Ambasadori grek, urdher Topallit: Miratoni kufijte
Tedi Blushi
Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Nikolaos Pazios ka zhvilluar dje një takim privat me kryetaren e parlamentit, Jozefina Topalli. Ambasadori grek ka hyrë në orën 12:00 në ambientet e kryesisë së Kuvendit, ku ka qëndruar për 40 minuta. Takimi është zhvilluar pa praninë e mediave dhe në lidhje me të nuk ka pasur asnjë deklaratë apo njoftim paraprak. Zyra e Shtypit pranë Kuvendit, e kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” konfirmoi zyrtarisht takimin Pazios-Topalli, por saktësoi se “ai ka qenë tërësisht privat”, duke mos servirur kësisoj detaje të tjera. Por burime pranë Topallit saktësuan për GSH se takimi është zhvilluar pas kërkesës së diplomatit grek. Jo zyrtarisht thuhet se thirrja e këtij takimi urgjent nga ana e Pazios ka pasur për qëllim marrjen e një informacioni zyrtar nga kryeparlamentarja Topalli, lidhur me “fatin” e marrëveshjes shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy shteteve, e depozituar për ratifikim në Kuvendin e Shqipërisë, por e shtyrë për një afat të pacaktuar. Pazios, në emër të qeverisë së Athinës mësohet t’i ketë bërë të ditur Topallit nevojën e ratifikimit të shpejtë të këtij dokumenti. Presioni i palës greke lidhur me këtë çështje është bërë pikërisht një ditë para se Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare të miratojë kalendarin trejavor të punimeve. Është pranuar apo jo kërkesa e ambasadorit Pazios nga kryeparlamentarja Topalli, kjo pritet të saktësohet në seancën e pasdites së sotme kur Kuvendi do të votojë këtë kalendar.
Topalli-Berisha
Lëvizjet politike të maxhorancës që pasuan takimin Pazios-Topalli, kanë lënë të kuptohet qartësisht se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga parlamenti shqiptar ka për të qenë një çështje ditësh. Ambasadori grek la godinën e kryesisë së Kuvendit në orën 12:40. Dhe vetëm 20 minuta më pas, pra në orën 13:00, në një konferencë të posaçme shtypi deputeti Osman Metalla deklaroi në emër të Partisë Demokratike se marrëveshja shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar “zbaton në mënyrë rigoroze të gjitha parashikimet e Konventës së Kombeve të Bashkuara. Në këto kushte, në të gjitha pretendimet e ngritura në kërkesën që Edvin Bllofi i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë të vërtetë, por vetëm gënjeshtra dhe abuzim me ndjenjat e shqiptarëve”, - deklaroi ai. Fill pas kësaj konference kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në orën 13:45 niset drejt godinës së Këshillit të Ministrave për të zhvilluar një takim privat kokë më kokë me kryeministrin Sali Berisha. Burime jo zyrtare pranë kabinetit të shefit të qeverisë konfirmuan për “Gazeta Shqiptare” se takimi është kërkuar nga Berisha, me qëllim për të pasur një informacion më të detajuar lidhur me diskutimet që Topalli zhvilloi në zyrën e saj me ambasadorin grek, Nikolaos Pazios. Ndërkohë nuk dihet se për çfarë qëndrimi kanë rënë dakord Topalli-Berisha lidhur me marrëveshjen shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar. Automjeti ‘Benz’ i kryeparlamentares, me targë TR 0015 Z, la godinën e Këshillit të Ministrave në orën 14:55 dhe ky moment është fotografuar nga “Gazeta Shqiptare”.
-------
Tani po që do nënshkruhet marrëveshja. Nëse do që të bësh dicka në shqipëri, merr një ndërkombëtar, jepi ca tituj dhe nëpërmjet tijë disa urdhëra dhe politikanët tanë bëjnë cdo gjë. Nëse ndërkombëtari është grek pastaj i falen si perëndi.
Po ta analizojmë mirë situatën në Ballkan asnjë shtet nuk ka marrëdhenie të mira me Greqinë. Maqedonia nuk ka fare, i thanë ndërro flamurin himnin etj në vitet 90, e ndërruan, tani i shkojnë prap i thonë ndërro emrin, po ta ndërrojnë emrin do i shkojnë prap e do i thonë, e di cke, ik fare se kjo është toka jonë etj. Me Bullgarin kanë marrëdhënie shumë të ftohta, me Turkun nuk kanë fare, por vetëm i bashkojnë ato organizata tip Nato ku janë bashkë pjestar.
Me ne ? Me ne janë të shkëlqyera. Mbas kufijve detarë vijnë ato tokësorë. Do hiqet apo jo ligji i luftës ? Epo duhet me fal dhe ca tokë se nuk ka lezet. Ah pika që nuk na bie ne. Kjo pastaj shërben dhe si model për Kosovën që ishte e paaftë të coheshe në luftë si Kroati e ti zhdukte të gjitha pakicat nga Kosova një herë e përgjithmonë. Kur Greku do marrë toka falas me shqiptarë në to, imagjinoni Serbia me Mitrovicën. Ndryshimi i kufijve sapo ka filluar.
Krijoni Kontakt