Majë Qesinekut
(Këngë labe nga vëllimi poetik : "Këndoje këngën Malëshovite")
Majë Qesinekut
1-
Majë Qesinekut,
Ku të fryn veriu,
Si plumbi dyfekut,
Shkoja unë i ziu.
2-
Shkoja unë i ziu,
Dimër edhe verë,
Po tani që shkova,
S'pashë njeri në derë.
3-
S'pashë njeri në derë,
S'pashë njeri në krua,
Siç shihja nga herë,
Vajzat faqe ftua.
4-
Vajzat faqe ftua,
Mbi gurë hidhnin valle
Dhe loznin me mua,
Si dele manare.
5-
Si dele manare,
Si thëllëza bregu,
Si mushka xanxare,
Më dilnin tek shtegu.
6-
Më dilnin tek shtegu,
Më dilnin tek pllaja
Dhe kur digjte zhegu,
S'pyeste sevdaja.
7-
Majë Qesinekut,
Ku rriten sorkadhet
Dhe hëna e mekur,
Gajasej na vallet.
Krijoni Kontakt