Deputetët mbështetës të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS i bëjnë apel deputetëve socialistë të hyjnë të hënën në Kuvend. Përmes një rezolutë, të cilën do t’ua bëjnë të njohur të gjithë deputetëve të grupit parlamentar socialist, pesë deputetët që janë shpallur si kritikë të kryetarit Rama dhe qëndrimeve të tij, por dhe mbështetës të tyre në Asamblenë Kombëtare dhe kongresin e PS-së, kërkojnë ndërprerjen e bojkotit të Parlamentit. Këtë akt ata e kërkojnë të ndodhë ditën e hënë më 16 nëntor në një seancë historike, me rastin e marrjes së vendimit të KE lidhur me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“I kërkojmë të gjithë deputetëve të opozitës të rishikojnë vendimin për bojkotin e Kuvendit, për të qenë prezent në seancën kuvendore të datës 16 nëntor 2009 (me rastin e marrjes së vendimit të KE lidhur me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian) me synimin për ta bërë grupin kuvendor të opozitës pjesëmarrëse, në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe demonstruar se opozita aktuale ashtu si në të kaluarën, por edhe në të tashmen e në të ardhmen në drejtimin e vendit ka vendosur sistematikisht dhe vendos interesat madhore të Shqipërisë e të shqiptarëve mbi gjithçka duke synuar njëkohësisht të arrijë pa kompromis e me konsensus standardet evropiane dhe të plotësojë të gjithë detyrimet që rezultojnë nga ky proces përmes pjesëmarrjes së saj aktive dhe veprimeve konstruktive institucionale”, shprehen hartuesit e rezolutës drejtuar grupit parlamentar të PS-së.
Duket se ashtu siç kanë deklaruar dhe më parë, pesë deputetët e mendimit ndryshe në PS, Malaj, Blushi, Islami, Bello dhe Harasani do të jenë në seancën e së hënës në Kuvend edhe nëse grupi parlamentar socialist do të refuzojë ftesën e tyre. Deputeti i PS-së Arben Malaj deklaroi dje se Partia Socialiste duhet të jetë në Parlament për të marrë pjesë në sfidat integruese të vendit. Malaj i bëri thirrje deputetëve të PS-së të hyjnë në Kuvend, sepse sipas tij “është një obligim që PS-ja të futet në Kuvend dhe të japë kontributet në proceset e rëndësishme të vendit”. Malaj duke përshëndetur pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian theksoi se tashmë ka ardhur momenti që PS-ja të jetë pjesë e institucioneve dhe të japë kontributin e saj për proceset e integrimit. Gjithashtu Malaj theksoi se PS-ja duhet të jetë parti e alternativës dhe nuk mund të pranojë vetëm opsionin kundër, duke shtuar se mesazhi për bashkëpunim politik nga Bashkimi Evropian ishte shumë i qartë.
Rezoluta e deputetëve të PS-së:
- Të gjithë deputetët e opozitës të rishikojnë vendimin për bojkotin e Kuvendit, për të qenë prezent në seancën kuvendore të datës 16 nëntor 2009
- Opozita duhet të jetë në Kuvend në këtë seancë, që përkon me rastin e marrjes së vendimit të KE lidhur me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian
- Me këtë veprim synohet që grupi kuvendor i opozitës të bëhet pjesëmarrës në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët
- Kjo ka si qëllim të demonstrojë se opozita aktuale, ashtu si në të kaluarën, por edhe në të tashmen e në të ardhmen, në drejtimin e vendit ka vendosur sistematikisht dhe vendos interesat madhore të Shqipërisë e të shqiptarëve mbi gjithçka
- Deputetët e PS kanë detyrimin të mbështesin plotësisht aspiratat e shqiptarëve, pasi kanë angazhuar maksimalisht prej tetëmbëdhjetë vjetësh sfidat e integrimit evropian e euroatlantik të vendit
Panorama
Krijoni Kontakt