Me rëndësi të posaçme dhe saktësi të madhe për pjesëmarrjen e shqiptarëve në koalicionin e të krishterëve antiosmanë ofron kronika “Historia e generalogia della casa Musachia” e Gjon Muzakës, e shkruar në vitin 1510. Këtë e ndjek raguzani Ludovik Cerva Tubero në “Comentario de rebus quae temporibus eius...gestae funt”, e shkruar para vitit 1515, kurse e botuar më 1590 me titull: “...De Turcorum origjine...”. Ngjarjes së vitit 1389 në Kosovë iu kushtua edhe Benedikt Kuripeshiq në “Itinerarium der Botschaftstreise...”, më 1530, kurse më 1550 u botua në gjuhën gjermane kronika osmane e quajtur: “Girabi Tevarichi”. Ngjarjes në Kosovë, më 1389, do t’i përkushtohet edhe Francesco Sansouino në “Gl’ Annali overo le vite de’principi et singnori della casa Othomana”, botuar më 1571 si dhe udhëpërshkruesi Jean Palerne Forensien, i cili vizitoi viset e Dardanisë në vitet 90 të shek. XVI dhe regjistroi kujtesën historike shqiptare të ndritur për Skënderbeun dhe për Milo Komnenin (Milosh Nikollë Kopiliqin).
Krijoni Kontakt