Pse s'ka ndryshime ne qeverine "Thaci"
Nga Armand Shkullaku
E Diele, 10 Maj 2009
Prej shume kohesh, ne mjediset politike dhe ne ato prane tyre, po flitet per ndryshime te mundshme ne Kabinetin Qeveritar Thaci. U fol dendur para do muajsh, ku ne shenjester ishin kryesisht ministrat Gashi dhe Hyseni. Po flitet perseri tani dhe listes i jane shtuar edhe Shala, Kelmendi, Vehabi... Disa here eshte dukur sikur ndryshimet do te ndodhnin shpejt, ceshtje ditesh, dhe here te tjera, befas, ato jane bere te largeta. Por, e rendesishme eshte se per to po debatohet dhe komentohet gjate. Nga opozita, nga vete anetaret e koalicionit qeveritar, nga media, nga qytetaret.
Po, pse nuk ndodh dicka per te cilen flitet kaq shume?
Sepse, njeriu qe i ka ne dore keto ndryshime, Hashim Thaci, duket se ka qene i interesuar qe per to te flitet, por asnjehere te mos vendoset. Ai kurre nuk ka thene se nuk do te beje ndryshime, madje ne disa raste ka lene te kuptohet se e ka gati firmen per te ndeshkuar ministrat e paafte, por gjithcka e ka lene pezull. Kjo situate: edhe do te kete, por edhe nuk do te kete ndryshime, Hashim Thacit i intereson per disa arsye.
Duke u marre me nje teme te tille, vemendja e opinionit sa vjen e fokusohet ne emra te vecante ministrash e jo mbi Kryeministrin dhe kabinetin ne teresi. Pakenaqesia popullore e ka nje shtrat mbi te cilin derdhet. Per fat te mire, ose edhe me pak mjeshteri, ka qelluar qe emrat e ministrave te paafte t'i perkasin LDK-se, partise partnere ne koalicion dhe ata me te suksesshmit PDK-se. Jo vetem kaq, por duke mos bere ndryshime, edhe ajo pjese e opinionit mediatik qe do te tregohet kritike ndaj Qeverise, e ka nje target per ta bere kete. Ne mungese te nje opozite te forte politike, kjo lloj loje brenda kabinetit thyen edhe monotonine e te qeverisurit pa u ndjere i kercenuar.
Perse Thacit i duhet atehere ta ndryshoje kete situate?
Nuk i duhet edhe sepse Thaci, si njohes i mire i skenes politike kosovare, e di se ndryshimet do te shkaktonin vale pakenaqesie dhe do te zgjonin shume orekse. Nuk do te ishin te pakenaqur vetem ministrat qe do te largoheshin, por edhe ata qe do te synonin te zinin vendet e tyre. Postet jane pak, ndersa ata qe duan te behen ministra jane shume. Rreziku per kalimin tek AAK nuk eshte vetem tek te shkarkuarit, por edhe tek qejfmbeturit, qe do te revoltoheshin nga cdo zgjidhje qe do te bente Sejdiu per te nominuar ministrat e rinj. Nje situate e tille do te shkaktonte carje ne LDK dhe Hashim Thacit, per momentin, kjo eshte gjeja qe me pak i duhet. Po ashtu, edhe Sejdiut, qe ne kete loje nuk i mbetet tjeter vetem te perserise frazat standarde te Kryeministrit se "puna e cdo ministrit do te vleresohet me seriozitet".
Ndryshimet nuk do sillnin telashe vetem per LDK-ne. Thacit, i cili praktikisht menaxhon dy parti, i duhet te mendoje edhe per PDK-ne. Duke e ruajtur gjithnje si nje mundesi potenciale ndryshimin e kabinetit, ai i krijon idene e pasigurise cdo ministri te partise se tij, qe ne nje moment te caktuar mund ta ndjente veten te fuqishem. Jo vetem kaq. Virusi i ndryshimeve do te perhapej edhe brenda radheve te partise se tij, ku shume individe qe do te kishin dashur te uleshin ne karriget e ministrave, do te gjenin rastin per ta shprehur pakenaqesine e tyre per anetare te caktuar te kabinetit. Xhelozite, qe ne vitin e pare te qeverisjes kane qene te tulatura, do te gjenin rast te shperthenin me kalimin e kohes. Ndonese eshte ende shpejt, liderit te PDK-se i duhet ta ruaje me cdo kusht unitetin e brendshem per te siguruar edhe nje mandat te dyte.
Keshtu, Hashim Thacit i shkon fare mire per shtat qe per ndryshimet te flitet, por ato asnjehere te mos ndodhin. Ankth dhe pasiguri ne njeren ane per anetaret e kabinetit, shprese per te tjeret se nje dite mund te behen ministra, zhvendosje e vemendjes nga problemet e qeverisjes tek emrat konkrete, jane vetem disa nga avantazhet e kesaj strategjie. Por, qe nuk dihet edhe per sa kohe mund te jete efikase, sepse ne fund te fundit rezultatet e dobeta nuk mund te mbulohen me taktika politike.
Nese shendetesia, drejtesia apo ekonomia kane mungesa serioze, ato nuk mundet perjetesisht t'u faturohen individeve te vecante. Kjo eshte nje shtyrje, por jo nje zgjidhje e problemit. Ne fund, bilanci negativ do t'i rendoje krejt Qeverise dhe njeriut qe e drejton ate. I takon Thacit te vendose nese duhet te beje nje operacion te guximshem tani ne trupin e Qeverise se tij, apo do ta shtyje me barna, me shprese se semundja do te kaloje vete.
Marre nga "Express", Prishtine
Krijoni Kontakt