Konferencë për shtyp e Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm z.Ilir Meta dhe e Ministrit të Jashtëm Plotësues të Greqisë z. Dimitris Droutsas
Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm z.Ilir Meta:
Pata një kënaqësi të veçantë që të prisja sot në vizitën e parë zyrtare në vendin tonë, Ministrin e ri të Jashtëm, Plotësues të Greqisë, z. Dimitris Droutsas, i cili është duke realizuar një tur në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në qendër të bisedimeve të sotme me kolegun grek ishte përforcimi dhe konsolidimi i perspektivës europiane të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që përbën dhe një prej qëllimeve kryesore të turit që po zhvillon z. Droutsas në Ballkan.
Ju e dini që tashmë në Greqi është një qeveri e re e drejtuar nga Kryeministri Papandreu e cila ka promovuar një axhendë tepër të rëndësishme, të përshpejtuar, integrimin dhe anëtarësimin e vendeve tona të Ballkanit Perendimor në BE, mundësisht, brenda vitit 2014 që përkon jo rastësisht me 100 vjetorin e luftës së parë botërore.
Ne jemi shumë të lumtur për këtë impuls të ri e të fuqishëm që Greqia dhe Kryeministri Papandreu duan t’i japin anëtarësimit të vendeve tona në BE. Dhe kjo nuk është diçka e re. Bazat e këtij progresi të vendeve tona drejt BE, janë hedhur në mënyrë tepër solide, pikërisht në Samitin e Selanikut.
Dhe është pikërisht ky vizion i BE, i forcuar që me Samitin e Selanikut i cili na ka ndihmuar sot që të jemi në një stad të ri në raport me BE.
Ju e dini që këtë të hënë, Ministrat e Jashtëm të BE miratuan aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat me BE që na ka futur në fazën e re dhe finale të anëtarësimit tonë në këtë Union.
Ju e dini që Parlamenti Europian miratoi rezolutën për liberalizimin e vizave të vendeve tona. Ju e dini që angazhimi për liberalizimin e vizave është marrë që në Samitin e Selanikut dhe vendi ynë i ka realizuar të gjitha kriteret për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave brenda vitit të ardhshëm.
Unë e falënderova Ministrin e Jashtëm Plotësues, z. Droutsas për mbështetjen e vazhdueshme politike që Greqia po jep për Shqipërinë por edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perendimor dhe ramë dakord që njëkohësisht në të ardhmen të kemi një bashkëpunim për sa i takon një asistence dhe një ekspertize më konkrete në të ardhmen në këtë proces.
Ju e dini që Greqia është edhe një partner i shkëlqyer politik për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë, integrimin evropian, një nga mbështetësit tonë kryesor që ne jemi sot pjesë e NATO-s, por njëkohësisht, Greqia është edhe një nga partnerët kryesorë dhe të rëndësishëm ekonomikë e tregëtarë edhe në të gjitha fushat e tjera.
Javën e ardhshme në Tiranë do të zhvillohet Forumi i Tretë Ekonomik Shqiptaro-Grek, në kuadër të Forumit Ekonomik të Biznesit dhe organizimin, në një kohë të afërt, të Sesionit të Dhjetë të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, si një mundësi e mirë për të shkëmbyer mendime lidhur me klimën e investimeve dhe oportunitetet që ofron tregu shqiptar në favor të rritjes së prezencës së investitorëve grekë në vendin tonë.
Unë e sigurova Ministrin e Jashtëm Plotësues të Greqisë z. Droutsas, për vëmendjen, angazhimin dhe mbështetjen e Qeverisë shqiptare për minoritetin grek në Shqipëri i cili luan një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin dhe demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë dhe të shoqërisë sonë, por njëkohësisht edhe si një urë shumë e rëndësishme midis dy vendeve tona.
Po kështu, e falënderova z. Droutsas për programet tepër të hapura dhe integrues të qeverisë së re greke të z. Papandreu porsa i përket kushteve të emigrantëve tanë në Greqi dhe kthimit e integrimit të tyre të plotë në jetën sociale si dhe lëvizjes në të dy anët e kufirit.
Jam i bindur se kjo vizitë e parë zyrtare pas krijimit të qeverisë së re të z. Papandreu, do ti japë një një impuls të ri marrdhënieve tona bilaterale dhe perspektivës sonë evropiane.
Fjala e ministrit të Jashtëm Plotësues z. Droutsas:
E falënderoj shumë Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë dhe mikun e mirë, z. Ilir Meta për fjalët e ngrohta të mirëseardhjes. Sigurisht që është një gëzim i madh për mua sot që vizitoj Shqipërinë. Prezenca ime këtu sot nënvizon rëndësinë që i jep Greqia marrëdhënieve tona dy paleshe, por edhe mbështetjen për ecurinë e integrimit evropian të Shqipërisë.
Jemi tashmë aleatë të ngushtë në NATO kurse depozitimi i kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE, simbolizon një hap të rëndësishëm në këtë proces që tashmë është një realitet. Unë shoh me kënaqësi që Shqipëria po bën progres të dukshëm në përpjekjet e saj për të bërë reforma. Sigurisht që ka hapësira për tu përmirësuar por na kënaq angazhimi i plotë dhe tepër serioz nga politika shqiptare për ecurinë e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, vlen për të theksuar angazhimi i sinqertë i politikës shqiptare për adoptimin e vlerave dhe parimeve të familjes sonë të madhe evropiane.
Eshtë e rëndësishme që këto ndryshime të kalojnë dhe tek shoqëria shqiptare në mënyrë që të kenë rezultare të prekshme në jetën e përditshme të qytetarëve. Dhe kjo pavarësisht nga kombësia dhe përkatësia e tyre fetare.
Më tepër demokraci do të thotë: Transparencë, shance të barabarta, drejtësi.
Mbrojtja e të drejtave minoritare do të thotë që të respektohen qytetarët me kombësi të ndryshme dhe të respektohet identiteti i tyre.
Shoqëria shqiptare po ndryshon dhe Greqia ndodhet gjithmonë në krah të saj në këtë përpjekje të vazhdueshme që po bën vendi juaj.
Në kuadrin dypalësh, marrdhëniet tona bëhen gjithmonë e më të thella e më të drejtpërdrejta. Kemi krijuar një kapital të madh mirëbesimi që lejon të ardhmen tonë të përbashkët në BE. Në këtë përpjekje për respektimin e minoritetit grek në Shqipëri, që përbën një urë miqësie midis dy popujve, ashtu siç një urë miqësie përbëjnë edhe emigrantët ekonomikë shqiptarë që jetojnë në Greqi, që punojnë atje për të siguruar një jetesë më të mirë dhe në këtë mënyrë ata kontribuojnë edhe për zhvillimin ekonomik të vendit të tyre.
Por, çështja kryesore e bashkëbisedimit që patëm sot me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, z. Meta ishte perspektiva evropiane si e vendit tuaj, ashtu edhe e vendeve të tjera të Ballkanit Perendimor. Ashtu sikurse e theksoi dhe zoti Meta, z. Papandreu, kryeministri i Greqisë ka depozituar një propozim të ri, një ide të re politike për avancimin e mëtejshëm të ecurisë integruese të Ballkanit Perendimor.
Kemi theksuar që na duhet të krijojmë një dinamikë të re dhe besoj se këtë dinamikë mund ta arrijmë duke vendosur një pikë kulmore të kësaj ecurie dhe kjo pikë kulmore integruese, kemi thënë që do të jetë brenda vitit 2014, një datë me një simbolikë të veçantë. Bëhet fjalë për 100 vjet pasi u shpall lufta e parë botërore, një ngjarje që ka lënë ende plagë të hapura që Ballkani i vuan ende sot e kësaj dite.
Pra, është shumë simbolike. BE, në thelbin e vet është një model paqeje dhe besojmë se e ka për detyrë të marrë përsipër përgjegjësitë e veta për rajonin e Ballkanit që është një rajon historik dhe i pashkëputshëm i Evropës.
Pra, BE, mund të kontribuojë në mënyrë decizive për paqen dhe për stabilitetin në rajonin tonë. Ndaj mesazhi që vjen nga Greqia është një mesazh shumë i thjeshtë dhe shumë i qartë: E ardhmja e afërt e vendeve të Ballkanit Perendimor është në Europën e bashkuar. Dhe me arritjen e këtij objektivi, Greqia mundet dhe ka për qëllim që të qëndrojë në krye të kësaj nisme për integrimin e vendeve të Ballkanit Perendimor. Greqia do të jetë një partner i mirë për të gjithë vendet e rajonit, sigurisht, këtu përfshihet dhe Shqipëria.
Edhe një herë, unë shpreh gëzimin tim të madh për vizitën time zyrtare në Shqipëri. Ndaj, i dashur Ilir, unë kam shpresë në thellimin e bashkëpunimit që ne nisëm sot.
Pyetje: Zoti Meta! Ju jeni një qeveri e re. A keni planifikuar një axhendë mbi marrëdhëniet e reja që do të keni me qeverinë greke? Cila do të jetë e ardhmja e këtyre marrdhënieve?
Z.Meta: . Po. Pa asnjë diskutim, ne kemi një axhendë të qartë, të plotë të të gjitha fushave për të cilat ne ramë dakord me Ministrin që shumë shpejt të fillojmë takimet midis të dy palëve për ti çuar këto marrëdhënie në një stad të ri më të lartë përmes konkretizimit të tyre të mëtejshëm në cdo fushë. Ndaj, unë besoj se shumë shpejt, këto takime do të zhvillohen dhe progresi do të jetë i matshëm, i prekshëm në të gjitha fushat që nga siguria dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, trafikut, çka është shumë e rëndësishme për të forcuar edhe kretibilitetin e Shqipërisë në raport me BE. Gjithashtu, kemi planifikuar bashkëpunimin e shtetit grek për rritjen e investimeve të Greqisë në Shqipëri pasi mendojmë se ende ka shumë mundësi të pashfrytëzuara. Por, marrëdhëniet tona janë të gjithashnëshme, kështu që dhe progresi do të jetë i gjithanshëm në çdo aspekt të këtyre marrëdhënieve.
Pyetje: Parlamenti shqiptar ka bllokuar procedurën e ratifikimit të marrëveshjes detare me Greqinë. Janë 6 parti të majta e të djathta që kanë ankimuar këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese. Në rast se Gjykata e pranon kërkesën, a do t’i cënoj kjo gjë marrëdhëniet mes dy shteteve?
Z.Meta: - Meqenëse u përmend edhe parlamenti i Shqipërisë, dhe unë jam parlamentar, ju nuk jeni akoma, është kënaqësi që ju shikoj zoti Blushi. Unë kam dëgjuar shumë nga ju dhe për ju në Gazetën Shqiptare prej gati 3 muajsh, duke shpifur për fat të keq mbi marrëveshjen për çështjen e kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë. Dhe këtë e them me bindje të plotë, sidomos duke lexuar gazetën shqiptare ku me miratimin tim, në respekt edhe të ligjeve shqiptare dhe të transparencës me mediat, ju kemi paraqitur në mënyrë transparente të gjitha aktet e qeverisë shqiptare lidhur me marrëveshjen dhe se si është proceduar midis dy vendeve. Dhe më vjen shumë keq kur shikoj që ju spekuloni mbi këtë raport transparent dhe institucional dhe bëni sikur keni zbuluar dokumenta që qeveria nuk ka dashur tua japë juve. E bëra këtë për të informuar të gjithë ata që mund të kenë qenë sensitivë për shkak të asaj fryme aspak pozitive dhe transparente që për fat të keq edhe gazeta juaj, por edhe ju personalisht, keni kontribuar gjatë këtyre muajve në këtë drejtim.
Po kështu, Parlamenti nuk ka stopuar procedurat e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, por Parlamenti për arsye edhe të atyre ndjeshmërive që mund ti keni krijuar ju e të tjerë, dhe për fat të keq edhe të asaj fushate dizinformuese aq më keq që bëjnë edhe drejtues të lartë të opozitës, është treguar i hapur, për ti dhënë më shumë kohë edhe opinionit publik dhe të gjithë atyre që janë të interesuar për të kuptuar që kjo është një marrëveshje me interes dy palësh. Dhe mund tju them që kjo është një marrëveshje më me shumë interes për Shqipërinë sepse ne duam të bëhemi pjesë e BE, ndërsa Greqia është pjesë e saj prej dekadash. Por, njëkohësisht do të ishte mirë që në Parlament të ishte edhe opozita meqenëse ajo është në krye të këtij instrumentalizimi sepse nuk kemi arsye të kalojmë këtë marrëveshje me nxitim dhe pa bërë transparencën e nevojshme dhe me opozitën në Parlament. Por, qeveria është e vendosur për të ecur përpara sepse kjo marrëveshje dhe marrëveshje të tjera janë me interes reciprok midis dy vendeve.
Pyetje. Zoti Meta! Cili është qëndrimi i Tiranës zyrtare për çështjen e emrit të Maqedonisë.
Z.Meta: Ne dëshirojmë që çështja e emrit të Maqedonisë të zgjidhet me konsensus midis palëve, në kuadër të angazhimit dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara sepse ne dëshirojmë që ish Republika Jugosllave e Maqedonisë së shpejti të jetë anëtare e NATO-s dhe njëkohësisht, sa më shpejt të bëhet edhe anëtare e BE. Jam i bindur që këtë gjë e dëshiron edhe vetë Greqia për ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
Z. Droutsas:Ne e konsiderojmë që kjo marrëveshje është në interes reciprok të dy vendeve tona. Ka të bëjë me kuadrin e marrëdhënieve dhe fqinjësisë së mirë dhe përbën dhe një hap shumë të mirë që po bën Shqipëria drejt perspektivës së saj evropiane për të cilën edhe ne e kemi theksuar angazhimin tonë për integrimin e Shqipërisë në BE.
Përsa i përket procedurës së ratifikimit, çdo vend ka procedurat e veta të ligjshme. Më lejoni që të theksoj edhe një herë qëndrimin e Greqisë, por kjo e përforcuar edhe më shumë në takimin që pata me mikun tim, z. Meta, dua të theksoj se Greqia, në mënyrë të sinqertë të jetë në ballë të përpjekjeve të të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perendimor për integrimin e tyre evropian.
Dhe kjo dëshirë e sinqertë, sigurisht që vlen edhe për Shkupin. Greqia dëshiron që së shpejti edhe Shkupi të jetë pjesë e familjes sonë të përbashkët evropiane. Për këtë ecuri, çdo vend ka kritere të qarta, parakushte të qarta. Dhe ne jemi të qartë në këtë çështje. Hapja e bisedimeve integruese me Shkupin, presupozon që më parë të jetë e zgjidhur cështja e emrit. Greqia dëshiron që sa më shpejtë të zgjidhet cështja e emrit. Qëndrimi i Greqisë është i qartë dhe i njohur për të gjithë dhe ne do të punojmë më shumë në këtë drejtim për të zgjidhur çështjen e emrit. Ne i zgjasim dorën popullit tonë fqinj dhe shpresojmë që dhe udhëheqja e vendit tonë fqinj, të hyjë me të njëjtën frymë konstruktive në këtë procedurë për zgjidhjen e çështjes së emrit.
Pyetje për z.Droutsas. -Gjatë bashkëbisedimit me z. Meta, a konstatuat një frymë bashkëpunuese dhe dëshirën e qeverisë shqiptare për të përshpejtuar reformat për integrimin e saj në BE?
Përgjigje: Unë besoj se dëshira e udhëheqjes politike shqiptare është bërë tashme publike. Ne tashmë i shohim rezultatet e këtyre reformave, madje mund të them se ato janë të prekshme, të ardhura si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve nga klasa politike shqiptare. Dhe, mjafton të përmendim faktin se kërkesa e Shqipërisë për tu integruar është depozituar tashmë në KE dhe të gjithë ne shpresojmë në një përgjigje të shpejtë dhe pozitive nga ana e KE dhe ashtu sikurse e theksuam, Greqia është gjithmonë e gatshme dhe ti qëndrojë në krah Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Bashkë kemi diskutuar për mënyrat që ne duhet të gjejmë që përvecse përkrahjes politike që Greqia do ti japë Shqipërisë, të kontribuojë dhe në nivel praktik për çdo gjë që Shqipëria mund të ketë nevojë.
Pyetje: Zoti Papandreu ka bërë publike një axhendë për integrimin e Ballkanit Perendimor brenda vitit 2014. Kjo është një dëshirë e Greqisë apo një arritje e realizueshme për integrimin e këtyre vendeve?
Z. Droutsas: Propozimi për 2014 është një propozim politik me një simbolikë të veçantë sikurse pata rastin ta theksoja dhe më parë. Ashtu sikurse e dimë të gjithë, BE, vendos kritere të caktuara dhe parakushte për integrimin në të sepse problemet që kanë vende të ndryshme janë të ndryshme. Pra, është në dorën e cdo vendi të bëjë ato reforma të domosdoshme në një kohë të shkurtër për tu bërë anëtar. Më e rëndësishmja për ne është fryma pozitive që duhet të krijohet dhe sikurse unë e pashë vetë në Shqipëri, është fryma pozitive që duhet të zhvillohet në vendet e Ballkanit Perendimor për tu integruar në familjen tonë të madhe të BE. Kjo është më e rëndësishmja në këtë moment, pra të kemi një avancim pozitiv të kësaj ecurie integruese në mënyrë që dhe BE të shikojë gjithë këtë procedurë në një sy më pozitiv. Nga ana tjetër, sigurisht që vendet kandidate të kenë një stimul të ri serioz për ato reformat e domosdoshme që duhen bërë. Ky është mesazhi i 2014-ës dhe pikërisht në këtë mesazh ne duhet të fokusohemi. Dhe, në këtë ecuri të së ardhmes evropiane, respektimi i të gjithë spektrit të procedurave demokratike, është veçanërisht shumë i rëndësishëm.
Ministria e Jashtme
Krijoni Kontakt