Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216

    S’ka Simetri Të Krimit

    Hashim Thaçit, më në fund, iu kujtua uniforma e dikurshme,

    e tha se UÇK "është distancuar" nga aktet e „krimit“!



    S’KA SIMETRI TË KRIMIT




    (…) ata (institucionet e Ksovës) ia lanë duart e lira UNMIK-ut paranojak, i cili qysh herët i identifikoi ushtarët e UÇK-së si rrezikun më të madh kundër regjimit të vet neokolonial, që të na shkretëronte me drejtësinë e vet të anshme, e cila ka organizuar mëse 12 procese të diskutueshme gjyqësore kundër pjesëtarëve të UÇK-së, e zero (0) procese kundër të pandehurve serbë për krime të luftës. Pak kohë më parë, edhe EULEX-i tha haptazi se kishte nisur bashkëpunim zyrtar me prokurorinë serbe (të përmendur ndërkombëtarisht për korrupsion e manipulime politike) me qëllim që të akuzojë e të dënojë edhe ushtarë tjerë të UÇK-së; gjithçka vazhdon, pra, në të njëjtin stil si në kohën e UNMIK-ut, ndërsa krerët heshtin si peshku.



    Shkruan: Shqiptar Oseku - Oslo, 28. 04. 2009
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  2. #2
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Artikujt e BBC-së për krimet e supozuara të luftës të kryera prej UÇK-së kanë shkaktuar reagime të mbytura dhe konfuze. Reagimet e para kanë qenë prej mohimit e gjer te zemërimi kundër ekipit të përbashkët shqiptar e britanik të gazetarëve në BBC, të cilët madje janë akuzuar se po i shpien ujë në mulli Serbisë. Hashim Thaçit, më në fund, iu kujtua uniforma e dikurshme, e tha se UÇK "është distancuar" nga akte të këtilla "me kohë". Agim Çeku, ndërkaq, ka shtuar se lufta e UÇK-së ka qenë "e pastër". Reagime tjera të hapërdara kanë ardhur edhe nga Jakup Krasniqi, Ramush Haradinaj, Xhavit Haliti etj; secili me qëndrimin e vet personal, që shpesh bie ndesh me të shokut; thuase janë persona privatë e jo përfaqësues të shtetit.

    Kështu nuk mbrohet dot trashëgimia e UÇK-së. Ajo që shihet qartë është se zotërinjtë nuk mblidhen dot rreth një linje të përbashkët. Ata ta kujtojnë anekdotën e Tolstoit për muzhikun rus që u akuzua nga i zoti se i ka vjedhur një rrotë. Jo unë s'kam vjedhur rrotë.
    S'e di se për ç'rrotë e ke fjalën. E kam ndëshkuar ashpër tim bir pse vodhi rrotën. Çka është rrota? Personalisht, më vje turp për ta. Para së gjithash, për sulmin e papërmbajtur të tyre kundër gazetarëve, që zbulon sërish! - një refleks trazues të krerëve tanë që në çdo situatë krize të godasin mediat. Shihet qartë se ata s'hamenden të qëllojnë lajmëtarin; në fakt, ata parapëlqejnë të qëllojnë së pari, e të shtrojnë pyetje pastaj.

    Them se po të kishin shtruar së pari pyetje, ata do të kishin parë lehtësisht që gazetarët që i shkruan këta artikuj, tjerët i akuzojnë si proshqiptarë, meqë balansi i shkrimeve të tyre është 20:1 në favor të shqiptarëve. Gazetari britanik Montgomeri, që e udhëhoqi ekipin e gazetarëve, është ai që shkroi rrëfimet e famshme në BBC për masakrën e Qyshkut ku, siç dihet, u vra edhe i jati i Agim Çekut. Ai është edhe autori i vetëm ndërkombëtar që ka rrëfyer për djegjen e kufomave shqiptare në shkritoret e Trepçës.

    Së dyti, më vje turp për ta, pse dyshoj që Thaçi&Co. po e shpërdoron këtë situatë për ta mbuluar shpërfilljen e tyre flagrante për shokët e dikurshëm të armëve, për idetë për të cilat ka luftuar UÇK-ja, e për vetë Kosovën. Gjatë tërë këtyre viteve që prej Luftës Çlirimtare, kemi qenë dëshmitarë të një procesi të çuditshëm dual, ku ata e kanë glorifikuar kujtimin e UÇK-së, ndërsa shokët e vet të dikurshëm i kanë varfëruar e margjinalizuar, kurse vlerat e UÇK-së i kanë dezertuar sistematikisht, përmes korrupsionit politik e ekonomik. Tutje është impenjimi i UÇK-së për të drejta të barabarta pavarësisht prej etnisë e fesë; tutje ëndërra e një shteti unitar për ne të gjithë; tutje shpresa për një regjim të pakorruptuar; për vetëvendosje dhe, në të vërtetë, edhe vetë ëndërra e lirisë.

    Në vend të tyre, kemi një shtet etnocentrik të ndarë njësoj, në mos më fort, se në kulmin e pushtetit të Millosheviçit; ku bëhet dallim mes qytetarësh e qytetaresh; ku disa kanë gjithçka e disa bash asgjë; dhe ku liria është anulluar me dekret të Cezarit, që kësaj radhe s'vie nga Beogradi por nga Brukseli, me mandat kushtetutor që ta burgosë kryetarin pa motiv e pa afat. S'do mend, pra, pse UÇK-ja, sall 10 vjet pas luftës së vet të drejtë e të kushtueshme, në përgjithësi trajtohet në distancë, si fenomen i lavdërueshëm por i pashpjegueshëm dhe ngapak trazues i të kaluarës së largët, ngjashëm me misterin e trinisë së shenjtë në dogmën kristiane. Krerët e saj të dikurshëm thjesht e kanë braktisur atë të pambrojtur lartë diku mbi një piedestal të ftohtë, ku sekush ka mundur ta gjuajë me gur e dru - të na gjuajë neve të gjithëve me gur e dru! Ndoshta ti mendon që kjo s'më qet në turp mua personalisht, por ja që unë ndjehem i turpëruar, nga mënyra se si janë trajtuar ata që flijuan për luftën. Është përbuzja ndaj tyre që më bën të turpërohem.

    E treta, ndjehem thellësisht i turpëruar kur dëgjoj krerët e Kosovës tek gënjejnë sheshit, duke thënë që qenka ky artikull që i paska sjellur nam të zi Kosovës. Kur, në fakt, janë ata vetë që na kanë sjellur namin e zi të gjithëve. Opinioni botëror s'lëvizi nga mbështetja e vet për Bosnjen kur disa krerë të luftës atje u gjykuan në Hagë. Ai s'do të na braktiste as neve sot, sikur krerët kosovarë ta kishin bërë punën e vet. Por ja që s'e kanë bërë. Madje sa u përket krerëve tanë, them se BBC-ja dhe Montgomeri mund të kishin shkruar lehtë edhe 100:1 në favor të Kosovës, e Serbia prapë do të na vinte përposh në opinion. Shkaku është, se krerët kosovarë dhe këto institucione të tyre ia kanë lënë në dorë Hagës që t'i ndjekë e t'i hetojë akuzat e panumërta kundër Serbisë, pa treguar asnjë angazhim vetjak që të nxirret në shesh e vërteta e përshkruar mu në shkrimet e me shokë.

    Në të njëjtën kohë, ata ia lanë duart e lira UNMIK-ut paranojak, i cili qysh herët i identifikoi ushtarët e UÇK-së si rrezikun më të madh kundër regjimit të vet neokolonial, që të na shkretëronte me drejtësinë e vet të anshme, e cila ka organizuar mëse 12 procese të diskutueshme gjyqësore kundër pjesëtarëve të UÇK-së, e zero (0) procese kundër të pandehurve serbë për krime të luftës. Pak kohë më parë, edhe EULEX-i tha haptazi se kishte nisur bashkëpunim zyrtar me prokurorinë serbe (të përmendur ndërkombëtarisht për korrupsion e manipulime politike) me qëllim që të akuzojë e të dënojë edhe ushtarë tjerë të UÇK-së; gjithçka vazhdon, pra, në të njëjtin stil si në kohën e UNMIK-ut, ndërsa krerët heshtin si peshku.

    Si pasojë e kësaj, Serbia e ka patur të lehtë të bëjë stërvitje fushore, duke ushtruar qitje mbi kufomë. Ajo ka bërë shou publik nga çdo rast që i është ofruar për ti fajësuar shqiptarët. Ose, kur ka gjykuar që kjo është e pamundur, për ta ndarë fajin barabarësisht: në viktima civile, në refugjatë, në pothuajse çdonjërin nga ato kuantitetet horrible të cilat përdoren nga njerëzit e rëndomtë në rrugë për të dalluar të drejtën nga e padrejta, kriminelin nga viktima.

    - Ku ishin krerët e Kosovës gjersa ndodhte gjithë kjo?

    - Çfarë po bëjnë ata sot, për ta mbështetur juridikisht të vërtetën mbi Kosovën?

    - Si guxojnë ata, si kanë fytyrë, të tregojnë me gisht kah gazetarët?!


    Është heshtja dhe indolenca e krerëve, e jo faji i gazetarëve, që na ka sjellur në këtë gjendje absurde: Lufta Çlirimtare la 15.000 shqiptarë të vdekur e më pak se 1000 serbë; nga Kosova kanë ikur 60.000 refugjatë serbë dhe 300.000 refugjatë shqiptarë (mes tyre edhe vetja ime); tribunali i Hagës i ka dënuar krerët e shtetit serb, e i ka liruar udhëheqësit shqiptarë të luftës; kurse imazhi që i ushqehet paprerë opinionit ndërkombëtar flet për një simetri të krimit. Kjo më turpëron më shumë se gjithçka tjetër: fakti se atdheu im ende udhëhiqet nga një mënyrë e këtillë kaq e papërgjegjshme. Prandaj, them se neve nuk na e punuan BBC-ja dhe Montgomeri. Them se neve na e punuan Sejdiu, Thaçi, e shokët e tyre. Dhe na e punuan keq, bile!
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

Tema të Ngjashme

  1. "Revolucioni vonuar" dhe Ahmet Krasniqi
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 214
    Postimi i Fundit: 20-09-2018, 13:55
  2. Lufta ndaj krimit te organizuar
    Nga Brari në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 171
    Postimi i Fundit: 17-09-2017, 02:56
  3. Aldo Bare: Dokumentat do t’i bëjmë nëpërmjet Gjermenit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 75
    Postimi i Fundit: 21-05-2007, 00:58
  4. Shkatërrim krimit në PS
    Nga ALBA në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 27-02-2006, 17:34
  5. E verteta per MAFIA-n ne Shqiperi !!
    Nga Shpirt Njeriu në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 03-10-2004, 21:44

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •