Eqrem Cabej përcakton qëndrimin e politikave arsimore në Himarë
» Dërguar më: 26/04/2009 - 11:20
Ledi Shamku-Shkreli
Kjo letër është një Promemorie e hartuar dhe e paraqitur në vjetin 1936 nga Eqrem Çabej, kur ai kryente funksionin e inspektorit në Ministrinë e Arsimit t’asokohe. Është në vetvete përgjigja zyrtare e Shtetit Shqiptar ndaj një kërkese për çelje të shkollave greke në katundet tona Himarë, Dhërmi e Palasë. Dy elemente bien në sy në këtë relacion zyrtar:
1.Së pari përgjegjshmëria e shtetit t’asokohe si dalëzotës i edukimit të shtetasve të vet, e cila nuk dëftohet me vorbulla fjalësh marrakote si të sotmet, po përmes politikave konkrete arsimore në restaurimin dhe mëkëmbjen e shkollave, në shtimin e personelit mësimdhënës e poashtu në bursat të veçanta për “djelm e vajza të kësaj krahine, nga familje të vobekta dhe arsimdashëse”.
2.Së dyti, ky relacion dallohet për një analizë të imtë dhe tejet profesionale të elementeve kulturore, mbi të cilat janë themeluar vendimet e politikave arsimore. Sjellim këtu një fragment nga përimtimi i Çabejt-inspektor arsimi: “Himara në tanësinë e sajë ka qenë dhe asht një krahinë shqiptare, ku sundojnë edhe sot cilësit e racës shqiptare ma fort se në disa krahina të tjera të Shtetit t’onë. Për origjinën shqiptare të së tre katundeve të Himarës në fjalë [Himarë, Dhërmi e Palasë], flasin qartas zakonet krejt shqiptare labe të tyne; po për këtë origjinë flasin emnat e familjeve dhe të vendeve (toponomastika). Sidomos flasin kangët e vajtimet e tyne të cilat janë shqip, zakonet ndër lindje, martesa e vdekje si dhe ndër festat e ndryshme të vjetit [...] Të tri këto katunde e dinë vetë fare mirë shqiptarizmin e tyne dhe e kanë deklarue me çdo rast këtë të vërtetë. Ata e dijnë se janë nji fis me lebrit e Vlonës e të Kurveleshit, me të cilët bajnë edhe sot krushqi me gjith ndryshimin e fesë. Banorët e Palasës kallxojnë edhe sot se rrjedhin prej Dukatit të Vlonës, banorët e lagjes Gjilok të Dhërmiut krenohen e thonë se rrjedhin prej Kruje dhe kanë qenë ushtarë të Skanderbeut. Të tre katundet e dijnë edhe sot se kanë far’e fisin e vet në Labëri: në Progonat, në Nivicë të Kurveleshit dhe në katundet Velçë, Tragjas e të tjera të Vlonës. Nga këto fakte rezulton pra në mënyrë të padyshimtë se të tri katundet janë origjinë shqiptare. Ato nuk mund të quhen jo minoritet i plotë si Çamërit t’onë në Greqi, po as edhe minoritet gjuhe, as race”.
Kanë kaluar plot 73 vjet nga koha kur Çabej hartoi Promemorien mbi shkollat e Himarës. Ajo çka shenjon përshtypjen tonë pas leximit të saj është fakti se si në fushë të gjuhësisë, ashtu edhe në punë të edukimit kulturor e arsimor, kontributi i Çabejt vijon të mbetet modern e aktual. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, pasi këtë kontribut shumëplanësh e ngjizi diçka e pakohshme: dashuria për vendin dhe njerëzit e këtij vendi. Kjo dashuri ka njimend forcë të përtërijë gjithçka, deri edhe vetë politikën.
Milosao.
Krijoni Kontakt