OSSH: Çmimi i energjisë, 44.2% rritje në dy vjet

» Dërguar më: 26/11/2009 - 10:42

Genc Kondi

Në rast se miratohen propozimet e bëra nga tre operatorët kryesorë të energjisë elektrike në vend, KESH, OST dhe OSSH, nga Enti Rregullator i Energjisë, qytetarët shqiptarë do të përballen vitin e ardhshëm me rritjen më të madhe të çmimit të energjisë. Pasi dy operatorët shtetërorë, si dhe operatori tashmë privat, kanë kërkuar një rritje të ndjeshme të tarifave. Ajo që do të rëndonte më shumë mbi konsumatorët është kërkesa e kompanisë OSSH, e cila propozon një rritje deri 44.2 për qind, që parashikohet të shtrihet në një afat kohor të dy viteve kalendarikë. Gjatë 2010-ës propozohet që rritja të jetë 23.1%, ndërsa pjesa tjetër kërkohet të aplikohet një vit më pas. "Ne kemi aplikuar për një rritje prej 44.2%, nga e cila 23.1% të vendoset në vitin e ardhshëm. Në argumentet tona vlerësojmë se faturimi me blloqe nuk është efiçent dhe me këtë propozim duam të japim sinjalin e qartë që të gjithë duhet të paguajnë për kostot. Viti 2009 po mbyllet me një bilanc negativ, humbjet në rrjet janë më të larta se ato që janë deklaruar, pra situata aktuale financiare është larg situatës optimale", - u shpreh Josef Hejsek, drejtor i përgjithshëm i OSSH-së, në seancën dëgjimore të djeshme, organizuar nga ERE. Sipas propozimit të çekëve, nuk duhet të ketë më dy nivele të llogaritjes së tarifave. Aktualisht, çmimi është më i ulët për konsumatorët familjarë që konsumojnë deri në 300 kilovatorë në muaj: 7 lekë/kWh për ata që konsumojnë 300 kWh dhe 12 lekë/kWh për ata që e kalojnë këtë kufi. Kjo është një formulë që përdoret në disa vende, përmes së cilës mbrohen interesat e më të varfërve. Por, tani që kompania është private, pronarët e saj kërkojnë që politikat sociale t'i bëjë qeveria. Kështu, i mbetet kësaj të fundit të caktojë një fond shtesë buxhetor për mbrojtjen e shtresave në nevojë.
Ndërkohë, megjithëse detyrimi ligjor është që kompania të pajisë me matësa të gjithë abonentët deri në fund të këtij viti, sërish ky afat nuk është respektuar, madje nuk parashikohet të zbatohet edhe për disa vjet më pas. Janë mbi 100 mijë abonentë, të cilët nuk kanë sahate matës, por që paguajnë aforfe. Një risi tjetër është kërkesa e kompanisë për të vendosur një tarifë fikse për faturë, 100 lekë për familjarët dhe 200 lekë për bizneset.

Gazeta Shqiptare



A duhet te rritet cmimi i energjise elektrike?