Written by Gazeta SOT, Wednesday, 06 May 2009
Lejfenët dhe google’s people
Nga Shpëtim LAME
Në pamje të parë, koha e lejfenëve mund të quhet e tejkaluar, por tani po vjen ose më saktë të mbështjellur bukur po sjellin një tjetër kohë, atë të googel’s people. Ndërduarshmëria e tyre është një proces jo krejt i thjeshtë, sepse janë të larguara në kohë. Ndryshojnë vetëm në formë, por fare pak ose aspak në përmbajtje.
Në sistemin e kaluar, sidomos në dy dhjetëvjeçarët e fundit të tij, me synim të paracaktuar të mirëmenduar, rregullisht u punua dhe në një masë të konsiderueshme përfundimisht u arrit, që bashkësia me mendësi lejfeniste, të merrte trajtën dhe vendin në përputhje me këtë synim. Kjo bashkësi përbëhej kryesisht nga një pjesë e përzgjedhur e brezit të ri të asaj ndërkohe. Në një rrafsh më sipërfaqësor, më lehtë të rrokshëm, na paraqitej me edukim aq të pastër, për gjithçka e përkushtuar, sa që mund të shqetësohej edhe për një bulon të ndryshkur, të hedhur pa dashje diku në një rrugë, prandaj duhej ta merrte dhe ta dorëzonte në ofiçinë. Nuk mund të themi se këtë e bënin të gjithë, por edhe nëse e bënin, është e vështirë të dallojmë se ç’të mirë tjetër ata ishin të aftë dhe të prirur, që t’i sillnin shoqërisë. Ata praktikisht, përveç shumë dëmeve të njohura, përgatitën dhe lehtësuan rrugën që, sot pjesërisht dhe nesër plotësisht, pasardhësja më burimore e saj, bashkësia e google’s people, më dukshëm se asnjëherë më parë, të marrë çdo “ofiçinë” dhe ta dërgojë në shtëpinë e vet.
Pamjen më të plotë, lejfenizmi filloi ta marrë pas viteve ‘70. Njëra nga arsyet, por njëkohësisht dhe si shtysë e fuqishme, lidhet me faktorin moshë. Shumicës së përfaqësuesve të ish emërtesës komuniste, në lartësi dhe rrafshe të ndryshme të saj, po u kufizohej koha fizike për të qenë veprues, sepse po i afrohej moshës së pensionit, të pleqërisë. Për rrjedhojë ata me shqetësim mendonin për vazhdimësinë, për trashëgiminë, thënë ndryshe për të dorëzuar garën në duar krejt të sigurta. Kuptohet se, ashtu si për gjithçka, printe rregulli i shpallur i besueshmërisë së lartë politike, që përshtatshmërinë e pashqyrtueshme, si rregull e gjente kryesisht te klanet dhe fiset, të bllokut dhe të rrethojës së tij, në qendër dhe në rrethe.
Me kalimin e viteve, në xhunglën e mbijetesës, të nxirjes dhe të marrjes së jetës, nëpërmjet pabesive, pritave, dramave, krimeve, me anë të krushqive dhe të çdo lidhjeje tjetër, çdo klan dhe fis, madje sosh prej tyre si pjesë të disa krahinave, në këtë rrafsh shkoi pothuajse drejt njëjtësimit. Në gjeografinë e politikës, kjo u shoqërua me një mungesë të ndjeshme të baraspeshës, pra me shpërpjesëtim përfaqësimi, jo aq në kuptim numerik, me mos miratim në heshtje për copëtimin dhe zhvatjen e pushtetit, ndërmjet klaneve dhe fiseve. Pikërisht këto baraspesha dhe jo gjë tjetër, rreken të vendosen gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve. Për këtë kryesisht përdoren partitë, të vetëquajtura të majta, të djathta dhe të qendrës, të vjetra dhe të reja, që thellë në pikësynimet në përmbajtjen e tyre, janë në mbrojtje vetëm të dobive të klaneve dhe fiseve.
Për vazhdimësinë punohej jo vetëm në të gjitha strukturat dhe organizimet e ndryshme të partisë shtet, por gjithashtu edhe në të gjitha ato që emërtoheshin si ndihmëse, mbështetëse, fidanishte të saj. Kjo pasqyrohej edhe në të gjithë pushtetet, deri pranë majës së tyre; të legjislativit, të ekzekutivit, të gjyqësorit, si dhe në atë medias. Sa i përket gjyqësorit, shinat e vazhdimësisë, ishin shtruar që në krye të herës. Dihet se në letër, shkollimi në degët përkatëse askujt nuk i mohohej, por në praktikë ndodhte krejt e kundërta. E kam fjalën vetëm për atë pjesë, që nuk pengohej politikisht për të vazhduar universitetin. Besoj se çdokush ka njohuritë e tij për këtë ndërkohë dhe për këtë problem, por për të qenë sa më konkret dhe i saktë, mendoj se mund dhe duhet të mjaftojë përfundimi i një studimi, që u realizua në mesin e viteve 80-të, në fakultetin e shkencave politike juridike, pra pikërisht aty ku përgatiteshin juristët (gjyqtarët, prokurorët, hetuesit) dhe filozofët, gazetarët dhe specialistët e politikave ekonomike. Sipas këtij studimi, rreth 90% e studentëve në këtë fakultet, vinin nga familjet e emërtesës së lartë në rrethe dhe në qendër ose që kishin lidhje shumë të afërta me ato.
Të gjitha lëvizjet, me në krye revolucionin kulturor në vitet 67-68, krahas shumë “arritjeve”, përgatitën produktin “cilësor”, të parashikimit dhe të përcaktimit të drejtuesve, të fitimtarëve të rinj të betejave, që nuk do të kishin të sosur. Megjithatë, për këto fitimtarë, pra për bashkësinë e lejfenëve, proceset demokratike dhe ndryshimi i sistemit erdhën më me fat se për të tjerët, ndoshta të paimagjinuar as nga vetë ata, sepse në analizën dhe në vlerësimin e ngutshëm, të cekët, ashtu siç në fakt u bë, me dashje ose pa dashje, nga dija apo nga pa dija, ata nuk rezultuan bashkëfajtorë, as drejtpërdrejtë as tërthorazi. Nga njëra anë është lehtësisht e kuptueshme, se nuk ishte bashkëvuajtëse, për faktin e pa kundërshtueshëm se brenda kufizimeve të sistemit, asaj jo vetëm që nuk i ishte ngrënë haku, por përkundrazi kishte marrë më të madhen e mundshme, të jetësuar në shkollimin e përzgjedhur, në punësimin më të mirë familjar, në trajtimin e përshpejtuar për sigurimin e banimit etj.
Nga ana tjetër duhet të jesh pak mëndje lehtë, për të besuar dhe pranuar se nuk është bashkëfajtore, thjesht bazuar në argumentin se objektivisht nuk i mjaftuan vitet për të dëshmuar, për të dhëna provat e plota dhe bindëse, që të jetësonte atë për çfarë “etërit” e tyre dhe vetë ata, ëndërronin, krenoheshin dhe krekoseshin. Mbase kjo mëndje lehtësi, e ndihmoi këtë bashkësi, që të mos humbë asnjë sekondë, për të formuluar dhe paraqitur alibinë përkatëse. Një pjesë e saj, turravrap “u rreshtua” në lëvizjen “antikomuniste”, duke e shoqëruar këtë me kritika të ashpra gojore dhe të shkruara, ndaj sistemit që e ngritën “etërit” e tyre biologjikë dhe shpirtërorë. Jo rrallë, këto kritika, kuptohet duke zbatuar pikë për pikë skenarin, të hutonin, të linin pa mend, sepse ia kalonin edhe kritikave të atyre që megjithëse sapo kishin dalë nga ferri i Burrelit, Spaçit, Batrës etj, kockë e lëkurë, me një trastë me zhele mbi krahë, përsëri të tillë po mbeteshin dhe mbetën, madje me vështirësi po ngopen me frymën e lirisë. Pjesa tjetër “zgjodhi” pozicionin e intelektualëve të zhgënjyer, të pa angazhuar, indiferentë, të teknicienëve dhe të specialistëve skrupulozë. Si dy pjesë të një të tëre, fshihen dhe fshehin, mbajnë dhe mbrojnë fort njëra tjetrën. Ndërkaq për bëmat dhe gjëmat e sistemit komunist, haraçin e paguan, madje edhe sot vijojnë ta paguajnë të tjerët, jo gjoja opozitarët, por opozitarët e vërtetë, pavarësisht nga e shkuara e tyre jo komuniste, gjithashtu dhe një pjesë e familjeve të ish anëtarëve të PPSH-së, që para vitit 1990-të kishin patur shumë çka në dorë; teserën e kuqe, punën e thjeshtë në fabrikë apo në arë dhe çelësat e kashtës.
Po mbushen dy dekada plurapartizëm dhe jemi shumë pranë një çasti aq të rëndësishëm sa edhe jetik, mund ta quajmë çast kapërcyell, pothuajse të njëjtë me atë të fundvitit 1990-të. Lejfenët tani kanë arritur në pjesën e skenarit, të të qënit pak veprues, por me orekse në rritje për të marrë, për të grabitur gjithçka dhe kudo. Jo veprues në politikë, sepse drejtpërdrejtë janë të përfshirë pak, por fuqimisht në prapaskenën e errët të saj, aty ku thuren intrigat dhe ku deri në asht ngulen thikat, ku enden pëlhurat e merimangave, më helmuese se të vejushës së zezë, që me kurthin e rrjetit mbushamëndës dhe marramendës, po e arrin synimin e saj, që të kthejë në kërkesë të kohës, pra në nevojë dhe domosdoshmëri, jerontokracinë, nëpërmjet futjes në fushën e lojës së politikës, në të gjithë rrafshet e saj, të “kombëtares” së re, me lojtarë dhe titullarë pasardhësit e tyre, që vijnë kryesisht nga bashkësia e google’s people, që pa kaluar në asnjë prej ekipeve zinxhir e shohin veten të grumbulluar në këtë “kombëtare”, duke shmangur dhe duke përqeshur çdo rregull dhe vegël të garës, të matjes së vlerave, të pjesëmarrjes dhe ndihmesës së vijueshme dobiprurëse.
Besoj se nuk ka mëdyshje për të kuptuar se nga dhe se si vijnë google’s people. Me përfaqësuesit më të përzgjedhur të tyre, pra me engjëjt dhe shenjtorët e përzgjedhur nga vetë mesitë, ne takohemi pothuajse çdo ditë, çdo natë, nëpërmjet ekraneve të TV-ve dhe faqeve të gazetave. Kjo me shpeshtësi në rritje, sidomos në këto vitet dhe muajt e fundit. Se me çfarë janë marrë, gjatë ndërkohës deri sa, ashtu krejt “pa pritur pa menduar”, u kuptuan vlerat e tyre, derisa u erdhi dhe pranuan ftesën për në “kombëtare” ose sipas formulimit standard, u erdhi dhe pranuan ftesën për pjesëmarrje në projektin e mesisë përkatës, është e lodhshme ta përkufizosh, sepse shkenca pavarësisht nga çuditë e deritanishme zhvillimore, ka edhe mangësitë e saj, pasi nuk ka arritur të prodhojë lakmuesin e veçantë veprues, për mundin, djersën dhe produktin real, për të gjithë këta që kaq shumë dhe me prodhimtari punojnë, por që pak kush arrin ta dallojë dhe për rrjedhojë ende nuk u thonë “puna e mbarë”.
Me këtë dua të them se ata kryesisht i gdhijnë netët dhe i ngrysin ditët në përsosje të mjeshtërisë së gojëtarisë jo përmbajtësore, ose sipas Nolit “llafe imzot llafe” dhe jo për atë që kanë studiuar, janë kualifikuar, brenda apo jashtë vendit. Rrallë ndodh që mirfilltas të punojnë në profesionet e tyre, dhe shumë shpesh në organizatat jo fitimprurëse, në fakt abuzivisht shumë fitimprurëse, tematika dhe problematika e të cilave, pak ose aspak përtakohet (konvergjon) me formimin shkencor, me thirrjen e brendshme shpirtërore dhe me përvojat jetësore të tyre. Rrallë mund të ndodhë që ata të trajtojnë, të debatojnë, të mbrojnë ose të bëjnë oponencë, të bëjnë kritika të shoqëruara me zgjidhje konkrete, lehtësisht të ballafaqueshme, për fusha të rëndësishme dhe konkrete si; arsimi, shëndetësia, rritja e ekonomisë, sistemi i tatimeve dhe i fiskut, sistemi i sigurimeve pensionale dhe shëndetësore, ulja reale e varfërisë dhe punësimi, sistemi gjyqësor etj. Mjeshtëria e tyre kufizohet kryesisht te konstatimi, te nxirja ose te lustrimi i realitetit, varësisht se në ç’krah politik janë të rreshtuar. Herë në nxirës dhe herë në lustrues, ndërduarshmërisht, krejt ngjashëm por në një rrafsh tjetër, me “të fortët” e lagjeve dhe fshatrave, me disa prej “mbështetësve” të zjarrtë të partive, që ndërsa në një palë zgjedhje janë mbrojtës të pa epur të votës, ndërkaq në zgjedhjet pasuese shnëdrrohen po kështu në grabitës të tyre.
Edhe nëse bashkëbiseduesi këmbëngul me plot të drejtë dhe u kërkon trajtim konkret, të prekshëm, lehtësisht të kuptueshëm, ata për të mbuluar mungesën e njohurive, pra foshnjërinë profesionale, në majë të gjuhës kanë kundërvënien e shprehur me sloganin, “këtu jemi për të diskutuar në rrafshin e politikave dhe nuk mund ta ulim lartësinë e bisedës në detaje të karakterit teknik”. Lëre, lëre, kur ka edhe prej tyre që kanë guximin e pacipë, deri në atë shkallë sa vetë shpallen, vetë quhen politikanë. Ne kemi të drejtë të pyesim dhe të marrim përgjigje. Cili është formimi shkencor, profesioni, arritjet dhe përvojat e tyre, sepse në jo pak raste në diskutimet që bëjnë, mbase jam dhe dëshiroj të jem i gabuar, por duket se shpërfaqin një arsyeshmëri të një lartësie të krahasueshme me atë të çdo shitësi ambulant fruta zarzavatesh.
Vendi ynë nuk është në vitet e para të pas luftës. Respekt dhe përulje të përjetshme, për veprën sublime, për të gjithë ata që dhanë jetën në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Përbuzje dhe neveri, për të gjithë ata, që sado pak, gjatë këtyre viteve të pluralizmit, përpiqen të mjegullojnë, të zvogëlojnë, të mëdyshin këtë vepër, qoftë edhe për një rast të vetëm. Sidoqoftë nuk duhet të harrojmë, se pavarësisht ëndrrës për një jetë të re, gatishmërisë dhe optimizmit, edhe në rastin më të mirë mund të themi se ndodhi shmangja, përjashtimi i egër i specialistëve të kohës, me përvojat dhe përkushtimin e njohur të tyre. Kjo, vetëm e vetëm, sepse nga politika, nuk gëzonin besueshmërisë e duhur. Pothuajse e njëjta gjë ndodhi masivisht në vitin 1992. Besoj se askush nuk e ka harruar ligjin 24/1.
Në emër të antikomunizmit dhe të kontributeve të veçanta për vendosjen e demokracisë, pjesa më e madhe e administratës, në qendër dhe në rrethe, u boshatis duke u tejmbushur me vlera të diskutueshme, të formimit profesional, të përvojës, madje dhe të rrafshit moral. Në dy rastet mund të pranojmë edhe ndonjë argument për arsyeshmërinë, sepse kemi të bëjmë me kalimin nga një sistem në të kundërtin e tij. Po sot cilin sistem po ndryshojmë? Google’s people, të prirë nga zhvleftësimi i çdo gjëje, me mandat që ia kanë dhënë vetes, atë të nxirjes dhe lustrosjes, të çmitizimit, madje edhe të Skënderbeut, në fakt mbrojnë, fshehin dhe fshihen pas berishizmit, mitit real të tyre, që ju jep oksigjen, po se po kur janë krah për krah me të, por edhe kur google’s people “trimërohet” dhe vendos të jenë përballë tij. Mos e merrni krejt diversion, thënien e tij:- Ju të mitë, andej nga e majta. Është vetëm një lapsus mentale i zakonshëm.
Krijoni Kontakt