BalkanWeb.com
URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=37346
Kapet me 65 kg heroinë, sekretari i ambasadës shqiptare në Maqedoni
(Dërguar më: 07/05/09) Agim Haxhiu sekretar i ambasadës shqiptare në Shkup është kapur ne Turqi me 65 kilogramë lëndë narkotike të llojit heroinë. Droga është gjetur pas një kontrolli nga policia turke në makinën me targa diplomatike te Haxhiut. Sasia prej 65 kg e heroinës ka qënë për shitje, vlera e të cilës mund të kapte shifrën e 650 mijë dollarëve. Ndërkohë, përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e punëve të jashtme zyrtarizon heqjen e imunitetit të sekretarit të amabasadës, Agim Haxhiu, por nuk flet për arrestimin.
TURQI-
Min.jashtme i heq imunitetin Haxhiut, asnjë deklaratë për arrestimin
Ora: 15:57- Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e punëve të jashtme zyrtarizon heqjen e imunitetit të sekretarit të amabasadës, Agim Haxhiu, por nuk flet për arrestimin. Në deklaratën e ministrisë thuhet:
“Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se zAgim Haxhiu, ish-Sekretar i Dytë pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, me motivin për braktisje të pajustifikueshme të detyrës që nga data 1 maj deri me datë 6 maj 2009, është liruar nga detyra me urdhër të Ministrit të Punëve të Jashtme. Ky vendim si dhe heqja e cdo privilegj dhe imunitet diplomatik i është bërë e ditur zyrtarisht edhe palës maqedonase, si vend ku ishte i akredituar z.Haxhiu”.
Kapet me 65 kg heroinë, sekretari i ambasadës shqiptare në Maqedoni
Ora: 15:30- Skandali i drogës përfshin diplomacinë shqiptare. Një zyrtar i lartë i ambasadës sonë në Shkup, Agim Ajet Haxhiu me detyrë zv.sekretar i ambasadës mësohet se është kapur me një sasi rekord prej 65 kg heroinë në Turqi. Televizioni “News 24” ka siguruar të dhëna të sigurta zyrtare nga SHISH, ministria e jashtme dhe burime të qeverisë maqedonase të cilat konfirmojnë faktin skandaloz.
Mesohet se Haxhiu është kapur me këtë sasi droge, që kap shifrën 650 mijë euro në një makinë me targa diplomatike në Stamboll, në datën 2 maj. Por gjithcka është mbajtur tepër sekret dhe pas investigimeve të vazhdueshme lajmi është konfirmuar dhe nuk ka më asnjë dyshim se Haxhiu tashmë është në pranga. “News 24” është munduar të kontaktojë sot me ambasadën tonë në Shkup dhe Ankara por prej dy selive diplomatike ose ka patur heshtje ose janë munduar të përgënjeshtrojnë lajmin.
Burime nga ambasada jonë në Maqedoni konfirmojnë gjithashtu se prej disa ditësh Haxhiu nuk është paraqitur në detyrë, por vetë personeli i Ambasadës nuk kishte ndonjë njoftim zyrtar për arrestimin e tij me drogë në Turqi.
Ndërkohë mësohet se pritet edhe një deklaratë zyrtare e Ministrisë së Brendshme maqedonase ku do të jepen dhe detaje të operacionit.
Ndërkaq së fundi burime zyrtare nga ministria e jashtme shqiptare konfirmojnë gjithashtu arrestimin e diplomatit por thekson se nuk është vënë ëe diejni në rrugë zyrtare për këtë rast skandaloz.
Mësohet se Haxhiu ka punuar pak vite më parë është si gazetar i Agjencisë Telegrafike Shqiptare.
Kjo nuk është hera e parë që punonjës të ambasadave shqiptare kapen me pluhurin e bardhe, duke u “fshehur” pas targave diplomatike.
Disa muaj më parë, shoferi i ambasadës shqiptare në Romë, Arsen Selmanllari u arrestua pasi iu gjet 1 kg kokainë në automjetin me targa diplomatike. Bashkë më shoferin e ambasadës shqiptare, u arrestua edhe një grua shqiptare, emri i të cilës nuk është publikuar nga autoritetet italiane. Arrestimet u kryen gjatë një kontrolli policor në autostradë në dalje të Milanos. Policia i ishte afruar dy shqiptarëve shumë qetësisht, por pyetjeve të tyre dy shqiptarët i janë përgjigjur në mënyrë nervoze. Policia i ka detyruar të dy të hapin bagazhin e makinës, ku u gjet dhe sasia plot 1 kilogramë e kokainës.
(e.n/News24/BalkanWeb)
--
Krijoni Kontakt