Urdhri i Berishës për kufijtë detarë
» Dërguar më: 19/11/2009 - 12:32
Tedi Blushi
Ngritja e grupit negociator për përcaktimin e kufirit detar me vendet fqinje është bërë me urdhër direkt të kryeministrit Sali Berisha. “Gazeta Shqiptare” ka siguruar ekskluzivisht kopjen e këtij urdhri të lëshuar në datën 23 gusht 2007, dhe që për dy vjet me radhë është mbajtur sekret nga qeveria. Direktiva e Berishës që i hapi rrugën fillimit të negociatave me palën greke për përcaktimin e kufirit ujor në detin Jon, është bërë së fundmi publike nga Ministria e Punëve të Jashtme. Referuar këtij dokumenti, kryeministri Berisha urdhëron konkretisht “ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës, për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje. Grupi i punës ka për detyrë të përgatisë marrëveshjet për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje. Ai kryesohet nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në përbërje të ketë përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, Drejtësisë, e Brendshme, e Transportit, e Ekonomisë, e Mjedisit, e Punëve të Jashtme, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Instituti i Gjeografisë Ushtarake”. Mandej, kryeministri Berisha ka përcaktuar që në mbledhjet që do të zhvillohen me ekspertët e vendeve fqinje që kanë dalje në det, respektivisht Greqinë dhe Malin e Zi, të marrin pjesë edhe përfaqësues të Akademisë së Shkencave në përputhje me problematikën. “Titullarët e ministrive dhe të institucioneve të përcaktuara të paraqesin te kryetari i grupit të punës, brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi të këtij urdhri, emrat e përfaqësuesve të tyre”, - shprehet Berisha në fund të direktivës së tij. Të gjitha ministritë e ngarkuara për zbatimin e këtij urdhri brenda afatit pesëditor kanë përcaktuar përfaqësuesit e tyre në grupin ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental. Ekspertët e ngarkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë qenë Sekretari i Përgjithshëm, Ferit Hoxha, Ledia Hysi, Drejtore e Çështjeve Juridike dhe të Drejtës Ndërkombëtare, si edhe dy specialiste në çështjet juridike dhe rajonale, Suela Ibrahimi dhe Enkeleda Mërkuri. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes vendosi të përfaqësohej nga Komandanti i Flotës Detare, Kristaq Gërveni; nënkomandanti i Flotës, Bektash Petoshati si edhe nga oficeri i shtabit për doktrinën, Agim Lleshi. Instituti i Gjeografisë Ushtarake vendosi të përfaqësohej me drejtoreshën, Miranda Zeka. Kurse Ministria e Drejtësisë, me specialisten e Drejtorisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Ana Shkëmbi. Ministria e Brendshme, me Drejtorin e Shërbimeve Operacionale në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, kryekomisarin Krenar Muço, ndërsa Ministria e Transportit, me shefin e sektorit në Drejtorinë e Politikave të Transportit Detar, Shkëlqim Xhaxhiu. Ministria e Ekonomisë përfaqësohej nga përgjegjësi i sektorit të Politikave Primare, Stavri Dhima. Ndërkohë Ministria e Mjedisit, me dy përgjegjësit e sektorit të ujërave, Skënder Hasa dhe Nihat Dragoti. Sa i përket Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, përfaqësuesit e zgjedhur prej saj ishin vetë drejtori Milo Kuneshka si edhe Drejtori i Departamentit të Hidrokarbureve, Fatbardh Ademi. Së fundmi Akademia e Shkencave përfaqësohej me tre ekspertë, Mitat Sanxhaku, Miriam Bogdani dhe Emirjeta Adhami.
Negociatat me palën greke
Marrëveshja e përcaktimit të kufirit detar me palën greke është negociuar nga 11 zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Por, pjesë e këtij grupi kanë qenë ekspertë të cilët nuk ishin ngarkuar më parë nga ministritë përkatëse. Konkretisht nga Ministria e Jashtme kanë marrë pjesë Gazmend Turdiu, Drejtor i Çështjeve Juridike Ndërkombëtare dhe Konsullore, si edhe Ilir Tepelena, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale. Gjithashtu nga Ministria e Mbrojtjes kanë marrë pjesë përgjegjësi i sektorit të hartave dixhitale, Anduel Cauli dhe ai i sektorit të fotogrametrisë, Ferdinand Berberi. Ndërkohë në grupin që negocioi me palën greke për ndarjen e kufirit ujor, rezulton se nuk u ftuan përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave si dhe Agjencisë së Burimeve Natyrore, Ministrisë së Ekonomisë, Mjedisit dhe të Transporteve.
gsh.
Krijoni Kontakt