Përralla me mbret
Gjatë pelegrinazhit nëpër Kosovë i vetëquajturi Mbret i Shqiptarëve ka befasuar disa prej komandantëve të UÇK’së, duke pretenduar se ai ka ndihmuar luftën e fundit me armë. Ata thonë se nuk kanë njohuri të tilla.
Nga Faton Ismajli më 14.04.2009 në ora 8:23
Ekrem Spahia, njëri prej përcjellësve të të vetëquajturit Mbret i Shqiptarëve, Leka Zogu, ka deklaruar në Prekaz, se shefi i tij, Leka, gjatë gjithë kohës sa ka jetuar larg Shqipërisë, është angazhuar për Kosovën.
“Ju e dini se Lartmadhëria e Tij, Leka Zogu, është akuzuar shumë shpesh edhe për kontrabandim të armëve. Ato armë nuk kanë qenë kontrabandim, por kanë qenë të dedikuara për Kosovën. Familja mbretërore ka qenë përkrah Kosovës dhe shqiptarëve kudo që ishin, përherë dhe në çdo kohë”.
Kështu është shprehur Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, i cili është pjesë e Oborrit të Leka Zogut, duke të dielën folur para gazetarëve për akuzat që i janë bërë shefit të tij për kontrabandim të armëve në vitet ‘70 dhe ’80.
Zëdhënësit i oborrit të Leka Zogut, Erion Teli, duke e elaboruar ketë deklaratë të Spahisë, shkon edhe pak përtej, duke thënë se armët që silleshin në Kosovë kanë pasur për qëllim që ta rrëzojnë komunizmin.
“Mbreti e ka ndihmuar me armë edhe luftën e UÇK-së”, thotë ai.
Zëdhënësi i Oborrit “Mbretëror”, Erion Teli, thotë se Kryetari i PLL-së Ekrem Spahia e ka pasur fjalën për vitet ’70 dhe ’80, atëherë kur “Mbreti” Leka Zogu kishte filluar themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Shqipërisë Etnike.
Teli thotë se Pretendenti për Mbret ka pasur kontakte edhe me komandantët e UÇK-së.
“Mbreti ka pasur komunikim me liderët e UCK`së prej viteve ’90, duke përfshirë Ramush Haradinajn. Mbreti ka ndihmuar luftën e UÇK-së”, thotë Teli, por pa e specifikuar se në çfarë mënyre ai e ka ndihmuar këtë luftë.
Por, disa prej komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë në dijeni se i ashtuquajturi Mbret i shqiptarëve e ka ndihmuar këtë ushtri me armatim. Një gjë të tillë e dëgjojnë për herë të parë nga zyrtarë të këtij Oborri.
“Unë nuk kam njohuri që Leka Zogu ka ndihmuar luftën e UCK`së. Politikisht ndoshta ka ndihmuar. Si njëri prej oficerëve që kam qenë në Kosovë gjatë luftës, asnjëherë nuk kam hasur në ndonjë informacion se Mbreti ka ndihmuar UCK`në”, thotë Naim Maloku për Express, i cili tash mban pozitën e Nënkryetarit të AAK`së.
Maloku u bënë thirrje të gjithë atyre që kanë ndonjë njohuri në lidhje me këtë çështje, të sqarojnë nëse Leka Zogu ka ndihmuar apo jo UÇK’në.
Njësoj sikurse Naim Maloku, as ish komandanti tjetër i UÇK’së, Rrustem Mustafa, i njohur gjatë luftës me pseudonimin “Remi”, nuk ka dëgjuar për ndihmën e dhënë nga “Mbreti” i shqiptarëve, dhënë luftës në Kosovë.
“Kurrë emrin e Leka Zogut në luftë nuk e kam dëgjuar. Më vjen mirë nëse e ka ndihmuar luftën, por unë asnjëherë nuk kam dëgjuar për këtë”, thotë Mustafa, ish komandant i UÇK’së për Zonën Operative të Llapit.
Oborri “Mbretëror” i Leka Zogut këto deklarata i ka bërë kur tashmë ka kaluar më shumë se një dekadë nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë.
Për Leka Zogun mediat europiane kanë shkruar se gjatë strehimit të tij në Afrikë të Jugut është marrë më kontrabandë të armëve. Zëdhënësi i Leka Zogut, Erion Teli, tregon se mediat franceze për këto informata të publikuara janë gjobitur nga gjykatat kompetente.
Përndryshe, në Shqipëri në vitet ’90 ishte organizuar një referendum popullor, ku ishin pyetur shqiptarët nëse do të dëshironin që formën e organizimit shtetëror ta kenë monarki, ku Mbret do të ishte Leka Zogu, apo Republikë Parlamentare. Mbi 60 për qind e qytetarëve që kanë dalë në votim, kanë zgjedhur Republikën si formë organizative. Por, Leka Zogu nuk i është bindur verdiktit të popullit.
Krijoni Kontakt