kanë mbajtur qëndrime të favorshme ndaj shqiptarëve të Kosovës, mendojmë që përgjigjja të mos jepet menjëherë, pasi do të ndikonte jo për mirë në qëndrimin e tyre. Për këtë arsye mendojmë që përgjigjja të jepet nga fundi i këtij viti ose janari i vitit që vjen.
    Grupi i punës: Ksenofon Krisafi, Qamil Gjoka, Beqir Gërbi, Çarçan Danaj
    Tiranë, më 11.9.1989
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #303
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Pas takimit me Ferit Hoxhën, flet Vinçani: Otranto, pika më delikate e Paktit Detar

    Pas takimit me Ferit Hoxhën, flet Vinçani: Otranto, pika më delikate e Paktit Detar


    Arben Rrozhani | 19/11/2009 | Kuriozitete

    Ish-zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe një nga oponentët e Paktit Detar me Greqinë, z.Armand Vinçani, në një intervistë ekskluzive për Shekullin, e cila do të botohet e plotë në Shekulli Print në dy numrat e ardhshëm, flet për Paktin pas takimit që komuniteti shqiptar i SHBA, ka bërë me kryenegociatorin e palës shqiptare në këtë marrëveshje, Ferit Hoxha.


    Z.Vinçani, se fundi ju keni patur rastin te degjoni drejtpersedrejti shpjegimet e Z. Ferit Hoxha lidhur me marrveshjen per delimitimin e kufirit detar me Greqine. A mendoni se argumentat e sjelle justifikojne ate qe opinioni publik shqiptar, media, eksperte dhe intelektuale te shumte si dhe ju vete me pare e keni quajtur te pa-arrire dhe qe nuk mbron interesat e Shqiperise?

    Ajo cka une gjej pozitive ne takimin me nje pjese te vogel te diaspores qe jeton ne New York eshte interesimi i jashtezakonshem i komunitetit shqiptar zemra e te cilit rreh me te njejtat ritme si dhe e shumices qe jeton ne Shqiperi sa here eshte fjala per interesat, aritjet apo mangesite qe prekin kombin tone. Duke patur fatin e mire te bashkejeteses ne nje vend krejt te lire dhe me demokracine me te zhvilluar komuniteti shqiptar gjithnje e me shume po i largohet trysnise politike qe fatkeqesisht godet aq ashper shoqerine shqiptare. Debati konstruktiv eshte e vetmja menyre per zhvilluar me tej ndjenjen e qytetarise dhe angazhimin civil. Ne kete kuptim do te doja te falenderoja perzemersisht inisiativen e Z. Shinasi Rama dhe gatishmerine e Z. F. Hoxha per organizimin e nje ballafaqimi te tille me qellimin e mire te informimit dhe krijimit te kushteve per shfaqjen e kundershtive ne menyren me demokratike te mundshme. Duke ardhur tek pyetja, do te shprehesha se objektivi, te pakten ne aspektin personal, ishte te realizoja se sa e pergatitur ka qene pala shqiptare ne bisedimet dy-paleshe. Ne kete sens, nuk isha shume i interesuar te mesoja rreth matjeve dhe kalkulimeve te kryera te cilat jane bere publike disa here ne shtypin shqiptar por me shume prisja te kuptoja sa kishte mundur pala jone te konceptonte te gjithe filozofine, doktrinen dhe objektivat ne vite te shtetit grek ne lidhje me delimitimin e ujrave detare ne pergjithsi dhe kjo me pas ne vecanti me Shqiperine. Per mua kjo ka perbere nje nga aspektet themelore gjate gjithe kohes se debatit publik te marrveshjes e nxitur dhe me shume nga deklarimi ish-zyrtares se larte greke duke e konsideruar marrveshjen te nje rendesie strategjike. Ketu eshte zanafilla e rezultatit qe sot konsiderohet nga nje pjese e opinionit si brenda ashtu dhe jashte vendit e papranueshme dhe qe prek interesat tona kombetare.


    A mund te ndaloni ju lutem pak me shume ne analizen qe ju mund ti beni rrethanave gjeo-strategike dhe fiolozofise se shtetit fqinje per delimitimin e hapesieres ujore?

    Pas hyrjes ne fuqi te UNCLOS dhe me humbjen e aftesise vepruese ne ujra te hapura per shkak te marrveshjeve te shumta rrjedhoje e te cilave ishte edhe percaktimi i EEZs shteti grek filloi te mendonte seriozisht per gjetjen e hapesirave ujore (sidomos kjo e rendesishme per aktivitetin e peshkimit) rreth dheut kontinental te tyre. Ne te gjitha publikimet e hapura shihet qarte se Greqia mbetet nje mbeshtetese e forte emocionale e parimit te ekuidistances (baraslargesise) si metoda qe duhet te aplikohet ne delimitimin e shelfeve kontinentale. Kjo eshte edhe metoda e perdorur ne marrveshjen qe diskutohet. Per specialistet greke prej kohesh nuk shihej e arsyeshme te vazhdohej me rregullin e vijes baze (vija baze eshte vija normale qe fillon prej buzes /ceketires me te ulet te ujit) Aplikimi i sistemit te vijes se drejte baze, sidomos ne gjiret e shumte greke do te demonstronte gadishmerine e Greqise per te aplikuar ne favor te saj klauzolat e Konventes per Ligjin e Detit. Nese i referohemi edhe marrveshjeve te tjera qe greia ka mbyllur apo kerkon te mbylle me vende te tjera ne rajon do te shohim se kerkesat per zbatimin e vijave te drejta dhe mbyllese ekzistojne per shumicen e bregdetit grek qe eshte tejet idhembezuar dhe ne shume vende i skajuar nga ishuj te shumte. Perdorimi nga Greqia i ketyre specifikave te saj per te ndertuar nje sistem te vijave te drejta bazore eshte pjese e doktrines greke per delimitimin. Ne teresi objektivat e shtetit grek ne kete fushe jane ruajtja e rolit historik te saj midis kombeve me te medha detare, adaptimi jo vetem ndaj konkurrences ne transportin detar per edhe ndaj kushteve te reja ne nivelin nderkombetar, ndyshimet ne levizjen tradicionale te anijeve qe kufizohen gjithnje e me teper per shkak te kodeve te ndryshme ne zhvillim, e konventave (perfshire edhe LOS) te cilat kerkojne nderhyrjen e shtetit grek ne industri si dhe masa me fikase ndaj ulses se fleksibilitetit ne operacione. Se fundi Greqia eshte e lidhur me oqeanet dhe perdorimin e ujrave detare per qellime politike, ekonomike, sociale dhe mbrojtje kombetare strategjike. Te gjitha keto jane faktore qe pala jone duhej te mbante parasysh ne menyre qe te ishte ne gjendje te percaktonte brenda hapesires ligjore te LOS si dhe konsideratave te akteve te Gjykates nderkombetare dhe Gjykatave te Arbitrazhit nje kundervenie me efektive ne menyre qe vendi yne te mos humbiste asgje nga hapesirat ujore qe ka patur ne historine e saj edhe pse jo te fiksuar ne marrveshje dy-paleshe por te njohur boterisht nga institucionet nderkombetare.


    A mendoni se pala greke ka realzuar plotesisht objektivat e saj me nenshkrimin e kesaj marrveshjeje?


    Absolutisht po. E perseris, pala greke ka hyre ne bisedime me objektiva te qarte dhe doktrine te caktuar qe e do e conte ne rezultatin optimal. Ne kete aspekt, nuk shoh asgje te keqe sepse ne fund te fundit ky eshte qellimi i nje pale kur hyn ne marrveshje. Persa kohe perdoren mjete paqesore e per me shume akoma ke dhe konsensusin e pales tjeter s'ka aboslutisht vend per dyshim. Eshte tjeter gje, qe pala jone ka shkuar " as per te fituar e as per te humbur". Kete gje Z. Hoxha e ri-perseriti ne takimin me diasporen. Me thjesht nuk mund te thuhet, por atehere ne kemi te drejte te pyesim se perse shkuan atehere ne bisedime? Per te ndryshuar kufirin e me pas te thuash, jo s'kemi humbur asnje cm? Le ti referohemi pales tjeter, e cila ne botime te hapura nenvizonte se, "nese dhembezimet ne bregun lindor te ishullit te Korfuzit do te perfshihen ne nje vije prej 6.7 miljesh kjo do te reduktonte distancen midis bregut shqiptar dhe vijes se mesme e matur nga kjo vije permbyllese jo me shume se 1.6 milje". A mund te shprehet me qarte angazhimi i pales tjeter per te fituar? Kjo eshte plotesisht normale. A nuk mendoni ju se hyrja ne Otranto perben me te vertete nje fitore strategjike per Greqine? Une nuk besoj se ka njeri qe me njohurite me minimale ne leximin e nje harte topografike nuk do te ishte ne gjendje ta kuptonte kete.

    VIJON NESER
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  4. #304
    Eshte nje ''koincidence'' interesante ardhja e delegacionit grek diten qe Rama fillon protesten. Diplomacia greke i vuri perseri guret ne levizje. Vizita e zv ministrit te jashtem grek eshte shtyrja e rradhes per t'i dhene fund miratimit te mareveshjes, duke realizuar qellimet greke. Eshte turp dhe indinjuese deklarata e Ilir Metes qe e prezanton miratimin e kesaj mareveshjeje si shkembim te hyrjes se Shqiperise ne BE. Nje deklarate e tille eshte deshtim i diplomacise dhe politikes shqiptare.

    Ilir Meta - “Mund tju them se është më shumë në interes tonë sesa të Greqisë, sepse ne duam te bëhemi anëtër të BE-së, ndërsa Greqia ka qenë me dekada. Do ishte mirë që opozita të ishte në Parlament, sepse nuk kemi asnjë arsye që këtë marrërveshje ta bëjmë pa transparencë dhe pa opozitën në Kunved ; Por qeveria është e vendosur të ecë përpara, sepse kjo marrëveshje e marrëveshje të tjera janë në interes të dy palëve.”
    ( http://bw.balkanweb.com/homepage/mar...7%27-2264.html )
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  5. #305
    i/e regjistruar Maska e martini1984
    Anëtarësuar
    02-04-2009
    Postime
    5,594
    Citim Postuar më parë nga shigjeta Lexo Postimin
    Eshte nje ''koincidence'' interesante ardhja e delegacionit grek diten qe Rama fillon protesten. Diplomacia greke i vuri perseri guret ne levizje. Vizita e zv ministrit te jashtem grek eshte shtyrja e rradhes per t'i dhene fund miratimit te mareveshjes, duke realizuar qellimet greke. Eshte turp dhe indinjuese deklarata e Ilir Metes qe e prezanton miratimin e kesaj mareveshjeje si shkembim te hyrjes se Shqiperise ne BE. Nje deklarate e tille eshte deshtim i diplomacise dhe politikes shqiptare.

    ( http://bw.balkanweb.com/homepage/mar...7%27-2264.html )
    C'fare maskaralliqesh luhen ne kurriz te trojeve shqiptare.Ju e keni shkruar deshtim.ka vecse nje emer per mua: TRADHETI.
    Nejse keshtu do veproja edhe vete qe te dukem burre i ndershem, sepse Shqiperine ma kane dhuruar falas dhe e shes kur te dua sipas NEVOJes personale.
    Dhe enderrat ngelin gjithmone te tilla pra Shqiperia e madhe me tradhetare brenda.Greku i rezervuar ky banditi Skraparit e ka aprovuar.....ppphhhhhhhhhhhhhh.
    Kush nuk mendon sipas menyres se tij,nuk ka llogjike!

  6. #306
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-06-2009
    Vendndodhja
    webcam or email ne tek tvsh21@yahoo.com
    Postime
    825
    Citim Postuar më parë nga SystemA Lexo Postimin
    C'fare maskaralliqesh luhen ne kurriz te trojeve shqiptare.Ju e keni shkruar deshtim.ka vecse nje emer per mua: TRADHETI.
    Nejse keshtu do veproja edhe vete qe te dukem burre i ndershem, sepse Shqiperine ma kane dhuruar falas dhe e shes kur te dua sipas NEVOJes personale.
    Dhe enderrat ngelin gjithmone te tilla pra Shqiperia e madhe me tradhetare brenda.Greku i rezervuar ky banditi Skraparit e ka aprovuar.....ppphhhhhhhhhhhhhh.
    konkretisht dhe veten konkretisht tradhetite po i bejne fshehurazi demokratet ne pushtet duke filluar nga Saliu i pari.

    Esat Pashe Toptani i partise demokratike ishte se duan te i kthejne eshtrat e tij ne shqiperi
    Ndryshuar për herë të fundit nga tvsh : 21-11-2009 më 10:37

  7. #307
    i/e regjistruar Maska e mia@
    Anëtarësuar
    11-01-2008
    Vendndodhja
    Twilight Zone...
    Postime
    10,676
    Hidherohen demokratet se organizon Edi protesta. Krijohet imazhi i keq Shqiperise ne bote thone, dhe duhet te heshtim pavaresisht se mund te jene vjedh votat. Po Sala qe shet kufinjte tane sikur ti kete prona personale fshehurazi, cfare imazhi krijon ne syte e popullit Shqiptar ne radhe te pare, pastaj botes?
    Feelings change - memories don't.

  8. #308
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    17-03-2009
    Vendndodhja
    Ne qarkun e Prizrenit
    Postime
    41
    Fatkeqesisht ketu tek ne cdo gje eshte politike, ketu edhe gjerat shume te thjeshta komlikohen e politizohen aq shume sa qe i humbet filli cdo gjeje.
    ketu qenka shkruar shume per marreveshjen shqiptaro greke mbi kufirin detar, te ciles ia hodha nje sy por nuk e lexova te teren.
    se pari duhet thene qe kjo marreveshje duhej te behej, dhe kurdo qe te behej e cilido qe ta bente do te shkaktonte kete reagim, kjjo edhe per arsze te pervojave tona me fqinjet.
    por sa i perket kesaj marreveshje nuk mendoj qe ka shume per tu shqetesuar, sigurisht marreveshja duhet te analizohet mire dhe te paraqiten verejtjet e mundshme.
    duhet thene qe marreveshjet detare jane te percaktuara me te drejten nderkombtare, dhe mbi kete te drejt nuk mund te dale as Greqia e as Shqiperia.
    Pastaj sikur lexova ketu diku qe ujerat territoriale te Shqiperise kane qene 15 mila larg brigjeve gje qe tani eshte me e vogel. por kjo eshte ne pajtim me te drejten nderkombtare qe parasheh qe ujrat territoriale te mos jene me te gjata se 12 mila. Kjo vlen edhe per Greqine dhe vendet per rreth.Eshte e vertet qe per ujerat territoriale nuk ka pajtueshmeri te plot ne bote dhe se vendet, qe kryesisht kane dalje ne oqeane kane zgjatur kufirin e ketyre ujerave, por ne hapsiren per te cilen po flasim kjo rregull eshte e vlefshme.
    Pastaj marreveshja ndershtetrore mund te kontestohet dhe te shpallet e pavlefshme nese ajo eshte e lidhur me dhune, me lajthim faktik ( siq pretendohet ketu) , me mashtrim ose me korrupcion te perfaqesuesve shtetror.
    Pra nese ekzistojne keto gjera marreveshja mund te prishet ,prandaj gjithe keta njerez qe bejne zhurme mediatike, le t i mbledhin faktet( te cilat keta pretendojne se i kane ) dhe t i paraqesin para mekanizmave nderkombetar ne menyre qe ta sulmojne ashtu siq edhe parashihet kete marreveshje.
    une e kam lexuar marreveshjen dhe nuk kam pare ndonje gje shqetesuese, megjithate marreveshja nuk mund te analizohet nga nje njeri, aty duhet te marrin pjese ekspert te lemive te ndryshme.
    Por prap se prap nga ajo sa thashe me lart mendoj qe marreveshja eshte ne pajtim me te drejten nderkombtare( do te ishte naivitet nga te dyja palet po te mos ishte).
    Per informacion marreveshja akoma nuk eshte ratifukuar nga kuvendi i Shqiperise. Kjo marreveshje behet e plotefuqishme vetem pas ratifikimit nga vendet perkatese.
    Ndryshuar për herë të fundit nga h75 : 21-11-2009 më 12:30

  9. #309
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    ore mik, nuk mund te mos e konsiderosh marveshjen politike, nuk ka si te mos jete politike ...

    ne radhe te pare, ajo nuk eshte transparente ...

    perderisa e mbron edhe shtangisti, ajo eshte mbrapsht-politike ...

    ajo eshte politike, sepse per ate te shkrete politike prej lakeu te qeverise shqiptare, erdhi edhe ai zavendes-ministri grek ... i cili e trembi aq shume ate shtangistin ... i çoi mesazhin edhe krieministrit ... i cili me sa duket, po diallogon me varrin e enverit ...

  10. #310
    h75 faktet jane te qarta qe kjo mareveshje cenon Shqiperine. Nje mareveshje ku mungon harta, si mund te diskutohet ne kete rast kur nuk eshte nje dokument konkret! Mjafton te lexosh argumentat nga Pasha dhe Vinçani, koha dhe nxitimi me te cilin po kerkohet.
    Sa per pergjigjet e tjera ne kete teme Rama me kompani nuk jane me mire. Koha e vizites dhe deklaratat tregojne vetem nje gje qe greket do ta kene shtruar qarte : do e beni ju apo te sjellim Ramen ta perfundoj... Per fat te keq greket do luajne akoma me Shqiperine, siç kane bere gjithe kohes, per sa kohe politikanet tane, te majte e te djathte, e kane mendjen vetem tek karrigia e tyre dhe jo interesat e vendit.
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

Faqja 31 prej 93 FillimFillim ... 2129303132334181 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Ritet kufiri maksimal i tenderimit ndërkombëtar nga 2 milionë USD në 10!
    Nga RaPSouL në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 27-01-2009, 15:10
  2. Kufiri i lirisë fetare
    Nga Akili-A në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 106
    Postimi i Fundit: 22-11-2006, 09:48
  3. SHPK: Të mbyllet kufiri për adoleshentët shqiptarë
    Nga Humdinger në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 08-10-2006, 10:26
  4. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 01-04-2006, 13:37
  5. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 20-02-2004, 04:38

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •