Gazeta Kritika, 02. 05. 2009

Si i bëri Berisha durrsakët ''tarrallakë''
nga Vëzhguesi

Kavajsit kanë një shprehje disi raciste për durrsakët. Ata thonë: "Durrsak tarrallak puno një javë e ha një tavë". Me ç'duket, sipas kavajsve, durrsakët ngopen me pak, nuk kërkojnë shumë...; ky mbase mund të jetë interpretimi i drejtëpërdrejtë i shprehjes në fjalë.

Si deputet i Kavajës për disa legjislatura rradhazi tashmë, Berisha duhet ta ketë dëgjuar këtë shprehje, dhe kam përshtypjen se tani e ka vënë edhe në praktikë. Shikoni psh se kush i drejton ministritë kryesore të vendit. Minister i Brendshëm: Bujar Nishani; Ministër i Mbrojtjes: Gazmend Oketa; Ministër i Transportit: Sokol Olldashi - të tre durrsak.

Por jo vetëm kaq, Berisha zgjodhi nga Durrësi edhe Prokuroren e Përgjithshme, Ina Ramën, duke menduar (me ç'duket) se do ta komandonte si të lartëpërmendurit, por ajo i doli nga duart... (ndoshta është nga Kavaja).

A ju kujtohet komisioni parlamentar kunder ish-prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku. Kryetar i atij komisioni ishte përsëri një durrsak, Ferdinand Xhaferaj. Dhe sot ky zotëri, që ndoshta përmbush 100% shprehjen e mësiperme të kavajsve, është kryetar i komisionit parlamentar hetimor kundër Edi Rames.

Interesant është fakti se gjatë mandatit të parë qeverisës të Berishës (1992-1997), rolin e durrsakëve të sotëm e luanin dibranët. Berisha i përdori ata si "mish për top", dhe të shkretët u shpërndanë "si zogjt e korbit" nëpër botë, pas rënies së tij nga pushteti, - ndërsa Berishës nuk i hyri "gjemb në këmbë". Në fakt dibranët i pat përdorur (abuzuar) edhe Zogu gjatë sundimit të tij, por me ç'duket Berisha nuk ka standartet e finokërisë së ish Mbretit shqiptarë.

Ndërsa me durrsakët ai po kopjon Esat Pashe Toptanin, qe siç dihet, i përdori (abuzoi) shumë durrsakët gjatë sundimit të tij, por në fund e pësoi vetë, jo durrsakët. Dhe mbase këtu qëndron dallimi mes durrsakëve e dibranëve. Këta të fundit digjen vetë kur përzihen me pushtetin, ndërsa të parët djegin liderin, jo veten... Të shohim se çdo ndodhë me Berishën këtë rradhë.