Në Medvegjë u mbajt takimi “Diaspora - Medvegja 2010”
Kënga dhe vallja shqipe i zgjuan shqiponjat
Medvegjë, 7 gusht 2010(medvegja.net)
Të shtunën, më 7 gusht, nën patronatin e Shoqatës Humanitare “Medvegja” në Zvicër, në Medvegjë, përkatësisht në Livadhin e Halilit te Xhamia e Siarinës, u mbajt takimi “Diaspora - Medvegja 2010”, në të cilin morën pjesë qindra mërgimtarë, bashkëvendës nga Kosova dhe qytetarë të Medvegjës.
Komuna e Medvegjës agoi ditën e shtunë më ndryshe nga ditët tjera, meqë vendlindjes ia kishin mësyrë qindra njerëz të saj, të cilët e hijeshuan atë gjatë gjithë ditës. Ky takim, i pari me këtë karakter, do të jetë tradicional dhe do të organizohet gjatë fundjavës së parë të çdo muaji gusht.
Edhe pse pjesa zyrtare filloi me pak vonesë nga ç’ishte paraparë, për shkak të rrugës dhe procedurave kufitare, të cilat e rëndojnë jetën në këto treva etnike, megjithatë efekti u arrit.
Fjalë të shkurtër rasti mbajti prof. Gani Krasniqi, në emër të Këshillit Organizativ, dhe z. Zenel Neziri, kryetar i Shoqatës Humanitare “Medvegja” në Zvicër, i cili në pika të shkurtra foli për aktivitetin humanitar në aspektin gjithëkombëtar.
Një moment i veçantë dhe emocionues ishte deklamimi artistik i një poezie nga Nehat S. Hoxha, i cili kishte ardhur enkas në këtë tubim, ndërkaq me poezinë e tij ua kujtoi të pranishmëve tërë historinë e jetën sonë iliriane dhe lashtësinë në këto treva. Takimin e nderuan edhe delegacionet e Malësisë së Bujanocit dhe asaj të Gollakut, si dhe disa telegrame urimi.
Pjesa muzikore e takimit i takoi grupit folklorik “Shpëtimi”, nën udhëheqjen e prof. Rexhep Abazit, me koreografi tipike shqiptare, duke ekzekutuar disa valle dhe pika tjera me instrumente karakteristike shqiptare.
Nuk mungoi as kënga e përcjellë me tingujt e çiftelisë nga Zenel Halimi. Ndërkaq pjesa që më tepër e ndezi atmosferën ishte këngëtari i mirënjohur i kësaj ane Fadil Fetahu, i cili nën shoqërimin e grupit në përbërje Mala (i njohur si “Kauboj Xhema”) dhe Hazreti, i ngazëllyen të pranishmit.
Tërë këtë ndejë e bëri kuptimplotë ushqimi dhe pijet me bollëk, të cilat ishin gratis për të gjithë të pranishmit, ndërkaq u siguruan nga Shoqata Humanitare “Medvegja” në Zvicër.
Në fund doli porosia: Të jemi në vendlindje sa më shpesh që të jetë e mundur, sepse vetëm kështu ajo duket më e bukur.
Shkruan: Jonuz Fetahu
Foto:medvegja.net
Krijoni Kontakt