Videoklipi “Larg dhe afër” i këngëtarit nga Shqipëria, Alban Skënderaj, është shpallur mbrëmë më i miri në ceremoninë e shtatë të ndarjes së shpërblimeve videomuzikor në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Alban Skënderaj me videoklipin “Larg dhe afër” ka fituar edhe çmimin “Videoklipi për kamerën më të mirë”, derisa me videoklipin tjetër, ai “Një herë një jetë” fitoi çmimin për “videoklipin më të mirë në konkurrencën e meshkujve”. Kjo ishte hera e tretë që Albani fiton trofeun për klipin më të mirë në konkurrencën e meshkujve. Në konkurrencën e femrave fituese doli Elvana Gjata me videoklipin “Nuk janë më”. Ky ishte i vetmi çmimi që arriti të fitojë Elvana, megjithëse, videoklipi i saj “Nuk janë më” ka kryesuar listën e të nominarve të sivjetshëm në VFM ‘09, me gjithsej pesë nominime. Këngëtarja Gjata nuk ishte e pranishme në Vidoefest, për shkak të angazhimeve të saj. Çmimin e mori producenti i këngëtares, kantautori, njëherësh autori i këngës “Nuk janë më”, Florian Mumajesi. Çmimi për videoklipin më të mirë ndër artistë të rinj shkoi në duart e këngëtarit Shpat Deda për videoklipin e tij debutues “Ëndërroj”. Ndryshe, Shpati me videoklipin “A thu”, u vlerësua me çmimin për “Videoklipin me regjinë më të mirë”. Deklarata Shpat Deda “Videoklipi më i mirë pop-folk” u shpall “Ti nuk je shtëpia ime” i këngëtares Mihrije Braha, e cila nuk ishte e pranishme në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve videomuzikore, “Videofesti muzikor 2009”. Videoklipi “Simbol” i këngëtares Hana Cakuli u nderua me dy çmime, “Videoklipi më i mirë në radhët e muzikës pop” dhe “Videoklipi me stylingun më të mirë”. Me dy çmime u vlerësua edhe videoklipi “Kceni kr8” i DaGhost, për “videoklipin me postproduksionin më të mirë”, si dhe atë për “videoklipin më të mirë në zhanrin rap – hip –hop”. Një videoklip mjaft i vlerësuar nga juria e Videofestit, si dhe vetë publiku ishte “Amaneti i Cloënit” i rok-grupit të njohur kosovar, Troja. Ky videospot është nderuar me tri çmime për “Videoklipin më të mirë në zhanrin rok”, “Videoklipi më i mirë në konkurrencën e grupeve” dhe “çmimin e publikut”. Në konkurrencën për videoklipin më të mirë në zhanrin R’n’B u nderua videoklipi i këngës “Nina” i grupit NRG Band. Me videoklipin tjetër, “Urgjentisht”, NRG Band fitoi edhe çmimin për performancën më të mirë në videoklip, çmim ky i cili u nda për herë të parë këtë vit. Fituesit e vitit të kaluar të Videofestit, anëtarët e grupit “Skillz” këtë herë me videoklipin “Wuu qa po shoh” fituan trofeun për “videoklipin me montazhin më të mirë”. Si videoklipi më i promovuar u shpall “Shumë nalt” nga Capital T & 2 po 2 dhe Dafina Zeqiri. Këta ishin fituesit për 18 kategoritë e këtij edicioni të Videofestit muzikor. Juria e sivjetshme e Videofestit ishte në këtë përbërje: Agon Myftari – regjisor, njëherësh kryetar jurie, Albba Morina nga Kohavisioni, Erleta Hoti nga Radiotelevizioni Publik i Kosovës, Astrit Idrizi nga RTV 21, Gëzim Avdiu – Pixels, Granit Limani – Entermedia, Jetmir Grezda – Pulla dhe Petrit Domi nga produksioni “Puntor't Social”. Edhe programi i këtij Videofesti ka qenë mjaft i ngjeshur. Për më shumë se 2 orë e gjysmë shoun e udhëhoqi aktroja Gresa Pallaska. Në skenën e mbrëmshme të Videofestit interpretoi rep-artisti i mirënjohur nga Gjermania, Nana. Ai në Videofest interpretoi hit-këngën e tij, “Lonely”. Videofesti edhe këtë vit vazhdoi traditën me ndarjen e çmimit të veçantë, atë për kontributin e dhënë në skenën e muzikës argëtuese ndër vite. Me këtë çmim u nderua Liljana Çavolli. Me të ngjitur në skenë, në shenjë respekti për Çavollin, i gjithë publiku në sallë u ngrit në këmbë duke brohoritur dhe duartrokitur. Këngëtarja Çavolli interpretoi mbrëmë një miks të këngëve nga repertori i saj muzikor. Ekskluzivisht në Videofest, Tuna dhe Vigani interpretuan këngën “E bojë nxehtë”. Ndërsa, Dafina Zeqiri u paraqit me remiksin e këngës “Bateritë”. Nuk munguan edhe pika të shumta artistike. Mbrëmë në Videofest ishte e pranishme për të ndarë një nga çmimet edhe aktroja e njohur kosovare, tashmë me famë ndërkombëtare, Arta Dobroshi. Duartrokitje dhe brohoritje të shumta e kanë mirëpritur Artën në skenën e Videofestit. Po ashtu mbrëmë nuk munguan edhe momente interesante që bënë publikun të qeshej në sallë. Pjesë e veçantë e Videofestit edhe këtë vit ishte parakalimi i artistëve dhe mysafirëve të shumta mbi qilimin e kuq të shtruar përpara Teatrit Kombëtar të Kosovës. Pas Videofestit, mysafiri special NANA për publikun kosovar interpretoi edhe përpara Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Marre nga KTV
Krijoni Kontakt