Regjisori grek Sotiris Akxaqis ngjit në skenën greke aktoren e njohur të skenës dhe filmit shqiptar me veprën e Ismail Kadaresë, Intervistoi: Julia Vrapi
Aktorja e njohur e skenës teatrore dhe kinemasë shqiptare, Margarita Xhepa, është e ftuar në Greqi për të realizuar një performancë të re në shqip të legjendës së shkruar nga shkrimtari i madh Ismail Kadare “Kush e solli Doruntinën”. Aktorja merr pjesë në këtë shfaqje teatrore me ftesë të regjisorit të njohur grek, Sotiris Akxaqis. Regjisori grek i ka besuar aktores Xhepa që të interpretojë sërish në skenën teatrore rolin e nënës së Kostandinit dhe Doruntinës. Ikona e skenës dhe filmit shqiptar Margarita Xhepa në një intervistë dhënë për gazetën, tregon të gjitha detajet e pjesëmarrjes së saj në këtë pjesë teatrore, që do të vendoset si fillim në skenën greke, për të shëtitur më pas dhe në shumë skena të tjera të Ballkanit, ku mes tyre do të jetë dhe skena e Teatrit Kombëtar. Aktorja e njohur ka pranuar të japë më shumë detaje në lidhje me këtë udhëtim të saj drejt Greqisë, ku pas disa javësh ajo do të ngjitet në skenën greke për të interpretuar rolin e nënës.
- Jeni e ftuar nga regjisori i njohur grek Sotiris Akxaqis, i cili ju ka besuar në rolin e nënës në pjesën teatrore “Kush e solli Doruntinën”. Si ndiheni?
Pas suksesit me “Trojanet” me rolin Hekubës, po përjetoj një moment shumë të gëzuar sepse një regjisor shumë i madh grek Sotiris Akxaqis ka menduar që veprën që është legjendë e Ballkanit me titull “Kush e solli Doruntinën”, ta bëjë një performancë në pesë gjuhë të Ballkanit. Tre aktorë, nëna, Kostandini dhe Doruntina do të jenë shqiptarë, po kështu do të jenë dhe grekë, rumunë, bullgarë dhe serbë, të cilët do të realizojnë këtë shfaqje në pesë gjuhët e Ballkanit. Unë nuk di shumë se sido të realizohet, por unë di që do të jetë një performancë shumë interesante.
-Interpretoni në një performancë në pesë gjuhë të Ballkanit,por në nj vepër që ju dikur e oniki luajtur dhe në teatrin tonë. Çmendoni për këtë gjetje regjisoriale?
Mua kjo më duket një fantazi shumë e bukur, që më frymëzoi për të filluar këtë punë të re, këtë rol që unë e kam luajtur dikur në Teatrin Kombëtar, që është një dramatizim i Edmond Budinës dhe i Pirro Manit, regjisor Fatos Hakorja. Ne e kemi luajtur disa herë shfaqjen “Kush e solli Doruntinën”shkruar nga i madhi Ismail Kadare. Por më gëzoi fakti që unë këtë rol e njoh, e kam luajtur disa herë, por gjithashtu më gëzoi fakti që të fton një regjisor grek, me një fantazi të tillë. Unë jam nëna dhe do të kërkoj besën e Kostandinit në skenën greke, dhe shfaqja di që do të jetë në një trajtim shumë interesant. Për ta prurë këtë legjendë, këtë mit në një formë të re, unë jam e bindur se ka një mesazh kohor me këtë perfomancë kaq të mençur dhe tepër elegante dhe me një fantazi tepër të hollë, që neve aktorëve do të na krijohet një frymëzim që në fillimin e punës. Kështu unë mezi po pres që të filloj provat me këtë pjesë. Nuk mund të flas shumë për këtë, se si do të jetë konceptuar, por kur të kthehem do të kem mundësi që t’ju tregoj shumë gjëra mbi veprën “Kush e solli Doruntinën”. Për momentin unë di që performanca është shumë interesante dhe do ta trajtojmë në antikitet. Pasi ta japim shfaqjen në Greqi, ne do ta shfaqim atë dhe në pesë shtete të Ballkanit dhe më pas do të vijmë dhe në Shqipëri. Besoj se nga muaji maj ne do të vijmë në Tiranë, dhe unë do të interpretoj rolin e nënës. E ndjej këtë rol që nga koha kur isha mbi 40 vjeç, dhe tani e kam rolin e moshës time tamam të përshtatur. Pra nuk kërcet as mosha dhe as natyra e kësaj nëne kaq fisnike, që do familjen. Ajo shkon tek varri dhe i thotë: ‘Kostandin ku e ke besën që më e dhe për ta sjellë Doruntinën’, sepse ajo u martuar shumë larg, edhe nënën e ka këputur malli dhe djali i dha premtimin. Ajo shkon tek varri dhe lëshon një klithmë aty, bën një kërkesë që i thotë, se ti më dhe fjalën dhe nuk e mbajte, sepse Doruntina është martuar tre male larg dhe nuk ka kush ta sjellë.
-Tashmë jeni bërë një aktore e njohur dhe për publikun grek, ndërkohë që shtypi praninë tuaj e ka komentuar si një prej aktoreve më të vlerësuara. Si ndiheni?
Kur fillon një pjesë, një rol dhe të fton një regjisor lëvizja është gjithmonë e bukur për artistët, sepse lëmë diçka dhe marrim. Këto 18 vjet që u krijua kjo lëvizje, kjo frymëmarrje, këtë liri që artisti e ka dashur gjithmonë, të ketë një hapësirë dhe e gjitha kjo më bën që unë të shkoj për herë të katër në Greqi. Unë kam krijuar një respekt atje për derisa ata më ftojnë. Për këtë unë e falënderoj shumë regjisorin Sotiris Akxaqis, që më besoi rolin e nënës. Vlerësimi më gëzon pa masë, sepse artistin e ngrohin vlerësimet. Ky rol ka qenë dhe është gëzimi im. Përpara spektatorit gjithmonë jemi në pozita pune, sepse duartrokitjet e tyre, janë frymëzim që neve në pozita pune të bëjmë një rol tjetër akoma më të mirë. Ky respekt ma shton kënaqësinë dashurinë për punën, që mua nuk më ka reshtur kurrë dashuria për artin. Unë në Greqi kam marrë lavdërime shumë të bukura nga spektatori grek për “Trojanet”, “Elektrën”, me filmin “Mirupafshim” dhe kjo është një kënaqësi që vëmendja e tyre është ndalur tek puna ime. Këto vlerësime janë gëzim dhe të japin krahë, madje unë sikur më duket vetja se jam më e re se sa jam. Më duket sikur nuk jam 75 por jam 35 vjeçe. Kështu që për këtë respekt unë i falënderoj spektatorët, që me falënderimet e tyre më kanë dhe fuqi dhe dëshirë që unë të vazhdoj të punoj akoma.
-Jeni në dijeni se kush do të jenë aktorët e tjerë shqiptarë pjesëmarrës në vepër?
Rolin e Kostandinit do ta luajë Karafil Sheno. Ka qenë një aktor në teatrin tonë, por që ka vite që është larguar në Greqi. Është një aktor shumë i mirë dhe tepër i talentuar. Doruntina është një vajzë simpatike, e re që është vajza e Englantina Kumes.
-Riktheheni me një rol pas shumë vitesh, të cilin ju do ta interpretoni në një skenë greke. Si e shikoni ndryshimin në rol, pasi tashmë ju keni dhe një moshë që ju përshtatet me rolin?
Unë rolin e njoh dhe e kam dashur, por tani unë do t’a dua dhe më shumë dhe ai do të jetë shumë afër meje, sepse do të ketë pluse për sa i përket performancës që ai do të ketë. Megjithatë unë do të punoj me një regjisor të huaj grek, siç punova për rolin Hekubës për të cilin unë e falënderoj regjisorin grek, por do të punoj dhe me aktorë të tjerë. Për mua është një kënaqësi që të shkëmbej mendime, mënyra se si do trajtojë. Këto të krijojnë mundësi, që ky bashkëpunim të vijë drejt pasurimit tonë të mjeshtërisë të artit. Regjisori ka menduar një performancë shumë të mençur për ta trajtuar këtë shfaqje.
-Keni mbi supe shumë vite, jeni lodhur nga karriera artistike?
Jo, nuk mund ta krahasoj angazhim tim me atë të kaluarës. Kur unë isha e re kam pasur fatin të angazhohem në shumë role, jo vetëm dramaturgji të huaj, por edhe në atë klasike. Unë do ta quaj fat që Teatri Kombëtar i ka trajtuar në pjesët kontemptorane, kam bërë filma, kështu që angazhimi dhe kjo punë ndër vite më bëri të përgatitur për të luajtur Hekubën. Unë i kam falënderuar regjisorët gjithmonë. Unë shkova e përgatitur në Greqi për të luajtur Hekubën, që ata e kanë pjesën e tyre, dhe janë akoma aktorët që kanë luajtur Hekubën.
-Interpretoni dhe në filmin e regjisorit Saimir Kumbaro “Ne dhe Lenini”. Ç’mund të na tregoni rreth rolit?
Filmi është punuar me dashuri nga regjisori Saimir Kumbaro. Është xhiruar në një azil pleqsh, ne ia kaluam shumë mirë dhe u gërshetuam shumë bukur me ata që banonin aty. Ne përfituam nga ata dhe iu dhamë kënaqësi. E kam shumë të dashur atë rol dhe kam parasysh dramën e vajzave tona, që në emër të dashurisë së tyre të bukur, duke e menduar me perspektivë ato janë zhgënjyer dhe kanë pësuar dramë në shpirtin e tyre. Mbi të gjitha unë admiroj personalitetin e femrës sonë. Dhe në rol ajo arriti ta lindë djalin, ta rrisë dhe ta martojë pavarësisht se dhe ajo përfundoi në një azil, por jo se nuk e do djali, por për shkaqe të tjera. Ajo është një grua me dramë, por me personalitet, që di ta kalojë dhimbjen. Kjo është e bukura e njeriut që duhet t’i kalojë dramat e jetës me durim, personalitet.
Gazeta sot
Krijoni Kontakt