Nga Express më 11.05.2009 në ora 8:34
(Update) Të paktën 20 pjesëtarë të Policisë së Kosovës pësuan mbrëmë lëndime të lehta gjatë një përpjekjeje për të shpërndarë qindra serbë të cilët në shenjë pakënaqësie për shkak të ndërprerjes së dritave, kishin bllokuar për orë të tëra magjistralen e cila lidh Gjilanin me Bujanocin.
Policia ia ka dalë të vërë gjendjen nën kontroll dhe mbrëmë rreth orë 23:00 është liruar për qarkullim rruga magjistrale Gjilan-Bujanoc, pasi ishte mbajtur e bllokuar për orë të tëra nga serbët lokal të Korminjanit dhe Ranillugut.
Rruga është liruar pas ndërhyrjes së policisë, që ka rezultuar me rreth 20 policë të lënduar dhe arrestimin e 5 protestuesve të dhunshëm, tha sot për radion Blue Sky, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti lidhur me këto protesta, ka deklaruar se serbët problemet rreth furnizimit me energji elektrik, duhet ti zgjidhin me mjete paqësore e jo me dhunë.
Sipas mediumeve të Beogradit, gjatë përleshjeve janë lënduar dhjetë serbë lokal, prej të cilëve dy më rëndë.
Krijoni Kontakt