Realisht, pushtetin e prodhon politika, më pas herë pas here e çertifikon dhe bën korrigjime dhe vetekorrigjime. Por, aktualisht, ajo që ne sot e quajmë politikë, eshte thjeshte një maskarallik.
Po përpiqem të kujtoj ekzaktësisht, diçka nga ato takimet partiake: (Prill 2006)
- Mjaft hangën ata! Tani do hajmë ne!- kështu e mbylli fjalën e saj e Deleguara e Pushtetit. Një grua, që njihej me emrin Viola dhe, si beqareshë e lashtë. E kishte fjalën, që kundërshtarët e saj nuk duhet të ishin më në punë, nuk duhet të hanin më. Para syve të saj, servilët e servilëve s’gjenin radhë për t’i dhënë “complimenti”, ndërsa pas shpine, bëheshin se ishin dashnorët e saj. Secili prej tyre, hiqej si më mashkulli i pëlqyer i saj. Si fitues, mbi më të mëparshmin e saj. Si triumfator i betejës mashkullore, se kush e kishte shtrirë dhe vënë poshtë shalëve më egërsisht. Se kush prej tyre e kishte bërë të ulërinte më tepër gojën e saj dhe, gropën e seksit. Në këtë derexhe ishte katandisur pushteti… i shalëve. Instikti mashkullor u kishte thirrur dhe sugjeruar atyre, se femra në pushtet është shumë e keqe, e papërmbajtshme. Më burrë, se burrat. Brishtësia e saj konvertohet në vrazhdësi. Veçse ka një ilaç për ta bërë pushtetin e saj të butë si buzët, si vithet dhe shalët e depiluara. Ilaçi na paskësh qënë kontakti i lëkurave me të dhe, shkëmbimi i trilleve të ndjenjave dhe lajkave porno.
- Po nuk e kape këtë, nuk bëhesh dot mik! Gjithnjë sherr do të kesh dhe do të luftojë me të gjitha mundësitë.- më pëshpëriti afër veshit Golja, një nga të pranishmit e ulur pranë meje, në atë takim llumhanesh e që quhej mbledhje pune.
- Nuk e ke keq, por s’më jepet shumë në këtë lloj arti.
Ndërkohë ai iu drejtua asaj:
- Zonjushë Viola, Ju jeni një grua e hekurt, si Margharet Thatcher.- dhe ia futi një të qeshure, që për mua ishte nga ato më të shpifurat. Së pari stononte, që atë gërdallë, vetëm se kishte pushtet dhe ishte e fuqishme, duhet ta thërrisje zonjushë dhe gjithashtu krahasimi ishte krejt i papërshtatshëm, si shurra me limonatën.
Të gjithë qeshën, duke e ndjekur me vështrimet e tyre. Vështrim mjeranësh, që priste të sjellte një qefbërje të shefes së tyre. Takimi i punës kishte mbaruar, pas fjalës së saj dhe tani po bëhej humori, që ishte pasqyra e shpirtit të tyre të vërtetë.
Beqaresha atij:
- Të kam për zemër dhe të përshëndes. …Dhe mbaje afër atë mikun që ke në krah, se ti ke aftësi të zbutësh edhe derrin.
Ai s’i ta kishte azër retorikën, doli si të ishte piper mbi pilaf:
- Pse vetëm njëherë i kam thënë. Merre njëherë në Maqedoni, se andej e merr vesh, se si bëhet. Dhe ta shohë dhe ta mësojë mirë, që zanati ka një thes me vegla.
Përsëri qeshën. Edhe atyre, që nuk u qeshej ndoshta, u dolën dhëmbët si kokrra fasuleje dhe ndiqnin tërë vesh e sy, se çdo të dilte më vonë nga ato hidh e prit.
- Nuk e le gruaja atë. Çfar’ thoni kështu?- u hodh e tha Shega e Goles, që ishte përballë në atë tavolinë qesharake. Në fakt ishin tre gra përballë, por Shega quhej ajo, që më vinte edhe tek shtëpia, kur kisha diçka pushtet e ajo ma kishte nevojën. Më binte dhurata për fëmijët, edhe pse fëmijët ishin të rritur, ishin në universitet. Ishte loja e saj, teksa përpiqej të gjente mundësi për të përfituar nga njerëz me pushtet. Kjo rracë njerëzish është e çuditshme!
Tani e kisha përballë sa servile, aq dhe qesharake. Ishte e zhytur bythë e gjoks në karrike dhe tavolina ia fshehte pamjen prej bibe dhe ato prapanicat e mëdha e të pështira. Vishej zhele- zhele dhe vetëm diçka femërore, tek ajo nuk mund të gjeje. Fytyrëmadhe me puçkurriza të kuqe, nga goja e së cilës nuk kishte, se si të delnin fjalë të bukura.
Ajo që nga të pranishmit thirrej “shefe” tha:
- Të mençurit nuk martohen kurrë, por ama të ndershmit e bëjnë këtë detyrë shpejt. Dhe, ai shoku që ke përballë, është i ndershëm apo jo…?
- Po shefe. Sa bukur që e the…- ia ktheu bythlopa përballë, duke shkëmbyer gjeste e lajka, ndërsa ajo e qeshura, që duhet ta bënim pa kursim, shembej me zhurmë. Teksa, zhurma përcillej, sa nga një krah në tjetrin, funksiononte më së miri, thënia: “vampiri e njeh mirë lugatin”.
Pra, gjithçka mund të bëhej me ta, vetëm punë nuk ka se si. Sepse punët duan ndjenjë dhe kuptim. Këta njerëz “turma”, nuk mund të bëjnë asgjë dhe me të tillë nuk mund të arrihet asgjëkundi. Ata, kanë mbetur vetëm mbush e zbraz?!...
Një palë sy prej maçoku të egër, ndrinin nën kllapat e vetullave… Nëpëmjet tyre kisha parë shpellat më të errëta, të shpirtit të një barbari të vërtetë. Ishte Avaz Babeli, një ngatërrestar, që kishte shok vetëm veten e vet. Çfar’ nuk kishte këputur në atë të famshme mbledhje, që kishte bërë e Deleguara e Pushtetit. Ishte koha, ku gënjeshtrat dhe thashethemet, besoheshin më lehtë, se sa vetë e vërteta. Edhe Pushteti, këtu i kishte këmbët për t’u mbështetur. Kënaqej dhe ndjehej i lumturuar në rrokopujën e mashtrimeve. Ndërsa tani, ai që kishte sytë e maçokut, rrinte i zgrubulluar, si të notonte nëpër tym. Si për çudi, në çfardo pozicioni, pamja prej kasapi me hanxhar në dorë, që pret e korr pa mëshirë, nuk i ndahet. Ishte, siç thotë populli nga ata që ta merrte edhe plëndësin prej kusie. Kanë gjetur koka- kokën. Këtu janë të gjithë: Edhe Servili klasik, dhe Hipokriti i moderuar që tjetërson fytyrën, edhe Ciniku me brirët e rinocerontit në duar për t’ia vënë kurorë imorale cilitdo. Midis tyre edhe gra… Po këto, çfar’duan?
Ajo ka lindur të stolisë, jetën dhe shpirtin e burrit. Pastaj… Por, jo për t’u ndeshur me llumin e së keqes. …Edhe kur duket se diçka ka fituar, apo se ka triumfuar mbi diçka, kjo është një fitore e rreme. S’ka si të mos jetë e tillë, kur pa u menduar gjatë ka humbur gjënë më të shtrenjtë, pa të cilën përpëlitet më kot. Përpëlitet dhe zhgërryhet, si ato fluturat ndanë rruge, të mbytura nga tymrat e erërave të verbëra.
Doja të flisja, por parandjenja më thoshte, se do të isha i penguar në gurë të padukshëm. Me një zë, që m’u duk se e kisha marrë hua, u thashë:
- Si i thonë një fjale, “shpata përtace, sheh ëndërra me beteja”.
- E, pse na e thua këtë ? Bezbeli, që ti je punëtor, që je pordhë e madhe, apo i dituri i dynjasë!- shfryu ai, që e thërrisnim Avaz e, që ngatërronte tërë miletin. Ndërhyrja e tij ishte njëllojë, si të delte nga ndonjë qosh shpelle, ulërima e ndonjë çakalli të uritur, në mbretërinë e qetësisë. Megjithatë, e ndjeu se mbeti si kau me një bri.
- Dua të më kuptosh dhe të mësosh, se njeriun e ndotin, vetëm gjërat që dalin prej tij. Tjetërgjë jashtë njeriut, le të futet brenda tij dhe s’ka për ta ndotur, edhe pse koha është e ndotjes globale.
- Mirë, mirë, këtë e kam të qartë. Tamam ashtu është. Ne jemi shokë… prandaj…duhet dhe të fitojmë të gjithë, sipas meritave.- u përgjigj, me një zë të zvargur, zë që s’dihej se nga ç’ thellësi delte dhe që merrej vesh që s’kishte kurrëfarë kuptimi.
Kur askush nuk të kupton, është njëlloj si të kesh mbjellë oriz në shkretëtirë. A mbillet orizi në shkretëtirë? Pra, është njëlloj si të kesh dërdëllisur me veten.
Golja, u kthye nga unë dhe duke u zgërdhirë më kapte në parakrah, ma lëvizte atë dhe thoshte:
- Dëgjomë o, dëgjomë mua, se nuk del keq. Mos u bëj si ai guri, që thyen çekanin.- dhe si përherë duke bërë sikur qeshte, duke u zgërdhirë. Zgërdhirje e pështirë, që për nga rreziku ia kalonte ulërimave...
Ai që njihej prej nesh dhe prej ardhacakëve të deleguar, si Avaz Babeli, u çua më këmbë dhe urdhëroi:
- Hajt, tani do të shkojmë në lokal të hamë. Pse apo nuk më solli një mik, një raki të mirë.
- Jo, jo, duhet të ikim. Punët këtu janë mirë, është merita juaj. Dhe mos lejoni asnjë të dërdëllisë, është dhe porosia nga lart.- foli njëri prej ekipit të tyre, që e mbante veten si shtëpisë, në atë zonë.
- Ku do të ikni ju? Nuk bën vaki të na ikin miqtë pa ngrënë. Dreka është porositur, është gati. – tha ai që të lëpinte këmbët dhe mbas shpine, se kishte për gjë të të ngulte dhëmbët.
- Kemi dhe të meta, por për bujari nuk na e kalon kush.- u hodh e tha, motra e Avazit, si të kishte bërë ndonjë zbulim të rrallë. Një servile dhe lajkatare e rrallë që të ngjallte vetëm neveri.
Dolëm. Kush e kush të rrinte sa më pranë të ardhurve. Tufa zbriti nëpër shkallë për të dalë në shesh, ku prisnin makinat luksoze me dyer të hapura e të bëra gati nga shoferët e tyre. Shpejt e shpejt u morën vesh, se ku do të përfundonin, u hypën makinave dhe u nisën. U nisën. Brenda kaplloqes së tyre ishte ideja, se e kishin mbushur karroqen edhe kësaj radhe. S’kishin më nevojë për njerëz. U mjaftonte vetëm vetvetja, që as e kishin ndërmend ta njihnin ndonjëherë.
U nisën pas tyre, edhe të tjera makina me miqtë e tyre brenda. Kësaj radhe, kishin vendosur të festonin në Elbasan. Sigurisht, që herë të tjera do të kërkojnë qetësinë e tyre edhe më larg. Ndoshta në ndonjë planet tjetër...
Krijoni Kontakt