Një grup partish opozitare, nga e majta dhe e djathta e spektrit politik shqipëtar, kanë vendosur t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar kushtetutshmërinë e marrëveshjes së arritur mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufijtë ujore mes dy vendeve.
Ato pretendojnë se nga kjo marrëveshje Shqipëria ku humbur 354.4 kilometra katror sipërfaqe ujore.
Përfaqësuesit e partive opozitare pretendojnë se para ratifikimit të Marrëveshjes së kufijve ujorë nga Parlamenti, Gjykata Kushtetuese ka komptencën të verifikojë kushtetueshmërinë e saj.
Politikani me përvojë Sabri Godo propozon që pretendimet e palëve brenda vendit për Marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin ujor t'i vlerësojnë ndërkombëtarët. Z. Godo ka qenë i pranishëm edhe dje në takimin e organizuar nga ministria e mbrojtjes për zbardhjen e kësaj marrëveshje.
BBC: Z. Godo a keni arritur në një ide të qartë ku është falur dhe ku nuk është falur?
Godo: Unë besoj se kjo duhet të sqarohet edhe më tej sepse janë palë që kanë versione të kundërta. Ajo që munda të kuptoj unë duke mos qenë teknik i këtyre punëve është se si pikë nisje për matjen e hapësirës detare kanë shërbyer dy ishuj të vegjël që janë afër Korfuzit dhe gurët shkëmborë që janë në kufirin tonë.
Kjo ka çuar në një spostim. Ne duhet të kishim më shumë det në perëndim në rast se do të ishin marrë si pikënisje tokat kontinentale, dmth Korfuzi nga një anë dhe bregu Shqiptarë nga ana tjetër. Kjo është që kam mundur të kuptojë deri tani.
BBC: Pra ju ende dyshoni se kjo marrëveshje ka diçka që nuk është në favor të Shqipërisë?
Godo: Nuk mund të them se shkon në favorin tonë dhe ajo që nuk më duket dhe aq mirë është ngutja e madhe që tregohet për t'a çuar këtë në parlament. Meqënëse këtu është sensibilizuar opinioni publik mendoj se do duhet të bëheshin më tepër sqarime në mënyrë që dhe njerëzit e thjeshtë të kuptojnë përse bëhet fjalë. Ndërkohë vihet re dhe fenomeni negativ që është gjithmonë këtu tek ne dhe kur trajtohen çështje të një interesi të përbashkët që fillojnë e politizohen gjërat.
BBC: Ju jeni një nga hartuesit e kushtetutës shqiptare dhe sot mësohet që një grup partishë të kryesuara nga PS, duan ta çojnë në gjykatën kushtetuese këtë marrëveshje. A ka lëndë kjo marrëveshje për të shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese?
Godo: Kjo varet nga pretendimi. Në rast se pretendohet se është cënuar territori i Republikës, atëherë ka vend të hyjë gjykata kushtetuese dhe të thotë fjalën e saj, por në rast se interpretohet si një marrëveshje e thjeshtë mes dy shteteve për një përcaktim normal të kufijve në vijën e duhur, atëhere do të mjaftonte një votim në parlament me 50+1".
BBC: Zoti Godo, si e mendoni rrugën e zgjidhjes së këtij problemi që duket se po merr shumë përmasa?
Godo: Fillimisht duke parë se këtu nuk do të ketë një ballafaqim të palëve nuk do të ketë një diskutim të hapur. Dhe si ndodh zakonisht tek ne gjërat politizohen dhe shkojnë duke u nxehur.
Unë sugjerova që në fillim që mbase do të ishte mirë në këtë rast të kërkojmë një ekspertizë të huaj të institucioneve ndërkombëtare që mund të na japin ndihmë teknike dhe të thonë fjalën e tyre se cila do të ishte ajo zgjidhje që nuk do të prekte interesat e asnjërës palë. Një gjykim i huaj dhe i paanë do të na jepte ndihmë se cila është gjëja e duhur për të bërë.
Kuvendi i Shqipërisë nuk e përfshiu ratifikimin e Marrëveshjes në tre javët e ardhshme të punimeve të tij.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje ishte caktuar më 19 tetor.
Gjatë një takimi të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes për këtë çështje, Ministri Arben Imami ka theksuar se marrëveshja është negociuar mbi bazën e Konventës së Detit dhe se Greqisë nuk i është falur asnjë kilometër toke.
Sipas marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe konventave ndërkombëtare, kufiri detar i Shqipërisë nuk mund të shkojë më shumë se 12 milje detare, ndërsa kufiri detar midis dy vendve ndahet në mënyrë të barabartë.
Deri tani në fuqi ka qenë një ligj i vitit 1983, sipas të cilit autoritetet komuniste të kohës kishin vetëdeklaruar një kufi detar prej 15 miljesh detare, kufi që nuk njihej nga konventat ndërkombëtare.
marr nga BBC
Krijoni Kontakt