Në Shqipërinë londineze:
TË DJATHTMAJTËT & MAJTDJATHTËT NË
FUSHATË PËR PUSHTET!
Shkruan: Edmond Tupja - Tiranë, 01. 05. 2009
Foto: I djathtmajti & i majtdjathti - Sala dhe Edvini
Në këtë fillim fushate zgjedhore, tek po shihja para pak kohësh një emision televiziv në trajtë debati midis dy përfaqësuesve (një zonjë e një zotëri) të pozitës dhe dy eksponentëve (një zonjë e një zotëri, gjithashtu) të pozitës (o Zot, të dy fjalët - pozitë dhe opozitë - paskan të përbashkët termin “pozë”!), vura re se pozat e tyre në qëndrimet trupore si edhe në shprehjet gojore, ishin gati të barasvlershme. Për këtë arsye, m’u duk se do të ishte më e saktë t’i karakterizoja politikisht me dy fjalët e sajuara që përbëjnë vetë titullin e këtij shkrimi.
Për hir të së vërtetës historike, më duhet të pranoj se të dy partitë e mëdha, ajo blu dhe ajo rozë, e para deri diku, e dyta diçka më shumë se deri diku, nuk janë pa lidhje me realitetin e peizazhit politik njëngjyrësh të Shqipërisë së para 1990-s. Kështu që, për t’u kthyer tek emisioni televiziv që po ndiqja para pak kohësh, pas një dite tejet të ngarkuar me punë e stres, kishte momente kur pjesëmarrësit në atë debat të ndezur, më ngjanin sikur i mbivendoseshin njëri-tjetrit edhe si fytyra e qëndrime, edhe nga mënyra sesi debatonin e argumentonin. I çorientuar siç isha, po gatitesha ta shuaja televizorin, kur befas plasi sherri për një fjalë, po, po, për një fjalë të vetme rrethanore, dhe kjo fjalë më bindi se kisha të bëja me të djathmajtë e me të majtjathtë. M’u mbush mendja, pra, se të dy palët hallin e kishin se kush do ta merrte (dhe jo se kush duhej ta merrte) majën e djathit ose djathin e majës së pushtetit pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Dhe m’u kujtua fabula e frëngut La Fonten me Korbin në majë të pemës, i cili mbante në sqep një copë djathë, dhe me Dhelprën në by..., më falni, në rrëzë të pemës, e cila përpiqej - dhe ia arriti - t’i a merrte Korbit dinakërisht djathin nga sqepi.
Që të mos e tjerr shumë gjatë e të mos e mërzis lexuesin e vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime të përjavshme (për pak sa nuk shkrova “të përvajshme”), po kthehem te fjala e famshme që më bëri t’i dalloja qartë më në fund të djathmajtët nga të majtjathtët: Në debat e sipër, drejtuesi “objektiv” i emisionit u kërkoi të dy palëve t’i shpjegonin teleshikuesit, pra, edhe mua, prejardhjen, sipas gjithsecilit, sigurisht, e fjalës “fushatë”, meqenëse po flitej pikërisht për fushatën zgjedhore. Njëri nga eksponentët (ai mashkull) i pozitës pozëmadhe e shpjegoi këtë prejardhje si derivat të kuptimit ushtarak të termit “fushatë” duke e ilustruar me togfjalëshin “fushata e Napoleon Bonapartit në Rusi”, pra, për të, fjala “fushatë”, luftarake apo zgjedhore qoftë, kishte kuptim e pragbetejës, çka nuk ishte pa lidhje me termin, po ushtarak, “fushim”. Në logjikën e tij, kishte të drejtë: në çdo lloj zgjedhjesh, parlamentare apo vendore qofshin ato, ka përplasje, përleshje, betejë, luftim, luftë për pushtet.
Befas, pashë të hidhej në kundërsulm njërin prej eksponentëve (atë mashkull) të opozitës po aq, në mos më shumë, pozëmadhe. Duke e akuzuar kundërshtarin e vet si luftënxitës, konfliktual e destruktiv, ai ngriti një tjetër hipotezë, krejt paqësore, sipas së cilës, fjala “fushatë” kishte prejardhje bujqësore, pra, konstruktive, dhe si shembull përmendi fushatën e mbjelljeve dhe atë të korrjeve, madje recitoi edhe disa vargje nga kryevepra “Bagëti e Bujqësi” e Naim Frashërit. Pastaj, çuditërisht, për të shpalosur më gjerë bagazhin e tij folkloristik, përmendi një fjalë të urtë popullore nga krahina e tij fushore: “Kush mbjell erën, do të korrë furtunën”, duke paralajmëruar kështu kundërshtarët e tij se do ta pësonin keq kur të humbnin pushtetin pas 28 qershorit ngaqë po vepronin me një frymë luftënxitëse, konfliktuale e destruktive siç sapo e kishte dëshmuar edhe prejardhja e fjalës “fushatë” në gojën e tyre të babëzitur për pushtet.
Eksponenti tjetër (ai femër) i opozitës shtoi me vendosmëri e siguri të madhe se fjala “fushatë” kishte prejardhje bujqësore edhe për një arsye tjetër: ajo mund të ndahej në dy elemente, “fushë” dhe “shatë”, që të dy të fjalorit kooperativist, më falni, rural, tha ajo duke u bërë rozë në fytyrë. Por, aty për aty, përfaqësuesi tjetër (ai femër) i pozitës, u hodh dhe, gati me zemërim, tha se rrokja e parë e fjalës “fushatë” i kujtonte asaj mbiemrin frëng “fou” (shqipto “fu”), që do të thotë “i çmendur”, ndërsa dy rrokjet e tjera, “shatë”, i kujtonin fjalën gjithashtu frënge “chatte” (shqipto “shat”), që do të thotë “mace”, por edhe “guguçe”, si term erotik që shenjon organin më intim të femrës; rrjedhimisht, interpretimi socialbujqësor i fjalës “fushatë” ishte, gjithnjë sipas saj, kryekëput i gabuar, sepse, në të vërtetë, vetëm një mace e çmendur katundi mund të mjaullinte gjëra të tilla pa kuptim dhe, njëherazi qesharake, në këtë fund prilli kur macet nisin mjaullimat epshndjellëse të periudhës së ndërzimit të tyre të papërmbajtshëm. Këtu debati degjeneroi në fyerje e sharje të ndërsjella tragjikomike dhe drejtuesi i emisionit, kësaj radhe “subjektiv”, brofi në këmbë dhe, duke më hedhur një vështrim kërcënues, ulëriti: “Fajin e ka syri i keq dhe mendja e mbrapshtë e profesor Tupes që po na ndjek në këtë moment”, dhe e mbylli menjëherë emisionin. I befasuar, madje i tronditur së tepërmi, erdha në vete, d.m.th. u zgjova: në ekranin e televizorit kishte publicitet. E shova atë në çast dhe psherëtiva i lehtësuar: sapo kisha parë një ëndërr. Por çfarë ëndrre se!
Krijoni Kontakt