Perberja e fetare e Shqiperise: rezultatet e 3 sondazheve
28.06.2009
nga Niuton MULLETI
Që pas rënies së sistemit monist dhe vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, një nga çështjet që është diskutuar vazhdimisht ka qenë edhe ajo rreth përbërjes fetare të vendit tonë.
Duke pasur parasysh faktin që regjistrimi i fundit zyrtar mbi përkatësinë fetare është bërë vetëm në vitin 1936, ndjekur nga një periudhë 50 vjeçare ku fillimisht praktikimi i fesë iu nënshtrua një trysnie dhe shtypjeje të rëndë dhe më pas u ndalua plotësisht nga regjimi komunist, një debat i tillë ishte mjaft i natyrshëm që të ndodhte. Ky debat është ushqyer edhe nga mungesa e regjistrimeve të popullsisë pas vitit 1991, me përjashtim të regjistrimit zyrtar të vitit 2001, ku gjithsesi nuk u pyet përkatësia etnike dhe fetare e popullsisë rezidente në vendin tonë.
Në këto kushte, të vetmet burime që mbeten për të vlerësuar përkatësinë fetare të Shqipërisë mbeten sondazhet dhe anketat e opinionit publik, të cilat janë kryer më së shumti nga organizata dhe institucione të huaja. Në këtë kontekst, një burim mjaft të mirë në lidhje me këtë çështje e përbëjnë tre sondazhe të kryera nga kompania Globic LLC si pjesë e një projekti afatgjatë për studimin e opinionit publik në Shqipëri. Globic LLC është një kompani për studime akademike të opinionit publik dhe të sjelljes elektorale, me qendër në Karolinën e Veriut, SHBA. Duhet theksuar fakti që këto sondazhe kanë pasur për qëllim studimin e opinionit publik dhe matjen e sjelljes zgjedhore në Shqipëri në tri periudha të ndryshme pas zgjedhjeve të 3 korrikut. Pyetja rreth përkatësisë fetare ka qenë vetëm një nga pyetjet e shumta të sondazhit.
Fakti që këto sondazhe janë bërë në hapësira të ndryshme të Shqipërisë e bën edhe më interesant studimin e përkatësisë fetare të këtyre rajoneve. Sondazhi i parë është kryer në periudhën 4-20 korrik 2005 në një kampion prej 1500 familjesh, përfaqësues të popullsisë së gjithë vendit tonë. Sondazhi i dytë është bërë në periudhën 20-28 dhjetor 2005 me 910 shtetas shqiptarë mbi 18 vjeç të përzgjedhur krejt rastësisht, banues në rrethet Tiranë-Durrës, ndërkohë që sondazhi i tretë është kryer në periudhën 5-11 qershor 2006 në një kampion përfaqësues prej 1200 rezidentësh në Tiranë.
Kështu, në sondazhin e parë, kur janë pyetur rreth përkatësisë së tyre fetare, 62.7 % e të intervistuarve janë deklaruar si myslimanë, 1.5 % si myslimanë syni, 6 % si myslimanë bektashi, 14.7 % si ortodoksë dhe 13.2 % si katolikë. Vetëm 1.9 % e të intervistuarve janë deklaruar si të pafe ose pjesëtarë të feve të tjera.
Kur janë pyetur se sa shpesh shkojnë në xhami/kishë/teqe, 46.4 % janë shprehur “asnjëherë”, 14 % “shumë rrallë”, 25 % “ndonjëherë”, 5.1 % “shpesh” dhe 9.5 % “shumë shpesh”.
Ndërkohë, në sondazhin e dytë, i cili është zhvilluar në Tiranë dhe Durrës, 66.1 % e të intervistuarve janë deklaruar si myslimanë, 1.1 % si myslimanë syni, 5.5 % si myslimanë bektashi, 13.3 % si ortodoksë dhe 6.3 % si katolikë. 1.6 % e të intervistuarve janë deklaruar si të një feje tjetër dhe 6 % si të pafe.
Në lidhje me praktikimin e fesë nëpërmjet frekuentimit në xhami/kishë/teqe, 63 % janë shprehur “asnjëherë”, 11 % “një herë në vit”, 17 % “disa herë në vit”, 3 % “një herë në muaj”, 2 % “dy herë në muaj ose më shpesh” dhe 4 % “çdo javë”.
Në sondazhin e tretë, i zhvilluar vetëm në Tiranë, 62 % e të intervistuarve janë deklaruar si myslimanë, 1.5 % si myslimanë syni, 9.3 % si myslimanë bektashi, 14 % si ortodoksë dhe 6.7 % si katolikë. 1.7 % e të intervistuarve janë deklaruar si të një feje tjetër dhe 4.9 % si të pafe.
Të pyetur rreth shpeshtësisë së vajtjes në xhami/kishë/teqe, 55 % janë shprehur “asnjëherë”, 12.5 % “një herë në vit”, 20.3 % “disa herë në vit”, 3.4 % “një herë në muaj”, 4.4 % “dy herë në muaj ose më shpesh” dhe 4.4 % “çdo javë”.
Në këtë sondazh është bërë edhe një ndarje e praktikimit fetar sipas grupmoshave. Kështu përqindja e çdo grupmoshe në kategorinë “praktikim i pakët” është e tillë: 18-29 vjeç (63%), 30-39 vjeç (65%), 40-49 vjeç (68%), 50-59 vjeç (75%), më shumë se 60 vjeç (70%).
Në kategorinë “praktikim mesatar” shpërndarja është e tillë: 18-29 vjeç (27%), 30-39 vjeç (27%), 40-49 vjeç (23%), 50-59 vjeç (21%), më shumë se 60 vjeç (18%), ndërkohë që në kategorinë “praktikim i lartë” kjo shpërndarje është: 18-29 vjeç (11%), 30-39 vjeç (8%), 40-49 vjeç (10%), 50-59 vjeç (1%), më shumë se 60 vjeç (11%).
Nga këto rezultate lehtësisht mund të nxirren këto përfundime:
1. Megjithë shtypjen dhe ndalimin 50 vjeçar të institucioneve dhe praktikës fetare, pjesa dërrmuese e popullsisë shqiptare vazhdon të identifikohet me një nga tre komunitetet e mëdha tradicionale në vend. Në fakt, krahasuar me rezultatet e regjistrimit të popullsisë në vitin 1936, megjithë ndryshimet e mëdha politike, ideologjike, sociale, ekonomike dhe kulturore që kanë ndodhur gjatë këtyre 70 vjetëve, nuk ka ndonjë ndryshim në përqindjen e komunitetit mysliman në Shqipëri, i cili vërtitet në shifrat 70 %, ashtu si në regjistrimin e viti 1936. Nga ana tjetër, vihet re një rënie jo e vogël e përqindjes së ortodoksëve, të cilët aktualisht përbëjnë rreth 15 % të popullsisë krahasuar me 20 % në vitin 1936 si dhe një rritje e përqindjes së katolikëve, të cilët aktualisht përbëjnë pak më shumë se 13 % të popullsisë krahasuar me 10 % në vitin 1936.
2. Megjithë propagandën e egër anti-fetare të ushtruar nga regjimi komunist, vetëm një përqindje mjaft e vogël e popullsisë në rang vendi (pak më shumë se 1 %) deklarohet si “e pafe”. Kjo përqindje rritet në 5-6 % në Tiranë dhe Durrës, një fakt i kuptueshëm ky po të kihet parasysh se kryeqyteti dhe zonat përreth tij kanë qenë më të ekspozuara ndaj ndryshimeve politike, ideologjike, social-ekonomike dhe kulturore gjatë këtyre viteve.
3. Një përqindje mjaft e vogël e të pyeturve identifikohen me një fe të ndryshme nga ato tradicionale, duke konfirmuar faktin që veprimtaritë e sekteve të ndryshme fetare që mësynë Shqipërinë pas vitit 1991 nuk kanë qenë të suksesshme në realizimin e një ndryshimi rrënjësor në strukturën fetare të popullsisë.
4. Ndërkohë që pjesa dërrmuese e të intervistuarve identifikohen me një komunitet fetar, pjesa më e madhe e popullsisë deklarohet se nuk shkon asnjëherë në objektet e kultit (46.4 % në rang vendi, 63 % në rajonin Tiranë-Durrës) dhe një përqindje tjetër e konsiderueshme shprehet se i frekuenton radhë ose shumë radhë objektet e kultit. Përqindja e praktikantëve të rregullt të fesë është mjaft e vogël.
5. Vihet re se grupmoshat 18-29 vjeç dhe 30-39 vjeç e praktikojnë relativisht më shumë fenë se grupmoshat më të mëdha. Grupmosha më pak praktikante është ajo 50-59 vjeç, e cila i korrespondon të lindurve në vitet 1947-1956, të cilët janë lindur, edukuar dhe formuar gjatë periudhës së regjimit komunist në vendin tonë. Këto përfundime konfirmojnë faktin që grupmoshat e rritura dhe formuara në një mjedis anti-fetar të diktuar nga regjimi komunist janë më pak praktikante sesa grupmoshat e reja të cilat nuk janë lindur dhe rritur në një mjedis të tillë. (start)
Gazeta Start
Krijoni Kontakt