Intervista
Ballkani mbetet strategjik për interesat e Rusisë lidhur me rrugët e gazit
02-05-2009
"Për shkak të vijave të naftës dhe gazit, Ballkani do jetë me rëndësi strategjike për Rusinë. Moska do të tentojë të depërtojë përmes kapitalit edhe në Kosovë", thotë Andrey Shary, ekspert i Radios Evropa e Lirë për Rusinë.
Rusia edhe më tutje refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës. Cilat janë motivet e vërteta të këtij qëndrimi të Moskës zyrtare?
Ka disa shkaqe. Qëndrimi zyrtar thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në harmoni me normat ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244. Shkaqet tjera janë të natyrës taktike. Rusia është duke e shfrytëzuar pavarësinë e Kosovës si përgjigje Perëndimit për mosnjohjen e tyre të Abkhazisë dhe Osetisë Jugore. Shkaku i tretë qëndron në faktin se diplomacia ruse është diplomaci e shekullit XIX, kur paqja bëhej sipas recetave të Kongresit të Berlinit dhe kur kishin ndarë Ballkanin si kanë dëshiruar. Ky qëndrim imperialist dhe carist ende është në fuqi dhe do të mbetet gjithnjë derisa kjo garniturë qeveris në Moskë. Në Kosovë mund të mendojnë se gjërat do të ndryshojnë kur të largohet Putini. Por, unë them se kur ai të largohet, do të vijë një edhe më i keq, një nacionalist edhe më i madh, sepse rrethanat e brendshme në Rusi vetëm sa po përkeqësohen.
Rusia kundërshton pavarësinë e Kosovës për shkaqe të brendshme apo për shkak të solidaritetit me Serbinë, siç thonë disa?
Të dyja nga pak. Megjithatë, solidariteti me Serbinë është floskulë ideologjike dhe nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Solidariteti me Serbinë për Rusinë do të thotë të blesh në Serbi krejt çfarë mund të blihet. Rusia do të tentojë të depërtojë përmes kapitalit edhe në Kosovë. Sa u përket motiveve të brendshme, ato ekzistojnë. Tash për tash, Rusisë i duhet Kosova si kundërpeshë për situatën në Kaukaz, sepse kështu Moska dëshmon se dominon jo në Ballkan, por në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik.
Kur bëhet fjalë për Kosovën, Rusia shpesh thirret në Abkhazinë dhe Osetinë Jugore. Çfarë qëndron pas kësaj paraleleje?
Nuk them se Rusia ka bërë punë të mirë kur ka njohur pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore. Kuptohet që jo. Por, ka vepruar ashtu për të thënë se Kosova ka qenë presedan.
A mendoni se Rusia synon të rikthejë ndikimin në Ballkan, siç thonë disa, apo qëndrimi ndaj Kosovës dhe Serbisë është i natyrës taktike?
Ballkani për Rusinë tash paraqet vijën e dytë të mbrojtjes. Për Moskën, më i rëndësishmi, tash për tash, është territori i ish-Bashkimit Sovjetik. Por, nëse Rusia dëshiron ta shpallë veten fuqi të madhe, dhe ajo dëshiron një gjë të tillë, atëherë i rëndësishëm është edhe Ballkani. Nëse gjërat do të shkonin mirë për Moskën, atëherë Gjeorgjia do të qetësohej, Ukraina nuk do të nisej drejt NATO-s dhe nëse edhe në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik gjërat do të shkonin sipas llogarive të Moskës, atëherë në radhë do të ishte Ballkani. Për shkak të vijave të naftës dhe gazit, Ballkani do të jetë me rëndësi strategjike për Rusinë.
Tensione të reja midis NATO-s dhe Rusisë
Mes NATO-s dhe Rusisë ka tensione të reja. NATO dëboi dy diplomatë rusë. Ambasadori rus në NATO, Dmitri Rogosin e kritikoi vendimin e Aleancës. Zënka janë rishfaqur edhe për provincat e Osetisë Jugore dhe dhe Abkhazisë.
Të mërkurën (29.4.) kishte shenja për rifillimin e dialogut - të enjten (30.04.) filloi të fryjë sërish një fllad i lehtë i Luftës së Ftohtë nga Brukseli. Vetëm një ditë pas takimit të parë, pas disa muajsh të Këshillit NATO-Rusi, dëbimi i dy diplomatëve tronditi raportet mes NATO-s dhe Rusisë. Siç konfirmoi ambasadori i NATO-s, Dmitri Rogosin dy bashkëpunëtorë të tij kanë humbur akreditimin në NATO.
Rusia ka një zyrë në hapësirat e NATO-s. Njëri prej dy të fajësuarve është djali i ambasadorit rus në Bashkimin Evropian, tha Rogosin: "Ky është një provokim. Ne besojmë që ky provokim bëhet në një moment shumë të keq, sepse ne sapo kemi filluar të përmirësojmë marrëdhëniet me NATO-n. Dikush në NATO po kërkon një skandal". NATO e ka ngrirë punën e komisionit të përbashkët me Rusinë në gusht të vitit 2008, pasi që Rusia pat marshuar me trupat e saj në Gjeorgji. Megjithatë, vendet anëtare të NATO-s vendosën në fillim të vitit që të rivendosin dialogun me Rusinë. Më 19 maj do të mbahet një takim i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dhe Rusisë. Sidoqoftë pjesëmarrja e shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov nuk është ende e sigurtë. Ambasadori rus në Nato, Rogosin: "Personat, të cilët i kanë parashtruar këto fajësime duan që Lavrovi të mos vijë në Bruksel. Unë kam biseduar para disa orësh me Lavrovin dhe ne po mendohemi se si duhet të veprojmë. Kjo për faktin se ky nuk është rast normal spiunazhi".
Një eston i ka dhënë dokumente të NATO-s shërbimit të fshehtë rus/Dëbimi i dy diplomatëve siç duket ka të bëjë me një nëpunës nga Estonia. Një gjykatë e ka dënuar atë në shkurt me akuzat për spiunazh, me 12 vjet heqje lirie. Ai thuhet se i ka dhënë dokumente të NATO-s shërbimit të fshehtë rus. Rogosin thotë: "Të dy rusët nuk janë spiunë. Akuzat kundër dy kolegëve të mi janë absurde". Nga ana tjetër, NATO-ja nuk është shprehur deri tani për këtë rast.
55
Krijoni Kontakt